MIRËMËNGJES

Ndonëse edhe lufta kundër koronavirusit do të jetë më e lehtë kur do ta dimë se nuk jemi vetëm.

MIRËMËNGJES

1Ore, a e dini se tashmë jemi në NATO? A e dini se do të fillojmë negociata për të hyrë në BE? A jeni të vetëdijshëm se dy ditë me radhë neve po na kalon para syve historia? Se po jetojmë momente historike dhe atë në një kohë kur e gjithë bota po përballet me krizën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore?
Kështu erdhi puna që të mos mund ta festojmë këtë ngjarje së bashku. Sido që të jetë neve gjithmonë na ka dalë diçka si arsye për t’u vonuar. E kështu, edhe me festimin, do të vonohemi. Gjë që nuk është arsye ama, që të mos gëzohemi që sot.

2Unë gëzohem. Këtë e kam pritur më shumë se tridhjetë vjet. Privatisht dhe profesionalisht. Mbaj mend se si, si një gazetar fillestar në “Veçer”, në vjeshtën e viti 1989 më dërguan të raportoj mbi Kongresin e Rinisë socialiste të Sllovenisë. I gjithë Portorozhi ishte i mbushur me afishet “Europa zdaj”. Kjo ishte motoja e rinisë sllovene, edhe pse RSFJ akoma ishte gjallë, edhe pse jo dhe aq e shëndetshme.

Ajo “Europa zdaj” më ka ndjekur këto plot 30 vjet. E gjithë karriera ime profesionale është e lidhur me këtë parullë. Evropa tani.

Ku ishim e ku mbërritëm.

  • Në janar 1992, Komisioni i arbitrazhit i përbërë nga kryetarët e gjykatave kushtetuese të shteteve anëtare të Bashkimit të atëhershëm Evropian, i ashtuquajturi komision i Badinterit, solli konkluzionin se Maqedonia i përmbush kushtet për pranim si shtet i pavarur.
  • Në qershor 1992, Bashkimi evropian miratoi deklaratën e Lisbonës me anë të së cilës shtetet-anëtare u detyruan që kurrë të mos e pranojnë fjalën “Maqedoni”.
  • Në dhjetor 1992, në Samitin e Bashkimit Evropian në Edinburg, Britania e Madhe arriti ta shfuqizojë deklaratën e Lisbonës dhe ta kalojë problemin me pranimin e Republikës së pavarur të Maqedonisë në Kombet e Bashkuara.
  • Në prill 1993, për shkak të kundërshtimit të Greqisë, u bëmë anëtare e OKB me referimin e përkohshëm “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”.
  • Në 1993, Parlamenti i Republikës së Maqedonisë e miratoi Rezolutën për aksesim të Republikës së Maqedonisë në NATO.
  • Në tetor 1995, me anë të Marrëveshjes së përkohshme të nënshkruar pas embargos greke, ndryshuam edhe flamurin dhe disa pjesë të Kushtetutës.
  • Në prill 1999, në Samitin e NATO-s në Uashington, Maqedonia u bë zyrtarisht shtet-kandidat për anëtarësi në Aleancë.
  • Në 2004, SHBA na pranoi me emrin e Kushtetutës.
  • Në 2008, pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së nuk arritëm të hyjmë në NATO për shkak të vetos së Greqisë.
  • Ndërkohë, me emrin kushtetues, na pranuan plot 137 shtete, por as me referencën e përkohshme nuk hynim dot në BE dhe NATO.
  • Madje as gjykimi i Gjykatës ndërkombëtare të Hagës në dhjetor 2011, nuk ndihmoi që të hiqej vetoja e Greqisë për BE dhe NATO.
  • Në 17 qershor 2018, u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, e cila largoi bllokimin grek në rrugën drejt BE dhe NATO.
  • Në 26 mars 2020, Këshilli evropian e miratoi Maqedoninë Veriore që të fillojë negociatat për hyrje në BE.
  • Në 17 mars 2020, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s.
  • Në 30 mars 2020, flamuri i Maqedonisë së Veriut do të valojë në selinë e NATO-s.

3Në ditët para referendumit për ndryshim të emrit, që ishte kusht për të hyrë në NATO, funksionari i Demokracisë së re Jorgo Kumucaskos, i cili i kundërvihej Marrëveshjes së Prespës, deklaroi: “Motivi për të votuar “pro” është shumë i madh. Së pari, me këtë gjë ata mbajnë emrin, kombësinë dhe gjuhën dhe së dyti, fitojnë anëtarësi në NATO dhe një perspektivë pozitive për integrim në Bashkimin Evropian…Kjo është një mundësi për ndryshime të mëdha në jetët e tyre, një shans që të shkojnë në gjumë si një shtet i vogël i Ballkanit, dhe të zgjohen si një anëtare e NATO-s”.

Mirëmëngjes. Ne tashmë po zgjohemi si një anëtare e NATO-s.

Gjithçka do të jetë mirë. Gjenerata jonë e ka pritur këtë gjë për tridhjetë vjet. Gjeneratat e kaluara kanë ëndërruar për këtë gjë me shekuj të tërë. Gjenerata jonë i ka siguruar një të ardhme të sigurt shtetit ku garantohet ekzistenca e maqedonasve dhe gjuhës maqedonase. Këtë gjë na e garanton aleanca më e fuqishme ushtarake e botës, ku tashmë jemi partnerë të barabartë. Nuk kemi frikë se dikush do të na e vjedhë shtetin, apo se po na copëtojnë, se do të ketë luftë, apo se do të zhdukemi fare nga dheu.

Për momentin ka mbetur vetëm frika nga koronavirusi. Ndonëse edhe lufta kundër koronavirusit do të jetë më e lehtë kur do ta dimë se nuk jemi vetëm.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира