PROFESOR DHE BURG

Na mbetet vetëm edhe një vit që Evropa të vijë te ne. Përndryshe do të vemë në djall.

PROFESOR DHE BURG

1Çfarë ndjenje të jetë, vallë, të flesh me xhelatin? Me shumë siguri, është ndjenja e njëjtë si kur ke për president Gjorge Ivanovin dhe ndërkohë je i detyruar të negociosh me të.
Nuk më besohet që Zoran Zaevi është kaq naiv, sa të kujtojë se mund të merret vesh me presidentin ashtu siç merren vesh mes vete bashkëpunëtorët. Ata të dy nuk bashkëpunojnë dot, pasi presidenti nuk punon për interesat e shtetit. Punon për interesin e tij personal. Që të mos përfundojë në burg. Andaj do t’i shfrytëzojë të gjitha instrumentet e mundshme politike të mbetura deri në fund të mandatit të tij të dytë në prillin e vitit tjetër, që të shpëtojë.

Një nga këto instrumente është ambasadori i Maqedonisë në SHBA, Vasko Naumovski, i cili, jo vetëm që nuk ka marrë pjesë në përgatitjen e vizitës së zëvendës kryeministres dhe ministres për mbrojtje, Radmilla Sheqerinska në Pentagon, por e ka bojkotuar tërësisht atë. Edhe ai, nuk është aq budalla sa të mos e dijë se po bën një skandal të madh që në fotofinishin e hyrjes në NATO nuk është dukur te sekretari i mbrojtjes së partnerit më të fuqishëm të NATO-s. Ky nuk është një skandal. Është një sjellje antishtetërore. Kur Xhejms Matisi i “duartrokiste Maqedonisë për rezistencën e suksesshme ndaj ndikimit të keq rus mbi Ballkanin”, Putini mund t’i duartrokasë Gjorge Ivanovit për rezistencën e suksesshme ndaj ndikimit perëndimor mbi Ballkanin, mes tjerash duke dërguar një ambasador të tillë në zemrën e rivalit të tij më të madh.

А do të bëjë tani kalkulime Zaevi edhe me një njeri si Vasko Naumovski? Nuk mund ta revokojë, pasi e revokon vetëm ai që e përcakton, që është presidenti. Mirëpo, shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov mund ta thërrasë në konsultime në Shkup. Dhe konsultimet le të zgjasin deri në fund të mandatit të Ivanovit. Mund ta kishte përmbledhur në Shkup që kur filloi t’i pengojë negociatat e qeverisë së re me Greqinë. Kështu pra, Zaevi nuk ka ndonjë dobi nga fakti se kemi Vasko Naumovskin që e përfaqëson Maqedoninë në SHBA. Atje ai bën vetëm dëm.

2Ivanovi tani do të bëjë pazar edhe për Dimitar Bogoevin. Ai e ka krejtësisht të qartë se për një mandat të përsëritur të guvernatorit të tanishëm të Bankës popullore të Maqedonisë, nuk ekziston një marrëveshje politike dhe nuk mund të kalojë te shumica e Parlamentit. Por, është i përgatitur madje edhe të shkaktojë një krizë të re, vetëm që të shpëtojë. Të shpëtojë nga hetimi. Hetim për 12 prillin 2016, kur fali të dyshuarit për krime të rënda dhe sidomos për 27 prillin e 2017, kur përgatitej të shpallë gjendje të jashtëzakonshme që t’i shpëtojë kriminelët që sulmuan Parlamentin.
Kush mund ta shpëtojë Ivanovin? Hristijan Mickovski? Nikolla Gruevski? Sasho Mijallkovi? Vlladimir Putini? Ilhan Alievi i Azerbejxhanit?

A e di Ivanovi se mënyrat e vetme me anë të të cilave mund të tentojë të shpëtojë veten janë keqpërdorime të ingerencave që ka si president deri në fund të mandatit të tij. Pasi këto ingerenca janë gjëja e vetme që ka për të bërë pazar. Prillin e vitit tjetër, kur t’i ketë përfunduar kriza politike, zgjedhja e tij do të jetë profesor fakulteti ose burgu. Dhe meqë në burg nuk ka dëshirë të shkojë, do të përpiqet ta blejë lirinë e vet me shantazhet presidenciale.

3Zaev më së fund filloi të flasë dhe për një plan B. Nëse nuk na pranojnë në NATO dhe nuk i fillojmë negociatat me BE, ai do ta sillka Evropën në Maqedoni.
Me mahnit entuziazmi i Zaevit. Si do ta sjellë Evropën? Do ta vërë në një thes, do ta ngarkojë mbi shpinë, do t’i hipë trenit nga Bullgaria dhe diku nga Deve Bairi, do ta shkarkojë te hekurudhat në mënyrë që të përhapet nëpër Maqedoni? E vështirë kjo punë, pasi hekurudha nuk ka.

Eh, të ishte kaq e lehtë të sillej Evropa, deri tani do të ishte sjellë. Për më tepër, çfarë do të thotë Evropë për ne? Një kamzhik që duhet të na disiplinojë? Pasi te ne mbizotëron politika e mosndëshkimit. Mos vallë është një fuqi mbinatyrore që duhet të na i pastrojë mbeturinat? Ndonjë guru që do të na rregullojë shëndetësinë, arsimin, gjyqësinë? Ndonjë supermen që do ta disiplinojë administratën publike? Ndonjë superspajdermen që do t’i lirojë trotoaret për këmbësorë? Ndonjë supermakineri që ta pastrojë ajrin? Apo përfundimisht, ndonjë pluhur magjik që do të na e japin të gjithëve për ta pirë e që do të na bëjë t’i ndryshojmë shprehitë e të bëhemi qytetarë të përgjegjshëm.

Koha po kalon. Ne mbetemi akoma pengje të VMRO-DPMNE-së në të gjitha aspektet. Jo vetëm ngaqë Ivanovi është president dhe na frenon në çdo hap. Proceset gjyqësore kyçe pas akuzave të PSP-së nuk kanë filluar akoma. As për mashtrimet zgjedhore, as për përgjimet. Ndërkohë, zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë pas dy vjet e gjysmë. Kjo do të thotë se Zaevi ka vetëm edhe një vit që të tregojë rezultate. Si për planin A, ashtu dhe për planin B. Na mbetet vetëm edhe një vit që Evropa të vijë te ne. Përndryshe do të vemë në djall.

4Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristija Mickoski deklaroi si në vijim: “Me keqardhje mund të konstatoj se bëhet fjalë për një periudhë të vështirë për Republikën e Maqedonisë, gjë për të cilën dëshmojnë edhe telefonatat e qytetarëve në emisionet e mëngjesit”.
Përpara se të vdes nga të qeshurat nga konstatimi i Mickovskit, t’ju përkujtoj se ata qytetarë janë qytetarë të cilëve VMRO-DPMNE ua paguante telefonat për të telefonuar në emisionet që vetë i shpiku, që të transmetohen në televizione që kjo parti i paguante me paratë tona.

5Kryetari i Komunës së Aerodromit, Zlatko Marin, i cili tërë fushatën parazgjedhore e udhëhoqi me premtimin se do të luftonte kundër mafias urbane, për ndryshim të planeve urbanistike dhe për më tepër gjelbërim, tani justifikohet se nuk ka mundur të ndryshojë planet, pasi Komuna përfiton shumë nga shërbimet komunale për ndërtesa të reja. Ndërsa, qytetarëve që reaguan për prerjen e pemëve që të lirohej hapësirë për  ndërtesë të re, u ktheu përgjigjen që “ka shumë sipërfaqe të gjelbra brenda komunës. Qytetarët thonë se nuk ka, por nëse do të  dilnit, do t’i shikonit këto sipërfaqe të gjelbëruara”.

Nuk e di nëse Zaevi ka një plan B. Por, me shumë siguri e ka të qartë se me kryetarë të këtillë komunash dhe në përgjithësi me zyrtarë të këtij soji, me siguri do ta humbasë mbështetjen e qytetarëve që nuk janë nga LSDM, por megjithatë e mbështetën në zgjedhjet e kaluara. Kurse ata të VMRO-së me siguri nuk do t’i fitojë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира