S’KA FUND

Filipçe le t’i falenderohet politikës që nga “Dëgjoje Venkon” në fillim të pandemisë erdhi në derexhenë e “Dorëheqje për Venkon”.

1 Pavarësisht gjithë trishtimit, mllefit dhe dëshpërimit që më kaploi pas zjarrit tmerrues të Qendrës së Kovidit në Tetovë ku humbën jetën 14 vetë, nuk kam se çfarë të them. Më erdhi në majë të hundës të kuptoj vazhdimisht se “kjo gjë s’ka fund”.
Si mund të thotë dikush diçka të mençur, kur nuk mbushemi me mend as pas kaq shumë mësimesh të pamarra nga tragjeditë? Si mund të mbushemi me mend, kur refleksi i politikanëve është të kërkojnë justifikim, e jo ta zgjidhim problemin?

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi se: “vizitat janë një dukuri e shpeshtë në spitalet tona dhe nga eksperienca ime e di se kjo gjë është vështirë të menaxhohet apo të ndalohet”. Do të dalë se vetë të sëmurit janë fajtorë se pse të afërmit e tyre kanë vdekur bashkë me ta kur i ka zënë zjarri. Ashtu sikurse janë fajtorë njerëzit për faktin se vonohen për të shkuar në kontroll, që nuk kontrollojnë shëndetin, që nuk vaksinohen, që shkojnë nëpër dasma, pagëzime e syneti, që falsifikojnë teste dhe certifikate të vaksinimit….Është tradita në pyetje, e kjo vështirë menaxhohet.

E, kush është përgjegjës për rendin në spitale? Të sëmurit, vizitorët, apo drejtorët e ministrit?

2 Dorëheqja e ministrit Filipçe është problemi më i vogël. Në këtë moment ajo do të ishte një gjest simbolik, që do të nxisë katarzë te të gjithë ata që ia kërkojnë atë dhe zhgënjim te të gjithë që e mbështesin. Ja, dha dorëheqje, e çfarë pastaj?
Personalisht mendoj se mund ta propozonte për shkaqe morale. Pasi, edhe pa e pritur hetimin është e dukshme se kemi pasur të bëjmë me lëshime serioze sistemike. Për më tepër që edhe ai do të lirohet. Nuk është rasti i dikujt që nuk ka një profesion nga i cili mund të jetohet bukur mirë, që të duhet të merret patjetër me politikë. Politikës mund t’i kthehet gjithmonë kur të dojë.

Nga ana tjetër, është e kuptueshme edhe se pse kryeministri Zoran Zaev nuk do t’i pranonte dorëheqjen. Është joprodkutive që në mes të një pandemie të ngelet jofunksional sektori i shëndetit. Edhe kjo u duhet tani – kalkulime të reja partiake, shantazhe të reja nga BDI-a, ndarje të reja partiake…Për më tepër qe, u harxhuan mjekët. Dikush u bë kandidat për kryetar komune, dikush bartës liste, shumë dëshirojnë të hyjnë në politikë…

Dorëheqja e Filipçes nuk do të ishte garanci se lëshime të këtilla tragjike nuk duhen përsëritur. Si  mund të kërkosh garanci kur vetë ministri thotë: “Nuk mund ta pushoj drejtorin përderisa nuk përcaktohet përgjegjësia”. Mijëra njerëz ishin të dënuar për mosmbajtje të maskës në rrugë për shkak të mosrespektimit të protokolleve antikovid, ndërsa ministri nuk mund ta ndërrojë drejtorin i cili nuk ka ditur dhe nuk ka mundur ta menaxhojë spitalin e Kovidit. Pse? Sepse është vendosur nga partia.

Në fund të ditës, as nuk ka rëndësi nëse drejtori apo drejtoresha është vënë nga një parti apo një tjetër dhe se me cilin lider janë ata të afërt. E rëndësishme është nëse janë treguar të aftë apo të paaftë. Më e tmerrshmja është se edhe ata që janë treguar të paaftë, mbrohen nga partia. Ky është lëshim sistemik. Ndërsa Venko e ka pranuar këtë sistem. Andaj, le t’i falenderohet politikës që nga “Dëgjoje Venkon” në fillim të pandemisë erdhi në derexhenë e “Dorëheqje për Venkon”.

3 Pasditen e 8 Shtatorit kishte defilim cermonial para Kuvendit. Defilonin edhe zjarrfikësit dhe mjekët. Sa përfundoi festa në Shkup, për fat të keq, ndodhi rasti në Tetovë. Zjarrfikësit erdhën në kohë. Mjekët shpejt i morën nën kujdes pacientët e shpëtuar. Kryetarja e Tetovës Teuta Arifi ishte në vendin e tragjedisë. E gjithë Qeveria me kryeministrin iku për Tetovë. Ditën tjetër aty ishte edhe kryetari Stevo Pendarovski. Mbajtën dhe shtabin e krizës. Madje edhe Hristijan Mickoski u paraqit nga Manastiri, ku VMRO-DPMNE-ja bënte festën e saj në Ditën e pavarësisë së shtetit të saj, të ofronte që edhe partia e tij të ndihmonte. Sikur të vinin nga ndonjë shtet tjetër.

Vetëm para pak më shumë se një muaj, kur në Ilinden u ndez pylli mbi Koçanë, shkrova se nuk i kemi marrë mësimet as nga Stajkovca, as nga Shipkovica, e as nga Llaskarca…Mirë, mund të themi se Stajkovca ka qenë tragjedi elementare. Por, a nuk u hap tema se mbyllësja e rrethrrotullimit nuk është realizuar siç duhet. Mirë, për Llaskarcën mund të themi se edhe fatkeqësitë me autobusë ndodhin. Por a nuk u hap tema për kontrollet e parregullta dhe të falsifikuara teknike.

Kujt mund t’i shkonte ndërmend se do të ndizej spitali dhe se do të vdisnin të sëmurët që nuk mund të ikin? Dhe për më tepër, ishin përdhesë. Po të kishin qenë në kat? Ndonëse, dy javë para dikush i kishte prerë tubat për sjellje të oksigjenit në po atë spital, gjë që mund të ishte tragjedi për 120 të sëmurë. Hetimi për këtë incident është akoma në proces e sipër.

Fatkeqësitë ndodhin. Por këto tonat nuk janë tamam nga vullneti i zotit.

4 A e di, për shembull, shtabi i krizës, se sa ndërtesa banimi vetëm në Shkup nuk kanë pranim teknik ndërkohë që aty banojnë njerëz? Le të kontrollojnë kur të shkojnë në punë në ato ndërtesat e trashëguara nga koha e Gruevskit në Shkup 2014, nëse kanë edhe ato pranim teknik. Sa mendjengushtë duhet të jetë dikush që të lejojë që zyrat, hapësirat afariste dhe kafet në çatinë e një garazhe të hapur? Është si të luash mbi një bombë që nga sekondi në sekond mund të shpërthejë.
Lagje dhe rrugë të tilla në Shkup janë të paqasshme për automjetet kundër zjarrit dhe të ambulancave për shkak të makinave të parkuara. Më kot Petre Shilegov lëvdohet me shkallën e re kundër zjarrit, kur në shumë vende nuk mund të ketë qasje furgoni nga trotuaret e uzurpuara dhe tarracat ilegale që janë mbyllur për të pirë duhan. Epo, prokurorët të cilët tani po hetojnë zjarrin tetovar, le të hetojnë pak më shumë se çfarë qasje do të kishte te ndërtesa e tyre afër Vardarit, nëse mos e bëftë Zoti, e kap zjarri. Shumë më intereson se si do të voziteshin furgonat dhe veturat e ambulancës deri te Prokuroria. Por le të mos i hidhërojmë “investitorët”. Sepse ata janë të rëndësishëm ngaqë paguajnë për mirëmbajtjen e administratës komunale, kurse përdoruesit e “investimeve” të tyre janë vetë fajtor. E rëndësishme është të ndërtohet. Dhe e rëndësishme është të mbushet xhepi.

5 Po afrohen zgjedhjet lokale. Shpresoj se listat e këshilltarëve që do t’i ofrojnë partitë nuk janë krijuar nga njerëz që do t’i sigurojnë makineri votuese të partisë në pushtet lokal, por se kanë zgjedhur njerëz që do të duan t’i rregullojnë nevojat e qytetarëve të tyre.
Dua të shpresoj, por e kam të vështirë të besoj. Shumica e partive komunikuan se gjatë periudhës së mbajtjes së zisë pas tragjedisë së Tetovës, i kanë ndalur aktivitetet zgjedhore. Si mund t’i kenë ndalur, kur ligjërisht, fushata akoma nuk ka filluar? Por, askush nuk reagonte në lidhje me shkeljen e ligjit. Ata duhet të kenë ndonjë marrëveshje të heshtur që t’i shfrytëzojnë të gjitha privilegjet që ua mundëson partia.

Kjo gjë s’ka fund.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира