1 Tri ditë me radhë njësitë antiterroriste të MPB-së i lirojnë nxënësit nga ora e mësimit për shkak të lajmërimeve të bombës në shkollat e mesme të Shkupit. Tri ditë me radhë nuk janë gjetur dërguesit e mesazheve kërcënuese elektronike.
Kjo është një luftë e vërtetë speciale. Krijon pasiguri, panik dhe i harxhon resurset e policisë. Ndonëse, duke pasur parasysh se sa të të afta i kemi institucionet partizane, neve nuk na duhet një luftë speciale për t’u ndier të pasigurtë. Vetë mosbesimi i qytetarëve tek institucionet është më serioz se cilado luftë speciale.
2 Kësaj here jam i bindur se do të fillojë të ndërtohet hekurudha drejt Bullgarisë. Ore, jam 100 përqind i bindur se 34 kilometra të seksionit, me gjithë 5,5 kilometra tunele dhe mbikalime do të kryhen deri në fundit të vitit 2025. E si të mos bëhen për 3 vjet? Ai optimizëm i pashterur i ndërtimit të hekurudhës drejt Bullgarisë na mbizotëron që në 8 tetor të 1994, kur për herë të parë u vendos guri themeltar. Optimizmi e arrin kulmin çdo 5-6 vjet, kur sërish lajmërohet ndërtimi i hekurudhës. Vetëm në këtë kolumnën time, për hekurudhën kam shkruar mbi 20 herë përgjatë 30 vjetëve. Dhe ja, pas pothuajse tri dekadash, optimizmi nuk na ka braktisur. Më duket se e ka tejkaluar edhe atë të “Çebren”-it. Kurse optimizmi i rrugës Veles-Prilep përmes Babunës që moti është humbur. Edhe Çebreni edhe Babuna lajmërohen nga tetori i vitit 1994.
Hekurudha drejt Bullgarisë nuk është një iniciativë e thjeshtë ndërtimore. Është një mit me të cilin po rritet tashmë gjenerata e dytë në Maqedoni. Çdo lajmërim për gurin themeltar vetëm sa e ringre mitin. Si hekurudha s’ka tjetër.
Ne e ndërtojmë hekurudhën, hekurudha na ndërton ne.
3 Falenderime të sinqerta për BE-në për 80 milionë eurot që i dha si ndihmë Maqedonisë për zbutje të krizës energjetike. Halli ynë tani është se si do t’i harxhojmë dhe nëse paratë do ta arrijnë qëllimin pa korrupsion. Faleminderit edhe kryetares së Komisionit evropian Ursulla fon der Llajen, e cila e përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes së Maqedonisë me Fronteksin në gjuhën maqedonase dhe që vetë bëri një tweet në maqedonisht.
Ama, pse duhej që këto dy lajme të bukura të shoqëroheshin me fjalën e urryer “verimaqedonas” që ajo e tha gjatë konferencës së shtypit me kryeministrin Kovaçevski? Gjithçka do të bëjë siç duhet, do ta respektojë gjuhën maqedonase, por do të thotë edhe njëherë “verimaqedonas” dhe ti menjëherë harron gjithçka të bukur që ka thënë pak më parë.
Nga do ta dinin shtetasit e huaj se kjo çështje te ne është shumë delikate, nëse dikush e përmend vazhdimisht? Është shumë pa sens që këtu të zihemi e grihemi për këto punë, e jashtë të mos reagojmë fare, pikërisht aty ku duhet reaguar. Për më tepër që Ursulla fon der Llajen dhe presdienti francez Emanuel Makron një herë kërkuan falje kur e përmendën fjalën “verimaqedonas”. Ata mund të gabojnë dhe njëqind herë, por ne që këtu duhet të reagojmë njëqind herë të tjera në formë institucionale. Le ta shohin ata që ua bëjnë shënimet për konferencat e shtypit dhe deklaratat se verimaqedonasit nuk ekzistojnë. Se ekzistojnë qytetarë të Maqedonisë së Veriut ku jetojnë maqedonas, të cilët fyhen kur dikush i quan verimaqedonas. Njashtu siç ka shqiptarë të cilëve, mos o Zot, dikush t’u thotë maqedonas. Menjëherë i hapin dollapet e 2001-it. Kështu na del se “faktori i huaj” e ka më të rëndësishme të mos i ofendojë shqiptarët, ndërkohë që për maqedonasit u bë e qartë se mund të durojnë shumë ofendime dhe nënçmime në rrugën drejt BE-së.
Çdo lëshim i këtillë për liderët dhe funksionarët evropianë mbase duket i parëndësishëm, por për ne është nxitje për ndarje të reja politike. Sërish e sërish. Do të rrotullohemi në rrethin e rrugës drejt BE-së. A thua se flasim për stabilitet e ecja jonë drejt BE-së u bë faktori më i madh i jostabilitetit politik.
4 Gjatë fundjavës së vazhduar të festës, si zakonisht, edhe për një herë tjetër u krijua shumë komunikacion në pikat kufitare. Në Bogorodicë, në hyrje të Greqisë, pesë-gjashtë kolona të veturave duheshin radhitur në dy, por njerëzit nuk e dinin se ku, pasi semaforët që tregojnë korsinë e hapur nuk funksionojnë. Korsia e veçantë për shtetasit maqedonas nuk funksionon, shenja MK është e vendosur më kot. I njëjti kaos i komunikacionit është edhe në Tabanovcë, në hyrje të Serbisë, në pikën kufitare që bashkon “Ballkanin e Hapur”.
Semaforët nuk punojnë se janë djegur poçat. Poçat nuk ka se kush t’i ndryshojë. Shtëpizat na paskëshin qenë të Ministrisë për transport dhe lidhje, ato i janë dhënë Doganës, ndërsa Dogana ia ka dhënë policisë. Tri institucione shtetërore, pafund justifikime. E dritë mbi shtëpizat nuk ka që nuk ka. Ka vetëm qytetarë të nervozuar me tatimet e të cilëve paguhen të punësuarit në institucione shtetërore, puna e të cilëve është të vënë rend në shtet.
Gjithmonë kur futem në shtet pyes veten nëse kryeministrit, deputetëve, ministrave apo të gjithë atyre njerëzve që janë në funksione të larta të ndërmarrjeve publike nuk u vjen siklet kur kthehen në shtëpi? Ja, për shembull, je duke vozitur nëpër Serbi, sheh asfalt të ri, bar të kositur, mbeturinat e mbledhura, shenja të reja rrugore…pastaj e kalon kufirin, në fillim qentë të sulen, pastaj sheh asfaltin tërë gropa, kabinat dhe pagesat rrugore të ndyta, bari i papërkujdesur, mbeturinat gjithandej…Apo, kur futesh nga Kosova, e të presin ato 12 kilometra prej gropash prej të cilave as 2 kilometarat e parë, që tashmë historikisht i lajmërojnë si hekurudha drejt Bullgarisë, akoma nuk janë filluar. Sado që të futen pa rend, sado që të mos presin në pikat kufitare, sado që t’i shoqërojnë me polici e të jenë duke nxituar, nuk është e mundur të mos vënë re asgjë.
A nuk është e vërtetë se kur vjen në shtëpi duhet të të rehatohet shpirti. Çfarë njeriu duhet të jesh, vallë, që mos të të pengojë kaosi? Si nuk u vjen turp, e të thonë – ore, kjo është puna ime, oo ja, edhe sikur të mos jetë do ta gjej se e kujt është e do të rregullohet.
Me siguri për këtë arsye është krejtësisht normale për ne që të jemi nervozë ndërkohë që shtyjmë njëri-tjetrin në komunikacionin e madh për të hyrë në vetë shtetin tonë. Pasi, për ne është gjendje natyrale të jetuarit në parregullsi dhe plehra. Ndërsa qeveria atë nevojë natyrale na e servon që në kufi, në hyrje të shtetit. Se mos rastësisht mendojmë se mund të jetë edhe më mirë.
5 Andaj është krejtësisht normale kur qeveria e qytetit të Shkupit dhe qeveria komunale e Kisella Vodës u zunë për një shenjë me zemër në komunkacionin në hyrje të komunës. Lagje të tëra me ndërtime të paligjshme u ndërtuan, rrugë dhe parkingje po shfrytëzohen ilegalisht, Shkupi nuk ka para për ta mirëmbajtur transportin publik, kemi krizë energjetike, ditët e ndotjes së ajrit po kalojnë, qendra me gjithë mbetjet e Gruevskit të Shkupit 2014 me plot kuptimin e fjalës po rrënohet, trotuaret janë zënë, rrugicat janë të pakalueshme, por prioriteti i zgjidhjes së kaosit ishte mu shenja “E dua Kisella Vodën”. Vendosja e kësaj shenje është prioriteti i Komunës, ndërsa prioriteti i Qytetit është rrënimi i saj. Pasi, as Qyteti e as Komuna nuk mund të dallojnë diçka më të rëndësishme se kaq. Një zemër në udhëkryq.
E përse? Për atë se kush do ta marrë provizionin prej 136 milionë eurosh për stacionin e pastrimit – VMRO-DPMNE-ja apo kryetarja që ata e sollën në pushtet. Do të ishte më mirë sikur të mos ishin ato 136 milionë euro. Me ato para do ta bllokojnë Shkupin në tri vitet e ardhshme.
6 Kuvendi i theu kufijtë e vet. Brenda një dite, dhe atë të premten, votoi ministër të ri për vetëqeverisje lokale dhe dy gjykatës kushtetues. Për një muaj e gjysmë nuk kishim ministër, por nuk ndihej fort se na mungonte diçka. Ndërkohë që gjykatësit përzgjidheshin pesë muaj me radhë, e prapë se prapë nuk u zgjodhën të gjithë.
Mungesë e hatshme e vetëdijes. Një efikasitet për t’u çuditur. A është Kuvendi ynë ky, apo ndonjë Kuvend tjetër?
Përktheu: Fjolla Zllatku