SHPRICER SIPAS PROTOKOLLIT

Maqedonasi sërish ndodhet para udhëkryqit historik. A do të bëhet bullgar dhe të rrezikojë që ta vendosin në listën e zezë amerikane, apo të presë me durim datë për fillimin e negociatave me BE-në?

1 Provoni të vendosni në një fjali fjalët “BDI”, “bukur” dhe “shtet”. Kur dëgjon dikush lajmërimin se lideri i BDI-së Ali Ahmeti, të shtunën do të shpallë diçka të mirë për shtetin, e madje edhe se ky propozim do të nxitë debat në publik, është më shumë për t’u pasur frikë, se sa për t’u gëzuar.

Çfarë është ajo që mund të thotë BDI-ja, e të jetë e mirë për shtetin? Ndoshta të shtunën do të largohen platformat e paligjshme në Matkë? Apo Ali Ahmeti do të fotografohet para flamurit maqedonas? Ndoshta lajmin do të na e komunikojë në maqedonisht? Ose këtë fundjavë nuk do të ndizet asnjë kallam i Strugës? Ndoshta në Tetovë do të lëshohet uji edhe në pjesët më të sipërme të qytetit? Apo merimanga do të ngrejë makinat në Çair dhe Bit Pazar, pa rrezikun që të plagoset ndonjë polic? Ndoshta BDI-ja do ta ndërrojë kryetaren e komunës së Haraçinës nga LSDM-ja dhe do të bëjë regjistër që më në fund edhe qytetarët e kësaj komune të fillojnë të paguajnë tatime në pronë?

Edhe Zaevit i paska pëlqyer ajo që do të thotë Ahmeti. Por tha të presim dhe “të mos shtojmë krem, qershi dhe nga ajo të bëjmë tortë”. Domethënë, ata të dy nuk ndajnë vetëm tendera. Por edhe sekrete.

Duket sikur të dy të kenë dalë nga shkolla e njëjtë e aktrimit si ajo e Artan Grubit. Edhe pse, shfaqjet e deritanishme me një fund të paparashikueshëm nuk kanë qenë as në të mirë të shqiptarëve e as në të mirë të maqedonasve. Fraza “bukur për Maqedoninë” në një fjali me BDI-në, nuk shkon disi.

2 Lajmi i mirë të shtunën është që në fund të dallgës së tretë të pandemisë së kovidit mund të organizohen edhe dasmat. Me protokolle të veçanta të cilat nuk mund të respektohen as edhe nëpër spitale.
Protokollet nuk kanë parashikuar se në dasëm shkohet për të qenë pjesëmarrës aktiv. E jo për të parë një shfaqe ku kërcejnë nusja dhe dhëndri. Ata kanë kujtuar se dasmat do të jenë si Dasma e Figaros, e në pauzë do të mund të bësh dhe një sy gjumë.

Gjithçka është përpunuar deri në detalin e fundit. Lista e të ftuarve, menaxheri i kovidit, matja e temperaturës, në tualet shkohet vetëm me maskë, muzika të ndodhet 5 metra larg të ftuarve dhe të mos shkojë nëpër tavolina, janë ndaluar përqafime dhe puthjet, vetëm nusja dhe dhëndri mund të kërcejnë bashkë, të tjerët veç e veç… Imagjinoni sikur të mund ta shihnit një spektakël të këtillë nga larg – janë mbledhur 100 vetë dhe secili kërcen për vete në territorin e vet.

Por Komisioni për sëmundje infektive e ka harruar detalin më të rëndësishëm. Në dasma pihet alkool. Dhe alkooli e mposht koncentrimin.

Të themi të drejtën, edhe nëse kufizohet pirja e alkoolit, rreziku nga humbja e koncentrimit dhe kalimi në territorin e tjetrit gjatë kërcimit është një realitet. Pasi në çdo tavolinë duhet të ketë mjet dezinfektues. Aty ku ka mjet dezinfesktues, ka dhe ujë. Shpricer sipas protokollit. Për zor, de.

3 Dhe vazhdon shfaqja me një fund të paparashikueshëm që e luan Bullgaria për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në. Zoran Zaevi deklaroi se është i gatshëm ta lutë Sofjen ta zbresë veton, kurse presidenti bullgar Rumen Radev tha se Bullgaria do të kërkojë garanci nga BE-ja për Maqedoninë.
Çfarë garancie do të kërkojë Bullgaria nga BE-ja? Se deri në fund të negociatave, kur do të duhet të na pranojnë në BE, maqedonasit do të bëhen bullgarë? Me çfarë mundet një Maqedoni e vogël e cila nuk është anëtare e BE-së ta cënojë Bullgarinë e cila është e barabartë me 26 shtete të tjera që e përbëjnë bashkësinë më të madhe të Evropës? Ne nuk i cënojmë dot as edhe në nivelin e korrupsionit. Janë më të mëdhenj, më të pasur dhe kanë traditë më të gjatë të praktikave korruptuese.

Tani, kur SHBA-ja vuri në listë disa biznesmenë bullgarë për shkak të korrupsionit të lidhur me qeverinë dhe e qortuan Bullgarinë, anëtaren e BE-së, në lidhje me atë se nuk e menaxhon siç duhet korrupsionin e lartë, maqedonasi është përsëri para dilemës historike: a të bëhet bullgar dhe të rrezikojë të vihet në listën e zezë amerikane apo të presë me padurim për fillimin e negociatave me BE-në?

4 Zaevi di të lutet, por di edhe Venkoja. Zaevi i lutet Sofjes për datë, ndërsa Venkoja Beogradit për vaksina. Ka kërkuar nga ministri serb i shëndetësisë Zllatibor Llonçar, nëse mundet që qytetarët dhe qytetaret e Maqedonisë që në Serbi kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër kovid-19, dozën e dytë ta marrin më afër, në Nish ose Vranjë.
Ore, një shtet kaq të shqetësuar për shtetasit e tij nuk gjen kund në botë. Ministër maqedonas që i lutet një ministri serb të mundësojë që siguruesit shëndetësorë maqedonas të cilët paguajnë sigurim shëndetësor në shtetin maqedonas, të mos marrin rrugën deri në Beograd, por të shkojnë më afër për vaksinim. Ministri serb thotë se do ta rishikojë mundësinë që t’u ndihmojë siguruesve maqedonas. Kurse ministri maqedonas e paraqet këtë gjë si sukses dhe konfrimim i shqetësimit të tij për qytetarët.

Ata qytetarë që në mars vendosën të shkojnë në Serbi për t’u vaksinuar me siguri nuk kanë pritur ndonjë zgjidhje të problemit të kovidit nga shteti maqedonas. Por, nëse Venkoja vërtetë do që të mos ua komplikojë jetën, se ata në fakt ia rritën përqindjen e të vaksinuarve në shtet dhe ia kursyen shpenzimet për vaksinë, të paktën le të sigurohet me ministrin e punëve të brendshme Oliver Spasovski, që atë fundjavë të mos ketë ngecje në Tabanovcë, siç kishte fundjavën e fundit të marsit. Dhe nëse mundet, të paktën atë funjdavë MPB të mos arsyetohet se është normale që ndonjëherë të ketë rënie të sistemit kompjuterik. Të mos kujtojnë njerëzit se Qeveria i dënon sepse janë vaksinuar jashtë shtetit, ngaqë shteti i tyre nuk ua ka siguruar vaksinat.

5 Nga rubrika “Gjithçka sipas ligjit, shef”, këtë javë do të veçojmë: “Vendimi për moszbatimin e vlerësimit strategjik për mjedisin jetësor gjatë sjelljes së Planit të detajuar urbanistik”.
Duke qenë se vetë fakti i të marrit vendim për të mos zbatuar diçka që duhet zbatuar është absurde, u përpoqa të kuptoj se cili është kuptimi. Mbi spitalin e fëmijëve për sëmundje të mushkërive të bardha në Kozle, rrëzë Vodnos, në një shirit të mbrojtur, do të ndërtohet lagje e re. Komuna Karposh e mundëson këtë gjë me referimin e Vendimit për moszbatimin e vlerësimit strategjik të vitit 2015. A e mbani mend se LSDM-ja aso kohe akuzonte kryetarin Stevço Jakimovski në mënyrë jotransparente dhe brenda natës i ndryshonte planet që i votonin këshilltarët.

Tani, LSDM-ja është në pushtet dhe renditja e fuqive në Këshill është ndryshe. Por edhe atëherë edhe tani është e qartë se këshilltarët nuk e kanë problem marrjen e vendimeve për moszbatim të vlerësimit që i referohet mjedisit jetësor.

Në praktikë, kjo do të thotë se: Kemi një legjislaturë evropiane për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Domethënë, punojmë sipas ligjit. Por nëse na duhet të marrim vendim të mos zbatojmë ligjin – edhe kjo gjithashtu është sipas ligjit.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира