NGA QOSJA – TE QOSJA

Pse të gëzohemi? Duhet t’i duartrokasim. Përveç se na vjedhin, edhe na përqeshin.

1 E dëgjoj zëvendës kryeministrin për eurointegrime Bojan Mariçiq se si thotë se “Qeveria ka mision që qytetarëve t’ua afrojë vlerat evropiane” dhe pyes veten: A e dëgjojnë vallë veten këta të Qeverisë? A e besojnë atë që e thonë?

Çfarë vlerash evropiane do të na mësojë Qeveria? Në cilin shtet evropian, vallë, do të kalonte pa u vënë re lajmi se gruaja e kryeministrit do të blejë tokë shtetërore me vendim të Qeverisë me qëllim biznesi, pa shkaktuar së paku një krizë qeveritare? Franca para 5-6 vjetësh sillte ligjin me anë të cilit funsionarët mund të ngelin në burg deri në 3 vjet, në rast se punësojnë një të afërm familjar gjatë kohës kur janë në funksion. Qeveria e mëparshme gjermane e Angela Merkelit dhe partisë së saj CDU u skandalizua sepse gjatë kohës së krizës së kovidit, ministri i shëndetësisë, pa tender, kishte blerë maska mjekësore nga një firmë ku i punonte bashkëshorti. Në Suedi, ministreshat jepnin dorëheqje sepse nuk u paguanin tatim personal dadove, dhe atë kur nuk kanë qenë në funksion.

Te ne, në Maqedoninë tonë të BE-së, bashkëshortja e kryeministrit hap firmë për biznes me rrymë, me qëllim ndërtimin e një centrali fotovoltaik në rajonin e Radovishit. Kur e kupton publiku, firma e tërheq kërkesën për ndërtim të centralit, por për çdo rast siguron vendim të Qeverisë për blerje të tokës shtetërore, me të cilën mund ta zmadhojnë parcelën.

Gjithçka sipas ligjit. Asgjë nuk është konstestuese. Madje, që të jetë gjithçka e pastër, vendimin për shitjen e tokës shtetërore nuk e ka nënshkruar bashkëshorti – kryeministri, por zëvendës kryeministri Artan Grubi. E pastaj, kush thotë se gruaja e kryeministrit nuk duhet të punojë? Kush thotë se nuk mund të zhvillojë biznes privat? Askush nuk ia konsteston asaj vendin e punës dhe ndërmarrësinë. Por ja që nuk i durohet, e ndërkohë që e ka burrin kryeministër, hap biznes ku i shoqi mund të ketë ndikim direkt me politikat qeveritare. E fakti se firma ku ajo është një nga pronarët, në përgatitjen e infrasturkturës së saj përdor ligjin që e solli VMRO-DPMNE për vjedhje të tokës shtetërore, e që LSDM nuk e ndryshoi, është çështje më vete.

Jo se në BE nuk ka korrupsion, tregti me ndikim politik dhe nepotizëm. Por atje ka prokurori, ka gjyqësi, e si përfundim ka dhe publik. Te ne, në Maqedoninë tonë të BE-së, nuk ka mekanizëm për dënim të deputetëve për keqpërdorim të parave për shpenzime rrugore. Nuk ka mekanizëm për dënimin e kalimit të provimit të jurisprudencës para diplomimit. Nuk ka mekanizëm për dënim të ministrit që përdor veturën zyrtare për qëllime private dhe partiake.

Pse? Sepse, siç thoshte Gordana Jankulloska në ato biseda të përgjuara tashmë të parëndësishme– “gjithçka është sipas Kushtetutës dhe ligjeve”. Sepse shumë prej ligjeve, sidomos ato që kanë të bëjnë me blerje publike, urbanizëm dhe toka shtetërore, VMRO-DPMNE-ja i ndryshonte 100 herë, ndërsa LSDM-ja për gjashtë vjet as nuk tentoi t’i ndryshojë. Sepse ligjet e VMRO-DPMNE-së iu konvenonin. Ato nuk janë bërë për të mirën e përgjithshme dhe për qytetarët. Janë bërë për elitat politike partiake dhe të afërmit e tyre.

Përkufizimi i zyrtarëve shtetërorë ishte dhe mbeti – Vidh sa të mundesh dhe gjersa mundesh.

2 Gjykata e apelit e rrëzoi gjykimin për organizimin e sulmit të Kuvendit në 27 prill 2017. Mijallkovit iu vjetërua edhe një vepër në serinë e veprave. Kurse Qeveria organizoi ngjarje ku e ftoi dhe ambasadoren amerikane Anxhela Ageler, ndërkohë që gazetarëve u ndaloi të parashtrojnë pyetje.
Kështu, Ageler edhe një herë brenda një jave, kësaj radhe në terren, kuptoi se si harxhohen miliona dollarët që për 30 vjet i jepen Maqedonisë nga tatimpaguesit amerikanë për gjyqësi, qeverisje të mirë, transparencë, llogaridhënie, konkurrencë…

Në promovimin ceremonial të ndërtimit të katër seksioneve të autostradës nga Korridori 8, gazetarët u ftuan vetëm si dekor. Ky nuk ishte një promovim i zakonshëm i një tabele. Është promovim i, për momentin, investimit më të madh shtetëror prej 1,3 miliardë eurove, dhe është normale se do të ketë pyetje për atë se si harxhohen paratë e përbashkëta. Sidomos që mediat tashmë publikuan dyshime rreth asaj se si është përzgjedhur firma për mbikqyrje. Dhe sidomos që Prokuroria tashmë hapi hetim për korrupsion potencial. Dhe si e zgjidh problemin Qeveria me dyshimet rreth asaj se a na i shpenzojnë paratë në mënyrë të ndershme? Në atë mënyrë që gazetarëve ua ndalon të shkruajnë. E që të mbrohet, fshihet pas ambasadores amerikane, e cila në ngjarje erdhi për ta respektuar suksesin e kompanisë amerikane dhe marrëveshjes më të madhe të biznesit në shtetin tonë.

Gazetarëve që kishin ardhur të pyesin se si do t’i shpenzojë Qeveria paratë e shtetit, zëvendëskryeministri Artan Grubi iu tha: “Mos pyesni! Gëzohuni!” Epo, hajde të gëzohemi. Se do të na i harxhojnë paratë, por nuk do të na tregojnë se si. E pse veç të gëzohemi? Duhet edhe t’i duartrokasim. Mirë që na vjedhin, por për më tepër edhe na përqeshin. Sepse munden.

3 Ja, shumë gëzohemi se sa efikase është administrata kur duhet të rriten rrogat e funksionarëve shtetërorë.

Gjykata kushtetuese në 21 mars shfuqizoi nenin që ua ngrinte rrogat. Në 23 mars ky nen filloi të zbatohet. Dhe në 5 prill, deputetët e Kuvendit kishin rroga të rritura.

Kur u mobilizuan, vallë, kur arritën aq shpejt t’i llogaritin rrogat? Provo tani t’u kërkosh përllogartiejt për pensionet, do të presësh me muaj, do të të kërkojnë dhjetra dokumente, do të të mungojë stazhi, do të ta gabojnë numrin amë, adresën, emrin…

Për ndërrimin e tabelave të regjistrimit me NMK henez do të bëjnë përllogaritje. Do t’i shikojnë opsionet, sa do të kushtojë ngjitësja, sa do të duhet të paguajnë qytetarët….Kur është interesi i tyre personal në pyetje, atëherë mund të jenë të shpejtë dhe efikasë. Por kur duhet të mbrohet interesi publik, atëherë e mendojnë mirë. Në fund, sërish matematika do të tregojë minus për qytetarët.

4 Edhe një episod nga seriali “Gjithçka sipas ligjit, shef” është rasti i Kumanovës, kur Dogana u ka kapur pllakat e vjetra të gramafonit koleksionistëve serbë që kanë ardhur në festival me arsyetimin se nuk kanë dokumente për shitje. I ka arrestuar policia, kanë paguar dënim prej 150 eurove, kurse pllakat përkohësisht u janë marrë dhe janë dorëzuar në Agjencinë për menaxhim me pronën e konfiskuar deri në mbarimin e procedurës.
Besoj se ata që merren me koleksionimin e pllakave të vjetra në Maqedoni dhe i shkëmbejnë në festivale të këtilla me koleksionistë të tjerë të jashtëm, as nuk e dinë se në jetët e tyre ekziston dikush si Dimitar Kovaçevski, Artan Grubi, Oliver Spasovski, Bujar Osmani, Fatmir Besimi, Bojan Mariçiq…Kështu e mësuan se ekzistojnë. Me siguri thonë me vete, ooo çfarë politikanësh që kemi, shiko si e kanë rregulluar shtetin, Hallall iu qoftë, sa rend që ka, kemi ligje evropiane, s’e luan topi.

Ky sukses i Doganës është pak a shumë po aq i madh sa suksesi i ndërmarrjes shtetërore për menaxhimin e hapësirave banesore dhe afariste që i ka pastruar garazhat në kate. Në Facebook u lëvduan se “përpjekjet e Shoqatës janë gjithnjë në drejtim të reagimit në kohë dhe mirëmbajtjes së higjienës në garazhet dhe hapërsirat e tjetra që i menaxhon”. Si në kohë? Dolën të pastrojnë vetëm atëherë kur Irena Ristiq me ekipën “Ne bidi gjubre”  ua mblodhi plehrat. E ata, në vend që të fshihen nga turpi, u lëvduan se e kanë bërë punën e tyre.

Njëlloj siç u lëvdua ndërmarrja publike e Shkupit “Parkingu i qytetit” se kishte vënë tenda shtëpive të pagesës në Qendrën klinike dhe aty ku paguhet dënim për Merimangën, me publikim në Facebook se “në vazhdimësi punohet për përmirësimin e kushteve të qytetarëve”. A thua se përmirësimi i kushteve të qytetarëve nuk është puna e tyre e përditshme, e kur e bëjnë atë që e kanë për detyrë ta bëjnë, duhet të lëvdohen.

5 Si kapak i gjithë këtij regresi, shënojmë iniciativën për kthimin e përmendores së Andon Llazov Janev-Qoses, të cilën qeveria lokale e Shkupit në krye me Petar Shilegovin e hoqi nga lokacioni para gjyqit. E kërkon kryetarja e komunës Danella Arsovska. Por duke qenë se komuna Qendër nuk i lejoi që ta kthejë në vendin e vjetër dhe e udhëzoi që të kërkonte leje nga Kuvendi, u paraqit Levica nga komuna Aerodrom dhe sëbashku me VMRO-DPMNE-në votuan iniciativën për vendosjen e Qoses në Aerodrom. Tani kjo iniciativë do të shkojë në Kuvend.

Qeveria e LSDM-së, arriti të heqë vetëm një përmendore nga të njëqindtat që porositi Gruevski, por as atë nuk kishte guximin ta shkrijë dhe ta zhdukë. Të mos ekzistojë që të mos i kujtohet askujt ta kërkojë. Ishim optimistë se do ta rrëzojnë të paktën atë përbindësh që Gruevski bashkë me Subrata Roj e promovonin si përmendore të Nënë Terezës, që e bllokon daljen nga Sheshi Maqedonia, ndërtim i pasigurt dhe ndërtimi më dukshëm i paligjshëm, e ata nuk arritën ta heqin as edhe njërën prej anijeve.

A thua se jemi prapë në 2013. Të paktën tani do ta kërkojmë Qesen, siç atëherë i kërkonim përmendoret që brenda natës i shpërndanë nëpër qendrën e Shkupit. Gjurmonim se nga i sillnin, në çfarë deposh i fshihnin, ku bëhen. Dhjet vjet kaluan nga ajo çmenduri. Ku ishim, ku erdhëm. Nga Qosja te Qosja.

Me rëndësi është që do të mbajmë tribuna dhe do të shesim mend se si të kthehen maqedonasit që studiojnë në Slloveni. E pse të kthehen? Që të gëzohen për Qosen? Për Qosen të kthehen?

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира