OFERTË FANTASTIKE

Tani jam me të vërtetë i sigurt se i kanë gjetur defterët e Martin Protogjerit. Edhe në praktikë kanë filluar të mësojnë nga më i miri.

OFERTË FANTASTIKE

1Ndërkohë që kryeministri Zoran Zaev bredh andej këndej për ta zgjidhur problemin me Greqinë, shtëpinë e vet po ia qeveris pushteti i vjetër i VMRO-DPMNE-së. VMRO-DPMNE nuk është vetëm Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkovi, Antonio Milloshoski, Ilija Dimovski dhe të tjerët. VMRO është edhe një mori drejtorësh dhe kuadro më pak të dukshme në nivelet më të ulëta, që jetojnë nën hije.

Vallë, kaq gjë të mos dinte Qeveria e Zaevit sa të harronte se mandati i drejtorit të shërbimit publik RTM skadon në marsin e këtij viti dhe se do të zgjidhet drejtor i ri nga Këshilli i vjetër i programit, këshill i cili është krijuar gjatë kohës së VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së? Meqë, një Këshilli i ri nuk mund të zgjidhet përderisa Parlamenti nuk voton Ligjin e ri për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale. E kështu, njeriu i parë i shërbimit publik është përsëri, për herë të tretë, drejtori i vjetër, Marjan Cvetkovski. Mu ai drejtor, i cili u bë i famshëm me faktin se nuk i publikonte bombat dhe më 27 prill e ndërpreu transmetimin nga Parlamenti. Domethënë, shërbimi publik, i cili ishte kundër interesit publik, vazhdon të punojë kundër intersit publik dhe në të ardhmen do të vazhdojë të punojë kundër interesit publik.

Deri ku jemi me prioritetet? Vallë, me të vërtetë nuk mund të ishin përgatitur ndryshimet dhe të sillej Ligji, me anë të të cilit shërbimi publik do të vihej nën funksionin e dhënies së shërbimeve për qytetarët, e jo për politikat e partisë së kaluar qeverisëse apo të cilës do parti?

E pastaj, të ishte RTM problemi i vetëm, do të ishte mirë. Megjithëse, gjatë kësaj jave ai ishte shembulli më drastik. Kur nga Brukseli na përmendin hyrjen në BE në vitin 2025, ne përdridhemi duke thënë se një gjë e tillë edhe mund të bëjë vaki nëse vazhdojmë me këtë tempo të ndryshimit të ligjeve, e sidomos të zbatimit të tyre. A kanë kapacitetin e duhur njerëzit e futur nëpër vende administrative për t’i vënë reformat në zbatim me po atë tempo me të cilën kryeministri po shpejton të zgjidhë problemin me Greqinë? Vallë, a mund të bëhen reforma me ngjitës posterash? Sado besnikë të jenë, sado të mirë të jenë, sado tanët të jenë.

Ata nuk sjellin dot as një Ligj për investime, që ishte baza e politikës ekonomike të Qeverisë së re dhe e cila u prezantua me aq pomopozitet nga Zaevi dhe zv. kryeministri Koço Angjushev. Tashmë jemi në mesin e muajit shkurt, ligji akoma nuk ka hyrë në Parlament. Ka dy javë që deputetët nuk janë përmbledhur në Parlament, nuk mund të ngopen së udhëtuari nëpër botë. E ndërkohë nga thonë se do të na sillkan ligje reformuese. I gjithë programi ekonomik mund t’u dështojë.

3-6-9. Mirëpo siç duket, bëhet fjalë për vite. Jo për muaj.

Viti kalon, por muaji as se si të kalojë – i thonë kësaj pune. Në fund të fundit, nuk ka rëndësi nëse Pribe do t’u japë një pesëshe apo jo. Reformat nuk janë për Priben, po për ne.

2Reformat ecin pak a shumë me tempon e njëjtë me të cilën Qeveria po e shet mercedesin e porositur nga Gruevski te Gordana Jankulloska. Nëse presin edhe pak, çmimi kontabël do të bie nën 200.000 euro nga sa është shpallur tani.
Tashmë mund ta imagjinoj reklamën në Top Shop:

Ju prezantojmë ofertën më të re të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Mercedes për të cilin vetë “Mercedes”-i tha se një makinë aq të shtrenjtë nuk kanë shitur ndonjëherë në tërë Evropën juglindore. Me masazherë, sistem surround, kondicionerë në çdo sedilje, televizorë të vegjël që të mos mërziten fëmijët. Të mbrojtura nga mina, snajperistë dhe terroristë gjatë udhës.

Kujtoni se kjo makinë kushton 575.000 euro? Jo! Kujtoni se kushton 450.000 euro? Jo! 300.000? Jo. Ajo kushton vetëm 230.000 euro! Shfrytëzoni këtë ofertë fantastike. Ky mercedes mund të jetë i juaji me 60 përqind ulje nëse telefononi menjëherë në Shërbimet për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Familja juaj e meriton këtë.

Por, kjo nuk është e gjitha. Nëse në tridhjetë minuatat e ardhshme telefononi në numrin e Qeverisë, fitoni menjëherë një mercedes të vjetër falas. Mercedesin që ngiste kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, kurse Petre Shilegov tani ia shet. Mercedesi i vjetër do t’ju gjendet kurdo që të shkoni në ngjarje ku ka gazetarë.

Kujtoni se kjo është e gjitha. Jo. Nëse bëheni pronar krenar i dy mercedesave, fitoni edhe një ofertë ekskluzive që me gjysëm çmimi të blini pajtonin e Qytetetit të Shkupit, ndërsa kuajt janë falas.

Mrekulli! Mrekulli! Shpejtoni, sasia dhe kohëzgjatja e ofertës janë të kufizuara.

Blej një, fito katër. Dy mercedesa, një pajton dhe kuaj. E gjithë kjo me një çmim të jashtëzakonshëm. Përkujdesuni për sigurinë dhe rehatinë tuaj. Ju presim!

E më pas shfaqet video me dëshmitë e përdoruesve të kënaqur. Nikolla Gruevski paraqitet teksa qëndron para gjykatës duke thënë këto fjalë: “Doja të kisha nnjë mercedes të shtrenjtë. Domethënë unë jam akuzuar për dëshirën time”.

Eh, Gruevski i shkretë. Përderisa ishte në qeveri nuk arriti të na shtypë me diktaturë, e tani nga opozita do të na shkrijë me humor.

3VMRO të ditës kësaj radhë janë administratorët e Ministrisë së kulturës, të cilët bënë ç’mos që të vërtetojnë se e zeza është e bardhë. Më saktë, të na bindin se nuk ka konflikt interesash, as problem moral nëse je anëtar i komisionit i cili vendos mbi financimet e projekteve dhe njëkohësisht përfiton vetë financa për projekt i cili është vendosur nga një komision tjetër. Por brenda po të njëjtës ministri dhe po atij konkursi. Për më tepër anëtarësimi në komision është paguar nga buxheti i po asaj ministrie.
Argumenti i tyre është se nuk ka konflikt interesash. Pasi gjithçka është sipas ligjit. Kështu pra, edhe Shkupin 2014 Nikolla Gruevski e ka ndërtuar sipas ligjit. Edhe Koce Trajanovski sipas ligjit i preu gjithë ato pemë në Shkup. Madje edhe anijet e Vardarit janë sipas ligjit.

Por as kjo nuk ishte gjë aq e madhe për t’u shpallur VMRO i ditës, sa ç’ishte mënyra me të cilën, anëtarët e komisioneve që kishin fituar projekte, por besa edhe personat zyrtarë të Ministrisë, u përpoqën të na bindin se nuk kishte konflikt interesash e as problem moral me diskreditim personal dhe profesional për secilin që nuk ishte i mendimit të njëjtë. Madje edhe titujt i recenzonin. Me një metodë si korrierët e VMRO-së kundër të cilëve luftonin kur nuk ishin në pushtet. Kaq liri paskan pasur në shpirt. Kaq kapacitet tolerance mendimesh dhe kritikash të atyre që mendojnë ndryshe.

Me një pjesë të atyre që kanë qenë edhe anëtarë komisioni, edhe fitues projektesh, ministi Robert Allagjozoski e kaloi ditën e parë të punës nga 1 qershori 2017. Para tetë muajsh për ta tha se janë “pjesë e kreatorëve kryesorë të skenës kulturore në MAqedoni.” Ndërsa MInistria publikoi një fotografi familjare dhe lajmëroi se qëllimi i tyre është “demokracia kulturore”.

Këtë kapacitet demokratik e treguan në një program të thjeshtë të Ministrisë së kulturës. Vallë, si do të ishin sjellë nëse do të duhej të mbronin një tender, le të themi, për autostradë?

Tani jam me të vërtetë i sigurt se i kanë gjetur defterët e Martin Protogjerit. Edhe në praktikë kanë filluar të mësojnë nga më i miri.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира