SOFTUER PËR HARAÇINËN

Ju lutemi të na jepni armën më të lirë dhe më cilësore sa më shpejt të jetë e mundur

1 Kur kryeministri Zoran Zaev hapi debatin për koalicionin e gjerë dhe mundësinë që edhe VMRO-DPMNE-ja të jetë pjesë e qeverisë, kujtova se i nevojitet mbështetje për diçka revolucionare, se mbase duhet të investojmë shumë para për zhvillimin e vaksinës kundër kovid-19, e cila do të jetë efikase edhe kundër ndonjë lloji autokton të virusit në shtetin tonë, apo se do të kontribuojmë te kjo botë me gjetjen e ilaçit kundër kovidit, apo se LSDM dhe VMRO-DPMNE më në fund do të arrijnë një konsensus për strategjitë revolucionare të zhvillimit të shtetit e do të hapin çështje tejet të rëndësishme të fushave si energjetika, shpëtimi i ujërave, ngrohja globale…Por, doli se arsyeja e kësaj ka qenë që, një herë e mirë, të mund të ndahen punësimet partiake.

Ja si e paramendon Zaevi departizimin dhe administrimin edhe brenda gjykatës: “Kur të dyja anët jemi brenda Qeverisë, LSDM dhe VMRO-DPMNE nuk do ta partizojnë administratën. Po, do të ketë punësime edhe nga njëra edhe nga tjetra, por vetëm nga ata që do të fitojnë në konkurs, të përzgjedhur sipas kritereve dhe normave. Klientelizmi në gjykatë dhe administratë publike do të zhduket kur të gjithë të jenë në qeveri.”

Aman, sa njerëz duhet të punësohen në administratë shtetërore që të kënaqeni? A jeni të vetëdijshëm se në këtë shtet ka edhe njerëz të tjerë? Edhe më tragjik është fakti se Zaevi e tha këtë gjë pa i shkrepur syri, me normalitetin më të madh të mundshëm dhe me një paturpësi maksimale ndërsa pranonte faktin se në konkurse kalojnë vetëm kuadrot partiake dhe se shteti është një plaçkitje e partive. Tani çështja është se si do të ndahet kjo plaçkitje.

Çfarë lloj mesazhi po dërgon kryeministri drejt njerëzve të cilët nuk janë në parti e të cilëve u drejtohet vetëm para zgjedhjeve, sepse votat e tyre janë vendimtare për fitore? Që edhe ata të marrin libreza partiake? Apo, nuk ka nevojë. Le të paguajnë vetëm tatimin. Po unë me të vërtetë kujtova se Zaevi i ka bërë thirrje VMRO-DPMNE-së për të udhëhequr sëbashku për dobinë e përgjithshme. Për të mirën e të gjithëve. E jo që t’i punësojnë për rrogë shtetërore ngjitësit e pllakave dhe studentët e dobët. Meqenëse ata që janë profesionistë, o largohen, o gjejnë dikë që t’ua vlerësojë profesionalitetin nëpër kompani private. Por, ashtu siç u është bërë diçka normale që ta ndajnë shtetin në “tanët” dhe “tuajt”, nuk do të më çudiste edhe nëse do të arrinin konsensus. Janë në rrugë të mirë për të sjellë një ligj me të cilin do t’i detyrojnë edhe firmat private që të punojnë me libreza pariake.

2 Fushata e paralajmëruar për luftën kundër korrupsionit ka aq kuptim sa ç’ka kjo fjali që e kanë miratuar në seancën qeveritare: “Karakteristika e fushatave edukative do të jetë proporcionaliteti dhe racionaliteti në shfrytëzimin adekuat të resurseve, gjë e cila do të garantojë se mjetet dhe resurset e investura do të jenë të drejtuara në mënyrë efikase për të nxitur ndryshimin e nevojshëm shoqëror, për të cilin nuk do të ketë dilema në është apo jo i domosdoshëm”.

Kjo që lexuat ka po aq kuptim sa ç’ka edhe momenti kur Dragi Rashkovski jep ide për softuer, kurse Qeveria blen softuerin për 81.000 euro ndërkohë që Rashkovski është sekretar gjeneral i Qeverisë. Softueri është blerë për nevojat e MPB. Kurse MPB-së nuk i nevojitet. E ndërkohë kryeministri Zaev thotë se softueri me siguri i është nevojitur dikujt, që kur qeveria e ka blerë. E Rashkovski madje edhe u ofendua se është sulmuar për faktin se ka ide.

Në fushatën qeveritarë për luftën kundër korrupsionit, e besa edhe në fushatën “Evropa në shtëpi” kjo gjë shpjegohet si “shfrytëzim i duhur i resurseve që do të garantojë se mjetet dhe resurset e investuara do të drejtohen në mënyrë efikase për të nxitur një ndryshim të duhur shoqëror, për të cilin nuk do të ketë dilema në është apo jo i domosdoshëm”.

Në përkthim kjo do të thotë – luftës kundër korrupsionit nuk mund t’i iket. Nën shtypjen e fushatës, tani edhe Oliver Spasovski do të duhet të gjejë zbatimin e softuerit për të cilin as nuk e dinte se ekziston.

3 Që kur Rashkovski ka pasur ide për softuer të shkeljeve të komunkacionit për MPB, si nuk i është kujtuar, vallë, të ketë një softuer për regjistrim të detyrimeve tatimore në Komunën e Haraçinës? Për dallim të MPB, të cilës nuk i duhet softueri, Haraçinës i duhet. Për katër vjet me radhë LSDM ka kryetaren e vet të Haraçinës, kurse Komuna nuk ka mbledhur as edhe një denar për tatimet e pronës. E sikur kjo të mos mjaftonte, Qeveria u dha gjysmë milion euro nga buxheti shtetëror. Jo për tjetër, që t’u gjindet për ndonjë harxhim. Jo se nuk u nevojiten paratë – me siguri u nevojiten. Por, sikur të kishin mbledhur diçka për të kontribuar për veten e tyre? Të paktën të kryenin pagesat për vetë komunën e tyre. Vallë, si shesin dhe blejnë prona këta njerëz? Si nxjerrin listën e pasurisë? Në pjesë tjera të shtetit nuk mund të bësh transfer të pronës nëse ke faturë të vjetër të papaguar të televizionit.

Me padurim pres se si Zaevi do të na tregojë përrallat për tatimin progresiv. Se sa na qenka diçka socialdemokratike apo e drejtë…Thonë, si në Gjermani, Suedi…Dale, dale. Ai është tatim i duhur. Por vetëm në një shtet që i mbledh paratë nga të gjithë. Le të gjejë dikush një krahinë të Gjermanisë ku njerëzit nuk paguajnë tatim të pronës e as TVSH. E le të mos justifikohen në bazë nacionale. Atje Angela Merkel nuk justifikohet se nuk mund ta mbledhë tatimin nga gjysma e shtetit ngaqë “ka dhunë”. Si kërkon Zaevi ta besojmë ligjshmërinë e këtij tatimi në një shtet ku ka qytetarë që nuk paguajnë, por nuk shfrytëzojnë nga shteti dhe qytetarë që paguajnë, por nuk shfrytëzojnë?

Në zgjedhjet e ardhme të LSDM-së, le të shkojë slogani: “Të ndershmit shkatërroi, të suksesshmit largoi”.

4 Nuk ka vaksina. Po vonohen dhe kush e di se kur do të mbërrijnë. Qeveria gaboi. Besoi në sistemin Kovaks të OBSH dhe ishte e bindur në solidaritetin e BE-së.
Sa për atë se sa kanë qenë të aftë apo jo, do ta vlerësojmë tek tani. Kjo është një luftë. Një luftë botërore. Ti shkon në punë, kthehesh në shtëpi dhe ke frikë se më i afërmi mund të të vrasë. Në luftë ka humbje jetësh, varfërim, humbje të punës, propagandë çmendëse, mashtrime oportuniste nga më të ndryshmet…Dhe të gjithë blejnë armë. Nxitojnë se kush do ta zhvillojë armën i pari, cila do të jetë arma më e fuqishme, se kush do ta blejë i pari. Në këtë moment armët janë vaksinat. Bashkimi Evropian po e humb betejën me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, Rusia nuk rri duarkryq, Kina të shantazhon duke të kushtëzuar te bashkëpunimi me firma të caktuara, Bajdeni të thotë se do të japë vaksina kur të ketë mbaruar “me të vetët”…Gjithçka është çakorduar. Gjithësecili ia bën ashtu siç di më së miri.

Si mund të duket një thirrje publike në kohë lufte? E pastaj do të presim të pëfundojë procedura ankimore dhe do të realizojmë marrëveshjen.

Në luftë secili bën atë që di dhe mundet për të shpëtuar kokën. Dhe nuk është për të qeshur fakti se Zaevi ka provuar të blejë vaksina si nëpërmjet diplomacisë, ashtu edhe nëpërmjet shërbimeve sekrete. Izraeli i dha Rusisë 1,2 milionë dollarë që të dërgojë vaksina në Siri. Kush e bëri këtë marrëveshje? Bashkësia e FB -ut.

Përktheu: Fjolla Zllaktu

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира