MEGAFON MBIPARTIAK

Nuk mund të mos bëhet. Duhet të bëhet!

MEGAFON MBIPARTIAK

1.Foto numër 1: Kandidatja e VMRO-DPMNE-së për kryetare të shtetit Gordana Siljanovska-Davkova në mbledhje të partive të djathta evropiane në Bruksel, bashkë me liderin e partisë Hristijan Mickoski, pas tabelës ku lexon VMRO-DPMNE.

Foto numër 2: Kandidati i LSDM-së dhe BDI-së Stevo Pendarovski bën tifo për futboll nën shoqërimin e sekretarit gjeneral të partisë Aleksandar Kiracovski.

Ç’do profesoresha që promovohet vetë në mbledhje partiake, ndërkohë që partia që e kandidon vazhdon të insistojë se ajo është kandidate “mbipartiake”? Dhe si mundet kandidati “mbipartiak” të shkojë në futboll me shefin e shtabit zgjedhor, të përcaktuar nga partia që e ka kandiduar? Në futboll shkohet me miq, jo me shokë partiakë.

2Miti i “mbipartizmit” është shpikur nga VMRO-DPMNE për kryesinë e re që t’ua zbardhë faqen kriminelëve dhe krimeve që i bënte ai dhe shoqëria e tij. Profesoresha Siljanovska-Davkova mund të paraqitet sa herë të dojë si “mbipartiake”, por ajo vetë është kandidate e partisë, që jo vetëm që nuk ka kërkuar falje për të gjitha krimet e bëra në të kaluarën, por nuk tregon as vetëdijësimin se ato kanë qenë krime. Fillojnë me përgjimin e paligjshëm dhe nuk mbarojmë as me sulmin e Parlamentit më prill 2017. E për vjedhjet ndërmjet, të mos flasim fare.
“Kështu siç kanë nisur arrestimet, nuk do të mbeten politikanë në opozitë”, shkroi profesoresha pas arrestimit të parë të ish kryetarit të Karposhit Stevço Jakimovski. E di vetë se gënjen. Pasi Stevço nuk u arrestua si lider i GROM-it, por për shkak se si kryetar ka keqpërdorur funksionin e tij. Ka qenë a i fuqishëm, që madje edhe kompania nëpërmjet të cilës ka keqpërdorur paratë e shtetit ka pasur emrin “GROM promet”.

Vetëm profesoresha e di se pse ka pranuar që nëpërmjet saj të zbardhet faqja e partisë së pareformuar, e cila vazhdon të jetë e ndotur krimet e 11 vjetëve. Është e qartë se do ta mbronte edhe Stevçon nëse duhet, si dhe të gjithë të tjerët për të cilët do ta urdhëronte partia. Kështu, profesoresha nuk u bë veçse një megafon i azilantit të nderuar të Budapestit. Nuk na mjaftonin megafonët e Mickoskit, Igor Janushevit dhe shoqërisë nga Shtëpia e Bardhë. Na mungonte edhe një tjetër – një megafon mbipartiak.

3E kuptoj se pse VMRO-DPMNE insistonte të na e shesë mitin e “kandidatit mbipartiak”. Ata do të shpikin e do të bëjnë ç’mos vetëm që të vazhdojnë së na binduri se proceset kundër krimit të partisë janë përndjekje politike.
Pse iu desh LSDM-së ta pranonte këtë lojë? Që të ishin ata që ua zbardhnin faqen VMRO-DPMNE-së? Pse nuk thanë thjesht: Ne shkojmë me kandidat partiak. Pasi jemi një parti e përgjegjshme dhe duam të marrim përgjegjësinë e qeverisjes. Andaj, nuk kemi nevojë të fshihemi pas një “kandidati mbipartiak”.

Kaq munden ata. Çfarëdo lloj gjëje që thotë VMRO, at ia vënë kapakun. Asnjëherë nuk u ka rënë ndërmend të thonë diçka të parët. Ta tejkalojnë VMRO-DPMNE-në me diçka të mençur, diçka të tyren. Dhe në këtë mënyrë t’i fitojnë qytetarët mbipartiakë.

4Çfarë do të ndodhë nëse pushteti qendror ia merr ingerencat Komunës së Sarajit dhe fillon t’i rrënojë platformat e paligjshme në Matkë, për të cilat kryetari Blerim Bexheti tha se nuk do t’i legalizonte, por as nuk do t’i rrënonte. Vallë, do ta lërë  BDI-ja Qeverinë? Do t’u bëjë thirrje votuesve që të votojnë Siljanovskën në vend të Pendarovskit? Do të bëjnë luftë, vallë?

Deklarata e kryetarit të Sarajit është shumë e sinqertë dhe e portretizon shumë mirë sjelljen e shtetit ndaj krimit në ndërtimtari. Komuna nuk është kompetente, qyteti nuk është kompetent, Inspektorati nuk është kompetent, Ministria nuk është kompetente…E në fund, atëherë kur nuk duhet të dalë, do të dalë si më kompetentja Gjykata Kushtetuese dhe do t’i legalizojë të gjitha ndërtimet e paligjshme.

Interesi publik nuk i intereson askujt. Duke filluar nga komuna e deri te Gjykata kushtetuese. Në Kushtetutë, si një ndër vlerat themelore, thuhet: “rregullimi dhe humanizimi i hapësirës dhe zhvillimi i mjedisit jetësor dhe natyror”. Ndërsa gjykatësi kushtetues Darko Kostadinoski, justifikon moratoriumin e ndërtimeve në Komunën e Qendrës të cilën e kërkojnë kompanitë ndërtuese, me fjalët: “Nuk mund të ekzistojë një justifikim i tillë si jetesa njerëzore dhe jeta më cilësore”.

Domethënë, gjykatësi kushtetues është i bindur dhe nuk ka turp të thotë se profiti i biznesmenëve të kompanive ndërtuese është më i rëndësishëm se shëndeti i qytetarëve.

Andaj, mos u shqetësoni. Luftë, nuk do të ketë. Pasi, platformat e Matkës nuk janë problem politik me BDI-në. Por janë problem me krimin. Me krimin e lejuar madje edhe nga Gjykata kushtetuese.

5A e pate modelin e ndërtimeve që do të lulëzojnë karshi “Holiday Inn”-it në qendër të Shkupit, nëse realizohet plani që tani e mundësoi Gjykata Kushtetese? Tri kulla pesë herë më të mëdha se vetë hoteli. Nga një qendër tregtare futesh në një tjetër. E kur del nga e dyta futesh te e treta. Aktualisht në parking nuk mund të hysh dhe të dalësh pa u ndalur në komunikacion. Si do të jetë kur në ato gjashtëdhjetëkatëshe do të banojnë njerëz dhe njëkohësisht edhe në qendrën tregtare do të ketë vizitorë?
Eh kështu, këtë gjë, si qeveria ashtu dhe biznesmenët, na e servojnë si zhvillim.

Në vitin 2009, kur shikonim videon e ndërtimeve të planifikuara për “Shkupin 2014” mendonim se kurrë nuk do të realizohen. Shkupi 2014 është i shëmtuar dhe jocilësor. Por ajo që do të na gjejë kur të realizohen planet e sipërpërmendura në Komunën e Qendrës është çnjerëzore. Me atë gjendje, do të arrijmë deri në një pikë kur vetë do ta kërkojmë “Shkupin 2014” si ngushëllim. Me gjithë anijet, karuselat dhe rrotën panoramike…S’ka gjë.

6Ministria e arsimit u shpall si jokompetente për të vendosur moratorium për ekskursionet shkollore, pas fatkeqësisë së autobusit në Llaskarcë që zbuloi praktika kriminele të vozitësit. Për më tepër i rekomandoi shkollave të jenë të kujdesshme kur zgjedhin kompani me të cilat i transportojnë nxënësit.

E si mund të jenë më të kujdesshme shkollat? Se mos do t’i kontrollojnë drejtorët frerët e autobusave? Apo mos do t’u bëjnë kontrolle teknike? Si mund të jetë dikush i kujdesshëm, kur pamë se si mashtrojnë nëpër kontrollet teknike. Ç ‘vlerë ka vërtetimi për autobus në gjendje të mirë, kur dokumenti është dhënë nga kushëriri. Apo nga vetë transportuesi, meqë ka firmë për kontroll teknik.

Nëse Ministria e arsimit nuk është kompetente për kontrollin e autobusëve, atëherë le të jetë kompetente që të ndalojë ekskursionet derisa të garantohet transporti i sigurt..

Çdoherë kur një institucion shtetëror sjell diçka në interes të të gjithëve, duhet të shpallet si jokompetent. Por atëherë kur duhet të mbrohet interesi i biznesit, nëse duhet, do të aktivizohet edhe Gjykata Kushtetuese. Nuk mund të mos bëhet. Duhet të bëhet!

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира