RIEDUKIM SPECIAL

Zaevi më kot bën premtime për një shoqëri për të gjithë. Kjo këtu është një shoqëri për të gjithë anëtarët e partive. Ata që nuk u takojnë partive, nuk kanë as shoqëri. S’je në parti – për ty, s’ka shoqëri.

1Ç’po bëni në lidhje me fillimin e negociatave me BE? Asgjë, ja. Presim Bullgarinë të na riedukojë sipas standardeve të Evropës. Krasimir Karakaçanov, zv. Kryeministri i Bullgarisë tha se shteti i tij duhet patjetër ta parandalojë konferencën e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE, sepse “de fakto, ata nuk kanë kuptuar se si funksionon BE dhe kishin tri vjet për t’u riedukuar”.

Besa, bullgarët provuan të na riedukojnë edhe në Luftën e dytë botërore. Kur Hitleri i dërgoi si okupatorë, ata u prezantuan si çlirues dhe në fund u mundën dhe u përjashtuan si kriminelë fashistë. Gjatë tri vjetëve të okupimit fashist nga 1941-1944 ata përdorën disa metoda më efikase për riedukim, por nuk ia dolën. Me anë të udhëheqësisë bullgare, ushtrisë e policisë, mësuesve bullgarë që rrihnin me thupër duart e prindërve tanë nëse nuk dinin të shkruanin bullgarisht. Duke ndaluar shkollimin për ata që i kundërviheshin okupimit, duke vrarë luftëtarët kundër fashizmit, duke i mbyllur nëpër burgje, e duke i rrahur e pas rrahjes, për siguri, i flaknin nga dritarja. Të plagosurit i rrihnin deri në fund, çgroposnin varrezat – që të na kalbeshin trupat…Në Vatashë madje, i vrisnin edhe të rinjtë…E gjithë kjo nën termin “metodë speciale riedukuese”.

Nejse, ata të 1941 kanë qenë bullgarë të tjerë. Tani, në 2020, janë bullgarë të tjerë. Po, besa, ashtu është – atëherë riedukimin na e bënin me lejen e Gjermanisë së Hitlerit, kurse tani kërkojnë mbështetje nga i gjithë Bashkimi Evropian.

Në BE, a nuk janë të gjithë të lirë të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre, po qoftë edhe ata që kanë pasaporta bullgare që të mund t’i sigurojnë vetes punë në Suedi, për shembull? Tamam! Të gjithë ne, maqedonasit, që nesër, le të marrim nga një pasaportë bullgare, se na erdhi në majë të hundës me euroburokracinë dhe mjekimin e frustrimeve tona historike. Duam të hymë në BE, qoftë edhe nëse duhet të bëhet kështu…shkarazi. Ne do të vazhdojmë të flasim gjuhën tonë. Bullgarishten s’e kuptojmë, as nuk e kemi mësuar, as nuk e kemi shkruar e kënduar, s’kemi bërë filma e luajtur drama, s’kemi lexuar gazeta e libra, në atë gjuhë.

E tani? Çfarë do të bëjmë për faktin se – gjuha ekziston, kombi ekziston dhe shteti ekziston? Ç’edukim pret të na japë Bullgaria, vallë? Më efikas se sa riedukimi që na bëri me lejen e Hitlerit, e që tani do ta bëjë me lejen e BE-së? Na mbytën me lëvdatat për demokraci, të drejtën për vetëpërcaktim, mbrojtën e të drejtave njerëzore, identitetin kulturor…Nga selia e Brukselit tregojnë përralla për shoqëri ideale, ndërsa në Sofje, qeveria e një shteti-anëtarë evropian, kërcënohen me “riedukim”, se: “Ti nuk je edukuar si blagonadezen B’lgarin, por ndjehesh maqedonas”.

2Ndërkohë që Zoran Zaevi vazhdon luftën kundër dy VMRO-ve, njëra e Karakaçanovit në Sofje e tjetra e Mickoskit në Shkup, e la muhabetin për subvencionimin shtetëror për punësime në firma private. Kreshnik Bekteshi vazhdoi të elabrojë mbi temën e që të mos mbetet më pak shqiptar nga ç’duhet të jetë, e thërriti Bilall Kasamin, liderin e Besës me një kërkesë edhe më nacionaliste: të ketë dygjuhësi edhe në kompanitë provate, sepse shqiptarët e diplomuar nuk e dinë shumë mirë maqedonishten. Bilall Kasami nga Besa, ky ortak i Zaevit që në fushatën parazgjedhire krah tij mbante konferenca shtypi për dygjuhësinë nën parullën “shoqëri për të gjtihë”! Eh, me të vërtetë, goditja më e rëndë të vjen nga afër.

BDI monopolizoi retorikën nacionaliste që ditën e parë të Qeverisë së re të Zaevit. Në çdo paraqitje të një ministri nga BDI – 1.000 vota për ta, 1.000 më pak për LSDM. Mickoski i paaftë, Zaevi tolerues, diku kishin për t’u kompensuar këto vota. Së shpejti do të vijnë dhe zgjedhjet lokale dhe sërish do të fillojnë pazaret. Sa më e dobët LSDM, aq më e shtrenjtë BDI.

3Ata do t’i quajnë punësime etnike, sepse kështu u konvenon, kur në të vërtetë do të jenë punësime partiake. Që kur shteti i një ekonomie tregu guxon të vendosë kushte për punësimet firmën tënde private, dije se listat partiake i kanë tashmë gati. Që të kesh qasje te subvencionet do të duhet bësh punësime sipas listave partiake. Thënë në gjuhë më të thjeshtë: që të mbërrish te paratë e tua, duhet ta punësosh atë që ta thotë partia.

Zaevi më kot bën premtime për një shoqëri për të gjithë. Kjo këtu është një shoqëri për të gjithë anëtarët e partive. Ata që nuk u takojnë partive, nuk kanë as shoqëri. S’je në parti – për ty, s’ka shoqëri.

Përktheu: Fjolla Zllatku 

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира