MOSDËNIMI MORI FYTYRË DHE EMËR

Mosdënimi nuk është një koncept abstrakt, as një frazë boshe. Mosdënimi është vrasja e një fëmije. Mosdënimi në Maqedoni mori fytyrë dhe emër. Quhet Vanja.

1 Ljupço Palevski Pallço, i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarin Pançe Zhezhovski nga Velesi, nuk është një risi. Ai ka një karrierë të majme se si është rritur brenda krimit – nisur nga ndërtimi i parë i paligjshëm në lagjen Debar Maallo para njëzet e sa vjetësh, deri te kjo vrasje e dy personave. Për të policia deri më tani ka ngritur më shumë se dhjetë padi kundravajtjeje dhe penale, nga neglizhimi i tatimit, deri te incizimi illegal dhe mbajtja e armëve, por pa asnjë gjykim.
Ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski thotë se vrasja e Vanjës dhe e Pançes është një rast i izoluar. Mbase. Edhe pse, personalisht nuk besoj se familja e Vanjës është familja e vetme që është maltretuar nga kjo bandë kriminele.

Por mosdënimi nuk është e izoluar vetëm për rastin e Pallços.

Shikoni rreth vetes. Nuk është e vështirë që edhe ju vetë të gjeni Pallçon. Sa Pallço ka që në përditshmëri ju vrasin? Mbase nuk bëhet fjalë për një likuidim monstruoz si ai i Vanjës dhe Pançes, për të cilën është i dyshuar Ljupço Palevski Pallço – ndërtimtari i famshëm, biznesmen, shef i një mediumi, politikan, lider partie, analist politik, influencer në rrjete ociale dhe pjesëtar i kastës “fëmijë qytetar-personalitet urban”. Por megjithkëtë mbetet një vrasje. Sa familje janë shkatërruar nga reketimi, mashtrimit, shantazhet, kërcënimet dhe dhunimi i “Pallçove të kulturuar” të cilët gjyqi nuk i dënoi?

2 Tani të gjithë i fshijnë fotografitë dhe publikimet nëpër rrjetet sociale, që t’i fshehin dëshmitë për afërsinë e tyre me të dyshuarin për vasjen e një fëmije. Madje edhe tekstet gazetareske, të cilat kërkonin “drejtësi për Pallçon”, u zhdukën nga arkivat. Pamë se vetëm kur nuk ekziston presion politik apo presion biznesi që rasti të fshihet, edhe institucionet e këtushme janë në gjendje ta bëjnë punën për të cilën paguhen. Kur askush nuk ushtron presion për të mbrojtur një vrasës fëmije, pamë se edhe policia mund të jetë efikase dhe ta zgjidhë rastin shpejt, thuajse si në film.

Por në këtë zinxhir që e lidh drejtësinë dhe ligjin ndonjëherë mundon ndonjë hallkë. Gjithmonë do të ketë dikush që do ta harrojë lëndën në sirtar. Nëse inspeksionet e kryejnë punën siç duhet, do të ngec rasti në ministri. Nëse ministria e kryen siç duhet, do ta ngec atë partia e ministrit. Nëse e kalon partia, do të ndalojë te partneri i koalicionit dhe te Qeveria. Nëse e mbaron punën policia, do të ngelë te prokuroria. Nëse kalon në prokurori, do të ngecë në Gjykatën themelore. Nëse kalon aty, do të ngecë në Gjykatën e Aplelit. E nëse kalon aty, do të ngecë në Gjykatën supreme. Rrethi i padrejtësisë dhe mosdënimit rrotullohet në atë mënyrë që vranë një fëmijë.

Mosdënimi bëhet endemik. Nga një parkim i gabuar deri te reketimi. Nga dy-tri shuplaka ndaj një kundërshtari politik deri te rrëmbimi i një fëmije. Nga “lëre budallanë, e dimë të gjithë, është i yni”, deri te vrasja e një fëmije.

Nëse e kemi kaq të vështirë të kuptojmë se sa e rrezikshme është për të gjithë ne ky mosdënim që ditë pas dite na e vret shoqërinë, atëherë vazhdimisht duhet të kujtojmë fotografinë e vajzës 14 vjeçare që e kanë futur në thes, pastaj në bagazh, dhe e kanë gjuajtur me armë. Pse e kanë vrarë? Sepse kanë mundur. Sepse e kanë ndjerë veten të fuqishëm. Sepse njerëzit kanë frikë prej tyre. Sepse kanë marrë fuqi nga pëlqimet në rrjetet sociale. Sepse janë ndjerë të mbrojtur. Sepse nuk kanë qenë të dënuar, por të paprekshëm.

Mosdënimi nuk është një koncept abstrakt, as një frazë boshe. Mosdënimi është vrasja e një fëmije. Mosdënimi në Maqedoni mori fytyrë dhe emër. Quhet Vanja. Kur të flasim për mosdënim, le të na shfaqet përpara fotografia e Vanjës. E nëse mund të vazhdojmë të jetojmë me këtë dijeni pa na penguar, atëherë për ne me të vërtet nuk ka shpëtim.

3 Që kur u shua paniku fillestar me fshirjen e fotografive dhe publikimeve me Pallçon, tani ata të njëjtët filluan të lëvdohen me prova. U dashka kështu, u dashka ashtu, qenka kështu apo ashtu…
Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski madje edhe u lëvdua se i ka ditur disa gjëra për hetimin, por nuk i ka thënë. Do t’i thotë më vonë.

Asgjë e pazakontë dhe asgjë e re nga Mickoski. Kështu bënte edhe para referendumit kur ndërrohej emri. Do ta ndryshonte Marrëveshjen e Prespës. Si? Këtë do ta thoshte më vonë. Të njëjtën gjë e bën edhe tani me vendosjen e bullgarëve në Kushtetutë. Do ta ndryshojë propozimin francez. Si? Do ta thotë më vonë. Do t’i fillojë negocatat me BE-në. Si? Do ta thotë më vonë.

Nëse atë që e ka mësuar për vrasjen e Vanjës deri më tani nuk e ka thënë në Prokurori, atëherë bëhet fjalë për oportunizëm politik. Fshehja e provave është vepër penale. Në një shtet ku sundon drejtësia për të gjithë, kjo do të duhej të vlente po njëlloj edhe për një lider të një partie politike.

Kurse sa për përgjegjësinë që duhet të mbajë për faktin se po balancon ligësinë që të përfitojë politikisht – të mos flasim fare.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира