MURMURITJE NËN YLBER

Më të rrezikshmit janë ata që thërrasin “Mua s’më pengon askush, por...”. Pasi pikërisht te kjo “por”, qëndron frika nga dallimet. Dhe mu ajo fjalë është ushqyes i urrejtjes.

MURMURITJE NËN YLBER

1Personalisht njoh disa persona të cilët i çonin fëmijët e tyre në shkolla të tjera apo gjenin lidhje që të transferohen në klasa të tjera pasi te klasa e tyre ka pasur fëmijë me nevoja të veçanta. Po këta që nuk dëshironin t’i shqetësonin fëmijët duke i vendosur në situatë ku të takojnë dikë që është shumë më ndryshe nga ta, vendosin fotografi profili në FB me ylber, duke treguar se sa mendjehapur e se sa tolerantë janë.

Shyqyr që Mark Zakerberg shpiku Fajsbukun, që të mund të shohim se me kë paskemi të bëjmë. Nuk kaloi as gjysmë dite që kur ministri i shëndetësisë Venko Filipçe lajmëroi një mundësi që operimet e ndryshimit të gjinisë së personave transgjinorë të bëhen nga Fondi i shëndetësisë. Aty tolerantët e treguan fytyrën e tyre të vërtetë e le ta mbajnë sa të duan ylberin në profil.

Pse ishte kjo deklaratë kaq e tmerrshme? A nuk është diçka që është krejtësisht në përputhje me politikat e Qeverisë së Zaevit kundër diskriminimit në çfardo lloj baze, duke përfshirë këtu edhe diskriminimin në bazë të gjinisë dhe përcaktimit seksual? Ky është ligji që votoi Parlamenti. Dhe shyqyr që e gjithë bota progresive e përshëndeti këtë gjest. Së dyti, ministri lajmëroi diçka që nuk është në kundërshti me politikat socialdemokratike të Qeverisë. E kjo do të thotë – më shumë shërbime në shëndetin publik të jenë barrë e buxhetit shtetëror për të cilin të gjithë ndajmë paratë tona.

Për më tepër të gjithë u bënë profesionistë të çështjeve mjekësore. Më e tmerrshmja është që marrin përsipër të gjykojnë se tragjedia e cilit është me e madhja. Më e tmerrshmja është që ata nga pozicioni i “normales” që kishin në Fejsbuk gjykonin se kush ishin “jonormalët”. Sikur dikush do të fillonte atë operacion të vështirë dhe të gjatë të ndryshimit të gjinisë vetëm ngaqë operacioni është falas. Për inat. Që t’ua marrë paratë “jonormalëve”. Pasi “jonormalët” paguajnë tatim për në Mars.

2Ky gjykim mbi të drejtën e qasjes ndaj parave të përbashkëta është vetëm maska pas së cilës fshihet urrejtja ndaj dallimeve. Sot do t’i urrejmë transgjinorët, ashtu siç deri dje i urrenim “shiptarët”, “kaurët”, e të gjithë bashkë – “ciganët”, ashtu siç i urrejmë emigrantët, sirianët, zezakët dhe arabët, siç nesër do t’i urrejmë të verbrit, personat me Sindromën Daun, me autizëm, me pengesa mendore dhe më vonë do të fillojmë t’i urrejmë norvegjezët, të gjatët, të shkurtrit, të hollët, tullacët, ata që mbajnë kapele, ata që nuk mbajnë kapele, ata me sy të kaltër, me sy jeshil, ata që pinë shumë dhe ata që nuk pinë shumë, ata që mbajnë dhe ata që nuk mbajnë mjekër…Ehhee….Lista e dallimeve është shumë e gjatë.

Shumë mirë që Filipçe e hapi këtë temë, por nuk është mirë që e mbylli me justifikimin se e ndjek atë që thotë Fesjbuku dhe se kjo na qenka demokraci. Demokraci ishte edhe kur të gjithë u bënë specialistë të muzikës dhe mjekësisë, e shkruanin në Fejsbuk se në vend që Tamara të shkojë në Eurovizion duhet të blihen vetura ambulance. Nën shtypjen e fejsbuk demokracisë, edhe lojtarëve të klubit privat “Vardar”, qeveria u dha nga paratë e shtetit, se pronari i tyre nuk u kishte dhënë rrogë për nëntë muaj. Për fat të mirë për shkak të Fejsbuk demokracisë nuk i ndërpre vaksinimi i detyruar në mes të epidemisë së fruthit.
Mirë, nëse jo për tjetër gjë, të paktën njëherë të përballemi me realitetin. Pasi, kur ti debaton me ndonjë konzervativ i cili nuk i fsheh qëndrimet e tij, siç është Vllatko Gjorçev, të paktën e di se kush je. Më të rrezikshmit janë ata që thonë “Mua nuk më pengon, por…”. Pasi pikërisht te kjo “por”, qëndron frika nga dallimet dhe pikërisht kjo fjalë është ushqyes i urrejtjes.

3Qershori është muaji kur vërtetohet se jeta vazhdon normalisht edhe pa gjysmën e administratës së shtetit në punë. Çdo vit në këtë kohë, të punësuarit e me rrogë shteti i shfrytëzojnë ditët e mbetura nga pushimet vjetore të vjetshme. Sa magjike është se si gjithmonë kur të nevojiten ata janë në punë dhe prapë deri në 30 qershor kanë ditët të pashfrytëzuara nga pushimi i vjetshëm.
Rrugëve nuk ka trafik, nuk ka problem me parkimin, nuk ka shtyrje në transportin publik…Nuk vihet re se institucionet nuk punojnë. Ose punojnë me po atë efikasitet si atëherë kur administrata nuk është në pushim.

Për fat të mirë, fshesa e Zaevit nuk e mori edhe ministrin Damjan Mançevski. Ta kishin ndryshuar, nuk do të kishte se kush t’i lusë ata që marrin rrogë shtetërore e nuk vijnë në punë, që të pranojnë ndonjë vend pune. Pasi, nëse Sadulla Durakin e mbajmë mend se “edhe pse nuk dëshiron të lëvdohet, ministrimi i tij do të lërë gjurmë të thellë në ruajtjen e mjedisit jetësor”, Mançevskin do ta mbajmë mend si një ministër i cili i lut të punësuarit të vijnë në punë. Edhe pak do të mbushen 15 vjet që kur nuk vijnë në punë, ndërsa të drejtë pensioni kanë.
Vazhdoni kështu me reformimin e administratës shtetërore. Mos rendni pas askujt, të gjithë do t’i ushqejmë. Edhe tuajt edhe ata të VMRO-së. Mos përdorni revanshizëm. Do të shikoni se si VMRO-DPMNE-ja do t’ju revanshohet sa herë që do të vijë në pushtet.

4Nuk dyshoj se kryeministri Zoran Zaev është i vetëdijshëm se çfarë barre ka marrë përsipër tani, me rikonstruktimin e Qeverisë me të cilën Ministria e financave mbeti pa ministër. Akoma mban barrën e ndryshimit të emrit dhe datës së pasigurt të fillimit të negociatave për hyrje në BE.

Lindja e përjashtoi e perëndimi akoma nuk po e pranon. Që tani e tutje, Zaevi do të jetë fajtor jo vetëm nëse nuk rriten rrogat ashtu siç lajmëroi, por edhe për çdo mjek që largohet nga shteti, për çdo ilaç që mungon, për ndërtimet e paligjshme për shkak të të cilave UNESKO do të vendosë Ohrin në listën e trashëgimive të rrezikuara, për dënimet selektive të policisë, për kryetarët e dembelosur të komunave, për ndotjen e ajrit, për deponitë e paligjshme, për cilësinë e ujit në Dojran, për diskot e zhurmshme, për garat me motor nëpër bulevardet e Shkupit, për pjeshkat, për pjeshkat e dëmtuara në Rosoman dhe për mollët e pavjelura në Prespë, për vonesën e rrogave të edukatoreve në kopshte….Madje edhe për drejtorin e MKC-së.

Prandaj, nga tani e tutje do të ketë shumë ankesa dhe është normale që të ketë. Por, a nuk është ai hero? Atëherë le të durojë. Le të mos ankohet. A nuk luftuam për këtë, që secili të kritikojë, kurse kryeministri të mos i nënvlerësojë kritikuesit.

Edhe Gruevski, kështu filloi, të murmuriste për çdo mendim ndryshe nga i tiji. E pastaj filloi të priste kokë për të njëjtën arsye. Tani, ku është? Azilkërkues me pranga në Budapest.

A nuk kemi thënë se ajo ligësi nuk duhet të përsëritet më?

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира