1Le t’i votojnë deputetët edhe ato ndryshime të kushtetutës dhe le të thyejnë qafën. Ndërkohë që Greqia e ratifikon anëtarësimin tonë në NATO, le të shkyçen nga televizioni dhe Interneti, të mos shohim se çfarë po bëjnë. Edhe Qeveria, që shpalli ditë jo pune për 2 janarin, le të sjellë edhe një dekret tjetër – të na falë të gjithëve nga përgjegjësia që të jemi qytetarë normal. Të marrim pushim të vazhduar bashkë me administratën publike.
Vetëm se, nuk e di nëse është shumë gjë e mençur që të mos i shohim se ç’bëjnë. Pasi, mos e dhëntë zoti, të na vërë Greqia një veto tjetër, e të mos na duhet të shokohemi më shumë nga belaja që bëri qeveria, se sa nga bllokada eventuale e Greqisë.
2Çmimi që u kërkua nga ana jonë për të hyrë në NATO ishte të ndryshonim emrin e shtetit. Jo ta humbisnim shtetin. Në emër të çdo qeverisje të re të së drejtës, e shkatërruam edhe atë pak drejtësi që kishim. Eh, kështu ndodh kur bëjmë marrëveshje për të shtuar edhe një kat të shtëpisë, por ndërkohë kemi rrënuar katin përdhes.
E kur tashmë e kemi përtypur zhgënjimin nga fakti se duhej të amnistoheshin edhe deputetët që i hapën dyert gjatë sulmit të Parlamanetit më 27 prill 2017 që të votonin për ndryshime të kushtetutës dhe e kapërdimë edhe faktin se këta deputetëve të tjerë, në Rregulloren penale u vizatuan një foto-robot që të mos përgjigjeshin për keqpërdorimet e blerjeve publike. Dikush mund të thotë se po mbyllim sytë ndaj padrejtësive për hir të një qëllimi më të madh. Dhe këtyre u shtohen edhe kërkesat e PSP-së që paraburgimet e gjashtë të dyshuarve në rastin e shpëlarjes së parave “Perandoria” t’u ndryshohet dënimi me një masë më të butë – apo paraburgim shtëpiak. Që t’i kalojnë festat modestisht, në gjirin familjar.
Janë si musketarët. Një për të gjithë, të gjithë për një. Vjedhin në mënyrë të ndërlikuar, shkojnë në burg në mënyrë të ndërlikuar, tani edhe lirinë e kërkojnë në mënyrë të ndërlikuar. Një për të gjithë, të gjithë për lesh, a ata në Belize.
Fakti që Mijallkovin nuk kanë mundësi fare ta lëshojnë nga Shutka në paraburgim shtëpiak edhe ka logjike. A nuk është njëra nga deputetet kunata nga kushëriri i tij i dytë. Besa as ai vetë nuk e di se sa kushurinj të dytë ka, që kur pranoi para gjykatëses Laliqik se kishte përgjuar, por ama kushëriri mbetet kushëri. Edhe lirimi i Orce Kamçevit ka logjikë dhe lidhet me votimin për ndryshime kushtetuese. Jo vetëm për shkakun se Kamçevi tha vetë se do të kishte votuar për Marrëveshjen për Prespën, por edhe për shkak se Bullgaria e emëroi konsull të nderuar në Maqedoni. Kurse Bullgaria është anëtare edhe e NATO-s edhe e BE-së, plus që prej shumë kohësh tani është dhe partner shumë i afërt strategjik. Nuk ia vlen të mbyllim një problem dhe të hapim një tjetër. Çfarë lidhje ka votimi në Parlament dhe hyrja e Maqedonisë në NATO me Cvetan Pandeleskin, pronarin e “Pelisterkës”? Përveç se ai është partner strategjik i bizneseve të Orces.
Trendi i pajtimit është bërë global. Nga dera e Kërsto Mukoskit e deri te flluskat e pelisterkës së Pandeleskit.
3Megjithatë mbizotëron optimizmi se policia në mënyrë të dhunshme siguron shtëpi për Kamçevin, Mijallkovin dhe Pandeleskin dhe kohë pas kohe i viziton. Që të mos ikin. Pamë se si gjashtë policë e mbajtën Gruevskin nga arratisja. Po nëse rastësisht e gjejnë Mijallkovin në shtëpi, vallë ku do ta kërkojnë? Në garazhin nëntokësor të “Meriot”-it? Apo te shtëpizat e Krishtlindjeve të Petre Shilegovit në sheshin Maqedonia.
Dhe, edhe nëse u ikin, punë e madhe. Nuk do të ketë rëndësi për ne asnjë justifikim që do të shpikë qeveria se si nuk arriti t’i ruante. Oliver Spasovski gjithsesi nuk është i fajshëm, pasi ka bërë gjithçka që ka mundur. Kështu thotë Zaevi. Kurse hetim me siguri që do të ketë.
4Kryeministri Zoran Zaev në fillim të procesit të pajtimit tha: “Le të gjejmë mënyrë për pajtim, por pa e shkatërruar shtetin e drejtë”. Ja ku e gjetën mënyrën. Dhe do të gabojnë nëse nuk e patentojnë.
Mes votimeve për amnisti dhe ndryshimeve të Rregullores penale, deputetët provuan të votonin dhe për privilegje që të mos mbeten asnjëherë pa rrogën e shtetit. Kështu me nxitim votuan një ligj për ndërmarrjet publike që të bëhet e domosdoshme të kenë një zëvendës drejtor. Që nënkupton dhe një sekretareshë, makinë, kartelë zyrtare, udhëtime, pagesa ditore…Zaevi gjeti justifikim edhe për këtë. Tha se nuk duhet të bëjmë dramë nga situata, pasi kjo ka qenë një funksionim efikas i ndërmarrjeve. Me shumë siguri efikas si drejtori ekonomik i Gjinekologjisë nga BDI, të cilin e çojnë në çdo funksion që hap partia.
5Besa, do të presim pak për efikasitetin. Pasi, qeveria e shpalli 2 janarin ditë pushimi për administratën publike. Në mes të javës. Të mërkurën. Dhe porositi që të mos punojnë as firmat private. Pse? Që punonjësit e administratës të mos kenë brejtje ndërgjegje se harxhojnë paratë për ditore ndërkohë që në shtëpi hanë sarma dhe ruska sallatë? Dhe se nga 1 janari do të paguajmë tatime më të larta për të paguar për rrogat e tyre? Pse? Që të na këshillojnë se fëmijët t’i çojmë në çerdhe me 2 janar vetëm nëse me të vërtetë dikush nuk mund t’i ruajë askush. E çfarë do të thotë kjo? Ky është një mentalitet i një këshilli qeveritar i rangut: “nëse ajri është i ndorit, mos dilni, vetëm nëse ju duhet të dilni PATJETËR”.
Dy janarin do ta kompensojnë me ndonjë ditë tjetër. Ndoshta me 2 majin. Edhe Gruevski shpallte ditë jo pune jashtë ligjit. Si car. Me dallimin se Gruevski ishte car i keq. Gjatë ditëve festive i çonte punonjësit e administratës të mbillnin pemë. Kurse Zaevi, është car i mirë. Ai i pajton ata me ne. Ndërsa neve na pajton me fatin.
Vetëm kam frikë se mos na dale në fund se “cari është lakuriq”.Pasi, shoh se madje edhe më toleruesit nuk mund t’i mbajnë dot nervat. Nga e gjithë ajo që premtuan kur morën pushtetin, vetëm Ligjin për ndalim të duhanit e kanë ndryshuar. Tatimet i ngritën. Që të fillojë mbarë 2019 – Viti i ekonomisë. Me rroga më të larta për zëvendës kryeministrin dhe me zëvendës- drejtorë nëpër ndërmarrje publike. Pasi 2018 – Viti i drejtësisë, po e përshëndesim me një legalizim të padrejtësisë.
6Si kapak për këtë Vit të së drejtës, për herë të fundit u shfaq edhe kryetari ynë Gjorge Ivanovi. Të shesë mend nëpër Parlament se falja e tij e prillit të vitit 2016 kishte qenë për pajtim, kurse falja e tanishme paska qenë për shantazh.
Refuzoj të pranoj tezën e Ivanovit. Sado i hidhëruar të jem nga amnistia e 27 prillit, nuk mund të harroj se të gjitha këto ndyrësira filluan pikërisht me faljen e funksionareve kriminelë që e bëri ai, Ivanovi, në vitin 2016.
Mund të na kenë ikur nervat, por me mendjen jemi akoma mirë.
Përktheu: Fjolla Zllatku