1 E hajde tash, të shkojmë në pushim, mjaft tallemi në këtë vapë. Marrëveshja sa për marrëveshje është arritur. Si duken marrëveshjet në Maqedoni, madje edhe në jetën private? Shihemi nesër në ora 9? Ok, shihemi. Shihemi, sigurt? Po, po, shihemi, po më merr edhe njëherë të dëgjohemi.
Po kështu edhe katër partitë në krye me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së arritën marrëveshje. Të dëgjohen sërish më 31 gusht. Madje, 31 gushti nuk është një datë e zgjedhur rastësisht. Rreth 28 gushtit ka edhe një festë tjetër. Që do të thotë edhe një fundjavë të zgjatur, që në asnjë mënyrë nuk mund të huqet. Për qarje hallesh për të ardhmen e Maqedonisë.
Besa, shumica, me të drejtë nuk besojnë se do të dëgjohemi sërish më 31 gusht. Pas një viti të tërë nga marrëveshja e fundit për tu marrë vesh, pas një viti e gjysmë krize, akuzash se kush nuk do të dalë në zgjedhje, e kush do të futet në burg, pas ndërhyrjeve në Parlament, ngrirjeve, shkrirjeve, pas dy vizitave të Viktoria Njulland, njëqind deklaratave të Bejlit, njëqind deklaratave të Hanit dhe po aq kundërdeklaratave të po të njëjtave deklarata, pas tri-katër vizitave të Johanes Hajndëll, po çfarë thanë gjermanët, po britanikët, po holandezët, po macet e Vanhojtit, pas faljes, pas faljes pjesërisht pishman, po pastaj pas faljes krejtësisht pishman, dhe pas dhjetëra fasadave dhe përmendoreve të ngjyrosura, pas protestave e kundërprotestave dhe paraburgimit shtëpiak vetëm për kryetarin e Manastirit, arritëm deri te ky sukses. Më 31 gusht do të takohemi sërish. Që të vijmë ne vete.
Harrova ta përmend informacionin më të vlefshëm që mund t’i zgjidhë zgjedhjet. Hua e re prej 450 milion euro. Ja që Qeveria do të ketë para për të lyer fasadat dhe do t’u mbeten edhe për korruptim të votuesve.
2 Po, kush do të mbajë përgjegjësi nëse edhe kjo marrëveshje dështon? Pyetje e kotë. Askush.
3 T’i japim edhe një shans marrëveshjes, se këtë herë po tregohet me të vërtetë precize. Detali i vetëm jopreciz është që ai shqiptari, që duhet të jetë anëtar i ndonjë trupi ad hok për ndonjë farë kontrolli të mediave, duhet të jetë njëri nga katër të propozuarit e partive. Ose, ata të katërt do të duhet të propozojnë shqiptar si element të pestë, që me dashuri do t’i bashkojë katër elementet e mbetura partiake. Gjithashtu, nuk është precizuar se deri në çfarë brezi në të kaluarën shqiptari duhet të jetë me gjak të pastër shqiptari. Se nga DNK-ja e elementit të pestë varet suksesi i marrëveshjes që do të krijojë kushtet për zgjedhje të besueshme.
Edhe një tjetër informacion me pikëpyetje. Ku do ta gjejnë ekspertin, që do të jetë kryeredaktor i programit informativ të shërbimit publik MRTV? Mos e kanë fshehur diku këto 25 vitet e fundit, e tani duan ta zbulojnë, 100 ditë para zgjedhjeve?
Po, edhe nëse marrëveshja dështon, nuk është ndonjë problem i madh. Do të vijë Njulland për të tretën herë. Për momentin është kaq mërzitshëm nëpër botë, në regjion, madje edhe në shtëpinë e saj në ShBA, sa që ajo nuk ka punë tjetër e do të merret me Maqedoninë. E, VMRO-DPMNE-ja pikërisht këtu po mbështetet.
4 Të gjithë e pamë menjëherë se si do të zbatohet marrëveshja. Së pari, Artan Grubi u lëvdua se BDI-ja ka arritur të bëjë që për herë të parë në Maqedoni të ketë një ministër shqiptar për punë të brendshme. Sa u morën vesh që partitë do t’i japin PSP-së mbështetje maksimale, madje edhe nëse do t’u duhet të kundërshtojnë Gjykata Kushtetues, VMRO-DPMNE-ja akuzoi Katica Janevën se po i hakmerret Taelvskit. Njëkohësisht, Radmilla Shekerinska a bindte se marrëveshja është e përkryer dhe se LSDM-ja i ka meritat për këtë. Ndërsa të BDI-së ishin më të sinqertët nga të gjithë. Me entuziazmin më të madh deklaruan që ata kanë nënshkruar, por nuk besojnë në atë që kanë nënshkruar.
Përndryshe, kryetari i Manastirit, Vlladimir Talevski, për të cilin policia e kishte të vështirë ta bindte të paraqitej në PSP për t’u marrë në pyetje, tha se e akuzonin vetëm në bazë të një bisede. Çfarë bisede ishte ajo? Bisedë ku, një ministër i financave dhe një zëvendës kryeministër i thotë një ministri të punëve të brendshme, që një kryetar komune po vjedh. Dhe askush nuk ndërmerr asnjëlloj mase, sepse kryetari i komunës, i cili po vjedh, është anëtar i partisë në pushtet.
E pastaj habitemi se si na dështoi marrëveshja. Dëgjuam apo jo? Është e vërtetë ajo që dëgjuam apo jo? Kanë vjedhur, apo nuk kanë vjedhur nga paratë tona?
Tani, partia në pushtet do të na rrëfejë përralla se kush na paska, e kush nuk na paska program. Një sekondë. Për programin do të flasim kur të dimë se kush ka vjedhur, e kush jo. Kush e ka vendin në fleta zgjedhore, e kush në burg. Dhe kjo duhet të dihet para se të shtypen fletat zgjedhore. Vallë, ata që rrethojnë nën urdhrin e dikujt, po edhe sipas programit, nuk u intereson nëse kandidati që po rrethojnë u ka vjedhur paratë ose jo?
E mos të na lodhin me faktin se edhe Branko paska vjedhur para 20 vitesh. Edhe në qoftë ashtu, nuk e di se pse ajo vjedhje do t’i justifikonte vjedhjet e këtyre që janë tash në pushtet. Ajo është tashmë e kaluar dhe nuk mund të ndryshojë. Për këto dhe për të gjitha zgjedhjet e ardhme, më intereson nëse kanë vjedhur këta që vendosin për të ardhmen e fëmijëve të mi.
5 Tregues që marrëveshja e Përzhinos do të ketë sukses, a besa dhe që zgjedhjet do të jenë kredibile, është rasti ku nusja ka shtirë me pushkë automatike në dasmën e saj në Manastir. Ndërsa, dëshmia se zgjedhjet do të jenë të drejta dhe demokratike, është fakti se nusja është sekretaresh e shefit të policës së uniformuar të Manastirit. Nënkuptohet që është VMRO-vkë, meqë paska realizuar një karrierë kaq të suksesshme.
Mirë që shtinte. Po edhe pozonte para pushkës, si nuse çeçene. Puna është serioze. Ajo është pjesëtare e forcave të sigurisë. Është e përgatitur për mision në Afganistan. Apo, ku do tjetër ku Gjolja do të ketë nevojë ta dërgojë, në mënyrë që të kontribuojë në mbrojtjen e sigurisë botërore.
Kjo nuse është sekretaresh e vetëm një shefi policie. Dihet se në polici e në ushtri, hierarkia duhet të respektohet. Siç rritet funksioni i sekretareshave, për dasma marrin dhe nga një armë, gjithnjë e më të fuqishme. Për shembull, sekretaresha e ministrit të mbrojtjes, kur të jetë nuse, do të duhet ta marrin me tank, nga shtëpia e ta çojnë në zyrën civile. Kurse, te topi mund ta varë çejzin. Ndërsa, një sekretareshë të ministrit të punëve të brendshme, do ishte budallallëk, nëse bëhet nuse pa hermelinë, ose të paktën një top uji, nga ata që na dhuroi Erdogani. E, ndërkohë që këndojnë: “Çereshna se od koren korne”, në vend të jetë nëna, ajo që hedh ujë për bereqet të të rinjve, do të mund t’i freskojë krushqitë me topin e ujit.
Akoma jeni skeptikë nëse do të ketë sukses marrëveshja? Shumë mirë e pati aktorja dhe drejtoreshë e Teatrit “Komedia”, Jelena Zhugiq, kur tha se për kundërshtarët e qeverisë duhen plumba gome. Vallë, akoma jeni të mendimit që një regjim me nëpunës të këtillë, të cilëve partia u ka dhënë fuqi, mund të rrëzohet duke marshuar rrugëve e me marrëveshje të pafundme nëpër ambasada të huaja? Ata me çatall, e këta me pushka automatike. Ata me ngjyrë, e këta me plumba. Paraburgim për ata që kanë thyer xhamat e vitrinave dhe që kanë ngjyrosur përmendoret, kurse sa ata me plumbat, do t’i arrestojnë ata më ngjyrën.
6 Në festivalin alternativ, D Festival, në Dojran, në mes të projeksionit, dikush e ndërpreu klasikun erotik “Mbretëria e shqisave”, sepse filmi na paska lakuriqësi dhe skena seksuale. Përndryshe, filmi është i vitit 1976 që në kohën e Titos, në shekullin e kaluar, jepej në kinema, edhe në televizion.
Shumë më intereson nëse pasi kanë ndërprerë filmin, a kanë lëshuar reklamë për fëmijë të tretë. Këta moralistët e puritanët bashkëkohorë tmerrohen nga një film me skena erotike të shekullit të kaluar, por nuk tmerrohen nga fakti se, në shekullin 21, vdesin fëmijë në maternitete për shkak të baktereve interklinike.