PRAPANICA PËR KARRIGE

Me sa duket do të shtyhet kafja në Prishtinë. E mbase dhe jo.

1Takim i jashtëzakonshëm konsultativ i ministrit Venko Filipçe me Komisionin për sëmundje infektive, pas rekordit prej 225 rasteve pozitive me koronavirus. Me sa duket do të shtyhet kafja në Prishtinë. E mbase dhe jo.

2Po vrisja mendjen, vallë, çfarë koordinatori nacional do të mund të isha unë? Një koordinator i tillë që të tingëllojë si diçka shumë serioze, që kur ta dëgjojnë njerëzit të mendojnë, ky njeri, kush e di se çfarë pune duhet të kryejë që ta nxjerrë rrogën e vet.
Për shembull, ministri i kaluar i kulturës, Robert Allagjozovski është hequr nga funksioni i koordinatorit nacional për zhvillim të kulturës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional dhe i janë dhënë dhe detyrime të reja si koordinator nacional për interkulturalizëm, një shoqëri për të gjithë dhe për bashkëpunim ndërinstitucional. Uhhh….kisha pak vështirësi në lexim. Kurse Robert Popovski, i cili ishte ministër pa resor, i angazhuar për komunikim dhe transparencë, me Qeverinë e re mori dhe funksion të ri – koordinator nacional për qeverisje të përgjegjshme dhe transparencë. E sa për koordinatorin e qeverisjes së papërgjegjshme, vijojnë konsultimet me BDI-në.

Fillimisht e kam të vështirë ta lexoj, e pasi ta kem lexuar, rrekem të kuptoj se ç’ka dashur të thotë autori. E pastaj pyes veten: A jam unë shumë budalla apo janë ata kaq të mençur? Më kot përpiqem, unë nuk mund të shpik funksione me emra të këtillë.

Patjetër që duhet të ketë dikush që mendon në këtë Qeveri. Mos ndoshta ky që shpik emrat është koordinator nacional për shpikjen e emrave të funksioneve, ndonëse këtu nuk të duhet ndonjë dije shumë e thellë. Është e thjeshtë: Ka më shumë prapanica se sa karrige.

3Ja, për shembull, më vjen shumë zor të kuptoj edhe nevojën e Parlamentit për të pasur një shumicë prej dy të tretave që të votojë gjendjet e jashtëzakonshme që shpallte kryetari Stevo Pendarovski për menaxhim të krizës së koronës, sepse Parlamenti ishte shpërbërë për shkak të zgjedhjeve që shtyheshin vazhdimisht. E aq më të vështirë e kam ta kuptoj se deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk do të votojnë për gjendje të jashtëzakonshme që tashmë kanë përfunduar, edhe pse pikërisht lideri i tyre Hristijan Mickoski, me qëllimin që t’i shtyjë zgjedhjet, kërkonte që kryetari i shtetit të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa partitë e tjera binin dakord.
Kushtetuta mbase nuk është e plotë për sa i përket gjendjes së jashtëzakonshme. Por, Kushtetuta është shkruar për njerëz të logjikshëm. Kujt do t’i shkonte ndërmend në vitin 1991 se Talat Xhaferi nuk do të thirrte Parlamentin për gjashtë muaj? Madje edhe Gjykata kushtetuese, e tillë siç është, që në maj tha se nuk ka logjikë që të bëjë zhurmë për diçka që tashmë ka mbaruar. Ndërkohë edhe kur flasim për VMRO-DPMNE-në dhe për Mickoskin, në gjestet e tyre prej kohësh tashmë nuk mund të gjendet logjika. Vetëm një gjë është e qartë, se ata janë kundër gjithçkaje, e madje edhe kundër asaj që vetë e kanë kërkuar.

Zëdhënësi i partisë Dimçe Arsovski tha “të ishin përdorur gjendjet e jashtëzakonshme për menaxhim të pandemisë, gjegjësisht për krizën shëndetësore dhe ekonomike, në Republikën e Maqedonisë nuk do të kishte pasur më pandemi dhe nuk do të kishim pasur më problem me koronakrizën”.

Kush u thotë këso mençurish, vallë? Ndoshta ai nga Budapesti, ku nikoqiri i tij Viktor Orban mbylli hermetikisht të gjithë shtetin, në qendër të Bashkimit Evropian, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme? Tani, që kur panë se Maqedonia e lëshoi shansin historik që të jetë e para në gjithë botën që do ta çrrënjosë pandeminë pasi LSDM-ja e ka keqpërdorur gjendjen e jashtëzakonshme, Pendarovskit do t’i bëjnë impiçment.

Një ditë impiçment për kryetarin e shtetit, të nesërmen do të kërkojnë dorëheqje të Milla Carovskës…

4Ndoshta për dikë budallallëqet e Mickoskit mund të jenë qesharake dhe argëtohet duke parë se si VMRO-DPMNE lufton për të marrë lidershipin e partisë. Por harron se pala që dëshiron të zëvendësojë Mickosvkin, është pikërisht ajo që për 11 vjet ka robëruar dhe plaçkitur shtetin. Është ajo që na ka përgjuar të gjithëve ne, duke na nxjerrë në ballina, i bënte për vete bizneset private dhe në fund sulmoi edhe kuvendin. Nuk e di se çfarë ka këtu për t’u argëtuar.
Kur i lexoj se çfarë shkruajnë njerëzit që ishin truri dhe duart e asaj VMRO-DPMNE-je, si p.sh. Nikolla Todorovi, i cili flet mbi demokracinë partiake duke iu përgjigjur vetë pyetjes: “Si mund të fillojë të fitojë përsëri VMRO?”, unë pyes vetes së për cilën VMRO e ka fjalën. Aktualisht po zhvillohen disa procese partiake ku dëgjojmë dëshmi se si fitonte VMRO. Vallë cila VMRO do të fillojë të fitojë? Ajo VMRO?

Njerëz, nuk flasim për vrasjen e Goce Dellçevit në vitin 1903, por për 27 prill 2017. Ne me të vërtetë vuajmë nga një gjendje psikopatologjike të harresës kolektive.

5Sulmi ndaj Komunës Qendër ndodhi në vitin 2013. Procesi gjyqësor, i pari nga rastet e PPS-së për shpullat që i porositi kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruvski, zgjati 4 vjet. Me siguri mjaftueshëm që të harrohen fotografitë e sulmit me gurë ndaj Komunës, policëve që qëndronin anësh, xhamat e thyer dhe këshilltarët dhe gazetarët e tmerruar.
Gjyqtari shqiptoi dënim me burg vetëm për Nikolla Gruevskin. Gjithsesi ai është i arratisur dhe nuk do të shkojë në burg. Mile Janakieski, i cili organizoi sulmin dhe dhunuesit që sulmuan Komunën, morën dënime me kusht. Me siguri gjyqtarit i ka ardhur keq për Milen, sepse është në pritje të dhjetra proceseve të tjera ku i kanosen me dënime pa kusht.

Vallë, ku ka jetuar gjyqtari në vitin 2013? Nuk ka ndjekur televizionin atëherë? Kishte transmetim direkt të çmendurisë para Komunës. Çfarë mesazhi dërgon gjyqtari duke shqiptuar dënime të lehta për sulm të organizuar ndaj Komunës? Për më tepër që doli se kjo ishte vetëm një provë gjenerale për sulmin e organizuar kundër Kuvendit katër vite më vonë. Sulm i paramenduar sipas modelit të njëjtë. Në fillim shpiket një shoqatë qytetare, pastaj nxirret një temë kundër së cilës ajo mund të organizohet, paguhen organizatorët dhe demonstratorëve u blihet nga një sanduiç.

Imagjinoni që nesër një grupi qytetarësh “spontanisht” të organizuar t’i kujtohet ta sulmojnë gjykatën. Do t’i vërsulen ndërtesës, do t’i godasin dritaret me gurë, gjyqtarët si pengje do të fshihen poshtë tavolinave, të tmerruar nëse do të dalin të gjallë apo jo, ndërsa jashtë policia do të rrijë duarkryq. Vallë, edhe atëherë do të shqiptojë dënime me kusht? Është e njëjta gjë. Bëhet fjalë për sulm kundër një institucioni shtetëror.

Të mos flasim për faktin se ata që sulmuan Komunën e bënë këtë për shkak të një problemi të shpikur – ata mbronin nga shembja një kishë, të cilën asnjeri nuk deshte ta shembë. Kurse njerëzve që do të dëshironin të sulmonin gjykatën nuk duhet t’u shpikësh probleme, sepse janë të shumtë ata që kanë probleme të vërteta kur nisen për të vënë drejtësi në gjyq.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира