TË PUSHOJMË PAK

Do të presim që të shfaqet ndonjë Cipras bullgar

1 Hajde, edhe një javë do të merremi me Bullgarinë. Karakaçanovin për “mirëmëngjes”, Zaharievën për “mirëdita” e Borisovin për “mirëmbrëma”, për gjumë të ëmbël. E pastaj le të kalojnë dhe ato mbledhjet e Brukselit, të marrim pak frymë e të jetojmë paksa edhe pa Bullgarinë. Të shohim pak se ç’po ndodh në shtetin tonë e ç’po ndodh me shëndetin tonë.

Shumë mirë që në Bullgari dolën ca intelektualë, shkencëtarë dhe qytetarë mendjendritur që ta kritikojnë Sofjen zyrtare për çështjen e vetos, por për ne kjo nuk do të thotë asgjë. Ndikimi i tyre që qeveria ta ndryshojë politikën kundër Maqedonisë është “zero”, ashtu sikurse është edhe ndikimi i BE-së sa i përket politikës së Borisovit. Nuk më intereson fare se me veton Bullgaria paska qenë e pakuptuar dhe paska shkaktuar problem të madh mes partnerëve të BE-së dhe e paska hidhëruar SHBA-në. Ne mund të ngushëllohemi sa të duam se Bullgaria ka humbur në sytë e BE-së. Ngushëllimet dhe dhembshuria e tyre nuk bëjnë asgjë. Ato nuk ndryshojnë faktin se ne, pikërisht për shkak të Bullgarisë, nuk mund as t’i hapim negociatat për të hyrë në BE.

Eurokomisari për zgjerim Oliver Varhejl tashmë deklaroi se Maqedonia duhet t’i qaset shqetësimit të Bullgarisë. Këtë punë ne e kemi mësuar gjatë tridhjetë viteve të fundit, se shtypja gjithmonë është ndaj më të dobëtit. Edhe në të ardhmen gjithashtu, i gjithë presioni do të jetë mbi ne. Prej nesh do të kërkohet gjithmonë që t’i plotësojmë kërkesat e Bullgarisë, ndërsa nga Bullgaria nuk do të kërkohet asgjë. Ne besojmë në mënyrë naive në vlerat evropiane, e nuk e prisnim që, në mënyrë që t’i përkushtoheshim të ardhmes duhej fillimisht të negocionim për të kaluarën. Por, ja! Na ndodhi edhe kjo gjë, që të duhet të negociojmë në ekzistuakemi apo jo. Bullgaria thjesht nuk mund të bjerë në paqe me faktin se Maqedonia ekziston, bashkë me popullin dhe gjuhën maqedonase. Ky është realiteti i BE-së. Gjithçka tjetër është bisedë kafesh.

Andaj, ndoshta ndonjëherë nuk është dhe keq të pushojmë. Nëse çmimi për fillim të negociatave me BE-në është plotësimi i kërkesave bullgare mbi ekzistencën e popullit dhe gjuhës maqedonase, e nëse BE-ja nuk e mbështet këtë gjë, atëherë edhe ne mund ta ngrijmë procesin tonë, e të fillojmë të merremi paksa me veten tonë. Do të presim të shfaqet ndonjë Cipras bullgar e të krijohet situata gjeostrategjike që ndoshta ndonjë Zaev në atë çast të na çojë në BE.

Ndërsa ky, Zaevi i sotëm, i përforcuar nga Vllado Buçkovski, le të flasë sa të dojë e deri kur të dojë me këtë udhëheqësi bullgare. Sa më shumë të hyjë në muhabet, aq më shumë i imponohen nga Sofja. Sa më i dashur të bëhet ai, aq më shumë ngacmime shpikin “vëllezërit”. Bullgarët po na bëjnë varrin, ndërsa ne për më tepër, po ua mprehim lopatën.

2 Zaevi fiton çmime ndërkombëtare për arritje ndërkombëtare. Si nuk e tregoi, vallë, në shtëpi, atë guxim dhe vizion për të cilin po e shpërblejnë? Të paktën një pjesë të asaj vendosmërie ta kishte shfaqur këtu, që të bënte një ndryshim rrënjësor të sistemit. Të ndryshonte mënyrën e qeverisjes, të bazuar në privilegjet paritake dhe nepotizmit. Ja ky, për shembull, do të ishte një ndryshim revolucionar. Pasi, cilësia e jetës nuk do të na varej nga budallallëqet e Karakaçanovit apo të Zaharievës. Tashmë 30 vjet jeta na varet nga aparaturat partiake dhe fëmijët e tyre të llastuar. Nesër kur do të dalim në zgjedhje, nuk do të votojmë për atë që ka thënë Zaevi në media, por për atë se çfarë ka bërë në shtetin e vet.

E pastaj, nëse duhet të bëjnë një pauzë nga ndjekja e afateve të Brukselit, të paktën Zaevi le t’i shfrytëzojë të gjithë ata që deri më tani kanë punuar intensivisht për BE-në, që të punojnë për zbatimin e rregullave evropiane në shtëpi. Le ta shtrëngojë paksa atë administratë që gatuan online që të bëjë ndonjë punë për të mirën e përgjithshme. Nëse ne nuk mund të shkojmë në BE, atëherë le ta sjellë ai BE-në këtu. Por, duhet të shohim se diçka po lëviz. Se ka ndryshime. Se nuk janë të gjithë njësoj.

Nuk më intereson më se çfarë dëshiron të thotë një historian i frustruar i Sofjes. Më intereson nëse ajri ynë do të jetë i pastër. Nëse ligji do të vlejë për të gjithë në mënyrë joslektive, nga shkeljet në komunikacion e deri në krimin e organizuar. Më intereson nëse planet urbanistike nuk janë të korruptuara dhe sigurojnë një jetesë humane. Më intereson nëse mendohet për qytetarët, apo vetëm për investitorët. Nëse tenderët përgatiten që t’i fitojë më i miri. Nëse aparati shtetëror mbushet me njerëz që nuk punojnë, të cilët si kapacitetin e vetëm të tyre kanë partinë, e jo diturinë dhe fitojnë fuqinë që të na bëjnë dëm të gjithëve. Si përfundim, më intereson nëse do të mbarojë politika e dënimit të të ndershmëve dhe shpërblimit të të paftyrëve.

Këto ishin shpresat të atyre që ndihmuan që Zaevi të vijë në pushtet në vitin 2017. Akoma kemi frikë se çdo ndalesë e eurointegrimit do të thotë kthim të regjimit.

3 Vallë kaq shumë s’mund të gjendej një, të paktën një deputet i opozitës, i cili do të ndahej nga tufa partiake që të mos merrte pjesë në bllokimin e Kuvendit me mijëra amandamente të pakuptimta në mes të pandemisë, ndërkohë që njerëzit vdesin nëpër spitale, personat mjekësorë janë rraskapitur, punëtorët mbesin pa punë, kurse ekonomia pret ndihmë? Të paktën njëri të gjendej që të mos i recitonte urdhrat e partisë? Të paktën njëri të pyeste veten: Kujt po i bëjmë dëm? LSDM-së? Apo vetes dhe qytetarëve tanë?

Deputetët e opozitës as nuk e fshehin fare se nuk u interson cilësia e ligjeve. As nuk kanë lexuar ato. Ndërkohë njerëzit le të vdesin nëpër spitale. Tamam. Pastaj do të japin deklarata para po këtyre spitaleve e do të thonë se si sistemi nuk vlen. Do të vozisin makinat, duke thënë se demek, po protestojnë.

Nuk mund as ta imagjinoj se ekzistojnë deputetë të cilët e kanë më të rëndësishme të mbledhin likes në Facebook, se sa t’u ndihmojnë qytetarëve që i votuan në kushte jonormale. Pasi edhe votuesit e tyre sëmuren, vdesin dhe mbesin pa punë.

Thonë se me sjelljen e amandamenteve qenkan tallur. E paskan qenë qesharakë. Po. E vërteta është se është shumë qesharake kur dikush me 70.000 denarë rrogë, plus pagesat rrugore e ditore dhe anëtarësi në komision i bllokon 6.000 denarët e dikujt që pret ndihmë shtetërore.

Një gjë është të duash të arrish në pushtet, e një tjetër është të shqetësohesh për qytetarët. Prej tyre ne kërkojmë të tregojnë vetëdije të deputetëve, ndërsa ata nuk shfaqin as vetëdije njerëzore.

4 Flasim për disa komisione historike, merremi me Samoilin, me Goce Dellçevin, ndërsa harrojmë se çfarë ka ndodhur dje. A nuk e shihni se si VMRO-DPMNE-ja nuk sillet aspak ndryshe nga vetëm 4 vjet më parë, kur protestonte para KSHZ-së dhe kërcënohej me “netët me thika të gjata”. Pastaj Gruevski u bëri thirrje që të mos rrijnë në shtëpi, dhe në 27 prill 2017 e sulmuan Kuvendin. Mickoski tani e citon Sllavsko Janevskin, kurse VMRO-DPMNE-ja e lustrontre 13 vjet pas vdekjes. E vdiqën gjytarin me porosi për lustrim. Harruam se deputët e tyre shëtisnin me pasaporta bullgare dhe tabela bullgare në veturat e tyre. Harruam se kush e valonte flamurin e Verginës në Olimp dhe kush e përbuzte Bllazhe Koneskin duke e quajtur “xhuxhi i Nebregovës”. Ja ku është. Antonio Milloshoski, agregatori i lajmeve të rreme në mediat bullgare, i cili tani më shumë se kurrë e akuzon qeverinë se i dorëzohet Bullgarisë.

Në realitet, e gjithë politika e VMRO-DPMNE-së ka të bëjë me bllokimin e shtetit. Çfarë mund të presësh nga Hristijan Mickoski? Që kur u arratis i nderuari, janë paralizuar dhe nuk e kanë idenë se ç’të bëjnë. Gjithçka që mund të ofrojnë është bllokimi dhe nja tirdhjet makina që buçisin rrugëve.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира