NJË TABELË TJETËR

Asnjë luftë nuk është më e vështirë sesa realiteti në të cilin po jetojmë.

1 Nuk e kuptoj. Përse është skandal i madh që ndonjë deputete e opozitës në foltoren e kuvendit i ka thënë zv.kryeministrit se është qullash? Madje, ky është lajmi kryesor i seancës ku parashtrohen pyetje të deputetëve. E, që drama të jetë edhe më interesante edhe seanca u ndrëpre. Ç’nuk të shohin sytë!
Ky Kuvend, para vetëm dhjetë ditësh shpiku ligj me të cilin zvogëlohen dënimet dhe shkurtohet afati i vjetërimit të veprave penale për korrupsion të funksionarëve. Kjo Qeveri në mënyrën më të parregullt dhe të paskrupullt i dërgoi në Kuvend ndryshimet e Kodit penal me të cilin praktikisht legalizohet mosdënimi për korrupsion të funksionarëve të kaluar, të tanishëm dhe të ardhshëm. Këta deputetë i votuan ndryshimet e ligjit për vetëm tre ditë, dhe atë para një fundjave të zgjatur feste – qeveria votoi “për”, opozita votoi “kundër”, por as nuk u përpoq që ta bllokonte votimin e ligjit, aq më pak ta shtyjë atë.

E tani – përnjëherë, fjala “qullash” na qenkësh e turpshme që një deputet ta thotë në foltoren e kuvendit. Ore asnjë fjalë, po madje edhe asnjë e sharë e shqiptuar nga deputetët nuk është më ofenduese, sepse fjala e tyre thjesht nuk vlen asgjë. Nëse duan, mund të zhvishen lakuriq në foltore e t’i valëvisin brekët ndërsa flasin për BE-në, për popullin dhe për luftën kundër korrupsionit. Kjo nuk do të jetë asgjë në raport me ligjin me të cilin e legalizuan mosdënimin e tyre, madje edhe nëse i kapin duke vjedhur. Nuk mund të bënin diçka më ofenduese se kaq për ne që i votojmë.

Apo ndoshte munden?

2 Shpeshherë pyes veten nëse edhe ne jemi ashtu si politikanët të cilëve u japim legjitimitet në zgjedhje? Njoh një numër relativisht të madh të njerëzve që i takojnë kësaj apo asaj partie e që, kur bën personalisht muhabet me ta, nuk të duken aq të trashë. Por, kur zgjedhin ndonjë funksion, a thua se bëjnë lobotomi, se u futen me lazer në tru dhe ua dëmtojnë qendrat për etikë dhe moral dhe bëhen lakmitarë, jonjerëzorë, të padurueshëm, arrogantë…Kulturë politike – zero. Integritet deputeti – zero. Për çfarë kulture flasim, kur deputeti nuk voton me kokën e tij, por ashtu siç do të thotë partia?
Dialogu – zero. Vullneti për punë – zero. Përkujdesje për interesin publik – madje edhe nën zero.
Kur shkon në tregun politik, ç’të shohësh? Kriminelë të kaluar, të tashëm dhe kriminelë që pritet të vijnë. Kë të zgjedhësh, vallë, në një sistem ku kandidati për deputet, në vend që të ketë frikë nga trupi votues, ka frikë nga lideri i partisë? Jo se deri më tani nuk mundeshin ta ndryshojnë sistemin zgjedhor, siç e kurdisën punën me Kodin penal, me mëditjet e deputetëve, rrogat…Gjithë më duket se, që kur fituan rrogat më të larta për 75 përqind, u çoroditën edhe më tepër.

Lodhet robi, humb energji dhe ia shpif gjithçka. Situata nuk është dhe aq shpresëdhënës. Por, a duhet t’u dorëzohemi ushtarëve të paaftë dhe të korruptuar dhe klientëve të tyre? Nga ky pazar nuk mund të pritet ndryshim. Duhet të kërkohet zgjidhje.

Të kujtojmë se vetëm para dy vitesh, në zgjedhjet lokale të tetorit 2021, morën pjesë 57 lista të pavarura me kandidatë për këshilltarë në 40 komuna. Fituan 65.000 vota. Të dhënat janë për listat e këshilltarëve. Disa prej tyre të regjistruar vetëm disa muaj para zgjedhjeve. Nuk i numërojmë votat për gjoja kandidatët e pavarur për kryetarë të komunave, të mbështetur nga partitë. Më tepër vota nga listat e pavarura kanë vetëm VMRO-DPMNE-ja, LSDM dhe BDI. Me 65.000 vota, ato lista të pavarura u pozicionuan si fuqia e katërt politike.

Ndonjëherë janë me të suksesshëm, ndonjërë jo, por zëri i tyre nuk është për t’u nënvlerësuar. Lufta e tyre është e vështirë. Por jo më e vështirë nga realiteti ku jetojmë.

3 Në realitet, mes “ministrit qullash” dhe deputetes, vjedhja e citostatikëve të Klinikës së onkologjisë, lirimi i funksionarëve nga përndjekja penale e korrupsionit dhe lajmërimi për falje masive që të lirohen vende në burgje, na erdhi dhe lajmi se dy komandantë të burgjeve në “Idrizovë” i i kanë paguar 4.000 euro një të burgosuri, i cili i ka gënjyer se do t’i punësojë në MPB. Nuk e ka paguar i burgosuri komanduesin, si në çdo shtet normal, por anasjelltas. I kanë besuar, pa e kontrolluar, se është në burg për here të tretë për veprën e njëjtë – të gjithë i ka mashtruar se do t’i punësojë në MPB. Vetëm tarifa i ka mbetur e njëjtë, ashtu si Banka Popullore e ka fiksuar denarin për euro. Drejtë dhe ndershëm dhe me disiplinë financiare.
Pas shokut fillestar, çuditjeve, talljeve dhe analizave serioze rreth asaj se sa ka hyrë korrupsioni në çdo pore të jetës, u paraqitën edhe sugjerime me qëllim të mire nga qytetarët se ky njeri nuk duhet të kalbet në burg, por duhet të shfrytëzohet për ofanzivë diplomatike. Deri në 2030 duhet të hyjmë në BE, apo?

4 Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani, në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) deklaroi se “dinamika e politikës bullgare është kaq e pasigurtë sa që nuk dihet se çfarë do të sjellë dita e nesërme” dhe se “jam përgjithësisht i sigurtë se Bullgaria vazhdimisht do të formulojë kërkesa të reja.
Në po atë intervistë Osmani tha gjithashtu se kemi arritur kompromis me plan aksionar për pakicat. Çfarë kompromisi, kur Bullgaria nuk pranon se ka pakica!

Para as më shumë se dy muaj, Osmani në shtëpi na vizatonte tabela se pasi ta ndryshojmë Kushtetutën, Bullgaria nuk do të ketë kërkesa të reja. Çfarë ka ndodhur, vallë, ndërkohë, që ministri ta ndryshojë mendimin, dhe jashtë shtetit të deklarojë se “është përgjithësisht i sigurtë se Bullgaria vazhdimisht do të formulojë kërkesa të reja”.

Se mos iu harxhua hapësira në tabelë? Jepini një tabelë tjetër.

5 Festa për popullin vazhdon me një rrjedhë të parashikueshme te ngjarjeve. Si në ata filmat për para se të të zërë gjumi, kur e kupton se nuk ia vlen t’i rikthehesh. Në repertor vazhdon të jetë akoma filmi për USB-në e Gruevskit dhe përçarja në VMRO-DPMNE, ndërsa para disa ditësh u paraqit dhe “bashkimi i LSDM-së me prezencën e dukshme të Zaevit si frontmen evropian”.
Ata dy filma, sikur të ishin edhe reality show, do të anuloheshin që në sezonin e parë. As publiku i tyre i besueshëm tashmë nuk i sheh.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира