MUNDET EDHE MË KEQ

Premtuan se do ta sjellin BE-në në shtëpi. Nuk ia dolën e tani e përdorin BE-në si armë për llogaritje.

1 Nuk mund të besoj se qeveria është kaq e paaftë, sa as edhe një rikontruktim të Qeverisë nuk arriti ta planifikojë siç duhet. Ne mendonim se nuk mund të planifikojnë blerje të rregullt të teksteve shkollore, formularë për dokumentet personle, tabela regjistrimi dhe dëftesa, ndërsa ata nuk kanë mundur të planifikojnë as edhe shkarkimin e ministrave të tyre. Gjithë javën nuk mblidhen dot për t’i shkarkuar ministrat, e henes do të zgjedhin qeveri të re. Lejuan që ministri i drejtësisë të japë dorëheqje, e para asaj të mos ua nënshkruante eurobonde prej 600 milionë eurosh. Tupançevski ishte ministri i tyre, jo i opozitës.
Vërtet, cilin problem e zgjidhi kryeministri Dimitar Kovaçevski kur vendosi ta merrte Aleancën, dhe e refuzoi Alternativën? Një vit njëra palë, pastaj tjetra. A e kontrollon se cili partner shqiptar i konvenon më tepër? A do të bëjnë biznes parnteriteti, apo do të drejtojnë shtet? Opozita u ka faj se nuk u ndihmon që t’i shkarkojë ministrat. A thua se nuk e dinë se me kë kanë të bëjnë. Po ne tashmë e dimë se deputetët e VMRO-DPMNE-së aktivizohen vetëm atëherë kur diçka duhet të bllokohet.

Këso lloj përbërje të dëshpëruar të deputetëve nuk kemi pasur asnjëherë. Me muaj të tërë nuk i shohim në sallën e Kuvendit, e ndërkohë blejnë banesa nëpër Shkup, gënjejnë se udhëtojnë në qytetet e lindjes. Nuk fshehin dhe nuk turpërohen se nuk u intereson interesi publik.

Por as matematika e Dimitar Kovaçevskit dhe Ali Ahmetit nuk e jep rezultatin e pritur – 64 minus tre nga Alternativa, plus tetër nga Aleanca, minus tre nga të zjarrtët e BDI-së, minus një Pavle Trajanov, plus-minus Menduh Thaçi dhe Skender Rexhepi si në një barazim me dy të panjohura. Shko zgjidhe, kur në mes të votimit për rikonstuktimin e Qeverisë, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi shkon në Slloveni. Ndërsa edhe vetë Ali Ahmeti duhet të paraqitet në Kuvend, sepse ai vjen vetëm kur duhet të bëhet kuorum.

E ku jemi ne, qytetarët, në këtë matematikë gazmore? Në BE na shantazhon Bullgaria. Në shtëpi na shantazhojnë BDI-ja dhe partitë e tjera të shqiptarëve. Kemi mbetur mes paaftësisë së LSDM-së dhe destuktivitetit të VMRO-DPMNE-së. Apasievi kërcënohet se do të vrasë e presë, ndërsa Mickoski na ofrohet se do të na shpëtojë.

Ndoshta nuk është dhe aq dëshpëruese. Me siguri mund të jetë edhe më dëshpëruese se kaq.

2 Që të na e ngrenë humorin, të gjithë nga Qeveria u radhitën me lëvdata, që kur Gjykata për të drejtat e njeriut në Strasburg, vendosi se është jovalide ankesa e funksionarëve të mëparshëm Vlladimir Taleski, Nikolla Gruevski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Toni Jakimovski, Sasho Mijallkov, Toni Trajkovski dhe Edmond Temellko në lidhje me faljet e ish presidentit Gjorge Ivanov për rastet e PSP-së.
Gjykatësit i kanë parë ankesat dhe kanë thënë – super që keni ardhur deri në Strasburg, hajde tani kthehuni në shtëpi dhe kërkojeni atje drejtësinë sepse na i keni dërrmuar të gjitha instumentet juridike në gjykatat tuaja. Çfarë mund të interpretohet si mosukses i qeverisë dhe gëzim euforik për fitimin e drejtësisë?

Po atë ditë kur fitoi drejtësia, Dragan Daravellski u largua i lirë në shtëpi, sepse për 20 vjet nuk e ka ditur se është i gjykuar. Fitoi drejtësia po atë ditë kur klubet bullgare të emëruara sipas personaliteteve të lidhur me okupimin fashist të Maqedonisë duhej t’i ndërronin emrat sepse ashtu thotë ligji, ndërsa neve s’na intereson aspak, kurse opinioni maqedonas hap debat se çfarë skenaresh janë të mundshëm nëse bullgarët në Maqedoni nuk e respektojnë ligjin. Për shembull, në BE, çfarë do të bënin nëse dikush nuk do ta kishte respektuar ligjin? Ndërkohë që funksionarët maqedonas gëzoheshin me vendimin e gjykatësve nga Strasburgu, në gjykimin për fatkeqësinë e autobusit në Llaskarcë, katër vjet pas vdekjes së 16 pasagjerëve, eksperti që është fotografuar në foltoren e BDI-së nuk shfaqet në gjykatë sepse i ka hipur shtypja. Ndoshta e ka lëshuar terapinë sepse ka rënë sistemi i Fondit për sigurim shëndetësor.

Tani do të vazhdojnë gjykimet pas rasteve të Prokurorisë speciale që në bazë kanë indiciet për krime të zbuluara në përgjimin masv ilegal gjatë kohës së Nikolla Gruvskit. Edhe në kërkimin e tij për azil në Hungari ai i është referuar faljes së Ivanovit. Funksionarët e lartë të akuzuar nga qeveria e tij u mbytën duke paguar avokatët dhe kërkuar defterë me listat e gjykatësve që të shpikin marifete se si t’i shtyjnë gjykimet, se si t’i bllokojnë ato nëpër gjykata….Pas gjashtë vjetësh – për gjykatat kokëdhimbje të reja, ndërsa për të akuzuarit harxhime të reja.

Ku është këtu fitorja e drejtësisë? Fitoi drejtësia me atë që në Strasburg u tha – nuk ju bën gjyqësori, nuk ju bëjnë gjykatësit, e as avokatët nuk u treguan aq të mençur.

3 Por pse të debatojmë për fitore dhe dështime në Maqedoni sot, anëtare e NATO-s, në fillim të dekadës së tretë të shekullit 21 dhe dekadës së katërt si shtet i pavarur, ku Ohri është më i paqasshëm se kurdo deri më tani. Nuk po flasim për ndonjë fshat të degdisur në majë të një mali. Flasim për qendrën kulturoro-historike dhe turistike të shtetit – kartolinën e shtetit. Ajo autstradë e pandërtuar kineze prej 52 kilometrash, për të cilin askush nuk merrte përgjegjësi mund të shpallet përkujtimore e paaftësisë epike, si të qeverisë së VRMO-DPMNE-së ashtu edhe të LSDM-së, e besa edhe të BDI-së që është një konstantë në qeveri nga 2001 e deri më tani.

Nga kohërat antike është ndërtuar rruga Via Ignatia. Në gjysmën e krijimit popullor këndohet për Manastirin, Selanikun , Stambollin, por në shtetin tonë të NATO-s, nën një skrining të sukseshëm të BE-së, para se t’i fillojmë negociatat për kapitujt, ngecën në Pletvar. Me autobus, ndoshta disi, por me tren – asesi.
Në kohën e Turqisë kanë shkuar nga Koçani në Selanik me kalë, kurse tash nga Maqedonia lindore deri në Ohër dhe Prespë është shumë e vështirë të shkosh.

Pse lodhemi të flasim për rrugë dhe hekurudha? Kryeqyteti nuk ka transport të rregullt dhe stabil. Pse të lodhemi të flasim për autobusë modernë, kur ne nuk kemi as postë. Postë me postierë – shërbim korrieri. Dhe kjo është vendosur në barazimet e matematikave të mallkuara partiake.

Domethënë, nuk flasim për pushtim të Marsit. Flasim për përfitime bazore të qytetërimit, në dekadën e tretë të shekullit 21. Si për shembull, të mund të pranosh dërgesë, të kapësh autobusin për të mbërritur në kohë në punë, e kur do të shkosh në mjek të mund të të shkruajë recetë sepse nuk i është prishur sistemi kompjuterik.

E kur i parashikon këto fakte dëshpëruese të “progresit, reformave, politikave ekonomike dhe integrimeve në BE”, nga qeveria menjëherë do të të akuzojnë se ti dëshiron të kthehet VMRO-ja. Se nuk je në anën e progresit. Dhe se je antievropian.

Premtonin se do ta sjellin BE-në në shtëpi. Nuk ia dolën, e tani e përdorin BE-në si armë për llogaritje. Nuk e kanë ata te qeverisja e mirë dhe vlerat evropiane. Atyre u interesojnë vetëm paratë evropiane. E sipas mundësive t’i marrin ata paratë. Por duke pasur parasysh se nuk janë të aftë as për rikonstruktim të Qeverisë, dyshoj se janë të aftë për atë.

 

Përkthim: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира