1 Në këtë ditë, 12 janar, në vitin 1991 u botua kolumna e parë “Sakam da Kazham” në gazetën “Veçer”.
Nuk mund të kujtoj mirë se sa herë deri më tani në 27 vjetët e fundit “na ka shkuar shteti”. Siç po thonë të gjithë tani: Kuku, kuku, na shkoi shteti! Sepse u soll ligji për gjuhët. Kuku, kuku, mbetëm pa shtet! Kush e di ç’pazari është bërë me Greqinë. Mirë që nuk kemi punë, as rrogë, as kulturë e as disiplinë, po tani edhe emrin do të na e marrin. Vetëm fshatarizmin do ta mbajmë me konsensus. Gjatë 27 vjetëve të ekzistencës së kolumnës, të paktën çdo të premte të dytë apo të tretë në të ka pasur ndonjë muhabet mbi emrin, apo shqiptarët, të cilat janë tema që pashmangshmërisht çojnë drejt shkatërrimit të shtetit.
Gjatë 27 vjetëve gjithmonë dikush tjetër na e ka pasur fajin për shkatërrimin e shtetit tonë, dhe fakti se personi që vjen në pushtet e vjedh shtetin, dhe fakti tjetër që me qindra njerëz janë shpërngulur, apo se mijëra nga ata që kanë mbetur në shtet kanë pasaporta bullgare, nuk qenka aspak shkatërrim i shtetit.
Shumë më intereson se çfarë vlere ka ligji për gjuhët për ata me pasaporta bullgare. Sa do t’u cënohet patriotizmi kur të ikin nga shteti? Rëndësi ka që kanë rezervë. Dhe shumë më intereson se çfarë vlere ka ky ligj për ndonjë shqiptar në momentin kur t’i shfaqet ndonjë polic me fjalën “polic” të shkruar në dy gjuhë mbi mëngë. Dhe kur të mund ta informojë në gjuhën shqipe se në gjithë territorin e qytetit të Shkupit ka vetëm dy ekipe të krim-inspektorëve. Me siguri që atëherë, vjedhjen e shtëpisë do ta përballojë më lehtë. Sepse do të kuptojë se çfarë po i thotë polici, i cili vjen për këqyrje dy ditë pas vjedhjes. Ja kështu është kjo puna e patriotizmit.
Besoj se profesionistët që kanë vërejtje në lidhje me ligjin, e kanë lexuar atë dhe dinë për çfarë flasin. Për më tepër, mbi këtë ligj është debatuar me muaj të tërë, kishte gjithsej tre lexime në Parlament bashkë me komisione, transmetime direkte në programin e parlamentit, debate televizive. Ndërsa ne që shpëlajmë gojët nëpët rrjetet sociale nuk e kemi haberin se çfarë do të thotë tamam ligji, pasi askush nuk është ulur ta lexojë, por e kemi pranuar historinë e VMRO-DPMNE-së se na shkoi shteti. Historinë e asaj VMRO-DPMNE, deputetët e të cilës dërguan amandamente të ligjit por hoqën dorë nga mbrojtja e tyre. Pasi tani mbrojtja e portierëve dhe dhunuesve të sulmit të organizuar të Parlementit më 27 prill është më e rëndësishme për ta se sa mbrojtja e ligjit.
E ja pra si shkoi shteti.
2 Por shkoi edhe kolumna. “Sakam da kazham” sot feston 27 vjet. Ndërsa tashmë dy vjet është në dygjuhë. E shteti ende nuk ka shkuar askund.
Në Mars gjetën ujë. E te ne ende kërkojnë ajër për të marrë frymë.
3 Britanikët në vitin 1999 na dhuruan furrë për djegien e mbeturinave mjekësore. Por furra nuk paska qenë e përfunduar pasi na është dashur të blinim filtra që kanë kushtuar 200.000 funta. Por gjithsesi ky ka qenë një hap i madh teknologjik në raport me gjendjen e kaluar, pasi para dhurimit të furrës, mbeturinat mjekësore ndizeshin nëpër livadhe 5 kilometra larg qendrës së kryeqytetit.
Gazeta e Londrës “The Guardian” në vitin 2001 shkroi mbi furrën e dhuruar që përdoret pa filtra dhe lëshon materie toksike.
Ndërsa ne, në vitin 2018 u vetëdijësuam se furra e deponisë së Drisllës do ta helmojë Shkupin. Ndërkohë deponinë ua dhamë italianëve që duhej të blinin gjashtë furra. E ata, as furrat nuk i sollën, as filtrat nuk i vendosën.
Kjo do të thotë se asnjë qeveri deri tani nuk ka gjetur 200.000 funta për plot 19 vjet në mënyrë që të mos helmohet qyteti në të cilin jetojnë kryeministri dhe të gjithë ministrat, me gjithë fëmijët e tyre. Pasi sa për qytetarët, siç duket, nuk mërziten fort. Besa, 200.000 funta janë gjetur shumë herë deri tani, por jo për filtra. Janë gjetur për ndryshim të pllakave të sheshit, për gërmime të shumta, për fasada me bukëpeshku (stiropor), për asfaltim të trotuareve, për qindra përmendore, për drita mbi fasadat, për gardhe hekuri, për pallate të këtilla apo të atilla, dhe për shumë punë të tjera më me prioritet se sa ajri dhe dheu i pastër.
Dhe ngaqë kemi pasur punë më të mençura se sa të harxhojmë 200.000 funta, ne për 19 vjet jetojmë në dhomë gazi. Por, dikush tjetër na e mori shtetin.
4 Po ata prindër që para Vitit të Ri në Fejsbuk u organizuan vetë që të mos i lëshojnë fëmijët në shkollë sepse ajri ishte shumë i ndotur, vetëm dhjetë ditë më pas u organizuan vetë dhe i mblodhën 7.000 fëmijë në të ashtuquajturin kortezh për ditën në prag të Krishtlindjeve, që të këndonin “këngë për Zotin” dhe të shëtisnin në po atë ajër të ndotur.
Mirë këta që i lëshuan fëmijët të shëtisin, jemi shtet i lirë, e le të shëtisin ku të duan. Por, nga njëra anë, pse kryetarët e komunave i pranuan fëmijët në Komunë? I zuri populizmi fetar, dhe me shkëlqim në sy socialdemokratët festëdashës të mëdhenj e shkelën Kushtetutën, në të cilën thuhet se feja dhe shteti janë të ndara. Më pas, kur kuptuan se vetë e kanë shkelur Kushtetutën, të cilën janë zgjedhur që ta mbrojnë, i akuzuan fëmijët se ata paskan dashur vetë të këndojnë në Komunë.
Arsimtarët të mos i përmendim fare. Ata ashtu siç ishin besnikë ndaj VMRO-DPMNE-së dhe e pranuan mësimin fetar që ta paraqesin si mësim të traditës, po kështu tani do t’i jenë besnikë edhe LSDM-së. Edhe një herë do të na shesin fe me pretekstin se është traditë.
Megjithatë, momenti më emocionues, përveç zbulimit se vetëm kryetari i Prilepit e kupton se çfarë është shtet laik dhe se çfarë janë fetë e çfarë traditat, ishte momenti kur fëmijët me vetë iniciativë shkuan që të këndonin për Zotin në qendrën tregtare City Mall. Këtu e nderuan besimin mbi Atin, Birin dhe Mall-in e shenjtë të qendrës tregtare CityMall. Që nëse na shkon shteti, të paktën Mek Donallds-in të na e kthejë.
Këto janë vlerat tradicionale që do t’i mbajmë me konsensus, siç do të mbajmë fshatarizmin si më lartë.
5 Në Mars gjetën ujë. Ndërkohë në Maqedoni ende kërkojnë ajër për të marrë frymë.
Kështu filloi dhe viti i 28-të i “Sakam da Kazham”. Dhe i mbushi të 18-at e saj në shekullin 21.