TIPIKE E LSDMS-SË

Zaevin do të mbajmë mend se në kohën e tij gjykata mbeti në robëri.

TIPIKE E LSDMS-SË

1 Pse jeni kaq negativë ndaj Qeverisë? I mbytët ditë për ditë. Ç’u bënë ata? Thes boksieri? Ka dallim. ja për shembull, Hazbi Lika si zëvendëskryeministër nuk shkonte në punë. Sadulla Duraki të paktën njeh internet eksplorerin.

E kur ta shohim mirë e mirë, edhe gjykatësit punojnë për idenë e Zaevit. Jetë për të gjithë. Përveç për Mile Janakieskin. Ama, edhe në rastin e tij, nëse shpik një arsyetim origjinal, nga thellësia e zemrës, e deri në qiell, për të gjitha zullumet për të cilat është akuzuar, ndoshta do ta kalojë pragun e faljes. E që të jetë në përputhje me sloganin e Revolucionit laraman “Do të bëni burg” (Ќе си лежите), do t’ia kthejnë dhe pasaportën që të mund të shkojë dhe ai të shtrihet si të tjerët. Dikush në plazh, dikush në ndonjë hotel në Budapest.

Në Maqedoninë e artë nuk mund të të kapë as depresioni. Se ia plas gazit kollaj nga kjo jetë e re që nuk erdhi e që na ra si një shi i rrëmbyer vere. Sikur të jenë duke mbajtur ndonjë lloj norme. Mëngjes, drekë, darkë, një dozë e rregullt argëtimi për publikun. Që të kenë për se të murmurisin, siç do të shprehej kryeministri Zaev. E si të mos murmurisësh kur çdo ditë të japin nga gjashtë-shtatë arsye për ta bërë. Edhe të duash të përmbahesh, nuk mundesh, kur shikon se ai vë Sadulla Durakin për zëvendës kryesministër.

2 E provova të mos ankohem, por si mund të mos u hidhërohesh kur e lanë të ikte Nikolla Gruevskin? I cili tani u dërgon zemra dhe emotikone nga Budapesti dhe tallet duke u thënë që ta ruajnë autostradën deri në Shtip e të mos ia shkatërrojnë asfaltin. Heeee, Gruevski tallet me ta, me atë sens të njohur humori. Hë bre, deri ku është ai procesi i PSP “Trajektorja”? Bisedat me “të verdhit” dhe “se mos është shumë” apo “Deal oriented” …Të ishte në Shutkë, në vend të një hoteli në Budapest, do ta shihnim nëse do të mund të qeshte me zemra dhe emotikona. Kurse tani, s’ju ka mbetur gjë tjetër veçse të qeshni me humorin e tij. Dhe ta prisni t’ju kthehet. Se ai ju quan “priftërinjtë e qeverisë”. Të kthehet për reformuar gjykatën. Dhe t’ju çojë në burg.

Aaaaa…Më falni. Harrova se ne jemi një shtet serioz ku pushteti ekzekutiv nuk përzihet me atë gjyqësorin. Ja që duhej të përzihej. Që tani. Përjashtoi të gjithë, nga Gjykata supreme e deri te arkivuesi i Gjykatës themelore dhe nxirr një shpallje të re për gjykatës dhe zyrtarë të gjyqësisë. Sikur të mos e dinim se me ç’lloj gjykatësish kemi të bëjmë. Më mirë të mos kishim gjykatës dhe gjykime për dy vjet, se sa të luanin me ne në këtë mënyrë.

Për shembull, hidhini një sy justifikimit për gjykimin e Llatasit me anë të të cilit ai lirohet nga akuza për ndërtime të paligjshme. Ti kërkon nga gjykata drejtësi dhe respekt të ligjeve, kurse gjykata shkakton një dëm edhe më të madh se sa ndërtimi i paligjshëm.

Të flasim drejt. Asnjë njeri normal as nuk e priste se Llatasi do të shkonte në burg për tre shtëpi të ndërtuara pa leje. Kështu që edhe shpëtimin e tij nga akuza mund ta përtypim disi. Mirëpo, të thuhet në gjykim se Llatasi nuk është fajtor pasi askush nuk ka lajmëruar se ai ishte duke ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe të thuash madje se ndërtimet e tilla të paligjshme nuk janë çështje të interesit publik, është njësoj si kur të kapin se ke vjedhur, por njëkohësisht të lirojnë pasi askush nuk ka lajmëruar për vjedhjen tënde.

U ngrit i gjithë shteti në mbrojtje të Ohrit kundër UNESKO-s, pasi për shkak të ndërtimeve të paligjshme do ta vendosnin në listën e trashëgimive të rrezikuara kulturore. Delegacioni shkoi deri në Baku për ta shpëtuar Ohrin, kurse këtu ndërtimi i paligjshëm nuk qenka interes publik, se askush nuk paska lajmëruar. E pastaj habitemi se pse askush nuk mund t’i rrënojë as platformat e paligjshme të Matkës. Ndonëse të gjithë i paraqitëm ato.

Për më tepër, cili qytetar ka guxuar që ta paraqesë Llatasin në vitin 2013? Çfarë do të ndodhte me të nëse do ta bënte një gjë të këtillë? Cili inspektor guxonte t’i shkonte te objekti, e le më ta rrënonte?
Më minimalja që mund t’i ndodhte është ta vendoste në ballinën e gazetës “Veçer” dhe të ngrinte bujë në televizionin “Sitell”. Ashtu siç i ndodhi shumicës. Ndërkohë e dëgjuam “Alo naçallniçe! Dëggauuu…”

Kush e di se kujt , çfarë, sa dhe pse i kanë borxh gjykatësit dhe prokurorët? Por, në fund të fundit, fajin për mosreformimin e gjyqësisë do ta ketë Zaevi. Punët si ajo se si Janakieski ka kërkuar gjyqin në shpi, por gjykimi është shtyrë pasi gjyqi nuk e gjeti Janakieskin, se e ka vendosur në Shutkë, do të tregohen si shaka. Edhe gjykimin e Llatasit do ta harrojmë. Por Zaevin do ta mbajmë mend se gjatë kohës së tij gjyqësia mbeti në robëri.

3 Ashtu siç nuk do ta mbajmë Rashkovskin. Por Zaevin do ta mbajmë mend. Dhe s’do ta mbajmë mend për faljet deri në qiell, në emër të të gjithë atyre rreth tij. Edhe Gruevski thoshte për Mijallkovin, kur e zunë me pistoletë në bagazhin e dorës në aeroportin e Beogradit se “me shumë gjasa i ka ndodhur një gabim”. Do ta mbajmë mend Zaevin, e si elita e tij partiake do të na e kthejë Gruevskin, por në një variante edhe më të keqe.
A nuk është e çuditshme se si këta të VMRO-së nuk kanë bërë asnjë punë, nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi për shtetin, nuk kanë qëndrim për asnjë çështje të rëndësishme, vazhdimisht mbrojnë krimet e kryesisë së kaluar, e ndërkohë gjithsesi u rritet rejtingu vetëm duke i lexuar lajmërimet nga kamerat idiote dhe duke u shfaqur në televizion. Madje as për patriotizëm dhe nacionalizëm nuk bëjnë. Në kartolinën drejtuar Ursulla fon der Llajenit nga partia motërore në Gjermani me rastin e nominimit për president të komisionit Evropian, Mickoski shkroi “toka ime”.

Kurse këta të LSDM-së logjikojnë. Kanë një mendim për çdo gjë, por përgjithësisht asgjë nuk mund të zgjidhin. Dhe ankohen sa kanë ardhur në pushtet në një kohë shumë të keqe. E se nuk mund të rregullohet gjithçka që është shkatërruar me vite të tëra brenda dy vjetësh. E se “unë punoj, po, po këta të mitë nuk punojnë. Janë paksa konfuzë edhe me kompetencat. Kështu që çfarëdo që të bëjnë – është për kot. Tipike e LSDM-së. Shiko sa të mençur jemi ne, sa sharmantë jemi, kurse njerëzit le të ankohen.

4 Me të vërtetë, kot e kanë, kur me budallallëqet e tyre vetë e prishën masën më të mirë që e kanë sjellë – kthimin e një pjese të TVSH -së. Dhe realizuan premtimin që dhanë në fushatën parazgjedhore. Të ndodhte kjo në kohën e Gruevskit, e dini se ç’do të bëhej? Do të jepnin raporte ditore mbi shumën e parave që janë kthyer te njerëzit. Gazetarët gestapo të Sitellit dhe Kanal 5 do të bënin kujdestari para supermarketeve dhe do të bënin anketa me qytetarë të lumtur të cilët do të nxirrnin faturat fiskale nga qeset. Stavresvski do të organizonte skanim masiv të faturave. Ministri i informatikës do t’u kishte ndihmuar ta shkarkojnë aplikacionin. Kurse Gruevski personalisht do t’i kishte paguar paratë e para.
Por kjo masë paska qenë budallalloske. Nuk paska llogari nga mbledhja e faturave. Eheee, do të mundohem tani për 1.500 den. Eheee, vallë për 100 den do të matem? E me siguri as aplikacioni nuk është aq i sigurtë. Kush më garanton mua se të dhënat personale nuk do të mi keqpërdorin?

Po Fejsbuku, ju garanton për privatësi!?Me ato story-t nga plazhet dhe sofrat tuaja që na dalin çdo 5 minuta.

Ore, i blinin me një sanduiç dhe lëng që t’i mblidhnin me autobusë deri në tubime. Qeveria do t’ua rriste pensionin në mënyrë lineare për 500 denarë, e do të kishin bërë njëqind konferenca shtypi për t’iu falënderuar Gruevskit. Dime Spasovit i falënderoheshin. E këtej thonë – të varfërit do të merrkan shumë pak, të pasurit do të fituakan më së shumti. Në vend që t’u japin banesa vetëm njerëzve të tyre. Me lojërat shpërblyese të lotarisë shtetërore.

5 Madje edhe Tamara qëllimisht e këndoi himnin e Maqedonisë me një gabim te ceremonia e ambasadës amerikane, pa e përmendur Goce Dellçevin, që t’i fshihte politikat e Zaevit. Dhe për këtë gjë duhet të shkojë në burg. Por, amerikanët na kanë përgatitur një provë veç për të ndryshuar himnin, e më pas Tamara do të shpëtonte nga burgu. Por prapë se prapë do të dënohet në Radio Kavadarci ku nuk do t’i lëshojnë këngët e saj. ”… Para dyrve flinte si qen, nëpër shekuj digjej për ne…” (Пред вратима спавала ко пас, кроз векове горела због нас…)

Epo Hristijan Mickoski me gjithë kryesinë, kush i akuzuar e kush jo, ishte në festën e 4 korrikut në kala. As patriotët e as mbrojtësit e identitetit nuk e vunë re se Tamara e gaboi strofën ku përmendet emri i Goce Dellçevit dhe Pitu Gulit. Ditën e nesërme madje edhe na shanin se pse nuk e paskemi kuptuar se çfarë komploti ndërkombëtar na kanë shpikur që të na shkatërrojnë kombin.

Në 2019 amerikanët i paskan thënë Tamarës të këndojë gabimisht. Por Tamara ka kënduar po të njëjtin himn (gabimisht) edhe në ndeshjen e futbollit mes Beligjikës dhe Maqedonisë të viti 2013. Po atëherë kush i ka thënë të këndojë gabimisht? Mos vallë i është lajmëruar Gruevski personalisht? Apo Martin Protogjeri? Apo Milloshoski? Apo Beti Kançeska? Apo këtë operacion e ka drejtuar Qendra për komunkim e VMRO-DPMNE-së e kryesuar nga Ilija Dimovski?

Ore, unë po shqetësohem se mos i kanë thënë edhe për këtë punë Miles.

Përktheu: Fjolla Zllatku

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари