MASKA DHE KIKIRIKA

Mundet BDI t’i mbrojë interesat e shqiptarëve edhe nga opozita.

MASKA DHE KIKIRIKA

1Cili është reagimi më i mençur i një qytetari kur dëgjon nga epidermologu i Institutit për shëndet publik se një rast i koronavirusit nuk paraqet rrezik për gjithë popullsinë? Menjëherë shkon në shitore dhe blen makarona, miell dhe vaj. Veç kësaj, mjeku thotë se prevencioni më i mirë për mbrojtjen nga virusi është larja e shpeshtë e duarve me ujë dhe sapun. Nuk i përmend aspak makaronat. Një qytetar i mençur si rregull shkon në farmaci dhe blen maskë kirurgjike. Megjithëse mjekët thonë se maska duhet të mbahet vetëm nga ai që është infektuar që të mos i infektojë të tjerët. Për të shëndetshmit, maska mund të jetë e rrezikshme.
Pasi kthehet nga pazari, qytetari i mençur ulet para kompjuterit dhe ndan dijet e tij të pashtershme nga fusha e mjekësisë nëpër rrjetet sociale, me të gjitha ekspertizat e mundshme subspecialiste. Kështu, i furnizuar me rezerva makaronash, sipas mundësisë nga origjinë joitaliane, orientohet drejt një analize të thellë në numërimin e avionëve që duhet të aterojnë nga Milano dhe Trevizo.

Qytetarë të tjerë me një ekspertizë më të madhe të kulturës së përgjithshme, kanë dhe pyetje logjike drejt pushteteve mjekësore. Si për shembull, përse italianin që u testua për herë të parë për koronavisrus e kanë pranuar që të hyjë në shtet? Atë është dashur ta kthejnë në Kinë!

Me siguri, ata janë njerëzit e njëjtë që thoshin se qershitë e infektuara japoneze nga qendra e Shkupit duhet të shërohen në vend që të priten. Domethënë, në mëngjes janë fitopatologë, kurse në mbrëmje epidemologë dhe infektologë. Ndërsa, në kohë të lirë janë dhe veterinerë, specialistë për kurimin e qenve të rrugës.

Me të vërtetë është e habitshme se sa shumë ekspertë të koronavirusit ka kjo krahinë. Aty ku, njerëzit, kur dalin nga tualetet, në vend që t’i lajnë duart, kapin telefonat që të bëjnë selfie para pasqyrës. E pastaj fusin dorën te qesja me kikirika që i ndajnë me ata që lajnë duart.

2Pas publikimit të koalicionit parazgjedhor mes LSDM dhe Besës, zëvendës kryeministri Bujar Osmani deklaroi se ky koalicion “ i defaktorizon votat shqiptare”. Ajo çka nënkuptoi Osmani u bë më e qartë kur nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti tha: “Neve na intereson vetëm një gjë – ta kemi legjitimitetin e shqiptarëve, e të tjerët le të gjejnë çare”.

Po kush janë këta të tjerë? E si të gjejnë çare? Të mendojnë se si do ta kenë jetën kur BDI-ja të mos jetë në qeveri? E për më tepër, ku na doli se pikërisht BDI ka monopolin e përfaqësimit të interesave të shqiptarëve? Dhe cilat janë interesat e shqiptarëve? Dhe përse këto interesa janë ndryshe nga interesat e maqedonëve dhe qytetarëve të tjerë, që u përkasin kombësive të ndryshme të shtetit që është anëtar i NATO-s dhe që pret negociatat për hyrje në BE? Nga kush, vallë, do t’i mbrojë shqiptarët BDI-ja? Nga NATO? Apo nga BE?

Mirë de. Mundet edhe BDI të jetë ndonjëherë në opozitë. E pastaj, do të ketë dhe zgjedhje të tjera. Nuk do të ndalojë e gjithë bota nëse BDI nuk është në qeveri. Në fund të fundit, BDI mund t’i mbrojë interesat e shqiptarëve edhe nga opozita. Nëse insistojnë kaq shumë se mu ata do të kenë monopolin.

3Prokuroria për krim dhe korrupsion të organizuar lajmëroi se do të fillojë hetim që kur era e fortë e Shkupit e mori me vete fasadën e bukëpeshkut nga selia e kompanisë shtetërore MEPSO, shtesë e ndërtesës moderne në suaza të projektit “Shkupi 2014”.

Që në shkurt 2018, revizori shtetëror ka lajmëruar se për rikonstruimin e fasadës, drejtori i kaluar ka punuar në mënyrë të papërgjegjshme, pandershme dhe nuk i ka mbrojtur interesat e kompanisë. Enti shtetëror për revizion këtë raport e ka dorëzuar te Prokurora publike. A nuk ishin të mjaftueshme dhjetra historitë hulumtuese për manipulimet e Shkupit 2014, apo raportet revizore të Shkupi 2014 që komuna Qendër ia dorëzoi Prokurorisë që në vitin 2013?

Apo mos ndoshta duhej të frynte era që t’ia sillte lajmin urjgent prokurorisë për të nisur hetimin?

4Në vend të maskave mbrojtëse, është më e udhës të përdoren helmeta mbrojtëse. Maskat nuk mbrojnë nga virusi. Kurse helmetat mund të ta shpëtojë kokën ndërkohë që shëtit nëpër qytet. Së pari, luteshim që të fryjë era që të mos kishin kaq shumë ndotje. E kur fryu era, na shkuan fasadat. Më mirë them të mos lutemi që të na bjerë shi me ankesat për dimrin e thatë që kishim, se nëse rritet niveli i Vardarit, herët a vonë anijet do të lundrojnë për Selanik e do t’i marrin edhe urat me vete.

E pastaj do të presim që VRMO-DPMNE-ja të kthehet në qeveri. Që ta rinovojë Maqedoninë. Me një dozë tjetër bukëpeshku që kushton 600 milionë euro.

5Marshi për drejtësi që u organizua nga LSDM-ja ishte qesharak dhe i pakuptimtë. Kurse marshi për derjtësi që e organizoi VMRO-DPMNE-ja ishte ofendues.
Lideri i partisë Hristijan Misckoski në fjalimin e tij para gjykatës pyeti: “Kush mbajti përgjegjësi për këto tri vjet, pas viteve të fushatës që udhëhoqi Zoran Zaevi?” Dhe kush po pyet? Lideri i partisë që e skllavëroi gjyqësinë dhe instalimet e së cilës vazhdojnë ta mbajnë atë të skllavëruar. Le të mos e bëjë këtë pyetje në tubim. Le t’i kontrollojë defterët e Gruevskit. Me listën e emrave të gjykatësve dhe prokurorëve. Atje do ta gjejë përgjigjen që askush nuk e paska thënë këto tri vjet.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари