POEZI ROMANTIKE

Ka alternativë, por që nuk e ofron askush. Kjo alternativë quhet qeverisje e drejtë.

1 Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se propozimi për ndryshimin e Kushtetutës ka vetëm një motiv: hyrjen në BE. Jo se shpik diçka të re kur thotë se “këtë gjë e kërkon dhe e pret shumica e madhe e qytetarëve në shtet”. E vërtetë kjo. Por, shumica e madhe pret që qeveria të mos e fshehë paaftësinë dhe pandershmërinë e saj pas BE-së.

Nuk mundem më t’i dëgjoj përfaqësuesit e qeverisë si lexojnë poezi romantike për BE-në. Të gjithë jemi BE. Tridhjetë vjet dergjemi për BE-në. E gjithë jeta ime profesionale më kaloi duke luftuar për BE-në. Mbeta për të jetuar në Maqedoni sepse besoja se një ditë, nëse jo unë, fëmijët e mi, do të jetojnë në BE, por njëkohësisht në shtëpinë e tyre. Asnjëherë nuk i jam hidhëruar BE-së kur na ka qortuar për korrupsion, gjyqësi, shëndetësi, ekologji, administratë, të drejta njerëzore, ekonominë e tregut, doganën, policinë, mediat…Dhe gjithë kohës sillem sipas standardeve të BE-së, madje edhe para se të bëhemi kandidat për BE – paguaj tatimet dhe kontributet për fondin pensional dhe shëndetësor, paguaj dënime për shkelje në komunikacion, rregullisht e paguaj rrymën, ujin, shërbimin komunal, nuk hedh mbeturina rrugëve, nuk pështyj në trotoar, nuk parkoj në vendet e shënuara për invalidë, nuk parkoj në korsinë e tretë të bulevardit për ta parë lehtësisht makinën, respektoj dallimet edhe ato kombëtare, edhe ato fetare e seksuale, respektoj të drejtën për vetvendosje, i përshëndes komshinjtë, nuk valoj flamuj të shteteve të tjera, i qëndroj besnik himnit shtetëror…
Dhe me të vërtetë, më mundon shumë kur e dëgjoj qeverinë tonë, po edhe përfaqësuesit e BE-së, se me çfarë lehtësie na thonë se ardhmëria e mirë na varet nga ndryshimi i Kushtetutës.

2 Çfarë mendojnë kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat kur publikojnë foto me ndonjë ambasador të huaj dhe në këtë publikim shkruajnë “qytetarët duan shtet të drejtë”?
A thua se dikush ua ndalonte të krijojnë shtet të drejtë deri më tani. A thua se dikush do t’ua ndalojë të krijojnë shtet të drejtë, si me, si pa bullgarët në Kushtetutë!
Çfarë? Nuk do të kemi shtet të drejtë ndërkohë që presim të hyjmë në BE?

Për më tepër që, na marrin për budallenj e na thonë: Nuk ka alternativë për BE-në. A thua se dikush do ta shkulë këtë copë toke nga Ballkani dhe do ta transportojë nga Evropa në Siberi.

Nuk është se nuk ka alternativë. Ka alternativë, por që nuk e ofron askush. Kjo alternativë quhet qeverisje e drejtë. E jo, tani, kur është ngushtuar puna, të na frikësojnë me izolim dhe të na thonë se është moment historik dhe se tani është koha për të përdorur shansin e fundit.

Le ta mbyllim këtu temën – në ka ose nuk ka alternativë.

3 Kjo qeveri kishte një shans historik që pas 11 vjetësh qeverisje keqdashëse të VMRO-DPMNE-së, ta sillte këtë alternativë. Me sa shumë entuziazëm që u sollën në qeveri, me çfarë vale të fuqishme të mbështetjes nga ana e qytetarëve, me çfarë shpese… tani do të jetë mire, i larguam vjedhësit…Mirë, le të mos debatojmë për atë se kush sa i arsimuar dhe i aftë ka qenë. Në fund të fundit, kjo është kuadro që ka mbetur nëpër parti. Por, së paku të ishin të ndershëm. Për fat të keq, nuk gjetën sfidë për qeverisje të mirë dhe të ndershme.

Dhe tani, kryeministri Kovaçevski na thotë se duhet të ndryshohet Kushtetuta sepse të rinjtë po shpërngulen nga shteti. Po, normal se do të shpërngulen. Se mos duhet t’ju presin ju,që t’i mbushni në fillim kuotat partiake? Edhe për punësime edhe për biznese. Shpërngulen sepse në vend që të realizoni drejtësi për të gjithë, keni realizuar vjedhje dhe mosdënim. Shpëngulen sepse këtu nuk ka parashkikueshmëri, nuk mund ta planifikojnë jetën nëse janë të lidhur për parti. Shpërngulen sepse nuk u keni siguruar shtet të mirë, e jo sepse nuk jemi në BE.

Ardhmëria më e mirë na varet nga qeverisja e mirë, e jo nga ajo se a do ta ndryshojmë Kushtetutën apo jo.

E përfundimisht, pse duhet të jemi të gjithë ne përgjegjës nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese dhe Maqedonia nuk i fillon negociatat me BE-në? Nëse duhet ta ndajmë përgjegjësinë e qeverisë, që ka premtuar diçka që nuk mund ta plotësojë, atëherë le t’i ndajmë edhe paratë e provizionit për tenderat dhe prokurimet publie me marrëveshje indirekte dhe profitet e firmave të krijuara ndërkohë që kanë qenë në pushtet. Nuk mund ta ndajmë vetëm përgjegjësinë. Nëse ndajmë, duhet t’i ndajmë të gjitha.

Por me të vërtetë, pse jemi ne përgjegjës? Sepse nuk jemi bullgarë? Sepse jemi zhgënjyer nga BE-ja e cila për pothuajse tetëdhjetë vjet pas fitores mbi fshizmin, në mes të Evropës të qytetëruar në shekullin 21 e pranoi krejtësisht diskutimin e pacivilizuar për atë se çfarë kanë qenë maqedonasit përpara se të jenë maqedonas, për më tepër që e vendosi edhe në kornizë negociuese? Apo duhet të jemi përgjegjës sepse nuk kemi besim në elitat tona politike, në qeverinë dhe në opozitën, që për 30 vjet nuk arritën ta sjellin BE-në në shtëpi, të paktën në sjellje, nëse jo në standard.

Përgjegjësia u takon atyre. Përgjegjësia jonë ka mbaruar në momentin kur i kemi zgjedhur në zgjedhje.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира