ME TË QESHURA E SHAKA

E vështirë të mbijetosh në Maqedoni vetëm me humor. Për këtë sëmundje na duhet terapi më e serioze.

1 Kur u nënshkrua Protokolli i dytë për plotësim të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, që ishte kusht që Sofja ta largonte veton për hapjen e ngociatave me BE-në, habiteshim se si do të realizohet ajo pjesë në të cilën shtetet detyrohen të mbështesin fjalimin e urrejtjes. Ministresha e kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska e dha përgjigjen. Në deklaratën e Zërit të Amerikës në gjuhën maqedonase ndaj pyetjes nëse kjo gjë nënkupton censurë të krijimtarisë, u përgjigj: “Le të krijojnë lirisht. Por, të krijojnë në frymën e asaj që do të disponojë popullin dhe publikun, e jo diçka që sërish do ta kthejë popullin pas, drejt disa kohërave të errëta ku me të vërtetë nuk pamë asgjë të mirë”.
Ministresha e dha recetën se si do të zbatohet ajo pjesë që detyron “dy shtete të garantojnë se financimi shtetëror i librave, dokumentarëve, revistave, filmave dhe produksioneve të tjera të reja artistike, si dhe i përmendoreve dhe festimeve kulturore do të realizohet në Frymën e marrëveshjes për miqësi” dhe se “çdo subjekt i financuar nga shteti do të konfirmojë nëpërmjet një deklarate të qartë dhe të përgjegjshme se do të ndjekë me vëmendje të domosdoshme çështjen për mospranimin e të gjitha formave të fjalimit të urrejtjes”. Do të zbatohet – me të qeshura dhe shaka.

Ministresha thotë gjithashtu se “çdo film që do ta promovojë kulturën maqedonase, individualitetin maqedonas do të duhet të ketë mbështetje, por sidoqoftë duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të ecim para, të çlirohemi dhe se historia nuk duhet të na paraqesë një burg, por një mësim”.

Domethënë, nëse dikush vendos të incizojë një film për vrasjen e të rinjve të Vatashës, kjo nuk do të ndalohet, por që të marrë mbështetjen e shtetit, ose nuk duhet administratorët bullgarë të lidhen me fashizmin, ose duhet të jetë komik, që ta argëtojë popullin. Të mos lihen mënjanë temat historike, por të kërkojmë te to humor. Epo, në një version të filmit mund të ketë skenar për jetën e një fshati në luftë, kur kanë ardhur disa çlirimtarë, por djemtë kanë qenë të pakënaqur me efikasitetin e administratës publike, e kështu administratorët janë hidhëruar që i kanë gjuajtur. E në tjetrin, një version i kthjellët mund të pranohet me skenarin ku janë mbledhur dymbëdhjetë tinejxherë, kanë treguar barcaleta për bullgarë, të cilat kanë qenë aq qesharake, sa kanë vdekur nga e qeshura, gjë që u është dukur edhe më shumë për të qeshur.

Ose, nëse veçse “po krijohet në frymën e asaj çka do ta dispononte popullin”, mund të incizohet një mjuzikëll për deportimin bullgar të hebrenjve maqedonas, ku autori do të shfaqë atë se si të përndjekurit e kanë mbajtur sensin e humorit, duke kënduar këngë të hareshme ndërkohë që dërgoheshin në hekurudhën shtetërore bullgare në vagonët furnizues. Nëse Muzeu i holokaustit në Shkup do të kishte kërkuar ndihmë shtetërore për organizimin e ndonjë manifestimi, në program duhet patjetër të parashikohen edhe barcaleta për kampet e përqëndrimit që “ta disponojnë popullin dhe publikun”.

Të kishte qenë gjallë tezja ime Mare, e cila asnjëherë nuk dëshironte të flasë për torturën që ka përjetuar në burgun e Manastirit gjatë kohës së okupimit fashist bullgar, ndoshta tani, në frymën e Protokollit për fillim të negocimeve me BE-në, do të na tregonte se sa qesharake ka qenë situata në burg, se sa ka qeshur nga gjërat qesharake që kanë thënë ata që e kanë rrahur, në vend që të kthehemi në “kohët e errët ku me të vërtetë nuk pamë asgjë të mirë”, siç thotë ministresha.

Me shaka, nëpërmjet protokollit bilateral me Bullgarinë, shteti do të na tregojë se çfarë është temë e lejuar për krijimtari.

2 Me thënë të vërtetën, te ne që moti arti nuk mund ta tejkalojë humorin e realitetit. Mjafton ta shikoni Protokollin me Bullgarinë si kusht për fillimin e negocimeve me BE-në dhe sidomos deklaratën e një shteti anëtar se gjuha që ne flasim nuk ekziston. Si mund ta besonte dikush këtë nëse do tëvihej në skenë? Vetoja bullgare është tashmë pjesë e historisë sonë bashkëkohore. Tashmë tri vjet me radhë ne po jetojmë me këtë histori, ashtu siç mohimi i gjuhës maqedonase nga një shtet anëtar i BE-së është fakt i asaj historie bashkëkohore. E çfarë do të bëjmë nëse dikush do të dëshironte të bënte një dokumentar për veton e Bullgarisë? Një dokumentar të thjeshtë fare, me deklarata, dokumente të cituara, incizime origjinale, duke përfshirë dhe deklaratën e fundit të ministreshës së kulturës. Vetë dokumentari do të jetë një fjalim urrejtjeje. Së pari, sepse kujton edhe një tjetër vepër armiqësore të Bullgarisë nga historia jonë e përbashkët. E së dyti, sepse do të jetë në maqedonisht.

3 Ne kemi nevojë për filma qesharakë dhe krijimtari e cila do ta disponojë popullin. Mjafton vetëm të shikojmë lajmet. Dikush duhet të ketë një sens të jashtëzakonshëm humori, apo të ketë konsumuar ndonjë drogë të lehtë që të shpikë një dramë siç ishte zënka mes prokurores për përndjekjen e krimit të organizuar Villma Ruskovska dhe drejtorit të policisë së financave Arafat Muaremi. Me gjithe akuzat në media, paraqitjet penale, e deri te letra e natës së prokurores me kërkesë që ta mbrojnë ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së, madje edhe prokurorja evropiane Laura Kovesi. Dhe me gjithë deklaratën e BE-së se është duke e ndjekur me kujdes por nuk dëshiron të përfshihet. Nëse kjo situatë do të vihej në skenën teatrale, publiku do të kënaqej duke qeshur. Absurdi është një komedi e fortë.

E vështirë të mbijetosh në Maqedoni vetëm me humor. Për këtë sëmundje na duhet terapi më e serioze.

4 Edhe në këtë Ilinden u bë e qartë se prania e politikanëve në Meçkin Kamen e dëmton dinjitetin e festimit të Ditës së Republikës. Festën e përdorin si një kartë për llogaritë e tyre politike, e jo si një rast për kremtim. Më e mira do të ishte, që, të paktën për disa vjet të shpallej moratorium i fjalimeve politike për 2 gushtin. E politikanët, nëse kaq shumë duan të festojnë, le të shkojnë si qytetarë në Krushevë apo Pelincë.

Le të jenë mikrofonat aty, por ata le të çlirohen nga publikimet e dobishme të përditshmërisë. Siç ishte publikimi kur udhëheqësja e ndërpreu programin: “Gjyshi e humbi mbesën, po e pret tek makina e ambulancës”. Ky ishte mesazhi i vetëm i sinqertë, qytetar dhe jetësor që e dëgjuam në Ilindenin e sivjetshëm.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира