1 Asnjë shtet nuk është përballur me jostabilitet të shkaktuar nga negocimet për të hyrë në BE. Obsesioni ynë me BE-në, tashmë tridhjet vjet, vjen prë shkak të besimit tonë se anëtarësimi në këtë bashkësi shtetesh do të na sigurojë stabilitet dhe prosperitet. Dhe çfarë ndodhi? Në vend që të sigurojë stabilitet, BE-ja, përmes Bullgarisë, po e destabilizon Maqedoninë. Ky precedan që po e bën BE-ja me Maqedoninë do të ketë pasoja afatgjate, jo vetëm për ne, por edhe për ata, pasi hap derën e gjerë për stimulimin e fuqive jodemokratike, pa marrë parasysh nëse sot janë ruse e nesër kineze apo kush e di se çfarë. Ndërsa BE-ja, nga arroganca, nuk dëshiron ta shohë këtë gjë.
Nuk dua as të imagjinoj se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të humbte jetën dikush nga ai incident në dukje banal në sheshin Seknderbe në Shkup, ndërkohë që kalonte turma e protestuesve kundër propozimit francez.
Tani jemi me zemrën e Maqedonisë e me mendjen e BE-së. Si nëse e pranojmë, si nëse nuk e pranojmë kornizën negociuese përballemi me jostabilitet. Jo sepse populli maqedonas nuk do të hyjë në BE, por sepse i ishin vënë kushte unike që e fyejnë dinjitetin. Filluam me kriteret e Kopenhagës, vazhduam me bençmarket, veton e pare, të dytë, kornizën negociuese dhe përfunduam me – protokollin. Erdhëm në dijeni se kur BE-ja gjendet ngushtë, ashtu siç është tani me luftën në Ukrainë, krizën energjetike dhe krizën e kovidit, ajo është e gatshme ta sakrifikojë edhe vlerën fundmentale të qytetërimit – të drejtën e vetëpërcaktimit. Sado që të na bindin se nuk është kështu, në fund përsëri aty kthehemi. Në fletoren e punës të historisë së klasës së gjashtë.
Mirësevini në botën reale ku shprehja e “vlerave evropiane” është një frazë pa përmbajtje. Fakti se ne kemi pasur iluzione për BE-në – është problem ynë. Nuk është problem i BE-së. E ne, meqenëse duam të bëhemi pjesë e atij klubi, duhet të pajtohemi me këtë.
2 Për çdo rast, le të mos mërzitemi se mund ta kemi mërzitshëm. Nëse miratohet korniza propozim-negociuese, si fillim na pret edhe një ndryshim tjetër i Kushtetutës me të gjitha dramat që e shoqërojnë atë – seanca deri në mëngjes, debate publike, numërime, blerje deputetësh, premtime vende drejtorie, mesazhe miqësore nga shtetet e huaja, protesta, bllokime …
Sa të duash momente historike na presin.
3 E kështu, Bullgaria arriti ta destabilizojë Maqedoninë. BE-ja e sheh punën e vet. VMRO-DPMNE-ja, kështu siç është, e pareformuar dhe e papastruar nga kriminelët, po e kthen fuqinë me populizëm dhe nacionalizëm. Levica proruse, anti-NATO dhe anti-BE po fuqizohet. Dhunuesit e korruptuar të BDI-së që askush nuk guxon t’i dënojë na shesin mend për vlera evropiane. Ndërsa karrieristët e LSDM-së e fshehin paaftësinë e tyre me arrogancë dhe etiketim.
Ne nga ana tjetër, mbetemi të hidhëruar, të pakënaqur dhe të fyer që si qeveria, ashtu dhe opozita po na fyejnë inteligjencën me një fantazi katastrofike për të ardhmen, sepse shohim se nuk ka dikë të aftë që ta përballojë as edhe të tashmen.
Po kur thonë s’është fer, propozimi nuk është ndër më të mirët, por ne do të luftojmë, do të negociojmë, por do të jemi brenda, në kornizë në tavolinën e njëjtë, pyes veten – Vallë, nga Marsi do të na i sjellin politikanët për negocim? Këta, nga të gjitha qeveritë deri më tani, me vite të tëra nuk mund të vendosin ambasadorë në qendrat botërore ngaqë nuk dinë se si t’i ndajnë vendet në mënyrë partiake, e nga ana tjetër premtojnë bindje me 27 shtete anëtare të mbështetura nga SHBA. Cilën administratë, vallë, do ta angazhoni në këtë proces? Atë administrate që për dy vjet me radhë nuk arrin dot të sigurojë dëftesa për fëmijët në fund të vitit shkollor? Këtu politikanët nuk mund as të pastrojnë trotuaret prej makinave, ama me vendosmëri do t’i mbrojnë interesat kombëtarë në Bruksel.
Shikoni se me çfarë argumentesh përpiqet të na bindë presidenti Stevo Pendarovski se duhet të pranohet propozimi francez. Se si një shtet me 1,8 milionë qytetarë dhe 500 euro rrogë mesatare, nuk paskemi mundur të mundësojmë një kornizë më të mire negociuese.
Nuk është ashtu. Presidenti duhej të kishte thënë se kaq mundemi ne, me këtë kapacitet politikanësh. Me këto elita politike që udhëheqin shtetin tonë përgjatë tridhjetë vjetëve të fundit, mes të cilave është edhe ai. Ai i cili në fillim të mandatit tha se nëse nuk do të ishte president, edhe ai vetë do të kishte ikur nga Maqedonia. Komandanti suprem që u frikësua nga 20 huliganë me gurë nuk u shfaq në intervistën e paraparë televizive.
Edhe Sllovenia, a nuk është e vogël? Edhe Estonia, Letonia, Lituania, Qipro…E për Maltën, të mos flasim fare. Ama, ky është qëndrimi ynë i përgjithshëm ndaj jetës – le të kemi kujdes, jemi të vegjël, le të mos pyesim shumë e shumë, të shohim nëse mund të na ndihmojë dikush, të na nxisë, e pastaj ne do të ofkëllojmë e do t’i kërcasim gishtat.
E do të themi vetë me vete, hesht aty se mund të kishte qenë dhe më keq.
E pastaj çuditemi se pse qeveria ia mban më shumë gajlen Bashkimit Evropian, se sa shtetit të vet. Nëse është e dukshme se tani evropianët, me luftën në Ukrainë, Ballkanin Perëndimor e konsiderojnë shumë të rëndësishëm, përse tanët nuk iu përgjigjën: “Na jepni një propozim më të mirë!”.
Dhe tani nuk kemi pse habitemi kur një qëndrim i tillë mbrojtës na ka sjellë në këtë situatë ku të na duhet të zgjedhim ndërmjet jostabilitetit me “Po” për kornizën negociuese dhe jostabilitetit me “jo” për kornizën negociuese. Po e vetmja “dalje pragmatike” që ofrohet është të ulurit n tavolinën negociuese me shtetet e BE-së, t’i marrim paratë e fondeve për aderim dhe nëse 27 shtetet vijojnë me bullgarizimin e procesit të aderimit, atëherë t’i lëmë fare negocimet.
Ajo “dalje pragmatike” ka vetëm një të metë të vogël – ndërkohë, mes të ulurit në tavolinë dhe braktisjes eventuale të tavolinës, na duhet të biem dakord se cili është interesi ynë shtetëror. Se, vijat e kuqe disi u zgjatën si shumë.
4 Në gjithë këtë hidhërim, frustrim dhe zhgënjim nga BE, po harrojmë t’i gëzohemi edhe një ngjarjeje tjetër historike të një rëndësie botërore. Kuvendi maqedonas duhet të miratojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.
E shikon, zoti president, nuk paskemi qenë dhe aq të vegjël.
Përktheu: Fjolla Zllatku