MASONI I MAVROVKËS

Nga i gjithë nxitimi për masa antikrize doli se gjëja më urgjente qenka ngritja e çmimit të rrymës

MASONI I MAVROVKËS

1Njerëz, rasti “Mavrovka” ka diçka të re – MPB paska dëshmi të cilat janë bazë për dyshim mbi përgjegjësit e ndërtimit të paligjshëm që tashmë dy muaj po ndërtohet në qendër të Shkupit. As komuna e Çairit, por as shteti nuk mund ta gjejë se kush është investitor i ndërtimit dhe në çfarë parcele po ndërtohet. Gjoja se “Mavrovka” ndodhet në malin Sharr dhe është e pamundur të gjejnë se kush po ndërton. A nuk ju kujtohet se edhe atje, në malin Sharr, vjet rrënuan një ndërtim të paligjshëm të një kroati, e për t’ia bërë këtë kishin kaluar 27 kilometra, nga të cilat 8 kilometra ishin nëpër një rrugicë të ngushtë me borë. Ndërsa “Mavrovka” është 500-600 metra larg Qeverisë dhe Parlamentit në një udhëkryq kyç të kryeqytetit, mu prapa kompleksit të gjyqeve.

Si fillim, që në mars dikush erdhi dhe preu një pemë para kafes “Fontana” në Mavrovkë. Në 1 maj, kafja u hodh në flakë deri në themele. Më pas, kryetari i Çairit, Visar Ganiu, më 30 qershor thoshte se bëhet fjalë për rinovim të një kafeje të djegur dhe se gjithçka është në rregull. Pas dy javësh, u ndërtua dhe kati i parë dhe nga kjo ditë e tutje filloi hetimi për ndërtuesin e panjohur. Megjithatë investitori mbeti i fshehtë dhe Komuna fillimisht kërkonte që ai vetë të paraqitet dhe ta shkatërrojë. Si për bela, firma e përzgjedhur nga Komuna e Çairit për të rrënuar ndërtime të paligjshme, mu në 25 korrik ka shpenzuar të gjitha paratë, e Komuna i ka shpallur tender të ri. Mirëpo, kur nis ters, shkon ters gjer në fund. Askush nuk u paraqit për tenderin dhe komunës iu desh të shpallë tender të dytë, ndërkohë që kërkimi i investitorit dhe pronarit akoma nuk ka përfunduar.

Tani paraqiten vullnetarë që do ta kishin rrënuar, vetë, me duart e tyre, pa para? Ore, si do ta rrënoni kështu? Ky nuk është shtet dosido. Këtu ka ligj, procedura, afate, vendime…Jemi shtet i drejtë. Nuk mund të shkatërroni çfarë të doni e ku të doni, ashtu siç nuk mund edhe të ndërtoni ku t’ju teket.

Kjo histori për ndërtuesin misterioz në qendër të Shkupit është mjaft intriguese. Madje është një histori si për roman. Do të quhet “Masoni i Mavrovkës”, e nëse e bën film do të tingëllojë spektakolar. Mund të bëhet edhe serial, ku do të tregohet pritja ditë pas dite që Visar Ganiu të gjejë ndërtuesin dhe firmën për ta rrënuar objektin. E në fund do të dalë se firma që do të paraqitet në tender për të shkatërruar objektin është firma që e ndërton atë, siç ishte rasti me Nefi Huseinin, këshilltarin e BDI në Komunën e Ohrit, i cili u paraqit për t’i rrënuar ndërtimet e veta të paligjshme. Pse jo?

Ajo që është edhe më emocionuese se saga për kryetarin naiv dhe pemën e prerë para Mavrovkës është ky kreativitet për të shtirur një proces. Gjithçka sipas ligjit e më pas të shkelet ligji.

2Në mes të krizës së pandemisë së KOVID-19, në prag të një krize ekonomike, pothuajse një muaj pas zgjedhjeve, ne nuk kemi punë më të zgjuar dhe vazhdojmë të debatojmë për kryeministër shqiptar. Të mos jetë shqiptar çfarëdo, por një shqiptar i BDI-së.
Që të mos na kaplonte mërzia, një pasdite të tërë diskutuam mbi kandidatin ideal, i cili do t’i plotësonte dëshirat si të BDI-së, ashtu dhe të VMRO-DPMNE-së, e pse jo edhe të LSDM-së dhe arritëm në përfundimin se ky do të ishte Llaze Elenovski, me nënën shqiptare. Kështu, në mënyrë që të mos fillojmë praktika fëmijërore të kryeministrave në rotacion, që të jetë një vit kryeministër shqiptar dhe vitin tjetër maqedonas, të vëmë dikë si Llazja, i cili mund të ndërrohet vetvetiu çdo ditë. Një ditë shqiptar, një ditë maqedonas. Një ditë VMRO-DPMNE, ditën tjetër BDI. E pastaj, kur tashmë po zgjedhim kryeministrin me analizë të DNK, mund të ketë dhe të tjerë. Vetëm unë njoh tre-katër kandidatë të cilët gjenetikisht i plotësojnë kushtet për një kryeministër në rotacion. E pastaj? Përse duhet të jetë vetëm maqedonas dhe shqiptar? Le të jetë një ditë mashkull, ditën tjetër femër. A nuk duhet të mendojmë edhe për barazinë gjinore, që kur jemi nisur për në BE? Po të tjerët që përmenden në Kushtetutë? Po bashkësia LGBT, çfarë do të ketë për të thënë?

Për shembull, të shtunave mund të ketë një rotacion të: serbëve, vllehëve, boshnjakëve, egjiptianëve…ndërsa e diela le të jetë ditë për zgjedhje të lirë të ndjenjës nacionale të kryeministrit. Vetëm se do të na mungojë një ditë e lirë për kryeministër – qytetar dhe qytetare, këtë kategori kushtetuta e lejon.

3A nuk e kuptoni se krizën e vërtetë akoma nuk e kemi parë? Se bankat do të fillojnë përsëri t’i kërkojnë këstet e kredisë, se përmbaruesit do të kthehen në punë, se afati për shpenzimin e kartelave pagesore dhe vauçerët e pushimit është në përfundim e sipër, se janë harxhuar subvencionet shtetërore për pagesë minimale…
A nuk na duheshin zgjedhje të shpjeta, të dinim se kush mban përgjegjësi, se kush e udhëheq shtetin, se ku po shkojmë dhe se kemi një shtet funksional…Nga i gjithë nxitimi për masa antikrize doli se gjëja më urgjente qenka ngritja e çmimt të rrymës dhe vajtja për pushime. Tani do të presim një afat 10 ditë dhe 20 ditë afatin tjetër. Të gjitha sipas procedurës.

A thua se ne jemi një shtet si Belgjika e institucionet i kemi kaq të pavarura dhe profesionale, sa mund të funksionojnë dhe një vit të tërë pa Qeveri. Jo vetëm ministrat, por te ne edhe drejtorët nuk dinë nëse do të mbeten drejtorë, ndërsa administrata shtetërore vazhdon pushimin e zgjatur që nga marsi.

E kuptoj se edhe Zoran Zaevit i nevojitet pushimi, por nuk e kuptoj se si mundej që kandidati më serioz për kryeministër të mos shfaqej në asnjë vend me rastin e Ilindenit. Kinse shteti ynë është kaq i madh sa nuk ka mundur të mbërrijë në kohë nga disa lokacione ku ka pushuar. Një gjë e tillë asnjëherë nuk do t’i kish ndodhur një kandidati të VMRO-DPMNE-së.

VMRO-DPMNE-ja humbi, por nga ana tjetër edhe LSDM-ja nuk fitoi. Nga zgjedhjet parlamentare të vitiT 2016 deri në këto zgjedhje fituan 110.000 vota më pak dhe tani me qëndrimin që po mbajnë tregojnë se janë mu në pikën e duhur për t’u larguar nga pushteti, që të mos çmenden siç bënë ata të VMRO-së në 2008.
Por, kanë fat që në krye të VMRO-DPMNE-së është Hristijan Mickoski.

4Në Qeverinë akoma të paformuar të LSDM-së ka nisur të hyjë nervoza. Përnjëherë u bënë shumë të ndjeshëm dhe këtë gjë filluan ta tregojnë në media. Në vend që të shqetësohen për të bërë ndonjë gjë të mirë, ata shqetësohen më tepër për të parandaluar lajmin për gjërat e këqija.
E dimë. Kështu fillon. Njësoj si 2008. Fillimisht me :”Titulli nuk është i mirë, por tendencioz!”, pastaj me recenzion të teksteve, më pas do të zihen me ndonjë gazetar apo gazetare në konferencë shtypi, më pas vijon “pse kjo fotografi, pse ky bashkëbisedues, çfarë rëndësie ka kjo?” Dhe shumë shpejt do të vijnë dhe konferencat tematike të shtypit me pyetje të porositura, ku nuk mund të arrish dot të kapësh mikrofonin dhe e gjithë kjo do të përfundojë me komentin “lëshimi në ballinë”, të porositur nga Qendra për komunkime, apo si do që ta ketë emrin trupi i tyre propagandues.

Ky kombinim – pak miqësi dhe një dozë arrogance- në raport me mediat nuk është diçka e panjohur. E kemi provuar këtë gjellë, andaj ia dallojmë mirë shijen.

5Treni për Shtip dhe Koçan nuk punon qe dy javë, pasi lokomotiva e vetme që ka ecur atë linjë ka dalë nga binarët dhe akoma nuk mund të rregullohet. E gjithë bota flet për hekurudha të shpejta dhe ulje në prodhimin e gazrave të dëmshëm, ndërsa ne qe dy javë nuk mund të rregullojmë një lokomotivë dizeli të blerë që nga koha e Titos.
Ja, pra. Kjo është tempoja jonë drejt Evropës. Me shpejtësinë e Hekurudhës së Maqedonisë, efikasitetin e Postës së Maqedonisë dhe sigurinë e Makedonija pat. Tri ndërmarrje shtetërore te të cilat për pothuajse dy dekada qëndrojnë drejtorë të vendosur nga partia, e cila tani bën shantazhe me kryeministër shqiptar.

Pjesët rezervë të lokomotivës mund të gjenden në ndonjë muze të teknologjie, por idetë për kryeministër të përzgjedhur ekskluzivisht në baza etnike është e sigurt që tashmë janë harruar edhe në muzetë historikë, të paktën në atë pjesë të Evropës ku ky kryeministër na premton se do të na çojë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира