SAGA E VAKSAJNAVE

Nuk na mjaftoi pritja e datës për BE, tani do të presim edhe Vitin e Ri kinez

1 Mbërriti një komunikatë nga Kabineti i Artan Grubit e cila lajmëronte mediat që “Zv. kryeministri i parë dhe ministri për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive do të marrë pjesë në vendosjen e shenjave rrugore trigjuhësore në maqedonisht, shqip dhe anglisht në Korridorin 8, nga NP “Makedonija pat” dhe “Ndërmarrja publike për rrugët shtetërore”.

Një rikujtim i vogël për të gjithë. Është viti 2021, shekulli 21. Në botë po mbretëron pandemia. Kurse, zv. kryeministri i një shteti evropian që është anëtar i NATO-s merr pjesë në vendosjen e shenjave rrugore, ndërsa mediat komunikojnë mbi pjesëmarrjen e tij. S’e kam fare të qartë se si një zv. kryeministër “merr pjesë” në vendosjen e shenjave rrugore…Mos vallë hap gropa, shkruan në tabelë, heq pluhurin…? Megjithatë, ai nuk është një zv.kryeministër i zakonshëm. Është i pari.

Nuk është çudi që vaksinat e kovid-19 nuk kanë mbërritur akoma. Me siguri janë humbur rrugës ngaqë nuk ka pasur shenja në gjuhën shqipe.

2 Gjatë javës së fundit shteti ka shënuar një përparim të madh në procesin e vaksinimit. Përveç frigoriferëve dhe mëngëve të përveshura, tashmë kemi edhe listë qytetarësh dhe qytetaresh që kanë shprehur dëshirë për t’u vaksinuar. Janë përmbushur tre nga katër elementet e nevojshme për imunizim. Kjo është ok për këtë fazë të procesit.

Mungojnë magnetet për frigoriferë, por ato do t’i marrim nga Kina në fazën e radhës kur të fillojmë të zhvillojmë dhe turizëm vaksinal, meqënëse ne disponojmë me sektorin më të zhvilluar hotelierik. Hotelierët kërkojnë që të jenë në grupin e parë të vaksinimit bashkë me infermierët dhe mjekët, kurse pronarët e kafeve kërkojnë që të mos kenë më kufizime në orarin e punës…Nëse nuk do të ketë dasma, do ta bllokojnë shtetin me protesta.

Si ka nisur kjo punë, do të na vaksinojnë në sezonin turistik. Zakoni i të priturit përputhet me traditën tonë. Jemi gjithnjë në pritje. Në pritje të një date. Vjen data, por komplikohet puna. Vjen data e re dhe papritur kemi ca detale teknike dhe hop – një datë tjetër për të pritur. Na mungonte vetëm Viti i Ri kinez, tani edhe atë do ta presim. Ç’nuk kemi pritur, pse mos ta presim edhe atë.

Dikush mund të shkruajë një roman të tërë me ngatërresat e historisë së vaksinave. “Saga e vaksajnave”do të bëhet best-seller madje që në versionin e parë. Dreqi e marrtë, e çipuan gjithë botën, vetëm ne-jo. S’bëkemi as për një çip.

3 Një arritje shumë e madhe është anëtarësimi në LSDM. Njërëzit që përditësojnë të dhënat e tyre në listën partiake dhe bëjnë pafund foto për t’u lëvduar në Facebook.

Për ne që nuk kemi listë për t’u përditësuar, është e çuditshme që një aktivitet kaq i zakonshëm partiak të kthehet në një lajm të interesit publik. Pse është kaq dramatike? Përse të mos përditësohen të dhënat e anëtarëve në listën partiake? Mos vallë LSDM -ja pret që anëtarët të mos e përditësojnë anëtarësinë e tyre, si parti qeverisëse që është?  Mos vallë janë habitur nga ky nivel i besnikërisë?

Për më tepër na shesin dhe fraza si – Qytetarët i njohin politikat e suksesshme të LSDM-së. Ore, jeni në qeveri. Nuk janë qytetarë, por anëtarë partiakë që njohin privilegjet që mund t’u sjellë partia qeverisëse. Pse nuk u përditësuan kur ishin në opozitë, kur VMRO-DPMNE tregonte fuqinë e vet me autobusë, sanduiça e tubime?

Nuk më pengon aktiviteti partiak, e as më bëhet vonë. Por ne e dimë se te ne nuk futet dot dikush në parti nga ideologjia, por për të gjetur punë. Ky dallim i ndan ata si më të barabartë se të tjerët që nuk janë anëtarë partie.

I ndan dhe për nga fati se të papërditësuarit gjithnjë paguajnë që të përditësuarit të mund të marrin rrogë.

4 Një mjeke nga Serbia e cila nuk ka pasur licencë pune, ka kryer një operiacion në spitalin e Manastirit ku ka punuar i shoqi. Për shkak të këtij incidenti, dy mjekë të tjerë janë përjashtuar, ndërsa shtatë prej tyre janë dënuar. Me sa u mor vesh deri më tani, prerja cezariane ka rezultuar pa sukses.
Drejtori i spitalit të Strugës, i cili për fat ka licencë pune, vazhdon të jetë drejtor i spitalit, edhe pse inspeksioni zbuloi se në shtëpi ka hapur një ordinancë të paligjshme. Pacientja pohon se përveç prerjes cezariane, i ka hequr tre organe të tjera. Dhe vazhdon të operojë, pa u dënuar asnjeri.

E nëqoftëse mjekja e Manastirit kërkon punë në shëndetin publik, le të konkurrojë për drejtore në Strugë. Nuk ka problem se është nga Serbia, që nuk është edhe një referencë shumë e mirë për anëtarësim në BDI. Përndryshe, një përditësim në BDI do t’i shpëtonte të gjithë nga dënimi. Nëse tashmë ke vendosur të anëtarësohesh në parti, e nuk e bën këtë për shkak të ideologjisë, e ke më së miri të anëtarësohesh në BDI. Anëtarësohu aty ku partia të garanton se nuk të zë dot as Kushtetuta e as ligji.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира