MILE KONTRA

Buka që e çojnë në shtëpi është produkt i ligësisë. Fëmijët i ushqejnë me para ligësie.

1 Është shumë argëtuese të bësh shaka në kurriz të gomerëve. Edhe atyre që shesin qumësht gomerësh prej 50 deri në 100 euro litri u vjen për të qeshur se diku në Maqedoni ka ndonjë njeri shumë të mençur që gjuan korrupsionin me barcaleta. Sa për parukerinë, ajo del bukur në ballinë, edhe pse nuk e di se pse parukeri do të ishte një profesion për t’u tallur kur të gjithë parukierët po na ikin në Gjermani, bashkë me mjekët dhe infermieret. Të gjithë zanatçinjtë po na ikin. Vetëm ne të mençurit të rrjeteve sociale do të mbesim këtu.
Hiç nuk më bëhet vonë për Lidija Dimovën, drejtoreshën e Agjencisë nacionale për programe dhe mobilitet evropian. As e njoh, as e di. Me nervozoi sepse për një tekst gazetarësh menjëherë u kërcënua me padi. Për më tepër, qëndrimi i saj arrogant është joshembullor për një zyrtar shteti, puna e të cilit është të mbikqyrë dhe të mbajë transparencën para publikut. E kur tashmë u hap muabeti nëse paratë e projektit të miratuar nga Brukseli i kanë marrë njerëzit e duhur dhe se si janë shpenzuar ato, do të kishte qenë mirë që qeveria të priste se çfarë do të zbulonte hetimi formal. E jo zëvenëskryeministri Ljupço Nikollovski të kërkonte dorëheqje nga Dimova apo të propozonte përjashtimin e saj në bazë të statuseve të fejsbukut. Ata të VMRO-së mund të shkruajnë diçka edhe për Ljupçon. Atëherë Zaevi do të duhet të kërkojë dorëheqje edhe nga ai vetëm në bazë të asaj që dikush ka shkruar në fejsbuk dhe në tuiter.

Ljupço është zëvendëskryeministër, përgjegjës për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, për zhvillim të qëndrueshëm dhe burime njerëzore, por mesa duket ka hyrë pak më shumë se ç’duhet në funksion. Ka mbetur pa hetues, prokuror dhe gjykatës. Konfirmimi i përgjegjësisë duhet të vijë në bazë të hetimit, e jo të jetë një vendim politik i bazuar vetëm mbi tekste gazetareske dhe komente dhe shaka në rrjetet sociale. Të paktën unë kështu e kuptoj esencën e funksionit multidisiplinar të Ljupços.

Brukseli nuk kërkon nga Qeveria që ta përjashtojë drejtoreshën. Brukseli kërkon që të konfirmohen faktet. Nuk është puna e zëvendëskryeministrit që të thotë se kush është i korruptuar. Puna e tij është t’i aplikojë praktikat dhe të mos ketë korrupsion.

2 E kur tashmë kemi nisur me tregimin e barcaletave për gomerë dhe për kuaj, ja ku kemi edhe një: VMRO-DPMNE organizon protestë me temë “Si shpenzohen paratë evropiane”. I rregulluan paratë e Maqedonisë, e tash ka ardhur koha të shkojnë te këto të Evropës.

3 E gjithë bota po mbyllet sërish, numrat e të infektuarve me kovid-219 po rriten gjithandej, të gjitha shtetet po sjellin masa të reja restriktive për kufizimin e shpërndarjes së pandemisë, vetëm në Maqedoni presim që deputetët e VMRO-DPMNE-së të bien dakord që Kuvendi të punojë online.

Për shembull, se a do të sillen ndryshime ligjore për mbajtjen e detyrueshme të maskave edhe në hapësira të hapura varet nga fakti nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së do të shpikin ndonjë shpjegim të bindshëm se pse nuk duan të punojnë online. Fëmijët që nga klasa e parë mësuan se si të mësojnë online çdo ditë, por deputetja Dafina Stojanoska tha në televizion: “Çfarë nëse deputeti nuk ka kushte për të ndjekur seancën online nga shtëpia?” Për më tepër që, paramendoni, se i bëjnë që të marrin pjesë në debate online për ligje që nuk u pëlqejnë. Deputetja Stojanoska i tha: “Propozoni ligje siç i duan ne dhe pastaj do të diskutojnë nëse do ta pranojmë punën online.” E për më tepër edhe polemizon duke thënë: “Si mund të shkojnë mjekët apo punëtoret e tekstilit në punë, kurse deputetët nuk mund të punojnë nga shtëpia!?”

Të ishte kjo një kohë normale, ndoshta do të qeshnim me deklaratat e Stojanoskës. Mund të shihet se me sa shumë përgjegjësi ka marrë punën e vet si deputete. Ja, nga të tillë njerëz na varet jeta ne.

Mantra partiake është kjo: “Ju keni një shumicë të vogël, nëse dy prej jush sëmuren apo shkojnë në izolim, do t’ju zëmë ngushtë. Nuk do të punojë Kuvendi. Nuk do të sillni ligje. Zaevi është mafioz, Venko le të japë dorëheqje, kurse në Llajka do t’i vrisni qentë”.

Së pari i shtynin zgjedhjet që të mos ketë Parlament dhe funksionim të drejtë të shtetit përballë krizës së koronavirusit. Në qeverinë teknike, në pritje të zgjedhjeve, i bllokuan paratë e Bankës botërore për qendrat e montuara të konvid-it. Tani i bllokojnë edhe masat shëndetësore. Sikur ligjet që duhet të sillen për parandalimin e infeksionit, LSDM dhe BDI i sjell vetëm për votuesit e tyre. Votuesit e VMRO-së me sa duket jetojnë në një planet tjetër, ku nuk ekziston koronavirusi.

E që kur Kuvendi nuk mund t’i votojë masat, as me anë të pranisë fizike, e as online, do të protestojnë se pse nuk janë sjellë masa të reja dhe do të pyesin se pse vonohen spitalet e montuara? Epo, ja që vonohen. Pyesni zëvendës-ministren plotësuese të financave në Qeverisnë teknike Gordana Dimitrieska-Koçoska, që nuk e nënshkruante kreditin nga Banka botërore për inat të Zaevit dhe Filipçes. Nëse nuk i konvenon partisë, ne shumë na bëhet vonë për qytetarët.

Nuk është fare e habitshme që protestën e ardhshme me makina Mickoski ta organizojë kundër Parlamentit që nuk mban masa në mënyrë që të ulen pasojat e pandemisë me kovid-19. Kundër vetes. Edhe kjo është diçka e mundur. Njësoj si tani, në debatin për rebalancim të buxhetit, thonë se një fundjavë pa TVSH është një masë populiste e qeverisë. Ndërsa ata vetëm para një jave kërkonin jo një, por pesë fundjava pa TVSH. Dhe ankoheshin se LSDM-ja ia paska vjedhur idenë.

Nëse hapen shkollat për mësim, pse? Pse të mos mbahet mësimi online. Nëse do të karantinohemi përsëri, pse? Pse jo? Çfarë po pret qeveria, përse nuk i merr masat? Nëse vaksinat blihen para kohe, përse shpenzohen para për një vaksinë që nuk ekziston, pse Qeveria nuk ka menduar me kohë që të blejë vaksina…

Nuk jam Mile. Ama jam kontra.

4 Çfarë mund të presësh nga njerëz që i bëjnë profile të rreme me fotografi të vjedhura një mjeku të ndjerë dhe ftojnë miqtë e tij që ta ndjekin? Përse e bëjnë këtë gjë? Se ka qenë funksionar në rininë e LSDM.
Këta janë njerëzit e njëjtë që në vitin 2017 u bënin nekrologë ambasadorëve të huaj. Kjo është metoda e punës. Angazhimi i tyre është sipas porosisë dhe me komandë për të shpërndarë lajme të rreme dhe urrejtjeje në rrjetet sociale.

Të mos flasim për etikën dhe moralin, apo për kulturën e sjelljes, për edukimin shtëpiak. Të mos flasim për mendjen e prishur. Kjo është një ligësi për para. Përdryshe, më thoni, cili njeri, me një familje normale, me miq, hobi, halle jetësore, apo me ndonjë angazhim tjetër, me emcione njerëzore, me gëzime dhe pikëllime, do të ishte ulur para ekranit që të shpikte këso lloj marrëzirash? Kjo është një ligësi që nxitet dhe që shpërndahet me anë të parave.

Buka që e çojnë në shtëpi është produkt i ligësisë së tyre. Fëmijët i ushqejnë me para ligësie.

Këtu as Zoti nuk ndihmon dot.

5 Qeveria do të përpiqet përsëri ta privatizojë ndërmarrjen publike “Postat e Maqedonisë”. Për 16 vjet atje ndërrohen drejtorë – kuadro të BDI-së. Mund t’i shesin edhe “Hekurudhat e Maqedonisë”. Edhe “Makedonija pat”. Edhe atje janë kuadro shumëvjeçare të BDI-së. Dhe ndërmarrja që udhëhiqte me aeroportet në Shkup dhe Ohër para se t’i japin nën koncesion drejtohej nga drejtor i BDI-së.

I bie që BDI-ja të jetë një menaxhues falimentimesh para shitjes.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира