PËRBINDËSH I PRIVILEGJUAR

Një qeveri e cila nxit qytetarët e saj që ambicia e tyre e vetme të jetë rroga e shtetit, nuk mund të quhet qeveri reformuese.

PËRBINDËSH I PRIVILEGJUAR

1Këta të LSDM-së kanë ndërmend ta mposhtin VMRO-DPMNE-në me armët VMRO-së. Mickoski, me anë të konkursit për kandidat për president, ashtu si Zaevi. LSDM-ja po luan VMRO-DPMNE-në. Dy partitë luajnë demokraci, kurse ne bëjmë të çmendurit. Vetëm BDI-ja luan të zgjuarit.

Nuk e di nëse është i mençur apo budalla ai që paraqitet në shpalljet partiake për president.

2Dy muaj para zgjedhjeve presidenciale, dy partitë më të mëdha nuk e ditkan se kush do të jenë kandidatët e tyre. Në Maqedoni, ku në zgjedhje lokale, akoma pa mbaruar numërimin zyrtar të votave, dihet se kush është kandidat për drejtor për Ujësjellësin dhe kanalizimin në Sviripçinë, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja kanë zgjedhur që te këto zgjedhje presidenciale të na krijojnë mitin e mbipartizmit.
Nuk e ditkan se kush do të jetë president. Por, me siguri e dinë se cilët do të jenë zëvendës drejtorët e institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, të cilat medoemos duhet të ekzistojnë, sepse Parlamenti ka sjellë ligj.

Nuk kaloi as një orë pasi ministri i punëve të jashtme Nikolla Dimitrov nënshkroi Protokollin e Prespës për hyrje në NATO në Bruksel, e qeveria në Shkup filloi të merret menjëherë me reformat më prioritare. LSDM-ja dhe BDI-ja votuan ligjin me të cilin në institucionet shtetërore duhet të ketë dhe zëvendës drejtorë, që të hapen vende pune për ata të besës-mesës, lsdm-së, liberalëve, demokratëve, të emancipuarve, për ata të pavarurit e VMRO-së, por edhe ata që varurit, nëse kanë nevojë do t’u gjendet ndonjë vend, pse jo…

Jo më kot Nikolla Dimitrovi thotë vazhdimisht: “Do t’ia dalim”. E, ia dalkemi dot, vallë, të shkojmë në NATO pa zëvendës drejtorë?

3Ia dalkemi dot që të hymë në NATO edhe pa punësuar fëmijët e funksionarëve në administratë shteti dhe firma shtetërore?
Deputetja e grupit të pavarur të VMRO-DPMNE-së Emilija Aleksandrova e kishte punësuar të bijën në Fondin për inovacione. Kur mediat e publikuan këtë lajm, ajo dha këtë deklaratë: “Jam e zhgënjyer nga mënyra se si mediat i trajtojnë familjet, fëmijët e personaliteteve publike”.

E zhgënjyer qenka ajo? Po qytetarët që përfaqëson dhe që i japin rrogë asaj dhe të bijës, ata jo, ata nuk janë të zhgënjyer. Ajo qenka ofenduar se qytetarët i kërkojnë llogari rreth parave të tyre. Për më tepër, nuk pyesin për të bijën, por për të. Pasi ajo është deputetja. Është ajo të cilën e kanë zgjedhur me votim. Apo, mund edhe të mos i bëhet fare vonë, se punët e veta i ka rregulluar. Siç e kanë bërë edhe koleget dhe kolegët e saj të tjerë deputetë dhe funksionarë të tjetër të shtetit. Veçse, nuk mund të them se cila është gjë më e dëmshme: kur një deputete zhgënjehet nga pyetjet e publikut se si bija e sa nuk na paskësh qenë e kualifikuar për shërbim shtetëror, apo kur ministresha e mbrojtjes Radmilla Sheqerinska thotë se Maqedonia është shtet i vogël dhe të gjithë shtetet e tjera janë ose familjarë, ose miq.

Si mund të ndodh që familjarët e funksionarëve arrijnë të gjejnë punë me rrogë shteti, mu atëherë kur të afërmit e tyre janë në funksion, dhe nuk ia dalin kur ata nuk janë?

Le të mos bëjmë Bajram me mendjen sonë duke besuar se arsyeja se pse ekzistuaka nepotizmi në Maqedoni është sepse është shtet i vogël. Edhe fitues i çmimit Nobel të jesh, nuk ke fare mundësi të hysh në kompani shtetërore pa librezë partiake, apo të paktën pa pasur emrin në ndonjë defter partiak.

I gjithë kuptimi i ekzistencës së shtetit ka arritur pikën e të qenët një shërbim për klasën e privilegjuar – të punësuarit të administratës së shtetit dhe të kompanive shtetërore. Jo se kjo klasë nuk ka ekzistuar gjithmonë, por arriti të merrte rolin mbi piedestal me anë të qeverisjes 11 vjeçare të VMRO-DPMNE-së, e cila e mirëmbajti si klientin e saj më kryesor, për të mbajtur veten në pushtet. Kurse LSDM-ja thjesht e vazhdoi aty ku e kishte lënë VMRO-ja. Vazhdoi ta ushqente atë klientelizëm, në dëm të të gjithë qytetarëve të tjerë.

Kjo klasë e privilegjuar është një përbindësh që merret vetëm me interesat e tij. Në atë klasë mbretëron bindja, kuadrot e pamerituara, dembelizmi, egoizmi dhe budallallëku. Beteja për t’u bërë pjesë e asaj klase me çdo lloj kushti është gjëja që do ta shkatërrojë Maqedoninë. Kjo klasë nuk u shërben qytetarëve. Por vetes. Duke u ushqyer nga qytetarët. Por, deri kur? Një qeveri e cila nxit qytetarët e saj që ambicia e tyre e vetme të jetë rroga e shtetit, nuk mund të quhet qeveri reformuese.

4Një gjë tjetër që më dekurajon është kur kryeministri i qeverisë thotë se interesi i biznesit privat është më i rëndësishëm se interesi shtetëror. Si Zaevi që i kishte premtuar “xha Nikollës”, se personalisht do të përpiqej që t’ia ndërtonte “një objekt të vogël për biznes familjar” me 7 dhoma dhe 8 apartamente, në katër kate, në një zonë të mbrojtur 10 metra larg bregut të liqenit të Ohrit. Me sa duket, Zaevi me të vërtetë ka synim ta mposhtë VMRO-DPMNE-në me armët e Nikolla Gruvskit. Ai zgjidhte probleme me celularë para kamerave. Gruevski sillte rërë nga Greqia dhe palma nga Kina që të ndërtonte plazhe detare në liqen, kurse Zaevi, ngaqë është më “deal-oriendted”, urdhëron ndërtime të reja me mesazhe sms, duke thënë: “Edhe po të ekzistonte një aspekt ligjoro-formal i Repartit për urbanizëm, nuk mund të “mos bëjë”. Do të gjejnë ndonjë mënyrë që fjala “nuk bën” të mos ekzistojë. Të bëhet “bën.”.

Domethënë, në Maqedoni kemi qytetarë për të cilët ligjet vlejnë. dhe të tjerë për të cilët kryeministri thotë se ligjet nuk vlejnë.

Pasi “objekti i vogël” 4 katësh i xha Nikollës gjendet në zonë të mbrojtur në bregun Liqenit që përfaqëson trashëgimi natyrore dhe kulturore botërore. Ky “objekt i vogël” po shkel 12 ligjet dhe Kushtetutën e shtetit dhe është në kundërshtim me rekomandimet e UNESKO-s.

Kryeministri, pra, do të ngrihet personalisht që ta shkelë interesin shtetëror, ndërsa qytetarët naivë, që paguajnë tatime dhe u besojnë institucioneve, kur dëgjojnë nga goja e institucionit kryeministër se ai është i gatshëm të shkelë vetë 12 ligje dhe Kushtetutën për shkak të një interesi privat, bëhen skeptikë rreth çështjes së integrimit dhe të zhgënjyer se do të vijë jeta në Maqedoni.

Tani mbetet vetëm kryeministri që të thotë se është i zhgënjyer nga mënyra se si mediat e trajtojnë deklaratën e tij në Ohër. Dhe – kështu fillon e gjitha.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира