SHMEK RUS

Punë e madhe fort se ka rënë serveri. Nuk është se na u prish ashensori.

SHMEK RUS

1Falenderoj drejtorin e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve (KSHZ) Oliver Derkoskin, që më ktheu në rini. Ndërkohë që isha duke parë konferencën e shtypit ku po shpalleshin rezultatet e zgjedhjeve, u ktheva në vitin 1994, atëherë kur drejtori i KSHZ lexonte numrat dhe përqindjet e votave dhe gazetarët shpejt e shpejt i mbanin shënim në fletore dhe pastaj me nxitim vraponin që të kapin ndonjë telefon fiks, që të ishin të parët që ua tregonin rezultatet redaksisë së tyre.
Imagjinoni nëse Derkovskit do t’i lihej në dorë regjistrimi i popullsisë. Kur do të fillonte t’i lexojë të gjithë numrat sipas komunave, fshatrave, vendeve të banuara, njerëzve, kafshëve, veturave, kamionëve, familjeve, të emigruarve…E kur të përfundojë, disa do të kenë vdekur, e ca të tjerë do të kenë lindur. E kështu rezultatet do të dalin – të pavlefshme.

Vetëm një javë para zgjedhjeve, Derkovski ka vendosur ta ndryshojë aplikacionin për evidencë elektronike, “në mënyrë që ta përshpejtojnë procesin”. E nga nxitimi, nuk kanë arritur as ta testojnë serverin, që të shohin se sa vizita mund të mbajë. Dhe natën pas mbylljes së vendvotimeve, ata dyshuan se ishte sulmuar nga jashtë. Mirëpo në polici kanë lajmëruar ditën tjetër, sepse kanë pasur shumë punë. As faqen e serverit nuk e ringritnin dot, pasi MPB u kishte ndaluar t’i shpallin rezultatet e votimit përderisa zgjat hetimi. A thua se hakerët kanë lënë gjurmë në server, e hetimi do t’i sigurojë dëshmitë me të njëjtët inspektorë që shkuan për të fshirë inçizimet e kamerave në lokalin ku shkonte Mickoski.

Në një shtet diletantësh, të cilët shumë shpesh janë të etur për para, një shtet në të cilin edhe një shi vere, me pak fantazi mund të shndërrohet ne teori konspirative, është normale që kur faqja zyrtare e institucionit që numëron votat të bjerë, menjëherë të lindë dyshimi se dikush i ka kurdisur zgjedhjet. Për më tepër që edhe drejtori i KSHZ nuk është burokrati më naiv që njohim, se e pamë në bombat duke marrë urdhra nga Mile Janakievski për kurdisjen e zgjedhjeve të 2013. Kurse edhe ministri i punëve te brendshme Naqe Çulev, të cilit ia ka paraqitur sulmin, është i partisë së vet.

Një institucion është komprometuar. Mirëpo bashkë me të edhe i gjithë procesi demokratik.

Është normale që në rastin kur nuk ka të dhëna zyrtare nga një institucion shtetëror, çdo parti të shpallë fitoren e saj. Për fat të mirë, nuk dolën të gjithë në të njejtën kohë që të festojnë fitoren e tyre, se do të ishin kacafytur.

Dhe është normale që për gjithë këtë punë të mos mbajë përgjegjësi askush. Do të ishte e çuditshme të ndodhte e kundërta. E pastaj, kush këtu i mbrojtur nga partia që e ka vendosur në pushtet, ka mbajtur përgjegjësi për diçka ndonjëhere?

Punë e madhe fort se ka rënë serveri, nuk është se na u prish ashensori.

2Rezultatet e zgjedhjeve, bënë të qartë se nuk paska pasur ndonjë nevojë kushedi se sa të madhe për ndryshimin e pushtetit dhe qeverisë.

Një qytetar i cili është tejmase i pakënaqur dhe i zhgënjyer do të dalë të votojë për ndryshim, kur ka pakënaqësi masive atëherë edhe dalja e njerëzve për të votuar është masive. Mesa duket për shumë njerëz nuk ka qenë e rëndësishme realizimi i së drejtës së tyre si qytetar për të mbështetur apo për të dënuar dikë. Për ta, të gjithë janë të njëjtë.

Në qoftë se LSDM edhe kësaj here formon qeveri do ta ketë shansin e fundit për ndryshime të vërteta, për të ndërtuar një shoqëri për të gjithë, ashtu siç premtoi Zaevi që në vitin 2016, megjithatë, një shoqëri për të gjithë, nuk do të thotë vetëm tejkalimi i ndarjeve etnike. Pakënaqësia më e madhe vjen nga fakti se ai nuk u përpoq që ta tejkalojë ndarjen kryesore – mes të privilegjuarve të partisë dhe të tjerëve. Për këtë arsye ndoshta për shumicën 15 korriku nuk kishte aq rëndësi.

3Nuk është aq e tmerrshme dalja e paktë në zgjedhje, saqë është fakti se edhe në dekadën e tretë të shek. 21 BDI dhe VMRO DPMNE kishin fushata që lartësonin vlera te shek.19.

Teksa feston me kallashnikovë, BDI insiston për një kryeministër shqiptar duke e shitur këtë gjë si një vlerë evropiane. Flasin për bashkim dhe për ardhmëri evropiane, e nga ana tjetër, për kryeministrin e shtetit, më të rëndësishme e kanë përkatësinë etnike.

I pamë fort mirë vlerat evropiane të BDI-së, me platforma të paligjshme në Matkë dhe plazhe të paligjshme në Strugë, me piceri të paligjshme në Ohër, me së paku 1500 votues të sigurt dhe me familje dhe miq të cilëve ua paguajmë rrogat që ata mos duhet të shkojnë në punë. Me këtë sjellje begu kundrejt bandës së vet, Ali Ahmeti do të arrijë që ti kthejë edhe kosmopolitët më të mëdhenj, të cilëve s’u intereson fare përkatësia etnike e komshiut që është i aftë për të qenë kryeministër, në nacionalistë.

Hristijan Mickovski zbuloi një mënyrë se si dështimin e VMRO – DPMNE-së ta riformulojë në fitore mbi LSDM-në. Ai i hoqi votat e Besës nga koalicioni “Mundemi”, se ato nuk na qenkan vota të maqedonasve dhe nuk duheshkan numëruar. Atëhere, pse nuk i nxori edhe votat e boshnjakëve, romëve, vllehëve, turqve, që janë pjesë e koalicionit të VMRO – DPMNE-së? Apo ata i ka “njerëz të vegjël të Pustecit,” të sjellë aty “që të mbahen për dore e të votojnë” në mënyrë që ky ta mbajë kryqin e maqedonizmit, kundër armiqve të përbashkët – shqiptarët dhe LSDM.

Si Mickovski, ashtu dhe Ahmeti flasin për ardhmëri të përbashkët, por me kushtin që secili të pozicionohet si fitues te njerëzit e vet.

4Në këto zgjedhje, E majta , me 37.000 vota, fitioi dy vende deputete. Kështu, në Parlament, përveç VMRO-DPMNE-së, si parti moderne e së djathtës, do të kemi dhe një parti të majtë të së djathtës.
Lideri i së Majtës Dimitar Apasiev thotë vetëm atë që e djathta dëshiron ta dëgjojë. Atë që Mickoski thotë se e ka thënë 100 herë dhe se nuk dëshiron ta përsërisë më. Kurse e vërteta është se asnjëherë nuk e ka thënë.

Apasievin e pret një karrierë e ndritur politike. Ai do ta thotë publikisht atë që Mickoski e mendon, por ka frikë ta thotë. Apasievi do të jetë krahu radikal i kundërrevolucionit të djathtë populist. E majta do t’i japë një shmek rus humorit britanik të VMRO-DPMNE-së.

Përktheu: Fjolla Zllatku

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари