OFANZIVA BULLGARE

Në rastin me veton bullgare, unë me të vërtetë nuk e di se ç’vlerash mbron BE-ja me konsenzusin

1 Le të mos fantazojmë. Nuk është puna as te car Samoili, as te Goce Dellçevi. E aq më pak për bullgarët që nuk kanë të drejta në Maqedoni, për dallim nga maqedonasit që i kanë të drejtat e tyre në Bullgari. Këto janë vetëm justifikime që të vazhdojë ofanziva bullgare për destabilizimin e Maqedonisë.
Janë absurde deklaratat se “nuk ekziston asnjë shtet në Bashkimin Evropian që dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut në BE më shumë se sa Bullgaria”. A dmth kjo se bullgarët e vënë veton kundër dëshirës së tyre!?

Ofanziva kundër Maqedonisë është fuqizuar edhe më shumë me deklarimet e Sofias zyrtare se Shqipëria duhet të ndahet nga procesi dhe se mund të fillojë me negociatat me BE-në. Thua se ne nuk e dimë se çfarë destabilizimi do të ishte ky për Maqedoninë. E ata sigurisht që e dinë.

Këta janë hapa klasikë të një shteti armiqësor. Bullgaria nuk fshihet se ka pretendime territoriale ndaj Maqedonisë dhe se gjithçka që nuk ka arritur ta realizojë me vite të tëra, dëshiron ta realizojë tani. Dhe atë si një shtet anëtar i BE-së.

Se a është presidenti i tyre gjeneral ushtrie apo student i Harvardit, për ne është njësoj. Pse do të shpresonim se dikush që ka diplomuar në Harvard do të ishte më pak nacionalist se një ish bodigardi i Todor Zhivkov-it, kur të gjithë i referohen deklarimit nacionalist të parlamentit bullgar të vitit 2019 se populli dhe gjuha maqedonase nuk ekzistojnë. Dhe këtë gjë e bëjnë përmes një nënshkrimi për Marrveshje për fqinjësi të mirë.

E nëse me të vërtetë anketa e fundit se 70 përqind e bullgarëve e justifikojnë veton për Maqedoninë, atëherë ne me fqinjët jemi në luftë të akullt. Dhe vështirë që nga kjo luftë Maqedonia të dalë e palënduar.

2 Ok, disi mund të kuptohet se pse Bullgaria i gëzohet destabilizimit të Maqedonisë. Por asesi nuk mund të kuptoj se përse VMRO-DPMNE dhe Levica gëzohen për veton e tretë bullgare. Bravo Bullgari! Sa bukur që po destabilizon shtetin tim.

3Delegacioni i BE-së në Shkup filloi një fushatë të re “BE me ty” të dedikuar marrëveshjes evropiane të gjelbërt. Në promovimin e fushatës u tha se kjo marrëveshje “paraqet një Muze të së ardhmes, si rikujtues i asaj që mund të humbet gjatë rrjedhës së jetës sonë për shkak të ndryshimeve klimatike dhe degradimit të mjedisit jetësor”. E kanë huqur temën. Te ne BE duhet të vendosë Muze të së ardhmes si rikujtim i asaj që mund të humbet në rrjedhën e jetës sonë për shkak të klimës që krijuan në fillim vetoja greke, e tani edhe ajo bullgare si dhe degradimi i vlerave evropiane. E le të jetë kjo ekspozitë e vazhdueshme.

E pastaj u ardhka keq që pavarësisht “BE me ty” këtu rritet mosbesimi ndaj BE-së, sese janë të shumtë ata që në anketat e tyre përgjigjen se duhet të kthehemi drejt Rusisë, sepse janë të mahnitur nga çdo deklaratë e kryetarit serb Aleksandar Vuçiq, përse Levica forcohet, përse njerëzit edhe pas 30 vjetësh ankohen për Jugosllavinë…

Fotografia ku Zoran Zaevi, Nikolla Dimitrovi dhe Bujar Osmani tregojnë me gisht se kemi fituar datë, nuk është bërë sepse të tre janë marrë vesh që të na mashtrojnë, por ngaqë kanë qenë të mashtruar. E di të mos zhgënjehesh nga Bashkimi Evropian? Si të mos u hidhërohesh atyre për të cilët kemi menduar se janë të mençur, punëtorë, të ndershëm dhe se i qëndrojnë fjalës së tyre?

Ore! Të bindësh një shtet që ta ndryshojë emrin. E pastaj të thuash: Më falni, por ne i kemi rregullat e tilla. Është e lejuar që një shtet-anëtar të thotë se nuk ekzistojnë as gjuha, as kombi.

Në vend që të na thonë “Mos u dorëzoni”, më e ndershme do të kishte të na thonë: “Na falni, ne provuam gjithçka, kaq mundeshim, kërkoni zgjidhje tjetër”. Ashtu siç nuk është e rrallë që në politikën ndërkombëtare që pranohet një parim pragmatik “stabilitet para demokracisë”, atëherë edhe BE le ta oficializojë parimin “konsenzus para vlerave të qytetëruara”. Sa për vlerat evropiane, le të mos na mbajnë më ligjerata. Sepse në rastin e vetos bullgare, me të vërtetë nuk e di se çfarë vlerash mbron BE-ja me konsenzusin.

4 Le t’u kthehemi lajmeve të shtetit.

Ministri i transportit dhe lidhjeve Bllagoj Boçvarski tha se “procesi për formimin e agjencisë për siguri rrugore është në fazën përfundimtare”.

Në vend që në fazë përfundimtare të jetë ndërtimi i rrugëve, ai në fazë përfundimtare bën edhe një institucion për strehimin e të bindurve partiakë në llogarinë tonë. Se nuk na mjaftojnë dy ndërmarrje publike për mirëmbajtjen e rrugëve, plus firmat private të cilave këto ndërmarrje shtetërore i paguajnë për t’ua kryer punën e tyre. Se edhe pa asnjë agjenci me drejtor, sekretareshë, vozitës dhe të punësuar për mbajtjen e shumicës parlamentare nuk mund të rinovohen shenjat, të pritet bari rreth rrugës, të rregullohet gardhi i autostradave, që shënohen vijat e bardha dhe të verdha…

Përfaqësuesit e DOM dhe LDP thanë se Zaevi, në mënyrë që ta neutralizojë pakënaqësinë e tyre, u ka ofruar ministra pa resor. Zaevi do të shkojë. Le t’i marrë në firmë nëse janë të pakënaqur nga koalicioni i ri dhe le t’i vendosë si drejtorë pa resor. Le t’iu paguajë edhe sekretaresha, edhe vozitës, edhe shoferë edhe makina edhe përfaqësim. Dhe le t’i mbajë në kondicion deri te negociatat e tjera të shumicës parlamentare.

Idetë për strehimin e partnerëve të koalicionit janë kreative. Nëse institucionet e vazhdueshme janë të zëna, do të krijohen të reja. A është problem të krijohen agjenci, drejtora, qendra të reja…Si nuk u është kujtuar deri më tani të hapin edhe Ministri për kompetenca? Çfarë di të punojë kjo ministri? Nuk i dihet, por të gjithë do të duhet të marrin një vulë nga kjo ministri. Do të japë kompetenca për të gjithë që ishin jokompetentë.

5 Trafiku në kryeqytet ishte i bllokuar për disa orë. Askush nuk e di përse. Kryetarja e re Danella Arskovska e akuzoi MVR-në se nuk po e rregullon trafikun. MPB e akuzoi se nuk e njeh punën, sepse rregulimi është në kompetencat e Qytetit të Shkupit.
Gjërat më të mira që e di çdo qeveri ta bëjë është t’ia kalojë fajin dikujt tjetër nëse nuk di se si ta zgjidhë problemin. Nëse vijojnë që pushteti lokal dhe qendror të kalojnë përgjegjësinë dhe kompetencën, atëherë të paktën dy vitet e ardhshme do të jetojmë në paralizë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира