PAQETË RUSE

Të gëzoheni nëse zgjedhjet nuk kanë sukses. Do të jetojmë në agoni të re të Përzhinës.

PAQETË RUSE

1Ndërkohë që po shkruaj këtë, dy ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, më vjen të çmendem, se më erdhi në majë të hundës të zihem me të gjithë ata që shesin teoritë e tyre nga një lartësi morale. Teori mbi demokracinë, mbi refuzimin, teori të njëjta”, “nuk kam për kë të votoj”. “nuk do të votoj”, “as për njërën palë, as për tjetrën”, “nuk më intereson politika”, “kushdo që të jetë nuk do të jetë hiç më ndryshe”, “nuk pamë debat të vërtetë”…Nga cila pozitë e rehatisë mund të aktrojnë normalitet në një shtet jonormal? Demek, do të pritkan ata që të shfaqet një opsion i tretë. Mirë do të ishte, po ku është? Bujrum, gjejeni. Bëjeni nëse qenkeni kaq të aftë për të vlerësuar momentin politik dhe të merreni vesh nga demokracia. Tregohuni me mendjen dhe ndikimin tuaj. Por edhe me përgjegjësinë tuaj.
Por, si do të merrni përgjegjësi politike kur ju nuk merrni dot as përgjegjësinë qytetare? Përgjegjësinë bazore – të dalësh dhe të votosh në zgjedhje.

Jeni shumë të fortë në Fejsbuk. Por, imagjinoni të mos kenë sukses zgjedhjet. E të na duhet të organizojmë zgjedhje të reja. Apo të ngrihet procedurë për edhe një ndryshim të Kushtetutës që të zgjedhim kryetar të Parlamentit. Që të shmanget censusi i paarritur.

Se ne jemi Norvegji,  e pse mos të vendosim pak emocion brenda jetëve tona të mërzitshme. Pse mos të organizojmë zgjedhje të reja. Fushata të reja. Tregti të reja me deputetët. Blerje të re votash në Parlament. Marrëveshje të reja të Përzhinës. Mbledhje të reja te klubi i deputetëve. Shantazhe të reja nga BDI-ja. Kundërshantazhe të reja nga Zijadin Sela. Aktrim i ri i opozitës konstruktive të VMRO-DPMNE-së me bllokim të seancave. Finta të reja për Talat Xhaferin. Poste të reja fejsbuku të Nikolla Gruevskit. Refugjatin e nderit në Budapest. Prokuror të ri të Përzhinës. Zëvendës-ministra të rinj që do të kontrollojnë ministrat e Përzhinës. Trupa të rinj për ndjekjen e mediave…Ndërmjetësues të rinj të huaj për “dialogun politik”.

Gjithçka do të ndalojë. Nuk ka tender, blerje publike, pagesa të subvencioneve, nuk ka ndihmë për të cenuarit dhe të sëmurët. Jeta do të ndalojë. Por do të ndalojë edhe zbatimi i drejtësisë. Në vend që kriminelët të dënohen, më ta do të negociohet. Pasi, politikanët, në vend me ne, do të merren vetëm me veten e tyre. Kurse ne do të jetojmë në një agoni të re të Përzhinës.

2Nuk na mjafton pavarësia me pasigurinë rreth zgjedhjeve presidenciale, po tani edhe Unioni Evropian po shkakton shqetësim të ri. Për data për negocim, do të na vendoskan në një paqetë me Shqipërinë. Ne na hoqën nga të gjitha paqetat e mundshme pasi kishim vetëm një problem – çështjen e pazgjidhur me Greqinë. Në vitin 2004, nuk mundëm të bëheshim anëtarë të BE-së bashkë me Slloveninë pasi realisht, Sllovenia ishte shumë më evropiane se sa ne. Por, pse nuk na vendosën në paqetën me Romaninë dhe Bullgarinë në vitin 2007. Pse nuk na vendosën në paqetë me Kroacinë në 2013? Për shkak të çështjes me Greqinë.

Ne ishim gjithmonë jashtë paqetës. Nuk na vendosnin për një arsye të vetme. Çështja e emrit me Greqinë. Dhe tani, kur kjo arsye nuk ekziston më, Franca do të na shpikë paqeta të reja. Por edhe do të na lëvdojë për marrëveshjen Prespës, pasi ka qenë shembull i mirë për zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Alooo! Ndryshuam emër. Zgjidhëm një prej problemeve më të gjata të Evropës bashkëkohore. Kryeministrat që e arritën këtë marrëveshje janë nominuar për Çmim Nobel të paqes. E nga Franca – vetëm lëvdatë.

Serbisë ia sugjerojnë shembullin e Maqedonisë për ta mësuar se si zgjidhen problemet. Kurse Serbia tashmë ka hapur disa kapituj në negociatat me BE-në. Franca do të pritka stabilizimin e BE-së, e pastaj do të zgjeroheshka. Epo prisni. Vetëm se nuk e di se kur do të prisni përsëri që t’ju qëllojnë bashkë ndonjë tjetër Zaev dhe Cipras në histori që të stabilizojnë Ballkanin. Bashkë me Bojko Borisov.

A nuk bëhet fjalë për sigurinë e rajonit? A nuk është siguria e Ballkanit më e rëndësishme se sa siguria e gjithë Evropës? A nuk mbroheni nga ndikimi rus? A nuk kërkonit arsye nga ne? A nuk i shtypëm ne të gjitha emocionet dhe që të shkonim me arsye përpara e përtypëm edhe ndryshimin e emrit? Çfarë doni të mbërrini me ato paqeta budallalleske? Të na ktheni mbrapsht? T’i gjallëroni nacionalizmat e Ballkanit? T’i nxisni ndjenjat antievropiane? Ta shkatërroni edhe shpresën e fundit për ata që mbetën këtu me shpresë se ndonjëherë do të shohin jetë më të mirë? Mos doni luftë të re? Në fillim bëni thirrje për vetëpërmbajtje dhe përdorim të barabartë të fuqisë nga të dyja anët. Më pas na dërgoni negociues të paqes. Që të mund të shkruajnë në pleqëri memoare për rastin “Maqedonia”.

Çdo insistim për paqetë të re për këtë Maqedoni me një stabilitet të lëkundshëm do të thotë largim nga BE-ja. Të mos ju çudisë fakti se një ditë sot me Shqipërinë do të thotë një ditë nesër me Rusinë?
Mua më frikëson.

3E kam të qartë se pse Hristijan Mickoski do të gëzohej nëse nuk marrim datë për negociata me BE-në. Por, nuk e kam të qartë se si mundet që cilido qytetar normal të gëzohet madje edhe për vetë lajmërimin se në qershor mund të mos kemi datë për negocime me BE-në. Për çfarë gëzohen? Se do të qëndrojmë në një vend? Se do të shkojmë mbrapa? Se do të kemi stabilitet të ri?
Do të gëzohen për sehir? Për inatin e Zaevit? Apo, për inatin e vetes.

4Presidenti i nderuar i partisë opozitare është në Budapest. Ka ikur që të mos japë përgjigje për përgjimin masiv të paligjshëm, për disa dhunime, vjedhje parash, vjedhje zgjedhjesh dhe organizime të sulmeve në Parlament. Ka ikur që të mos përballet me drejtësinë.
Kurse kandidatja për presidente të shtetit të partisë presidenti i së cilës ka ikur nga drejtësia, vazhdimisht kërkon drejtësi.
E ne të gjithë aktrojmë normalitet. Me të vërtetë nuk jemi normalë.

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира