1 Sa popull lakmitar që jemi bërë, bre! Tani na pengon edhe fakti se presidenti, kryeministri, ministrat, gjykatësit, prokurorët, kryetarët e komunave dhe të gjithë funksionarët e përzgjedhur do të kenë rroga të rritura. Dëgjoni se ç’po ju thonë: “Rrogat po i rrisim për të mirën tuaj. Përndryshe do të vjedhim. Do të kërkojmë ryshfet. Do të humbasim kohë duke shpikur kombinime se sa përqind të marrim nga çdo tender, në vend që të përqëndrojmë gjithë mendjen te ju dhe te shteti”.
I gjetën defterët që i kishte harruar Nikolla Gruevski. E zbatuan formulën e vjetër të VMRO-së. Gjetën ndonjë avokat, shumë të shqetësuar për rrogat e funksionarëve, ai paraqiti parashtresë në Gjykatën Kushtetuese. Gjykatësit kushtetues shpejt e shpejt e panë parashtresën. Dhe – s’iu ikën dot rritjes së rrogave. Që kur ka vendosur Gjykata Kushtetuese ashtu, ky është ligj. Ashtu thotë ligji, e ligji duhet respektuar.
Nuk ia paskan dalë dot me rroga aq të vogla. Hajdeee…Po pse nuk japin dorëheqje? Ashtu-kështu, ndërkohë që janë në pushtet hapin firma private, le të marrin rroga më të larta atje. Nëse për ta nuk bën rroga e shtetit, le të shkojnë. Ne, si tatimpagues, kaq mund të paguajmë. Për më shumë – le të shkojnë në biznes privat, ndoshta dikush mund t’u japë rrogë më të lartë. Çdo shef do të ishte i lumtur me një kuadër si ata. Edhe profesionalë, edhe punëtorë, edhe të ndershëm.
Logjika e tyre është – rroga të ulëta, korrupsion i lartë. Sipas kësaj logjike, del se më të korruptuarit janë punëtorët e tekstilit. Ndërsa pensionerët me pensionet më të ulëta janë drejt për burg.
Politika tatimore u bë kështu – hajde tash t’i mbledhim paratë, t’i mbulojmë ne rrogat dhe gjithçka që mendojmë se na takon si makina, shoferë, sekretaresha, këshilltarë, dreka, darka, e pastaj do t’ia mendojmë. Siç thonë për BE-në, kur i akuzojnë për atë se ata i kritikojnë se janë antievropianë – le të na japin para nga Brukseli, të shohim sa prej tyre do të arrijmë të vjedhim, e pastaj do t’ia mendojmë. Ashtu-kështu, dikush tjetër do të mendojë.
Kjo nuk është vetëm vjedhje me korrupsion. Është “zhvatje” masovike e tatimpaguesve.
2 Jetojmë si pengje të partive dhe të administratës shtetërore. Si do të sigurojnë ekstra para edhe për funksionarët edhe për administratën? A e kanë ulur numrin e punëtorëve me rrogë të shtetit? A i kanë ulur harxhimet? A e kanë rritur efikasitetin e administratës së shtetit? A kanë kursyer diçka? A kanë hequr ndonjë festë, qoftë fetare, qoftë kombëtare apo fetaro-shtetërore? Do ta shohim se si administrata tani do t’i bashkojë të gjitha festat ç’a ka e s’ka. Pashkët, Bajrami, agjërimet e iftaret e Ramazanit…Të premten pas 12 majit nuk punohet, nëse shkon në punë nuk do ishte politikisht korrekte. Pastaj 1 Maji, Kirili dhe Metodi, po pushimi i vjetshëm, po pushimi i ri…provo pastaj të përfundosh ndonjë punë, të nxjerrësh ndonjë dokument, që mos të jetë gabuar paraprakisht…Ka kush punon që t’u sigurojë atyre rrogë. Ndërkohë që ata, nga kompjuteri i zyrës, që gjithashtu paguhet nga ne, kanë nisur të kërkojnë oferta parasezonale për në Greqi, teksa ankohen se sa rëndë e kanë dhe sa të vogël e kanë rrogën.
Do ta fusim shtetin në borxh që ta servisojmë trupin e sigurt votues. Po kush do t’i kthejë kreditë? Vallë, funksionarët do t’i kthejnë paratë nga rrogat e rritura?
Vallë, administrata, që e blejnë për vota para çdo zgjedhje, do t’i kthejë kreditë?
Përsëri do të jetë sektori privat ai që i kthen tatimet e shtetit. Po ai sektor privat të cilin Qeveria e kamxhikon në çdo hap.
Mirëpo do të vijë dita kur nuk do të ketë më para për t’u dhënë. E përveçse nuk do ketë kush të paguajë, nuk do ketë as se kush të votojë. Do t’i mbetet vetëm administratës e do të duhet të fillojnë edhe nga ajo.
Te ne nuk ka greva në firmat private. Greva mbante vetëm administrata. Vetëm atyre iu mungon diçka, vetëm ata e kanë të vogël rrogën, vetëm ata janë të palumtur dhe të pakënaqur për diçka dhe vetëm ata gjejnë mënyrë se si ta bëjnë qeverinë t’ua rrisë rrogat. Sepse ata nuk janë në tregun e punës. Janë në tregun e partisë.
3 Kryeministri Dimitar Kovaçevski, kur shkoi në dyqan për të blerë vezë dhe miell, u lëvdua se bënte pallaçinkat më të mirë. Le të provojë qytetari Dimitar Kovaçevski të jetojë nga pallaçinkat. Sa pallaçinka duhet të shesë që të ketë profit aq të madh, nga i cili do të mundet, që, përveç rritjes së rrogës së vet, ta sigurojë edhe rritjen e rrogës së kryeministrit?
Veç kësaj, qytetari Kovaçevski nuk do të mund të punojë të dielën, sepse këtë nuk ia lejon kryeministri Kovaçevski. Për më tepër, qytetari Kovaçevski duhet ta rrisë rrogën minimale të të punësuarve, sepse kryeministri Kovaçevski do ta dënojë. Për më tepër, edhe nëse qytetari Kovaçevski ka marrë kredi për ta rritur rrogën e të punësuarve, nuk mund ta rrisë çmimin e pallaçinkave, sepse kryeministri Kovaçevski e ka ngrirë. E mbi të gjitha këto, qytetari Kovaçevski duhet të sigurojë rroga edhe për dyzet njerëz të Kabinetit të kryeministrit Kovaçevski, të cilët përkudjesen që vizita e tij në supermarket të shkojë sa më mirë.
Kovaçevski do të lëvdohet se sa të mira i bën pallaçinkat, ndërkohë që është kryeministër i një shteti që nuk mund t’i dënojë as edhe dy kafe në qendër të kryeqytetit për faktin se lëshojnë muzikë të lartë. Do t’u shpjegojë blerësve në supermarket se çmimet janë të larta për shkak të luftës në Ukrainë, ndërkohë që është kryeministër i një shteti ku është krejtësisht normale që në pikë të ditës, në bulevardin kryesor, dikush ta parkojë veturën me katër dritat dhe ta lërë ashtu dy-tri orë përderisa frekuenton shtëpinë e lojërave të fatit.
4 Megjithatë ka shpresë për këtë shtet, që kur MPB dhe Prokuroria shtetërore nënshkruan Protokoll për bashkëpunim. Prokurori i lartë publik Ljubomir Joveski tha: “Qytetarët prej nesh presin që të bashkëpunojmë dhe të prodhojmë drejtësi efikase”. Ndoshta sepse deri më tani nuk kanë patur sukses në përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Oliver Spasovski dhe Ljubomir Joveski nuk kanë pasur protokoll.
Ky nuk është protokoll dosido, por nënshkrimi i Spasovskit dhe Joveskit ka dhe peshë ndërkombëtare. Këtu ka hyrë në lojë edhe faktori i jashtëm. E kanë nënshkruar me ndërmjetësimin e OSBE-së. Mirë që Protokollin e kanë bërë grupe pune, por tani edhe një komision i veçantë do ta ndjekë implementimin e tij.
Për MPB dhe Prokurorinë, nuk ka mjaftuar ligji që t’i detyrojë të ndjekin krimin, e tani do t’i detyruaka Protokolli.
Ama, për t’u fotografuar janë njësha. Ministri për punë të brendshme dhe Prokurori publik bëjnë poza se do të bashkëpunojnë. A thua se përfaqësuesit e Marsit dhe Venerës janë marrë vesh bashkë që ta shpëtojnë Tokën.
Përktheu: Fjolla Zllatku