SHKOJMË NË MARS

I gjithë Shkupi 2014 po na shembet përpara syve. Ai Shkup i 2014-ës për të cilin u harxhuan pothuajse një miliardë euro nga paratë tona, ndërsa qeveria po çuditet bashkë me ne, se si po shembet në këtë mënyrë edhe pse ajo ka si detyrim, ashtu edhe instrumente që të vërtetojë se kush është përgjegjës për këtë gjë.

SHKOJMË NË MARS

1Në përvjetorin e tretë nga bomba e parë e Zaevit dhe vdekjes së Tamarës, ka ardhur koha që revolucionarët e Fejsbukut të asaj kohe t’i rilexojnë statuset e tyre. Sidomos ata që fituan funksione dhe vende udhëheqëse në parti. Të përkujtohen se si para tre vjetësh pyesnin: “Kush do ta marrë përsipër përgjegjësinë?” Dhe na bindnin: “Nuk është e lejueshme të përsëritet diçka e tillë”.

Shumë prej tyre që në atë kohë luftonin dhe kërkonin drejtësi tani gjenden në pozicionin ku mund të bëjnë ndryshim. Pasi gjenden në institucione që kanë për detyrë të bëjnë ndryshimet: Parlament, Qeveri, ministri, këshille komunash, ndërmarrje publike, trupa rregullatorë…

Nuk them që nuk ka ndryshime. Jeta erdhi. Ka optimizëm dhe akoma po na mban. U zgjodh problemi me Bullgarinë. Edhe çështja e zgjidhjes së emrit me Greqinë lëvizi nga gjendja e vdekjes. NATO na buzëqesh. Dera e BE-së po hapet nga pak.

Mirëpo, çfarë ka ndryshuar në esencën e jetesës së përditshme? Rroga më të larta? Më shumë punësime? Mos është rritur prodhimtaria? Apo kemi shëndetësi më humane? Ose administratë shtetërore më efikase? Gjykatë më të pavarur apo arsim më të mirë? Ose ajër më të pastër?

Dhe më e rëndësishmja: Çfarë ka ndryshuar në esencën e praktikimit të qeverisjes? S’ka gjë. Mund të bëjmë sikur nuk i shohim këto gjëra. Por, tashmë janë mjaftueshëm kohë në pushtet që të kuptohet qartësisht se nuk po marrin asnjë lloj mase për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes. E një ndryshim të tillë, pavarësisht dëshirës së mirë që të vazhdojmë t’ua falim, nuk po e shohim.

2Nuk arrij të kuptoj se si është e mundur dikush nga qeveria të mos ketë refleksin që të kërkojë përgjigje për pyetjen se kush është fajtor që ndërtesa e re, ku janë vendosur Arkivi shtetëror, Muzeu arkeologjik dhe Gjykata kushtetuese, përmbytet sa herë që bie shi. I mori uji plot 42 milionë euro drejt në Vardar dhe askujt nuk iu drodh qerpiku. Ndërsa projektuesit dihen saktësisht me emër dhe mbiemër dhe me emër të kompanisë. Dihet kush është revizor, kush është zbatues e kush mbikëqyrës. Së fundmi, nëse nuk ka përgjegjësi për ndërtesat e vëna në përdorim vetëm para katër vjetësh, përse kërkohet përgjegjësi për shtrimin e gabuar rrugor në autostradën për Kërçovë? Ashtu siç askush nuk pyeti se pse dhjetë vjet i ngasim makinat sipër një asfalti të valëzuar nga Negotina në Demir Kapi nëpër autostradën miqësore drejt Greqisë. Si nuk i erdhi ndërmend dikujt të hetojë se kush është përgjegjës për një trajtim kaq të dëmshëm të parave tona?

Në qoftë se qeveria nuk është kompetente të vërtetojë se kush është përgjegjës për ndërtesat dhe autostradat e ndërtuara keq, atëherë për çfarë pune është kompetente? Mbase për pajisjet me vlerë prej miliona eurosh në bodrumet e spitaleve, që me kalimin e vitit shkatërrohen, pa u hapur fare?

Ja, për shembull, I gjithë Shkupi 2014 po na shembet përpara syve. Ai Shkup i 2014-ës për të cilin u harxhuan pothuajse një miliardë euro nga paratë tona, ndërsa qeveria po çuditet bashkë me ne, se si po shembet në këtë mënyrë edhe pse ajo ka si detyrim, ashtu edhe instrumente që të vërtetojë se kush është përgjegjës për këtë gjë.

3Ndjek me vëmendje debatin profesional mbi heqjen e anijeve na Vardari, të cilën e lajmëroi kryetari i Shkupit, Petre Shilegov. As se si nuk mund ta kuptoj dilemën se a do të hiqen zvarrë nëpër lumë apo do të dislokohen me vinç.
Ta thërrasim Ilon Maskun të na e zgjidhë problemin e Petres me anijet. T’i lançojë për në hapësirë. Ashtu siç e lançoi automobilin “tesla” që e bëri vetë. Vizionari Mask për 90 milionë dollarë dërgoi një automjet në hapësirë me anë të raketës më të fuqishme të prodhuar deri më tani. Kurse te ne, për 42 milionë euro ndërtojnë ndërtesa që dobësohen me çdo reshje shiu.

Sa për ngushëllim, meqë Masku ka ndërmend që deri në vitin 2025 të dërgojë mision njerëzor në Mars, ne sipas parave të harxhuara për ndërtesën që lëshon ujë, tani do të gjendeshim në gjysmën e rrugës për në Mars. Nëse do t’i kishim mbledhur të gjitha paratë nga objektet e tjera të Shkupit 2014 të bëra “shkel e shko”, do të kishim mundur të kolonizonim të gjithë Marsin, jo vetëm me të tre anijet, por me gjithë karuselët, kuajt dhe gjithë familjen e Aleksandrit. Ndërsa shpenzimet e rrugës tashmë janë paguar në Parlament.

Ai është plani ynë B. Nëse nuk arrijmë ta zgjidhim problemin me Greqinë dhe të hymë në BE, e cila thotë se ndoshta eventualisht do të bëhemi anëtare në 2025, Marsi nuk na ikën.

4Shpëtimin në Mars do ta kërkojmë pasi deri në vitin 2025 Maqedonia do të ngelet pa mjekë. Oda e mjekëve publikoi se nga 220 persona që kanë mbaruar Fakultetin e mjekësisë në Shkup brenda një viti, 170 kanë kërkuar dokumente për shpërngulje. Dhe se për dy vjet në Maqedoni do të ketë vetëm 13 pediatër amë.
Nuk është problemi se do të na zhdukë ndryshimi i emrit. Ne veçmë po zhdukemi. Ata që kanë ikur nga ky shtet, kanë ikur. Ata që kemi mbetur, do të mbarojmë. E më rezistentët do të shpëtojnë në Mars.

5Nikolla Gruevski kërcënohej se rrota rrotullohet. Dhe liderit të ri të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickosti me të vërtetë iu rrotullua rrota pa mbushur as një muaj të plotë. Shkoi në rrugë për Amerikë. U nis nga aeroporti “Aleksandri i madh”. E do të kthehet në Aeroportin ndërkombëtar Skopje.

6VMRO i ditës edhe kësaj here është një VMRO me tapi. Në gjykimin mbi rrënimin e “Kosmos”-it, Mile Janakieski tha në sallën e gjyqit: “Gjykatës, kur merrni vendimin, futuni pak edhe në vendin tonë”.
Në vendin e kujt të futet gjykatësi? Në vendin e atij që bënte ujdi për shkatërrime me dinamit? Apo në vendin e atij që llogariste përqindjet me të verdha? Apo në vendin e atij që paralajmëronte britma e piskama? Apo të atij që pyeste se si hapen thasët me fletët e votimit?

Mile ndoshta me të drejtë kërkon që gjykatësi të vihet në vendin e tij. Pasi, në një nga bombat dëgjuam se si kryetari i Gjykatës supreme Jovo Vangellovski bënte marrëveshje me të në lidhje me kurdisjen e provave për rastin “Global” kundër Zaevit.

Vangellovski tashmë është futur në vendin e Miles. Më lartë se kryetar i Gjykatës Supreme – nuk ka. E as  vend më të çmuar – nuk ka.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари