1 Ja ku është mundësia për Qeverinë që të bëjë ndryshime rrënjësore në sistem. Vetëm, të mos presë që ta lavdërojmë pse inspektimet kanë filluar, siç thotë ajo, me një “aksion të fuqishëm”, duke kontrolluar masivisht të gjitha licencat, ndërtimet pa leje, shtesat e palejuara, kantieret e pasiguruara, lejet dhe sistemet kundër zjarrit, madje ndoshta do të fillojnë të zbulojnë edhe ndotjen akustike të tepruar. Kjo ka qenë detyra e tyre edhe para natës mes 15 dhe 16 marsit, kur ndodhi tragjedia e paimagjinueshme në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj, mes tyre 6 fëmijë. Pra, nuk e kanë kryer punën e tyre.
Mjaft më me fajësimin e paraardhësve nga kjo qeveri. Nuk ka dyshim se koalicioni mes LSDM-së dhe BDI-së mban përgjegjësi. Por, VMRO-DPMNE dhe “Vlen” kanë tashmë një shumicë të qëndrueshme qeverisëse për nëntë muaj. Për më tepër, VMRO-DPMNE ka tre vjet e gjysmë që drejton pushtetin lokal në 42 komuna. Apo, kjo është një temë që nuk guxon të hapet? A nuk kanë parë kryetarët e komunave dhe këshilltarët se çfarë ndodh përballë syve të tyre? Kush ka qenë shefi i inspektorëve? A kanë qenë “investitorët” lokalë dhe njerëzit e fuqishëm aq të padukshëm sa nuk i kanë vënë re as kryetarët e komunave, as këshilltarët, as dhjetëra shefa dhe drejtorë të shërbimeve komunale, madje as policia dhe prokurorët lokalë? Nuk u është dashur as të presin ankesa nga qytetarët. Përditë, duke shkuar në punë, kalojnë pranë ndërtimeve pa leje që ngrihen brenda natës, pinë kafe në objekte të paregjistruara, ndërsa fëmijët, deri para këtij “aksioni të fuqishëm”, argëtoheshin në klube pa licencë.
Pikërisht për këtë, ja ku është mundësia për Qeverinë. Le të përmbysë gjithçka. Le të ndryshojë të gjitha ligjet, rregulloret dhe aktet nënligjore që për vite me radhë janë hartuar për të shpërfillur të drejtat e qytetarëve dhe për të ndihmuar kriminelët, vetëm që gjithçka të duket “sipas ligjit”. Dhe – le t’i zbatojë në praktikë. Të mos na vërë në provë si të gjitha qeveritë e mëparshme në 30 vitet e fundit, që pas dy vitesh të shkruajmë për gjyqe të shtyra, për gjyqtarë që sëmuren, për mungesë përkthimi, për juristë që dalin në pension, për dosje që kalojnë nga Gjykata Themelore në Apel… Dhe gjithçka të ndodhë “sipas ligjit”, por të gjithë e dimë që është sipas porosive të fshehta.
Dhe kështu, derisa të ndodhë katastrofa e radhës.
2 Kryeministri Hristijan Mickoskii e filloi konferencën e parë për shtyp pas tragjedisë në Koçan duke folur për ndjenjat e tij personale. Prandaj, tani është krejtësisht e papërshtatshme që Qeveria të na tregojë se si duhet të ndihemi, si duhet të vajtojmë, nëse duhet të protestojmë, si të protestojmë dhe çfarë pyetjesh duhet të bëjmë… Për zotin, vetëm disa ditë para zjarrit, vetë Mickoski ishte gati të mobilizonte popullin për një marsh protestues kundër pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, emrat e të cilëve as që i dimë, ndërsa tani na arrijnë mesazhe se për 59 viktima dhe 200 të plagosur “nuk është koha për protesta”.
Qeveria duhet të mbahet nën vëzhgim të rreptë. Dhe duhet të jetë mirënjohëse për këtë, nëse dëshiron ta çojë punën deri në fund. Jo vetëm hetimin, por ndryshimin e të gjithë sistemit të korruptuar.
Do të isha i lumtur nëse pushteti, i cili ka një shumicë super të qëndrueshme parlamentare, do ta përdorte fuqinë e tij për të bërë ndryshime rrënjësore për një qeverisje të mirë. Por do të isha thellësisht i zhgënjyer nëse ajo fuqi do të përdorej për të shuar protestat, për të shtypur mendimin ndryshe dhe për të kontrolluar informacionin. Nuk ka kaluar aq shumë kohë nga periudha kur gazetarët etiketoheshin, kur rrathë të kuq vizatoheshin mbi fotografitë e kundërshtarëve politikë, kur bëheshin incizime të fshehta dhe në emisionet televizive nguleshin gjilpëra në figurat e atyre që kritikonin pushtetin e VMRO-DPMNE-së në kohën e Nikolla Gruevskit.
Nëse ky VMRO-DPMNE vepron në të njëjtën mënyrë, atëherë as këtë mësim nga Koçani nuk e ka nxënë. Dhe këto 59 viktima kanë humbur jetën më kot.
Në këtë moment, Qeveria ka një “carte blanche” nëse me të vërtetë dëshiron të bëjë një ndryshim. Dhe ka një mundësi të artë për të vënë menjëherë gjithçka në rregull pa pasur nevojë të justifikohet para kriminelëve se përse po e bën këtë. Nëse me të vërtetë dëshiron të çlirohet nga pengmarrja 30-vjeçare nga kriminelët, tani është momenti për t’u thënë: “Mjaft është mjaft!”
3 Në fund të fundit, dikush duhet ta kontrollojë Qeverinë nëse këtë nuk dëshiron ta bëjë Kuvendi. E deputetët, me plot harmoni, i dhanë vetes dy javë pushim. Jo vetëm që e shmangën seancën për pyetje parlamentare për të mos u grindur mes vete, por edhe kryetari Afrim Gashi nuk i thirri deputetët as për një seancë përkujtimore. Do të mblidheshin, do të merrnin shpenzimet e udhëtimit dhe do të heshtnin për një minutë. Jo vetëm nga respekti për viktimat, por edhe nga respekti për votuesit.
Por deputetët, shumë, shumë kohë më parë kanë humbur respektin për ata që i zgjedhin. Ata kanë respekt vetëm për liderët partiakë që i vendosin më lart në listat zgjedhore. Në vend që të jenë ata shefat e ministrave, pasi ata i zgjedhin, shef e kanë Qeverinë.
Meqë deputetët janë vetëm shërbëtorë të dëgjueshëm të partive, më së miri do të ishte që Kuvendi të mblidhet vetëm kur zgjidhet Qeveria. Gjithsesi, ata vetëm formalisht i votojnë ligjet që i propozon Qeveria dhe nuk pranojnë ligje të propozuara nga opozita. Madje, edhe nëse një ligj i miratuar më parë nuk i pëlqen pushtetit aktual, deputetët thjesht do të miratojnë një interpretim autentik që i përshtatet Qeverisë.
Fakti që Kuvendi nuk punon për dy javë nuk është ndonjë dëm i madh. Më shumë dëm bëjnë kur punojnë.
Më kujtohet që para dy-tre vitesh u lodhëm duke shkruar se Gjykata Kushtetuese nuk ishte e kompletuar. Thuhej se ishte një humbje e madhe që shteti të mos ketë Gjykatë Kushtetuese. Dhe në fund, kur u kompletua gjykata, gjëja e parë që bënë gjyqtarët kushtetues ishte – ta rrisnin pagën e tyre dhe të funksionarëve për 78 për qind.
Kështu që, asnjë dëm i madh që deputetët kanë marrë dy javë pushim. Ata gjithsesi nuk punojnë për interesin e qytetarëve. Vetëm për interesin e tyre punojnë. Dhe për këtë as që kanë nevojë të shkojnë në punë.
4 Duke lexuar njoftimet nga Kuvendi, me të cilat u arsyetua pushimi dyjavor, mendova: A ka diçka që nuk është në rregull me ne, apo me ta? Së pari, harxhuan ca kohë për të gjetur një justifikim pse nuk punojnë, pastaj edhe më shumë kohë për të na bindur se justifikimi i tyre është i arsyeshëm.
Këto janë aktivitetet e Kuvendit për tragjedinë më të madhe në vend:
Më 17 mars, na thanë se “kryetari i Kuvendit propozoi, dhe koordinatorët e të gjitha grupeve parlamentare të pranishëm njëzëri miratuan përfundimin që të gjitha aktivitetet e planifikuara të Kuvendit për këtë javë të anulohen.”
Më 24 mars, na njoftuan se “me konsensus u dakorduan, duke pasur parasysh ndjenjat e të gjithë qytetarëve pas tragjedisë në Koçan, duke shprehur respekt për të gjithë të ndjerët dhe duke shpresuar që të lënduarit të kthehen sa më shpejt në gjendje të mirë shëndetësore, që Kuvendi të anulojë të gjitha aktivitetet e planifikuara për këtë javë pune, duke përfshirë edhe takimin me gazetarët.”
Më 25 mars, filluan të na qortojnë – “Lidhur me informacionet e pasakta dhe akuzat e përhapura gjerësisht për shtyrjen e punës së Kuvendit javën e kaluar dhe këtë javë” – dhe këmbëngulën duke sqaruar se “shtyrja e përkohshme e aktiviteteve të Kuvendit ishte një gjest respekti për tragjedinë në Koçan, ku humbën jetën të rinj, dhe një shprehje solidariteti me familjet e viktimave dhe me të gjithë qytetarët e prekur nga kjo katastrofë,” dhe përsëritën se “ky vendim nuk është rezultat i ndonjë vendimmarrjeje individuale apo të njëanshme politike, por është pasqyrim i vullnetit të përbashkët institucional të të gjitha grupeve parlamentare për të vepruar me ndjeshmëri në një moment zie kombëtare.”
Dhe më 26 mars, edhe një herë na qortuan, duke thënë se “çdo deklaratë që supozon se deputetët po bëjnë pushim është një dëm për reputacionin e Kuvendit dhe përfaqësuesve të popullit.”
Pra, reputacioni i Kuvendit dëmtohet nëse pyet pse deputetët po pushojnë, por nuk dëmtohet nëse ata nuk punojnë.
Ç’është e drejta, kishte një aktivitet që e realizuan me sukses pa u grindur mes vete. Në Kuvend hapën një libër ngushëllimesh.