SHTATË KËSHILLTARË

Arratisja e vrasësit të gjykuar të Martin Neshkoskit paraqet një mbyllje simbolike të ciklit që filloi me arratisjen e Nikolla Gruevskit. Tani “S’ka drejtësi, s’ka paqe” është një frazë plotësisht boshe.

SHTATË KËSHILLTARË

1Qeveria e la në pezullim trei vjeçar tatimin progresiv të të ardhurave. Shyqyr që iu erdhën mendtë. Se ashtu siç e kishin imagjinuar, të vetmit që paguanin tatim progresiv ishin ata që kishin rrogë më të lartë dhe honorarë. Vinte tatim mbi dijen dhe punën, por jo mbi pasurinë. Ua rriti tatimin atyre që gjithsesi e paguanin atë rregullisht. Dënonte vetëm ata që me rregull paraqisnin çdo denar të nxjerrë me mundin dhe dijen e tyre, e ndërkohë as nuk i prekën llogaritë e Belizes, pasi e dinë se si t’i mbajnë rrogat në minimum.
Ndërkohë debatet elitistike të së majtës dhe drejtësisë sociale, në këtë Maqedoni, që mbetet e ngecur për tri vjet në një tranzicion postkomunist, t’ia lëmë Norvegjisë.

2Këtë fundjavë, vjedhësit e druve dhe ata që djegin pyjet mund të pushojnë. Kryeministri Zaev shpalli një aksion të integruar kundër zjarrit dhe ndotjes. Nga foltorja parlamentare tha se që nga e mërkura “shtatë këshilltarë të kabinetit të tij punojnë mbi kontrollin e të gjitha inspektorateve, e jo vetëm të inspektoratit për mjedis jetësor të MPB”. Të gjitha inspektoratet me gjithë policinë do të jenë në terren, tha Zaevi. Dhe shtoi se “ata do të përfshihen në bazë ditore që të mund të kontribuojnë për ta mbyllur problematikën e zjarreve të hapura në vende publike”. Vetëm me dy fjali, Zaevi tregoi situatën e vërtetë. Se inspektorët dhe policia nuk janë në terren. Dhe se nuk e kryejnë punën e tyre “në bazë ditore”. Me këtë deklaratë, Zaevi bëri të ditur se këto shërbime nuk punojnë madje as nga e hëna deri të premten, e as nga 8.30 deri në 16.30, e as në mbrëmje apo gjatë fundjavave dhe festave.

E përse të jetë Qeveria përgjegjëse për faktin se nuk punojnë shërbimet publike? Përse të ketë fare drejtorë, zëvendës drejtorë, shefa, këshilltarë, këshilltarë të këshilltarëve, referentë më të moshuar, referent më të rinj, kur u dashkan dhe shtatë këshilltarë të tjerë të kryeministrit për t’i nxitur që të bëjnë punën për të cilën marrin rrogë?

Imagjinoni sikur këtë deklaratë Zaevi, në vend ta kishte thënë në Parlament, ta kishte bërë në ndonjë mbledhje drejtorësh në kompaninë e tij. E të duhej ai, si pronar, të punësojë shtatë këshilltarë që t’ia koordinojnë të gjithë drejtorët e sektorëve të firmës që të kryejnë punën e tyre “në bazë ditore”. Përse kjo vallë, të tingëllonte jologjike për Zaev biznesmenin, kur është krejtësisht logjike për Zaev kryeministrin?

Do të pranonim çdo gjë vetëm të mos helmoheshim më. Jemi kaq të dëshpëruar nga zjarret masive dhe ndotja e ajrit, sa që çdo përpjekje për “të mbyllur problematikën e zjarreve të hapura në vende publike” për ne është një thërrime shprese. Madje edhe kjo historia e Zaevit me të shtatë këshilltarët.

3Le të themi se aksioni i integruar i inspektimit dhe të policisë do të vijojë deri në fundjavën tjetër. Mirëpo, çfarë do të bëjmë kur të mbërrijë tramvaji i Petre Shilegovit në Shkup? Atëherë do të shohim se çfarë lloj koordinimi do të nevojitet.

Tani kemi shembuj ku një polic qëndron në trotuar në rrugën Partizanska mes kafeneve dhe bastores, sheh vetura të parkuara si para ashtu pas kafenesë, por nuk reagon, pasi askush nuk i ka dhënë asçfarë koordinatash. Me shëndet e paçim tramvajim me hidrogjen, atë pa binarë apo me goma, kur do të duhet të sigurohet një korsi e tërë nëpërmes bulevardeve të Shkupit.
Ku do të parkojnë pastaj ata që pinë kafe dhe njëkohësisht kanë dëshirë të kundrojnë veturën e tyre? Si do të paguash një fletë në bastore, apo të shkosh deri diku për një minutë vetëm, kur mu në atë korsi do të kalojë tramvaji?
Më zë frika ku e kaloj nëpërmend se si ai autobus apo tramvaj apo çfarëdo që të jetë do të mund të kalojë përmes çdo veturave me katër sinjalizuesit e ndezur, duke uzurpuar të gjithë bulevardin. Kjo vallë, të jetë jeta? Një tramvaj që uzurpon gjithë korsinë e parkimit. Hajde të dalim në protesta. S’ka korsi, s’ka paqe.

Kur flasim për tramvajin paraqitet dhe një krizë tjetër nga aspekti i sigurisë, pasi ky tramvaj do të kalojë edhe nga Çairi. Këtu do të hasë në një rezistencë të nxehtë .Imagjinoni sikur t’ua merrnim të drejtën qytetarëve dhe atyre që luftojnë për të drejtat e njeriut për të parkuar në bulevardin e Bit Pazarit në Çair. Kur bëhet fjalë për të drejtën e parkimit në rrugë, nuk do të ketë vetëm lëndime të vetëshkaktuara me merimangë nga ana e policisë. Por nëse duhet, do të nxirren edhe pistoleta. E të parat që do ta hanë do të jenë gomat e tramvajit.

Mjaftuan ca kontejnerë që të na shkaktonin një kaos të tërë. Jo pedalet qenkan të vështira për t’u shtypur, apo u bëka problem biçikletave që do të duhet t’u bien tërthor, e jo më autobusëve të gjatë 24 metra. Pyes veten a do të mjaftojnë shtatë këshilltarë të kryeministrit për të koordinuar tramvajin?

4Arratisja e vrasësit të gjykuar të Martin Neshkoskit paraqet një mbyllje simbolike të ciklit që filloi me arratisjen e Nikolla Gruevskit. Pasi Nikolla Gruevski është simboli i një regjimi që e mbante shtetin të robëruar për 11 vjet, ndërsa simboli i rezistencës kundër këtij regjimi ishin mu protestat për vrasjen e Martin Neshkoskin kur u zbulua se qeveria donte ta fshihte atë.

Ndërkohë ikën edhe ruajtësit e regjimit, zbuluesit që përgjonin nën komandën e Nikolla Gruevskit, Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit. Iku dhe Nikolla Vojminovski, i gjykuar për tentim vrasjeje të një deputeti në sulmin e Parlamentit në 27 prill 2017.

Tani “S’ka drejtësi, s’ka paqe” është një frazë plotësisht boshe. Cikli është mbyllur. Gjithçka ishte e kotë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари