NINXHA I NANËS

Edhe Gjorge Ivanovi edhe Ninxha Samuraj janë institucione. Të dy kanë punuar për porositësin e njëjtë.

NINXHA I NANËS

1Kur presidenti ynë Gjorge Ivanov thotë: “Opinioni publik është i tillë, i beson një të akuzuari, e jo institucioneve zyrtare”, vallë, për cilin opinion publik e ka fjalën? Të atij populli të cilit vazhdimisht i drejtohet? Të atyre që e përzgjodhën? Apo të atyre që bojkotuan referendumin pasi “nuk e japim emrin”, gjë që e deklaroi me shumë krenari kur refuzoi nënshkrimin e Marrëveshjes me Greqinë? Apo të atij populli që u vu kundër Platformës tiranase, e për shkak të saj nuk ia jepte mandatin liderit të shumicës në Parlament e as nuk e nënshkroi Ligjin për përdorim të gjuhëve. Apo i referohet popullit që “erdhi të merrte atë që i takonte” më 27 prill në “depërtimin e dhunshëm më paqedashës në Parlament nga qytetarët në gjithë historinë e Maqedonisë”?

Ivanovi tani po e hidhëron të njëjtin popull që beson në dëshminë e të akuzuarit për sulmin e Parlamentit  Aleksandar Vasilevski – Ninxha, dhe nuk u beson institucioneve. Epo edhe Ninxha ka qenë institucion. E kanë punësuar në Drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim nën komandën e VMRO-DPMNE-së. Me shkollë të mesme trevjeçare. Dhe i kanë dhënë dy xhipa zyrtarë. Të blinduar. Edhe armë shtetërore i kanë dhënë, si dhe një radiostacion që të ndjekë komunikimet e policisë në rrethin e policisë së Shkupit. E institucion i rëndësishëm, i kanë dhënë edhe truprojë personale. Me gjithë pistoletë.

Në 27 prill, 2017, gjatë sulmit të Parlamentit, Ninxha ka përfaqësuar institucionin DSK. Njëlloj siç Gjorge Ivanovi, në 27 prill ka përfaqësuar institucionin presidencial të shtetit. Institucioni i cili u shfaq në televizion atë natë dhe caktoi një takim liderësh. Ndërkohë për njërin prej liderëve, sulmuesit paqedashës ishin të bindur se e kishin rrahur deri në vdekje. Lideri tjetër kishte çallmë në kokë dhe fytyrë të gjakosur. Kurse i treti ishte në Vjenë me punë të rëndësishme shtetërore.

Tani Ivanovi përpiqet që çdo dyshim që ekziston mbi rolin e tij në 27 prill ta shndërrojë në dyshim ndaj ushtrisë. Madje u shqetësua edhe për hyrjen në NATO.

2Cili është dallimi mes Gjorge Ivanovit dhe Aleksandar Vasilevski – Ninxhës? Përveç faktit se njëri është profesor universitar i drejtësisë, kurse tjetri është niveli i tretë në “Koce Metalec”? Njëri është komandant i lartë i ushtrisë, ndërsa tjetri komandant i lartë i luftës që sulmoi Parlamentin. Dhe që të dy marrin rrogë nga shteti.

Dhe cili është problemi me besimin tek institucionet? Ndoshta ngaqë institucioni i Ivanovit në prill 2016 fali 56 funksionarë të dyshuar për krime të rënda. Dhe falë kësaj faljeje edhe Nikolla Gruevski dhe dy spiunët e arratisur në Greqi, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët i fali Ninxha tani janë njerëz të lirë në Hungari dhe Greqi. Ndërsa institucioni tjetër Ninxha me emrin e koduar Samuraj, më 27 prill 2017 e sulmoi Parlamentin që t’i shpëtonte nga përndjekja të gjithë ata që institucioni i Ivanovit i kishte falur.

Edhe Gjorge Ivanovi dhe Ninxha Samuraj janë institucione. Të dy kanë punuar për një porositësin e njëjtë. Dhe ky porositës nuk ka qenë populli.

3Dëshmia e Ninxhës, truprojës së tij dhe vëllezërve Mlladenovski të cilët janë mes 33 të akuzuarve për sulmin e organizuar të Parlamentit tregon se në Maqedoni realiteti është më i pabesueshëm se përrallat. Me të vërtetë e pabesueshme. Besa, gjithë çfarë kemi dëgjuar deri tani mbi organizimin e sulmit e kemi imagjinuar, por kemi thënë me vete: “Jo, nuk është e mundur. Epo, ja që është e mundur. Asgjë nuk ka qenë e rastësishme. Ata kanë pasur plan dhe kanë punuar sipas tij.

Plani për sulmin ka filluar katër muaj para 27 prillit. Që në dhjetor 2016, menjëherë pas zgjedhjeve kur Gruevski tha se nuk do t’ia lejonte Zaevit të formojë Qeverinë. Kur drejtoresha e komisionit për raporte me bashkësitë fetare Valentina Bozhinovska thoshte se mbledhja pas KSHZ është “nata e thikave”. Kur njerëzit e VMRO-së që aktronin se ishin përfaqësues të popullit u dërgonin nekrologë ambasadorëve. Dhe kur drejtori i DSK Vlladimir Atanaskovski kishte organizuar të hidhen kokteje motove mbi KSHZ dhe mbi shtëpitë e deputetëve të LSDM, ndërkohë që i kontrollonin ankesat e VMRO-DPMNE-së. Po flasim për DSK-në. Për një institucion. Për shërbimin tonë sekret. Jo për një shërbim të shteteve të tjera.

Më vonë, kur ua miratuan ankesat, u qetësuan paska, por kur panë se VMEO-DPMNE nuk do të mund të krijojë qeveri me BDI- në e kanë aktivizua planin “B”. Dhe erdhi 26 shkurti  2017, kur Nikolla Gruvski i bëri thirrje popullit të mos qëndronte në shtëpi me papuçe. Gjë pas të cilës, ata që dhanë urdhrin për sulmin e kishin shpikur sulmin e Parlamentit. Demek, populli u fut pas protestave të “Za zaednicka Makedonija”. Në mënyrë të kulturuar. Me patriotët Betmen, Damovski, Durllovski dhe Jovanovski, të cilët Ninxha i kishte parë se si dalin nga аrkëtari i VMRO-DPMNE-së Kirill Bozhinovski. Por nuk ua ka kontrolluar xhepat për të parë se sa vlerë ka patriotizmi i tyre.

E pastaj, erdhi 27 prilli. Dita kur Ninxha ka thënë se duhet të “thuhet nëse janë vetëm kretinë të fryrë, apo kanë tru”. Ninxha i nanës.

4Në të vërtetë nuk ka qenë çdo gjë aq mirë e organizuar. Ninxhës i kanë lejuar kreativitet. E kur i ka thërritur për drekë sulmuesit e shoqatave patriotike për të cilën një dëshmues tjetër ka thënë se Ninxha konsideronte se janë kretinë dhe se duhet të shfrytëzohen, u është tekur të marrin dhe maska. “Që të jetë më e fortë”, dëshmonte Mlladenkovski. Dy herë kanë blerë 30 maska, por kanë marrë edhe llogari fiskale, “që të arsyetohen nëpërmes ndonjë firme.”

Mbi çështjen se a kanë qenë apo jo legalistë, dëshmoi edhe njëri prej sulmuesve, i cili në vend që t’i gjuante deputetët, vetëm spërkaste me aparatin zjarrfikës, por i ka ardhur siklet ta veshë maskën pasi “nuk paska qenë e ligjshme të futesh në Parlament me maskë”. E pastaj, ka ardhur dikush nga Drejtoria e pestë e VMRO-së të cilin e quajnë Bokser dhe i ka thënë se i ka thyer të gjitha kamerat dhe se nuk duhet të shqetësohen për këtë gjë.

Do të thotë të gjithë kanë qenë në nivelin e detyrës që u është besuar. Me gjithë patriotët xhu-boks që këndojnë himne me t’u dhënë një monedhë. Me gjithë sekretarin gjeneral të Kabinetit të kryetarit Boris Josifovski, i cili është thërritur nga kati i 8 i selisë së VMRO-DPMNE-së te kabineti i Ivanovit për të qetësuar situatën. Përveçse drejtorit të atëhershëm të DSK-së Vlladimir Atansovskit, për të cilin nuk dihet se ku ka qenë më 27 prill.

5Të bëj një rikujtim. Kjo nuk është një përrallë. Kjo është një dëshmi nën kërcënimin e gjyqit. Jeta me të vërtetë shkruan romane. Por jeta për momentin ndodhet në një vend tjetër. Për shembull në Budapest. Apo në Selanik. Apo në Shkup.
E pastaj, çuditemi se si shërbimeve u ka shpëtuar Nikolla Guruevski. E se si u ka ikur Goran Grujevski dhe Nikolla Bozhinovski. Dhe se si na ndodhi “Lagjja e Trimave”. Dhe se cila është prapavija e vrasjeve në Liqenin e Smilkovës dhe sulmit të karakollit në Goshincë.

Pyes veten, a drejtohen shërbimet akoma nga kati i 8 i VMRO-DPMNE-së?

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира