PANDEVI E ELMASI

Çfarë duan të vërtetojnë me regjistrimin e diasporës? Të lëvdohen se sa shumë vetë janë shpërngulur për fajin e tyre?

1 Tashmë kemi numër rekord të të vdekurve nga kovid-19 – 50 persona për 24 orë, kurse deputetët në Parlament tërë javës zvarrisin një punë që tashmë ka mbaruar. Pesë ditë me radhë shtyjnë regjistrimin që tashmë është shtyrë një herë. Le të vazhdojnë kështu. Së shpejti do të kenë më shumë njerëz të diasporës për të numëruar. E më pak këtu.

Nuk kam fjalë me të cilat do të mund të shprehja çudinë time për faktin se si deputetët e Aleancës për Shqiptarët ata të Alternativës zihen për regjistrimin dhe nënshtetësinë, kur në shtetin tonë aktualisht kemi mbi 20.000 raste aktive të kovid-19, nëpër spitale 1.700 njerëz po luftojnë për jetën e tyre. Çdo ditë na vdesin nga tridhjetë bashkëqytetarë. Kurse deputetët na humbin kohën dhe na harxhojnë paratë për numërime sipas kombësisë e me çdo lloj kushti duan që numërimi nacional të bëhet prioriteti ynë. Se aty na ka mbetur puna – te regjistrimi e nënshtetësia.

Iu erdhi kriza – e ata po e shfrytëzojnë për shantazh. Nëse nuk ka krizë – do ta shpikim. E përsëri do të shantazhojmë. Aq vetjakë dhe të papërgjegjshëm janë sa që i intereson vetëm interesi partiak dhe personal. Madje edha Uashingtoni u bën thirrje liderëve të opozitës që të mbledhin forcat e të bëhen më konstruktivë. Imagjinoni sikur të mos mendonin vetëm për veten e tyre kur bllokojnë Parlamentin, por edhe për qytetarët.

Po, edhe sikur të themi se nuk mendojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve. E as për të mirën e shtetit. Le të themi se ata mendojnë vetëm për bashkësinë e tyre. Nuk e di se si u shërbëjnë njerëzve të tyre si politikanë që nuk shikojnë më larg se sa xhepi.

2 E – ç’kujtojnë? Se nëse ia dalin që të regjistrojnë numër më të madh nga diaspora, ata do të kthehen? Se do të marrin fluturimin e parë për në shtëpi dhe do të vijnë këtu që Artan Grubi t’i punësojë, kurse Zijadin Sela të kujdeset për të drejtat e tyre? Mezi presin t’ia dorëzojnë fatin e tyre atij nga Alternativa, që thotë se qytetarët mund të durojnë për pak edhe pa rroga, derisa të votohet ligji për nënshtetësi. Se, ata që janë jashtë shtetit, nuk kanë shkuar atje për para.

Nuk mund të kuptoj dot këtë lloj obsesionimi me numërimin e diasporës. Për zhvillimin e këtij shteti, e rëndësishme është të dihet se sa vetë kanë mbetur në Koçani dhe Gostivar, e jo se sa nga Koçani jetojnë në Itali dhe sa nga Gostivari në Zvicër. Ç’është ky budallallëk të thuash se nënshkrimi i diasporës është detyrim patriotik? Ka mbaruar kjo punë. Ata kanë ikur. Fëmijët e tyre shkojnë në çerdhet e atjeshme, shkollohen atje, mjekohen dhe plaken atje. Ata njerëz kanë detyrime ndaj shtetit ku ndodhen e do të regjistrohen atje dhe këto shtete në bazë të atyre numrave do të bëjnë planet e tyre për zhvillim.

Me të vërtetë nuk mund të shoh logjikën se pse liderët politikë të shqiptarëve në Maqedoni e kanë kaq të rëndësishme regjistrimin nga diaspora. Çfarë duan të vërtetojnë, vallë? Të lëvdohen se sa shumë vetë janë shpërngulur për fajin e tyre?

3 Sado patetike të tingëllojë, fotografia e Pandevit dhe Elmasit të buzëqeshur dhe të përqafuar në fitoren kundër Gjermanisë në zemër të Gjermanisë është fotografia e Maqedonisë së vërtetë. Sa keq që shpejt e harruam atë fotogafi dhe e kujtojmë vetëm në momente suksesi.

Përshkrimi i fotografisë është patetik, por ama fototgrafia është e vëretë. Dy futbollistë të Maqedonisë nga kombësi të ndryshme luajnë për shtetine tyre dhe gëzohen për suksesin e tyre në Duizburg, ndërkohë që në Shkup ambasadorët e huaj inkurajojnë politikanët që të mos e vrasin njeri-tjetrin në Parlament. Por, në këtë reprezentim ku luajnë njerëz të të gjitha kombësive dhe feve, futbollistët zgjidhen sipas cilësisë. Kurse në Parlament deputetët zgjidhen sipas jocilësisë. Në rezrezentim duhet të dinë të shutojnë dhe të mbrojnë. Në Parlament deputetët nuk duhet të dinë asgjë. Duhet vetëm t’i binden shefit të partisë dhe të fotografohen me të.

Ne nuk jemi mësuar me suksese. Vetëm kur rrallëherë do të ndodhë diçka e tillë, kuptojmë se sa jemi helmuar. Çuditemi se si dimë të gëzohemi dhe të krenohemi. Po kur ka qenë hera e fundit që një politikan na ka dhënë një arsye për t’u gëzuar? Kur ka ndodhur që të ndihemi krenarë për shtetin tonë për shkak të një politikani? Vallë a është e mundur të jesh krenar me atë që të thotë të bësh durim për rrogën tënde, ndërkohë që atij i vjen rroga e rregullt në xhep?

Pandevi dhe Emlasi përqafohen – kjo është jeta reale. Ndërsa partitë dhe politikanët janë këtu për të krijuar probleme që më pas të na i zgjidhin. Tragjedia është se nuk kemi më shumë suksese të tilla si fitorja mbi Gjermaninë, jo vetëm në futboll, por as në fusha të tjera. Nëse do të kishim për se të gëzohemi, nuk do të na bëhej vonë për politikën.

4 Bashkimi Evropian për të cilin ishim gati të bënim be, u rrëzua në krizën e parë të madhe pas luftës së dytë botërore. Nuk arrijnë që të vaksionojnë popullsinë e tyre sepse janë mbytur në burokracinë e tyre. Herë problem bëhet agjensia, herë kuotat e të pasurve, kuotat e më të varfërve, vaksina nuk bën për të moshuarit, apo bën vetëm për të moshuarit. Gjigandët si Gjermania dhe Franca ranë në gjunj, Austria e pasur lutet për vaksina, Hungaria ec me kokën e vet, shtetet që janë shembull i shëndetësisë së mirë siç janë Holanda, Suedia, Danimarka nuk mund të menxhojnë çështjen e vaksinave, ndërkohë Italia i fsheh…
Nuk e besoj se pas krizës së kovidit do të mbetet Evropa siç ka qenë. Do të përzihen shumë gjëra, e ndërkohë deri atëherë do të bëhen edhe disa samite për t’i miratuar konkluzionet për Ballkanin Perëndimor dhe rrezikun nga ndikimi i fuqizuar i Kinës dhe Rusisë.

Derisa Ursulla fon der Llajen të bëjë thirrje për të krijuar komisionin që do t’i ndajë kuotat për 651.000 për Ballkanin perëndimore e derisa Bojko Borisovi do të mbërrijë të propozojë që 5.000 vaksina nga ato të tyret të shkojnë në Maqedoni, neve të gjithëve do të na vaksinojë Aleksandar Vuçiqi. Ndërsa presidenti Stevo Pendarovski do të thotë se ky është një turp për shtetin. Ndërkohë që kreu i shtetit është vetë ai.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира