THIRR POLICINË

Është budallallëk që çdo mëngjes sapo zgjohemi, të shohim se çfarë ka thënë Sofja dhe si e kanë komentuar atë në Uashington dhe Bruksel, e të mos shohim se çfarë po na ndodh në Shkup.

1 Pamja e parë – Fllad buzë luqenit, pak Oteshevë, pak Ohër.  Atje, e gjithë qeveria, të gjithë ambasadorët, politikanët, ministrat, gazetarët, ekspertët, analistët … E gjithë bota është mbledhur në një vend, Amerika dhe Evropa po diskutojnë rëndësinë e Ballkanit Perëndimor, perspektivat evropiane të rajonit, sigurinë globale dhe çështje të thella të politikës së lartë. Quhet “Forumi i Prespës – dialog”.

Pamja e dytë – qendra e kryeqytetit. Dielli përcëllon, jashtë është dyzet gradë, i gjithë vendi në fazën portokalli. Qindra njerëz për orë të tëra presin jashtë në shkallë, ndërkohë që fryn një erë jugu nga Saharaja, a thua dikush ka ndezur ndonjë tharrës flokës në gjithë këtë të nxehtë.  Brenda, s’merret frymë. Kush me maskë, kush pa maskë, i djersitur, gra e burra të ngjitur, familje të tëra, duke marrë frymë pranë njëri-tjetrit, fëmijë që qajnë, njëri flet në telefon të zërë lidhje që të mbarojë punën më shpejt, një tjetër shtyhet që ta kalojë radhën, i hedhin vetes ujë që të freskohen, të tjerë bërtasin, kërcënojnë, thonë se do të rrihen… Fotoja nuk është nga një evakuim emergjent, njerëzit nuk po rrihen për të shpëtuar veten e tyre, por për të marrë dokumente personale në dhomat ku shteti bën fotografi për letërnjoftime, pasaporta dhe patenta shoferi. Kur, njërit nga turma i kujtohet: “Thirrni policinë”, bërtet ai me të madhe, e të tjerët qeshin me të:”Ç’polici, ore. Po ne jemi në polici”.

Ja, kjo është jeta jonë e përditshme, larg glamurit të proceseve të integrimit evropian. Të thërrasësh policinë, kurse policia të mos mund të të ndihmojë edhe pse ti ndodhesh në mesin e policisë!  Të kërkosh shërbim nga shteti të cilit i paguan tatime, e ndërkohë shteti të mos të ta kryejë punën, edhe pse ti je drejtuar në një institucion shtetëror i cili është përgjegjës për të kryer punën tënde në kohë. Ky nuk është vetëm rasti i MPB-së. Të gjitha institucionet janë kështu. Asnjëra nuk është këtu kur të nevojitet.  Të të duhet të thërrasësh policinë brenda stacionit policor- ky është dialogu ynë i vërtetë i Prespës.

2 Kështu që, unë nuk jam shumë i shqetësuar për veton e dytë të Bullgarisë për fillimin e negociatave me BE, edhe pse sinqerisht, tashmë jam lodhur nga pritja dhe letargjia. Por jam i shqetësuar se tani elita në pushtet, çfarëdo që të votojmë në të ardhmen, do të ketë gjithmonë një justifikim për dështimet e saj, ashtu siç për 25 vjet kanë gjetur justifikime në Greqi. Tani, Bullgaria është Greqia e re, por akoma më e frikshme.

Më kot presidenti Stevo Pendarovski shpreson që tani prioriteti i presidencës sllovene do të jetë zgjerimi i BE-së dhe kjo është arsyeja pse është mirë që presidenca portugeze ka mbaruar. Edhe për Gjermaninë, fillimi i negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë ishte një prioritet, por madje edhe ajo dështoi.  Propozimi portugez, të cilin populli ynë e quan një bazë e mirë për përparim, ishte një propozim i azhurnuar gjerman. Tani sllovenët do të bëjnë një propozim të modernizuar portugez. Pastaj do të vijnë francezët. Ata nuk do të bëjnë as propozim, sepse presidenca e BE-së do të përkojë me zgjedhjet e tyre presidenciale. Të gjithë ndryshuan, vetëm Bullgaria mbeti me veton. Pra, kot Qeveria thotë që dëshiron të negociojë, kur nuk kemi se për se të negociojmë, sepse Bullgaria nuk pranon as propozimin gjerman dhe as atë portugez.

Në thelb, nëse Bullgaria vendos përmes vetos që Maqedonia të drejtojë betejën me partnerët e BE-së për hyrjen në sistemin Shengen – ne nuk mund të bëjmë asgjë këtu. Dhe nëse tema e dialogut është “ose ju do të pranoni se jeni bullgarë dhe flisni bullgarisht, ose asgjë nga BE”, atëherë – asgjë nga BE.

3 Ne kemi qenë duke u marrë me pasojat e kovidit dhe pasojat e vetos bullgare për një vit e gjysmë. Sepse për një vit e gjysmë, përveç kovidit dhe Bullgarisë, nuk kemi asnjë lajm tjetër në vend. Vetëm numërojmë të vdekurit dhe numërojmë vetot bullgare. Por këto pasoja i ndiejmë ne, dhe jo qeveria.

Është e qartë se na kapi një vorbull e re, nga e cila mund të mos jemi në gjendje të shpëtojmë për tridhjetë vjetët e ardhshme. Por çfarë të bëjmë me jetesën tonë këtu? Kur do të bëhet kjo një përparësi për çdo qeveri, nëse tashmë kemi vendosur që nuk jemi gati të shkojmë poshtë kësaj për t’u bërë pjesë e BE-së? Është budallallëk që çdo mëngjes sapo zgjohemi, të shohim se çfarë ka thënë Sofja dhe si e kanë komentuar atë në Uashington dhe Bruksel, e të mos shohim se çfarë po na ndodh në Shkup. Është e turpshme që bashkësia ndërkombëtare të jetë ndërgjegjja e qeverisë, ose siç do të thoshte Zaev, kamxhiku për qeverinë, në vend që të jenë qytetarët që paguajnë tatime dhe votojnë në zgjedhje.

4 Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi shkoi në Parlamentin Evropian në Bruksel dhe u drejtua në gjuhën shqipe, megjithëse sipas Kushtetutës, gjuha maqedonase është gjuha zyrtare për përdorim ndërkombëtar.

Xhaferi është njeriu i dytë në vend. Si ligjvënës, ai e di me siguri që Kushtetuta është më e fortë se ligji që përcakton se ai mund të flasë në gjuhën shqipe në Parlamentin e Maqedonisë. Jashtë vendit, gjuha zyrtare është maqedonishtja. Për më tepër që, Xhaferi di maqedonisht, nuk është si lideri Ali Ahmeti. Por Kryetari i Kuvendit, në stilin e anëtarit të partisë Ramiz Merko, shprehet “S’më bëhet fare vonë.” Meqenëse ata janë parti e gjelbër, janë mbi Kushtetutën.

Dhe ja- le të themi që shqiptarët u gëzuan që Xhaferi fliste shqip në Bruksel. Po maqedonasit, të gëzohen? Apo sa më i madh të jetë poshtërimi i maqedonasve, aq më e suksesshme fushata e BDI-së?

Ndërsa LSDM-ja shqetësohet se çfarë do të thonë të huajt, BDI-ja shqetësohet vetëm për shqiptarët. Sepse, nëse mbrohen interesat e maqedonasve, nuk është politikisht korrekte, por për interesat e shqiptarëve gjithçka është politikisht korrekte.

Sa më i dobët partneri qeveritar, aq më i lartë është çmimi për BDI.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира