TABLOJA E MATURANTËVE

Jo vetëm që ia rritën vetes rrogat, por as nuk e dinë se sa i kanë. Cili i punësuar nuk e di se sa e ka rrogën?

TABLOJA E MATURANTËVE

1 A e mbani mend që të ketë pasur të paktën një vit, ku viti shkollor ka përfunduar normalisht dhe pa pasur komplikime me maturantët? Herë dikush bojkoton, herë dikush tjetër mban grevë, herë nuk ka dëftesa të printuara…
Greva e Qendrës shtetërore të provimeve pas tri javësh është pezulluar. Por, vetë vendimi i Qendrës që është zbatues i maturës shtetërore për të mbajtur grevë një muaj para fazës së përcaktuar për provim të maturës është një mësim i vërtetë për maturantët.
Mirësevini në botën e të rriturve. Ta dini se ku jetoni. Shikoni se çfarë ju pret në jetë në këtë shtet.
E ç’të mendosh për një shtet i cili në provim të pjekurisë mund të të flijojë për vota?

Nuk është e konstestueshme e drejta e të punësuarve në Qendrën shtetërore të provimeve që të mbajnë grevë. Nuk është e kontestueshme as e drejta e tyre për të kërkuar rroga më të larta. Është e kontestueshme se kanë vendosur të mbajnë grevë një muaj para provimit të maturës. Me vetëdije do t’i malltretojmë 20.000 fëmijë që duhet të japin maturën shtetërore, a thua se pak janë malltretuar. Me vetëdije do t’ua nxijmë jetën 20.000 maturantëve të cilët nuk kanë fare gisht në këtë situatë. Me vetëdije do ta flijojmë edhe një brez tjetër që sapo futet në botën e të rriturve.

Sipas analizave të Shoqatës së nxënësve të shkollës së mesme, nga çdo brez i maturantëve, rreth 12 përqind largohen për studime jashtë shtetit. Kemi të bëjmë me fëmijë që duam të na kthehen në shtëpi, sepse na nevojiten. Janë fëmijë që kanë kaluar provime për njohje të gjuhës së huaj e që kanë marrë edhe shkollim tjetër plotësues. Një vit e gjysmë para e kanë planifikuar jetën. Dhe si do të shpërblehet entuziazmi dhe shkëlqyeshmëria e tyre? Do t’i pranojnë në ndonjë universitet prestigjioz jashtë shtetit, ndërsa në shtetin e vet do t’ua nxijë jetën ndonjë  punësuar, i cili, mu në maj, para përfundimit të vitit shkollor, ka vendosur të kërkojë rrogë më të lartë. Tani është momenti! T’ua mëshojmë fort fëmijëve.

E pastaj UNICEF-i do të na bëjë hulumtime e do të na tregojë se fëmijët qenkan në stres për shkak të paralajmërimeve të rrejshme të bombave nëpër shkolla. Jo, ore. Ajo mungesë nga mësimi nuk është asgjë në krahasim me streset që i presin kur të përballen me regjistrime, paraqitje provimesh, nepotizëm në fakultete, korrupsion, lista partiake për konviktet dhe bursat studentore, joorganizim i transportit publik, profesorë të partizuar apo administratë studentore të partizuar…

Provimi i vërtetë i pjekurisë është kur e sheh tablonë e maturantëve të shkollës së mesme në Makedonski Brod, ku janë paraqitur me fotografi 8 maturantë nga gjimnazi dhe tre nga drejtimi i hotelierisë dhe turizmit. Gjithsej 11 maturantë. Dhe 23 profesorë.

Atë tabelë le ta varin në Qendrën shtetërore të provimeve që t’u kujtojë të punësuarve se ata ekzistojnë për shkak të fëmijëve. Po të mos ishin fëmijët, nuk do të ishin as ata.

2 Mirë që të punësuarit e qendrës së provimeve vendosën të mbajnë greva për rroga më të larta dhe me vetëdije i përdorën fëmijët për shantazh, por edhe dy ministritë – e financave dhe e arsimit, me vetëdije i flijuan fëmijët, ngaqë për tre javë me radhë i injoruan kërkesat e atyre që mbajnë grevë.
Por, nga ana tjetër, përse qeveria do të shqetësohej për 20.000 fëmijët të cilëve u janë komplikuar planet jetësore dhe për njëzet arsimtarët që kërkojnë rroga më të larta? Rrogat e tyre ministrore tashmë janë rritur për 78 përqind.

Shqetësim të vetëm për ta përfaqësojnë gazetarët, kur i pyesin se sa të larta i kanë tani rrogat, pas asaj rritje për të cilën, as ata nuk janë të lumtur që e kanë fituar, por është dashur që ta respektojnë Gjykatën Kushtetuese. Inflacioni është dyshifror, me muaj të tërë na thonë se jemi në krizë, i ngrijnë e i shkrijnë çmimet, e pastaj i ngrijnë sërish…Ore, në dyqan nuk ka groshë, shitet në të zezë, e ata marrin 78 përqind rroga më të larta, dhe e nxisin vetë inflacionin – e nuk u bëhet hiq vonë.

E pse t’u bëhet? Jo vetëm që ia rritën vetes rrogat, por as nuk e dinë se sa i kanë. Një ministër përgjigjet se ia kanë vjedhur kartat e kredisë e nuk mund ta kontrollojë gjendjen, tjetri thotë se nuk di matematikë…Cili i punësuar nuk e di se sa e ka rrogën?

E ç’mund t’i thotë kësaj maturanti? Provimi i pjekurisë është atëherë kur do të kuptosh se duhet të marrësh rrugën sa më shpejt të mundesh. Ore jo në avionin e parë, po nëse duhet do ta marrësh rrugën në këmbë.

3 Kryeministri Dimitar Kovaçevski në Uashington u takua me sekretarin shtetëror Entoni Blinken. Ende nuk kishin ardhur kumtesat nga Departamenti i shtetit dhe i Kabinetit të kryeministrit kur ja ku erdhi kumtesë nga Kabineti i zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Kumtesa mban titullin: “Qëndrim i Zëvendëskryeministrit të Parë të Qeverisë në lidhje me takimin Kovaçevski-Blinken”.
Kur e pashë titullin, thashë, kaq e pati, qeveria do të bjerë, i prishën punët me koalicionin për partner strategjik. Vallë, zëvendëskryministri mund të ketë qëndrim tjetër nga kryeministri për takimin në Departamentin e shtetit?

A thua se në Uashington nuk ka qenë kryeministri i Maqedonisë, por kryeministër i ndonjë shteti tjetër, e kështu zëvendës kryeministri i Maqedonisë ka qëndrim për këtë vizitë. A thua se Kovaçevski është në një qeveri, e Grubi në një tjetër.

Ka shkuar kryeministri në SHBA dhe është takuar me Blinkenin. Por, ta dini se ka edhe një Zëvendëskryeministër të parë dhe se edhe ai ka qëndrim.

4 Rastësisht më qëlloi të isha në Sarajevë më 9 maj, në Ditën e Evropës. Në rrugën kryesore të qendrës së qytetit, e cila akoma mban emrin e Titos, Delegacioni i atjeshëm i Bashkimit Evropian organizonte festim, me flamur evropian, me koncert, me reflektorë, me drone, me gjithçka që nevojitej. Ngjarja quhej “Festa e parë e Ditës së Evropës në Bosnjë dhe Hercegovinë që kur vjet u bë kandidate për anëtarësi në BE”.
Nuk do të doja t’i zhgënjeja miqtë e mi të Sarajevës, por do të kenë ata shumë vite për të festuar. Dhe edhe Komisioni Evropian që tani u ka ndarë para në buxhet për festa të Ditëve të Evropës. Ja, ne u këputëm duke festuar 18 vjet me rashë. Fëmijët që kanë lindur në 2005, kur Maqedonia e mori statusin e kadidatit, këtë vit mbushin moshën e pjekurisë. Disa prej tyre tashmë do të votojnë në ndonjë shtet të BE-së, nëse prindërit e tyre kanë llogaritur mirë kohën e pritjes dhe kanë ikur me kohë nga Maqedonia.
Nga ana tjetër, ata, prindërit e të cilëve kanë pasur vazhdimisht shpresë nga Ditët e Evropës se Maqedonia nuk do të jetë kandidate përjetësisht, kanë shans, që tani pas maturës, ta korrigjojnë optimizmin e prindërve të tyre dhe të largohen. E të gjithë ta festojnë Ditën e Evropës në BE.

Ne do t’u çojmë ajvar, që të qerasin njëri-tjetrin.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира