1 Pa të provojmë, të gjithë ne që mbetëm këtu në Republikën e Maqedonisë e që nuk nxorëm pasaporta bullgare, ne që nuk kemi viza pune për Gjermani, as kartë jeshile për Amerikë…të provojmë të flasim racionalisht mbi negociatat me Greqinë dhe çështjen e emrit. Të provojmë, pa emocione, t’i përgjigjemi pyetjes: “Çfarë duam të arrijmë me negociatat?”
Jam dakord. Nuk është fer të negociohet për emër. Aq më pak për identitet. Nuk është fer që Maqedonia nga pavarësimi e deri më tani ka qenë ekskluzivisht vetëm partnere koalicioni dhe nuk ka përfituar asgjë. Pranuam të hymë në OKB me emrin e përkohshëm, e ndryshuam Kushtetutën, e ndryshuam flamurin, nënshkruam marrëveshje të përkohshme ku në mënyrë eksplicite thuhet që Greqia nuk mund të na bllokojë në rrugën drejt integrimit tek institucionet ndërkombëtare, Greqia e prishi marrëveshjen, bashkësia ndërkombëtare e cila ishte garanci për Marrëveshjen e lejoi këtë gjë, askush nuk u çmerit, ne u gjykuam në dobinë tonë në Gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë…Dhe prapë askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk u ngrit të thotë diçka kundër. Madje thonë – kjo është drejtësi, ndërsa kjo tjetra, politikë.
Përsëri jemi në vitin 1991. Na pranuan me emrin kushtetues mbi 120 shtete, mes të cilave edhe SHBA, Rusia dhe Kina. Por, ne duam të hymë në BE dhe NATO. Mirëpo, nuk jemi të fuqishëm madje as me gjykimin e Hagës, që t’i bindim NATO-n dhe BE-në në mënyrë që ata ta bindin Greqinë që të mos e shkelë Marrëveshjen e përkohshme dhe të mos e bllokojë integrimin në BE dhe NATO nën emrin e përkohshëm FYROM.
Dhe tani, përfundimisht, duhet të vendosim. Jo – nëse do të ndryshojmë emrin, por në qoftë se duam të hymë në BE dhe NATO me të gjitha dorëheqjet që ai vendim pret prej nesh. Apo duam diçka tjetër për të cilën do të merremi vesh nga shtëpia. Por diçka që është realisht e realizueshme dhe gjë për të cilën jemi kompetentë që ta realizojmë. Pasi, alternativa – BE dhe NATO pa ndryshim të emrit – është joreale.
Ja, bukur na tha njeriu dje. Erdhi Stoltenberg dhe përsëriti plot tri herë – zgjidheni problemin e emrit dhe hyni në NATO. Ndërkohë, edhe për Stoltenbergun e NATO-s edhe për BE-në, zgjidhje problemi nuk është “bindni Greqinë që të mos e ndryshojë emrin”. Pasi, po të ishte ky ndryshimi, do ta kishin zgjidhur që në vitin 1995. Apo më së voni deri në vitin 2008, kur ishim para derës së NATO-s në Bukuresht.
Domethënë, në këtë moment, pas 27 vjetëve, është krejtësisht e pakuptimtë të pyesim veten: “Pse po bëjmë pazar?” Pyetja e vërtetë është – çfarë dëshirojmë të përfitojmë nga ky pazar që po bëjmë?
Është e vështirë, pothuajse e pamundur të negociohet me Greqinë, pasi ajo nuk ka se çfarë të humbasë. Por, deri më tani, asnjë pushtet në Maqedoni nuk ka dalë me një plan racional që do ta arrijë me negociatat me Greqinë. Apo të thotë se çfarë alternative është i gatshëm të përgatisë në rast se heqim dorë nga negociatat. Prandaj, çështja e emrit vazhdimisht është përdorur si vegël për manipulim të brendshëm politik. Me radikalja ishte në 10 vjetët e fundit. Dhe kam frikë se mos ndodhë prapë. E kështu t’i humbasim edhe 25 vjet të tjera.
2 E vërtetë është. Nuk është fer. As propozimet e Nimicit në negociata nuk janë dinjitoze. Pasi propozimi i vetëm dinjitoz është Republika e Maqedonisë – erga omnes. Por, ky nuk është subjekt negocimesh.
Hajde dhe për njëherë, ne që mbetëm në Republikën e Maqedonisë e që nuk nxorëm pasaporta bullgare, e që nuk kishim vizë pune për Gjermani, as kartë jeshile për në Amerike, le të përpiqemi të masim dinjitetin tonë racionalisht.
Vallë të jetë e drejtë që për 27 vjet të jetohet nën stresin se me pranverën mund të vijë dhe lufta? I gjithë shekulli të të shkojë me shpresën se diçka e bukur do të ndodhë, ndërkohë që të tjerët ecin përpara? Të jetë dinjitoze, vallë, të regjistrohesh si bullgar vetëm që të fitosh pasaportë bullgare e të mund t‘i sigurosh vetes një standard të mirë jetësor diku ku dygjuhësinë nuk do ta kesh problem? Vallë të jetë dinjitoze që në të gjithë kufijtë të trajtohesh si kriminel? Mbushet gjysma e avionit me ata me pasaporta të Maqedonisë që i kthejnë mbrapsht. Ndërkohë, jemi në Evropë. E për më tepër konsiderojmë se jemi pasardhës krenarë të Luftëtarit mbi kalë. Mos është dinjitoze të jetohet nga ndihma e të huajve? Ndërkohë që politikanët e tu mbrojnë emrin, të huajt i renovojnë shkollat, ndërtojnë kanalizime e ujësjellës, pastrojnë mbeturinat, blejnë automjete ambulance, aparate zjarrfikësi dhe rëntgen dhe mbrojnë trashëgiminë kulturore. Dinjitoze është të shërohen fëmijët me sms?
A është fer që mbetëm pa mjekë, sepse edhe ata ikën në kërkim të një trajtim të veçantë për profesionin e tyre. Inxhinierët mësojnë gjermanisht, farmacistët norvegjisht, kurse motrat medicinale pranohen gjithandej edhe pa ditur asnjë gjuhë, pasi të gjitha qeveritë e 27 vjetëve të shkuara ua mbrojtën dinjtetin denjësisht. Maqedonia ka mbetur pa fuqi intelektuale. Pa fuqi lëvizëse për të menduar që të mund të sjellë progres. Një shoqëri pa krem intelektual.
Vallë të jetë dinjitoze që të jetosh për 11 vjet në një regjim kleptokrat? Ta sulmojë regjimi Parlamentin që të mbetet në pushtet? Përfundimisht, vallë është e denjë që politikanët që ti vetë ke zgjedhur të të vjedhin dhe të të bindin se ajo që po bëjnë është për të mirën tënde? Ndërkohë ti duhet të jesh i lumtur se po të vjedhin, e të paktën emrin nuk e japin.
3 Për një moment mu desh të ndërprisja të shkruarit, pasi nga diaspora më dërguan ftesë për nënshkrim të një peticioni kundër ndryshimit të emrit dhe kundër dygjuhësisë. Maqedonia mbrohet më mirë nga larg.
Tani e di se do të komentojnë: “Vallë do të përdorni argumentin se ne nuk jetojmë në Maqedoni?” Po, mu atë argument do të përdor. Do të përdor argumentin se ju quheni Xhorxh, Majkëll apo Stiv. Dhe se spanjolli Raull Gonzales, trajneri i përfaqësueses së hendbollit të Maqedonisë e flet më mirë maqedonishten se sa ju. Dhe nuk e ka gjuhë amtare. Si dhe argumentin se ju me Maqedoninë merreni vetëm në kohë të lirë. Kurse ne këtu jetojmë. Dhe nuk kemi një atdhe rezervë.
4 Hajde tani ne që me dëshirën tonë mbetëm në Maqedoni, pasi kuptohet se kemi pasur mundësi për zgjedhje në jetë, ta rishikojmë racionalisht problemin me emrin. A mund të hymë në BE dhe NATO pa e ndryshuar emrin? Apo, a mund të ndërtojmë një shtet si Zvicra dhe të jetojmë pa BE dhe NATO?
Nëse e shohim opsionin e dytë, dua të ritheksoj kapacitetin tonë për t’u bërë si Zvicra. Jetojmë në një shtet ku pushtetet lokale nuk arrijnë t’i bindin shërbimet komunale që t’i pastrojnë mbeturinat, kurse policia ia lejon vetes që t’i mbledhë makinat e parkuara në rrugë. Të mos flas për aspirime të tjera më të mëdha të qytetëruara. Si për shembull, katër gjuhët zyrtare të Zvicrës.
Këto janë faktet. Për gjithçka tjetër mund të diskutohet në nivelin e emocioneve. Në pauzë mes dy vallesh patriotike.
E kështu për nja 25 vjet.