MOS, VËLLA

Kushti i radhës do të jetë – mos e teproni me antifashizmin nëse doni të hyni në BE.

1 Deri ku janë grupet e punës së Dimitar Kovaçevskit dhe Kiril Petkovit me të cilat Maqedonia dhe Bullgaria do t’i drejtohen ardhmërisë? Edhe sa përbuzje do të duhet të durojmë nga politika zyrtare shtetërore, në mënyrë që maja shtetërore maqedonase të thotë: Mjaft më!
Dhunuesi nuk pushon së të rrahuri, kurse ti vazhdon me negocime të pakuptimta.

Pas hapjes së klubit të bullgarëve në Manastir “Ivan Mihajllov”, në nder të bashkëpuntorit fashist bullgar i cili maqedonasit nuk i ka pranuar si popull por si gjedhë, edhe pas përsëritjes së vazhdueshme të presidentit bullgar Rumen Radev se identetit maqedonas është shpikje e Komitave, çfarë më tepër i duhet kryeministrit Dimitar Kovaçevski që të pushojë së aktruari jointeres në raport me aktivitetet jomiqësore bullgare ndaj shtetit tonë? Vallë, do të shpresojë akoma se Bullgaria do ta heqë veton në qershor vetëm që të fitojmë datë për fillim të negocimeve me BE-në? Po ata do të na bllokojnë vazhdimisht. Kjo është politika e tyre.

Mos ndoshta duhet rastësisht të qëllohen të rinjë në Vatashë që të jemi mjaftueshëm të përbuzur? Mos ndoshta duhet që heronjtë e popullit nga Lufta e dytë botërore t’i ngremë nga varret që përsëri të humbin jetën në luftë me fashistët bullgarë? T’i ringjallim shpirtrat e herbrenjëve nga Manastiri, Shtipi dhe Shkupi që “shpëtimtarët” e car Borisit përsëri t’i deportojnë në Treblinkë me vagonat e hekurudhës shtetërore bullgare? Mos ndoshta duhet t’i ringjallim paraardhësit që janë kalbur në burgjet bullgare që përsëri të rrihen pas shputave?

Jemi shtet i pavarur. Anëtare e NATO-s. Deri kur jemi të gatshëm të rrënojmë dinjitetin tonë?

Po e teproj? Jo. Rumen Radevi, si president i Bullgarisë, komandant i lartë i ushtrisë bullgare, në vitin 2022 në prill deklaron se ne si maqedonas nuk ekzistojmë. Si është kjo ndryshe nga deklarata e Putinit, në po atë vit, në shkurt, kur deklaroi se ukrainasti janë komb i shpikur, se Ukraina është shtet i shpikur dhe për këtë arsye nuk duhet të ekzistojë?

Ndërkohë, Bashkimi Evropian nuk të ndihmon. Të thotë: negocioni me Bullgarinë, ee Bullgarët thonë se ju nuk ekzistoni. Na kontatkoni për t’i filluar negocimet me BE-në kur do të merreni vesh se jeni bullgarë.

Se, në ekzistojmë apo jo është thjesht çështje marrëveshjeje. Apo jo?

2 Çfarë do të thotë kjo se duhet të vazhdojmë me negocimet me Bullgarinë që të fillojmë negocimet për hyrje në BE? Nëse na duhet patjetër ta bëjmë këtë, pse mos të themi menjëherë se jemi bullgarë që t’i kapërcejmë të gjitha datat?
Çfarë tjetër duhet të ndodhë në raportin e Bullgarisë ndaj nesh që ne t’i shohim bashkë Dimitar Kovaçevskin dhe Hristijan Mickoskin? Por, të mos flasin për veten e tyre dhe për partitë e tyre. Mickoski në atë mbledhje të mos bëjë shantazhe me zgjedhjet e parakohshme. Dhe të mos përpiqen të tregohen njëri më i mençur se tjetri në lidhje me atë se cili prej tyre do të futë më shumë fraza patriotike në deklaratat e tyre që bëhen temë në Kuvend. Por të fillojnë të mendojnë se çfarë do të bëjmë me BE-në. Sepse nuk kemi pozicion të qartë negocimi. I vetmi pozicion që shohim për momentin është ai i ministrit të punëve të jashtme Bujar Osmani që ta ndihmojë Shqipërinë që të mos bllokohet bashkë me ne.

Nëse tashmë jemi marrë vesh se duam të jemi pjesë e BE-së, atëherë le të shohim nëse do të bllokohemi me Bullgarinë duke vërtetuar se ekzistojmë, apo do ta ndërrojmë strategjinë? Çfarë do të bëjmë këtu ndërkohë që BE-ja e mbështet Bullgarinë? Nga kush do të kërkojmë ndihmë? A do të kërkojmë ndihmë? A mund t’i ndihmojmë BE-së? A do t’i ngrijmë negocimet me Bullgarinë? A do t’i ngrijmë përkohësisht negocimet me BE-në?

Vendimi nuk duhet të jetë “Jo për BE-në”. Por, jo për BE-në që në mënyrë të paftyrë mbështet kërkimin nga një anëtare e saj që do ta zhvlerësojë ekzistencën tonë.

Ashtu siç ka nisur Radevi me gënjshtrat, nuk është larg dita kur do të na vijë ndonjë burokrat evropian për të na vënë një kusht tjetër – t’i zbulojmë “llogoret e koncentrimit ku kemi rrahur dhjetra mijëra bullgarë”, siç do të thojë Radevi. BE-ja ka konsenzus gjatë vendimmarrjes. Ata duhet të bien dakord dhe të vërtetojnë çdo budallallëk që dikush prej tyre do të bëjë. Sepse budallallëku vjen nga brenda, ndërsa ne jemi jashtë.

3 Kushti i radhës do të jetë – mos e teproni me antifashizmin nëse doni të hyni në BE.

Vlerë evropianë ishte ajo kur Uilli Brand, si kancelar i Gjermanisë Perëndimore të atëhershme, në vitin 1970 gjunjëzohet në Varshavë në shenjë kërkimi faljeje për krimet që u kishte shkaktuar Gjermania fashiste polakëve.

Në vitin 2022, doli se vlerë evropiane është që të gjunjëzohemi në shenjë kërkimi faljeje se bullgarët para 80 vjetëve kanë pasur pushtet fashist, kurse ne kemi qenë në anën e antifashistëve.

Ajo që ndodhi në Manastir, kur i gjithë kreu shtetëror bullgar erdhi në hapjen e klubit bullgar të emëruar sipas një fashisti në mes të lagjes së dikurshme hebreje, nuk ishte gjunjëzim. U shtrimë përtoke vetëm që të fitojmë datë për fillimin e negocimeve për të hyrë në BE.

4 Ministri i Ukrainës për punë të jashtme Dmitro Kuleba është larguar i zhgënjyer nga Bullgaria, kur politikanët bullgarë kanë gjetur justifikim se pse nuk dërgojnë ndihmë ushtarake Ukrainës që të mbrohet nga agresioni rus.

“Në shoqëritë demokratike, është normale që në qeveritë me koalicion të ketë mendime të ndryshme, por është shumë e rëndësishme të jeni në anën e vërtetë të historisë dhe të merrni vendime të vërteta. Të bëhesh neutral do të thotë të jesh në anën e gabuar të historisë”, deklaroi Kuleba në takimet me politikanët bullgarë.

Tradicionalisht, Bullgaria është në anën e gabuar të historisë. Në Luftën e parë botërore, në Luftën e dytë botërore, gjatë kohës së  BRSS kur në vitin 1968 dërgoi ushtrinë e saj në ndihmë të Brezhnjevit që t’i shuante reformat demokratike në Çekosllovaki. Pse në rasin e pushtimit të Putinit mbi Ukrainën, Bullgaria do të kishte shkelur këtë traditë të njohur për të qenë në anën e gabuar të historisë?

5 Presidenti serb Aleksandar Vuqiq, duke komenduar një anketë për mendimin publik sipas të cilit Maqedonia sheh armikun e saj më të madh Serbinë, tha: “Ne e duam popullin maqedonas. Çfarë kërkojmë prej tyre? Asgjë, përveçse të jemi në raprotet më të mira të mundshme. Të jemi miq dhe vëllezër”.
Mos, vëlla Vuçiq. Të mos jemi vëllezër. E di ti se sa herë Zoran Zaevi dhe Bojko Borisovi përqafoheshin dhe quheshin “vëllezër”. Mjafton të jemi vetëm miq. Kur dikush të quan “vëlla” i Ballkanit, kjo nuk është diçka e mirë.

Përktheu: Fjolla Zllatku 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира