ROJE TË POPULLIT

Дали сега е јасно зошто треба да се излезе и да се гласа на 15 октомври?

ROJE TË POPULLIT

1Kryetari i Gjykatës supreme, Jovo Vangellovski dhe kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhovski shkuan në ekspeditë me dënim në gjykatën e Gjevgjelisë. Ekspeditë me dënim. Kjo është shprehja e vërtetë për atë që Gjykata supreme e servon në kumtesën me fjalët:  “aktivitete të zakonshme”.

Dhe si mu tani, kryetarit të Gjykatës supreme dhe kryetarit të Këshillit gjyqësor iu kujtua të shkojnë në kontroll të rregullt të sistemit AKMIS për përcaktim elektronit të lëndëve gjyqësore? E si iu kujtua të shkonin mu në gjykatën e Gjevgjelisë, prej ku Prokuroria Speciale Publike e siguroi urdhëresën për bastisje te ish kryetari i Gjykatës penale, Vlladimir Pançevski, për të cilin PSP drejton procedurë parahetimore mu për manipulimin me AKMIS-in dhe për shpalosjen e informacioneve personave nën hetim nga po ajo prokurori publike speciale? E pse u qenka dashur të udhëtojnë, kur kryetari i Këshillit gjyqësor ka pasqyrë në sistemin kompjuterik të të gjitha gjykatave nga zyra e Shkupit?

Rastësisht qëlloi, dhe ja, mu në Gjevgjeli, që Vangellovski dhe Karaxhovski në po të njëjtën ditë të kenë “aktivitete të zakonshme drejt përmirësimit të funksionimit të sistemit AKMIS” Plus, Gjykata supreme lajmëroi se “lloje të këtilla të vizitave zyrtare janë planifikuar në periudhën në vijim në të gjitha gjykatat”. Dhe e nisën mu nga Gjevgjelia.

Domethënë Vangellovski dhe Karaxhovski do të shkojnë që të gjithë nëpër gjykata që të sigurojnë se nuk ka anomali në sistem. Pasi ata janë profesionistë të AKMIS-it. E dinë se si funksionon përcaktimi i lëndëve. Në “aktivitetet e zakonshme” duhet të sigurojnë të mos u bien rastësisht disa lëndë të PSP-së gjykatësve që nuk i kanë nën trashëgiminë e defterit të tyre. Kush e di, mbase edhe në Shkup do të gjejnë gabim, si ajo e Gjykatës penale në Shkup ku një gjykatëse që përmendet në bomba ka fituar tri raste të PSP-së nga katër rastet e mundshme. Pas intervenimit të ekspeditës me dënim mbase do të rregullohet edhe ajo situatë. E kështu, nga katër të mundshmet, gjykatësja do t’i fitojë të katra.

Mjaft bëmë si budallenj. Mjaft bëmë si të sjellshëm. Mjaft insistuam për korrektësi dhe balancim. Pasi, ndërkohë që ne aktrojmë çmenduri dhe ua pranojmë historinë se punojnë sipas procedurave dhe ligjit, ata nuk janë aspak të sjellshëm. Ata nuk hiqen si të çmendur. Nuk janë as korrektë. As të balancuar. Ata janë krejtësisht të sinqertë në qëllimin e tyre që t’i mbulojnë zullumet e qeverisë së kaluar. A e keni të qartë tani se pse duhet të dilni të votoni më 15 tetor? Dhe pse këto zgjedhje nuk janë vetëm zgjedhje lokale?

2Përse Vangellovski dhe Karaxhovski mundohen kaq shumë? Shpikin “aktivitete të zakonshme”, e fshihen nga gazetarët dhe shpikin kumtesa…Pse nuk e zgjidhin problemin me sistemin AKMIS siç u zgjidh problemi me sistemin kompjuterik të përgjimit në MPB? Kështu lënë hapësirë që ndonjë ekspert t’u futet në regjistrat kompjuterikë. Le ta shkelin kompjuterin me buldozer. E pastaj le t’i çojnë mbeturinat për thërrmim, pastaj për grirje e për riciklim. Me sebep do të gjenden dy vetë me identitete të dyfishta që ta organizojnë këtë “aktivitet të zakonshëm”. Do të gjejnë edhe disa nëpunëse që të bëjnë proces verbal. E do t’i bindin ta nënshkruajnë. E pastaj, edhe në qoftë se hyjnë në ndonjë procedurë për paraburgim, do të gjinden. Ndërkohë që pritet kumtesa nga Gjykata supreme të udhëtojë dhjetë metra deri te Gjykata e apelit për shtatë ditë, ata të dy me identitet të dyfishtë do të kenë mjaft kohë në dispozicion që të mbledhin rrobat e të zhduken nga këtu.
Ndërsa nëpunëset që e kanë nënshkruar proces verbalin le t’i falin se kanë menduar se po nënshkruanin vendime për pushim vjetor. Pasi, avokati i atyre që ia mbathën do të pyesë se pse nuk kanë lexuar se ç’po nënshkruanin. Gjoja nuk e dimë se ku po jetojmë.

Po tani, a e keni të qartë se pse duhet të dilni të votoni më 15 tetor? Dhe pse këto zgjedhje lokale nuk janë vetëm zgjedhje lokale?

3Tërë Maqedonia do të gazifikohet. Të gjitha rrugët do të asfaltohen. Do të ketë kopshte, shkolla, salla sporti, pishina, shtigje biçikletash, parqe, parkingje falas, leje vozitje falas, të gjithë do të shkojnë në punë me biçikleta…Gjithçka që keni nevojë, gjithçka ju ofrojnë para zgjedhjeve. Dhe të gjithë do të mbjellin drunj.

Çfarë do të thotë kjo? E marrin të njëjtin ajër që marrin edhe ne. Fëmijët e tyre, si fëmijët tanë luajnë mes po atyre mbeturinave. Shkojnë në po të njëjtat kopshte dhe shkolla të shkatërruara, ku u mbajnë mësim mësues të shantazhuar politikisht. E pimë ujin e njëjtë. Edhe fëmijët e tyre njësoj si tanët ecin mbi trotuaret e njëjta të okupuara nga makinat. As ata nuk kanë parqe për të luajtur pasi ua ka vjedhur mafia ndërtimore. As te ata nuk mund të arrijë Ndihma e shpejtë dhe Zjarrfikësi pasi nuk ka vend nga ndërtesat dhe hapësirat publike të uzurpuara. Le të provojnë të ngasin biçikletën pa qenë askush që i inçizon për reklamë. E le të provojnë të shtyjnë karrocë për fëmijë, apo të lëvizin një karrocë për invalidë nëpër rrugët e komunave që duan të sundojnë.

Aq kërkojmë prej tyre. Dhe aq duhet të tregojnë. Vetëm të fillojnë të sillen si ne për rrogën që ua japim.

4Është i bukur fakti se një prej kandidatëve premton se do të mbjellë dru për çdo fëmijë të sapolindur. Por, nga Viti i Ri e deri më tani kanë vdekur 123 foshnje të sapolindura nën shëndetin publik. Kjo domethënë 123 drunj më pak. Do të thotë një pyll më pak.

5Çfarë është e çuditshme në lajmërimin e VMRO-DPMNE-së se në ditën e zgjedhjeve do të organizojnë roje të popullit?
E panë se për rojet e popullit të 27 prillit askush nuk përgjigjej. As nuk ka ndonjë hetim. Kur Mukoski, Vasilevski, Betmeni, Durllovski, Damovski, kaluan të padënuar si roje të popullit më 27 prill, nuk e di se pse mos organizonin po të njëjtat më 15 tetor?

Përfundimisht, a e keni të qartë tani se pse duhet të dilni të votoni më 15 tetor? Dhe pse këto zgjedhje nuk janë vetëm zgjedhje lokale?

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира