S’KA HAJËR NGA DEVE BAIR

Mile, m'u tek. Po sikur t'u themi se i kanë ngatërruar elaboratet?

1 Çfarë po kërkonte Zaev në Bullgari, kur një ditë më parë Sofja i tha se nuk kishin ndërmend të hiqnin veton për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE? I thanë “mos eja” kurse ai u nis herët në mëngjes që të shohë futboll me kryeministrin bullgar Stefan Janev. Kinse ata bëkan tifoz për Maqedoninë, e ndërkohë 70% e popullsisë thonë se nuk duan të na shohin dhe e mbështesin veton. E për më tepër bëhet i kujdesshëm e xhentil, e u ka dhënë sugjerime për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, një marrëveshje ku kërkesat e tyre janë krejtësisht të pakuptimta. Po ua legjitimon marrëzitë.

Të paktën me grekët ishim të qartë. Ata nuk manipulonoin me bisedimet e ëmbla hipokrite sikur të ishin “miqtë më të ngushtë”, “vëllezër e motra”, siç shprehet Bojko Borisov. Ç’mendojnë për ne? Ai vuri veton. Lejoi që Ekaterina Zaharieva dhe Krasimir Karakaçanov të bënin të fortët.  Krijoi një problem, ndërsa tani mburret se do ta zgjidhë. Me Zaevin ranë dakord se do të ishte mëkat nëse do të lejonin njerëzit në të dy anët e kufirit të na urrenin.

Dhe gjithçka ishte në rregull deri para tre apo katër vjetësh. Me veton, Bullgarët krijuan një brez të katërt të urrejtjes.

Gjyshërit e mi kanë lindur në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20. I kujtonin edhe luftrat ballkanike edhe atë të parë botërore. E ushtrinë bullgare nuk e kujtonin për mirë.

Babai dhe nëna ime kanë lindur në vitet 20 dhe 30 të shekullit 20. Të dy janë nga familje partizane që luftuan kundër okupatorit fashist bullgar. Nëse administrata e tyre do të kishte qenë në rregull, nuk do të kishin qenë aq budallenj sa të jepnin jetën për ta ndryshuar.

Më kujtohet Bullgaria nga koha e Luftës së ftohtë, por të përmbahem nga komentet për të. Megjithatë edhe sot ende mbaj mend traumat e Deve Bair, si pika kufitare më e errët dhe më e pakëndshme e udhëtimeve të mia në atë kohë. Dhe as tani nuk është më e këndshmja.

Por fëmijët e mi nuk kanë asnjë lidhje me këto punë. Pak fundjavë në Bansko, pak ski në Borovec, gjuhë e ngjashme, diçka kuptojnë e diçka jo, i njëjti ushqim, i njëjti mentalitet, të njëjtat zakone…Nuk u bëhet fare vonë për gjyshet në burgun e Manastirit gjatë administratës bullgare dhe përvojat e çetave partizane në Debarcë. Vazhdojnë jetën. Kufiri -si çdo kufi.

Dhe – ç’u bë?  Bullgaria e mori ardhmërinë evropiane nga fëmijët e mi. Ndodhen në mes të Evropës e për ta nuk ka fonde për aksesim, arsim evropian, nuk ka shoqërim me fëmijë të tjerë nga Evropa, as kalim falas të kufijve… Pse? Epo, në BE, a mundeni, nëse jeni burrë, të shkruani lirisht se ndiheni grua? Atëherë pse fëmijët e mi në po këtë BE nuk guxojnë të thonë se janë maqedonas, ngaqë politikanët evropianë bullgarë u kërkojnë të thonë se paraardhësit e tyre kanë qenë bullgarë? Dhe pse po ky Bashkim Evropian që krenohet me të drejtën e tij të vetëpërcaktimit dhe diversitetit e pranon këtë gjë? Mos ndoshta sepse për fëmijët bullgarë, kur ata u pranuan në BE në 2007, vendi i tyre i plotësonte të gjitha kushtet që tani po na i kërkojnë neve? Për më tepër ata nuk i pranuan me njëmijë mekanizma mbrojtës, ngaqë BE dhe SHBA po nxitonin të arrinin në Detin e Zi derisa Rusia sërish nuk ndërhyri. E kjo gjë tani i jep Bullgarisë evropiane të drejtën të bëjë të fortin me Maqedoninë.

Mirë. Duhet të mësohemi të jetojmë duke e ditur këtë të vërtetë të hidhur. Bukuria nuk fitohet me zor. S’ka hajër nga Deve Bair.  Këtë nëntitull e kam pasë vendosur në kolumnën time më 3 tetor 1992.  Pothuajse tridhjetë vjet më vonë, nuk ka ende hajër nga Deve Bair. Dhe as nuk shpresoj se do të ketë, çfarëdo që të ketë propozuar Zaevi.

2 Për kryeministrin Zaev ajo ditë në Sofje ishte një ditë e humbur. Në vend që të shkojë në shtëpi e t’i pëmbledhë pak njerëzit e vet.  E të mos iu gjejë të gjithëve nga një justifikim sa herë që e ngatërrojnë punën.

Imagjinoni sa turp është për shtetin të pranojë se nuk ka pasaporta dhe të informojë të gjitha vendet e tjera që qytetarët e Maqedonisë do të udhëtojnë me një pasaportë të skaduar.

Mirë që s’ka pasaporta, por ka tre muaj që nuk ka as targa. Nuk ka as plastikë për patentat e shoferit. Shoferëve u japin fleta. Nuk ka as dëftesa për studentët. Le t’ua shkruajnë notat në facoleta.

Për targat – do të thoni me vete, mbase ata nuk mund të parashikojnë se sa vetura të reja do të blihen. Por për numrin e fëmijëve nëpër shkolla, duhet të kenë një lloj sigurie. Kush e ngatërroi punën? Ndonjë nëpunëse që ka pasur fëmijë nën moshën shtatë vjeç, dhe për shkak të kovidit rrinte në shtëpi gjatë gjithë vitit me një pagë shtetërore? Ose një koleg i tij që kishte vënë stenda sot e dhjetë vjet, e prandaj edhe rrinte në shtëpi gjatë gjithë vitit. Ndërsa tani përdorin pushim të vjetër dhe presin K-15.

Imagjinoni që të shkoni në një shtet normal ku njerëzit posedojnë dokumente personale valide dhe t’i dalësh para ndonjë zyrtari, me pasaportë të skaduar, pa targa makine dhe pa patentë shoferi. Dhe të duhet ta bindësh se në shtetin tënd kjo është diçka normale. Çfarë do të mendojë ai? Se dikush po i bën kameran e fshehtë?

Çfarë diplomacie do të duhet të përdorësh që të të nxjerrin ndoshta nga ndonjë dhomë për nga ku kriminelët kalojnë pikat kufitare, kur gjysma e zyrtarëve nuk ngrenë telefonin, e gjysma tjetër janë në pushim.

Unë mendoj se është më së miri, derisa tenderët të jenë “gjithçka sipas ligjit, shef”, ne të udhëtojmë me librezat e vjetra shëndetësore. Pra, në vend që të na vulosin pasaportat, të na shkruajnë nga një diagonzë. Pra, ne do të kemi një dokument që i ngjan një pasaporte dixhitale kovidi.  “One stop shop” dhe – gjithçka në një.  Një diagnozë për ty që je nisur për rrugë në këtë formë, po edhe një tjetër për shtetin që të ka dërguar.

3 A mendojnë ata se votuesit janë kaq budallenj, kur përpiqen t’u shesin atyre historinë e refuzimit të elaborimeve të Komunës së Qendrës që ata nuk mund të ndryshojnë planin urbanistik, e sërisht sipas parimit “gjithçka sipas ligjit, shef “, do të duhet të lejohet ndërtimi i ndërtesave njëzetkatëshe në Hotel Holiday Inn? Komuna nuk ka provuar se ato janë në kundërshtim me interesin publik.

Kësaj pune i thonë:  “Mile, mu tek! Po sikur t’i ngatërrojmë elaboratet?  Jo, ore.  “Edhe nëse ata nuk i ngatërrojnë, ne do t’u themi se i kanë ngatërruar”. Kush e thotë këtë?  Ministria e transportit dhe lidhjeve, e cila shiti tokën në pronësi të shtetit para Holiday Inn pothuajse falas, kurse tani do të vlerësojë nëse është mirë apo jo që të ndërtohet në Holiday Inn. Kadiu të padit, kadiu të gjykon.

LSDM ka qenë në pushtet për katër vjet në shumicën e komunave dhe për pesë vjet në pushtet në nivelin shtetëror. Nëse ata do të donin të ndryshonin diçka nga planet e VMRO-DPMNE-së, të cilët i kritikonin duke i gënjyer votuesit që t’i votojnë, do të kishin ndryshuar. E nuk do t’i realizonin planet e VMRO-DPMNE-së.

Më intereson shumë se çfarë slogani do të përdorin ata në zgjedhjet lokale? Nuk jemi kompetentë!  Nuk jemi të fuqishëm!

4 Zjarrfikësit e Shkupit morën mjaft trajnim. Në fillim kishim provë gjenerale, pastaj një provë gjenerale që të ushtrojnë para kryetarit Petre Shilegov dhe ministrave Oliver Spasovski dhe Venko Filipçe.

Nëse, Zoti na ruajt, ndodh që të ketë një zjarr, zjarrfikësit do ta shuajnë atë në katin e 11-të. Do të mbërrijnë në kohë edhe automobilat e ambulacës. Por si do të kenë qasje, vallë, nga gjithë ato makina të parkuara në rrugët e ngushta të kaosit urban që e lanë dhe vazhduan ta ndërtojnë?

Po një elaborat për këtë, keni bërë, vallë?

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира