TRAJTIM VIP

Nuk ka problem. Kërkoni ju armiq. Por, të paktën gjeni ato.

1 Që kur edhe kryeministri Hristijan Mickoski ka shkuar në pushim, domethënë nuk është aq urgjente nevoja për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e shtetit. Destabilizimi, të cilin sipas dijenive të tija po e përgatit BDI-ja, mund të presë. Ç’është e drejta, edhe vetë Mickoski lajmëroi se destabilizimi do të na vijë në vjeshtë, por nuk është e fer që ato dijeni të zbulimeve me të cilat disponon, të na i tregojë para kohe.
Mund të na kishte lënë rehat të paktën t’i kalonim pushimet.

Së pari, në fjalimin e Ilindenit në Meçkin Kamen kryeministri na zbuloi se “ekzistojnë elemente dhe subjekte në shoqëri, të cilat vazhdimisht vendosin në tavolinë kërkesa që krijojnë konflikte”.
Pastaj, dy-tri herë i identifikoi këto “subjekte” si BDI-ja, e cila do të bëjë destabilizim që t’i fshehë krimet dhe paralajmëroi se “disa grupe do të manipulohen pa e ditur që ta nxisin integritetin dhe sovranitetin territorial”, ndërsa “BDI-ja e rrezikon fotografinë ndëretnike në shtet dhe paraqet kërcënim ndaj paqes dhe stabilitetit të Maqedonisë si shtet”.Gjë pas së cilës, edhe ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski tha se “ekzistojnë informacione që janë në drejtim të asaj që e flet kryeministri dhe publiku duhet të ishte i njoftuar me të gjitha faktet”, por tha se qytetarët nuk duhet të mërziten.

E mbajmë mend parimin e qeverisjes së Nikolla Gruvskit – kërko armik dhe pastaj shpëtoje shtetin.

S’ka problem, Kërkoni ju armik. Por, të paktën gjeni ata.

A e mbani mend kohën, kur ndodhte që befas pas një periudhe të qetë të dëgjohej një e shtënë para ndërtesës së Qeverisë. E pastaj vijonin konferenca shtypi, deklarata, “morën vesh nga burimet e zbulimit” dhe – askush nuk zbuloi as se kush ka shtirë, as se pse. Me të vërtetë, ka kaluar mjaft kohë, rrethi është mbyllur, VMRO-DPMNE-ja është kthyer në pushtet, por mua akoma më tingëllon në vesh kjo replikë nga bisedat e përgjuara: “Po sikur të bëjmë luftë!”, nga periudha kur koalicioni me BDI-në u funksiononte shumë mirë. Kurse për aksionin për “shpërbërjen e grupit terrorist” në Lagjen e Trimave të Kumanovës në 2015, ku humbën jetën 8 policë specialë, të mos bisedojmë fare, shumë e dhimbshme kjo temë.

Me sa duket Mickoski ende nuk e ka kuptuar se nuk është më në opozitë. Është kryeministër. Nën udhëheqjen e tij është edhe Ministria për punë të brendshme dhe një mori e shërbimeve tjera shtetërore që kanë përgjegjësi për sigurinë e shtetit. Të gjitha shërbimet në botë kanë zbulimet e tyre dhe i zgjidhin ato. Kjo është puna e tyre. Si qytetar, nuk pres nga kryeministri që të më tregojë në televizion se ka indicie se dikush dëshiron ta destabilizojë shtetin, e të më lajmërojë se ky destabilizim do të ndodhë në vjeshtë. Nga një kryeministër pres të më tregojë se çfarë kanë ndërmarrë organet shtetërore. A i kanë identifikuar ata që bëjnë destabilizim, a i kanë thirrur në bisedë informative, a kanë ngritur padi penale, a i kanë arrestuar. Nëse janë aq serioze indiciet, edhe presidentja Gordana Siljanoska-Davkova do ta thërriste Këshillin e sigurisë që këtë verë.

Ky informacion do të ishte i vlefshëm për mua. Ky informacion do të më ngushëllonte. E jo kështu, kryministritë shqetëson dhe shkon në pushim.

Puna është: Unë t’ju them, po ju mendoni qysh e tek.

 2 Ore, aspak nuk ia mendojmë. Ka se kush mendon për sigurinë e shtetit dhe të qytetarëve.
Ja, kuadrot e reja udhëheqëse të MPB janë fiks të goditura. Zëvendës-ministri i koalcionit Vlen Astrid Iseini është doktor kineziolog, me fakultet të kryer për kulturë fizike. Sekretari i ri shtetëror i MPB-së Sasho Petrushevski i ZNAM vjen nga vendi drejtor i parkingjeve të Kumanovës, ndërsa para kësaj ka qenë drejtor i “Pastërisë dhe gjelbërimit”.
Vlen apo ZNAM, njësoj është. Shteti mund të mos jetë stabil, por koalicioni qeveritar duhet të jetë.
Kuadrot janë ato, më të mira nuk ka.

3 Gjynah që ministri Toshkovski e pezulloi nga puna shefin e sigurimit të spikerit të Kuvedit Afrim Gashi, i cili ka nxjerrë armë në sallonin VIP të aeroportit të Shkupit që ta kalojë nëpër kontrollin e sigurimit presidenten e Kosovës Vjosa Osmani pa bagazh të skanuar.
Ata të BDI-së ishin qullashë. Në kullën e kontrollit futeshën me kartat e evidencës dhe rriheshin me grushta. Këta të rinjtë të Vlenit janë të gatshëm t’i vënë kolegut pistoletë në kokë dhe kështu ta çojnë presidenten e Kosovës deri në avion pa i kaluar telefoni në skaner. Imagjino, dikush ka paguar për sallonin VIP në aeroportin e Shkupit dhe përnjëherë vjen një polic civil me drita rrotulluese dhe me pistoletë. Dramë e pengmbajtjes me trajtim VIP. More, nuk i është cënuar jeta Vjosa Osmanit. I është prekur sedra.

Ja pra, policë të tillë e mbrojnë shtetin nga destabilizimi, policë të cilët janë të gatshëm që në territorin e Maqedonisë të zhvillojnë betejë për Kosovën.

4 Kryeministri i Kosovës Albin Kurti për incidentin me presidenten e Kosovës tha se ai dhe Mickoski nuk mund të jenë edhe doganierë edhe policë edhe inspektorë policorë, edhe ata që e mbikqyrin aeroportin etj…
Kurti le të flasë për vete. Mickoski ynë mund të jetë edhe doganier. Më 20 korrik, në vendosjen e gurthemelit të një kopshti, tha: “Dhe ta dini, personlisht do t’i shoh fakturat e doganës, kur do të importohen medikamentet. Unë do të qëndroj personalisht dhe do të vëzhgoj që të mos ketë të ardhura jonormale që disa individë të përfitojnë në dëm të shëndetit të qytetarëve”.

Vetëm mos qëllojë që аtëherë kur do të mbërrijnë dërgesat e ilaçeve t’i kujtohet presidentes së Kosovës të fluturojë nga Shkupi. Pasi, Mickoski tha se herën tjetër do të jetë ai vetë që e shoqëron kur të udhëtojë nga aeroporti i Shkupit, sepse ai incident “shkaktoi ndjenjë për të cilën na vjen shumë keq dhe nuk do të donim të përsëritej”. Ai thotë se personalisht nuk e përdor sallonin VIP dhe se ai si kryeministër, po edhe presidentja maqedonase kalojnë nëpër të gjitha kontrollet standarde të sigurisë, por kur do të udhëtojë Vjosa Osmani do të jetë kënaqësi për të “që ta presë si nikoqir në aeroport edhe në rastet kur nuk fluturon nga Shkupi, ta shoqërojë në kohën që do ta kalojë në aeroportin e Shkupit që të shmangim këto lloj incidentesh”.

Pa shikoni. Edhe kryeministër, edhe doganier, edhe sigurim i aeroportit, edhe shoqërues i VIP. Mos ka Mickoski ndonjë rentgen të fshehur për kontroll të bagazhit, e me atë do ta kontrollojë presidenten? E çka nëse e pret dhe e përcjell? Ai, si kryeministër që i respekton procedurat e sigurisë, dhe ajo si presidente që nuk do që t’i respektojë procedurat e sigurisë. A do ta ngushëllojë në sallonin VIP ndërkohë që ajo e shikon me pikëllim teksa ia kalojnë telefonin në skaner? Çfarë do t’i thotë, vallë? Mos u mërzitni, zonja presidente, kështu është në gjithë botën, gjithmonë kur dikush fluturon në fluturime komerciale, të gjithëve ua kontrollojnë bagazhin personal. Ja, nëse duhet edhe telefonin tim le ta kalojnë në skaner.

5 Ministresha e arsimit dhe shkencës Vesna Janevska kërkoi falje në publik për “deklaratën jo mirë të formuluar” për tekstet shkollore për gjuhë të huaj. Mundej thjesht të thoshte se tekste shkollore për gjuhë të huaj nuk do të ketë edhe në vitin e ri shkollor sepse qeveria e kaluar nuk i ka siguruar ato, dhe kjo do të ishte krejtësisht në linjë me justifikimet e preferuara të Qeverisë së re. Në vend të kësaj, Janevska zgjodhi ta thoshte këtë:
“Gjuha është e gjallë, e dini, fëmijët fillojnë ta mësojnë që prej serive. Çështja është të kuptojnë dhe të flasin, jo ta mësojnë gramatikën e të huajit në gjuhëne tyre, emra, mbiemra etj, mendoj se ky nuk do të jetë asçfarë problemi”.

Ministreshën duhet sikur e ka shkeluar koha. Fëmijët tani mësojnë të flasin gjuhë të huaja nga televizioni dhe pajisjet celulare që kur janë foshnja, ndërsa mësojnë edhe në kopsht, prandaj kur janë në moshë shkollore u nevojiten tekste shkollore që të mësojnë “gramatikë, emra, mbiemra etj”.

Megjithëse për një gjë ka të drejtë. Gramatika, emrat, mbiemrat etj, nuk u nevojiten kur do të plotësojnë formularet për vizat e migrimit.

6 “Ministri për bujqësi, pylltari dhe ekonomisë së ujërave Cvetan Tripunovski realizoi një takim pune me Flakron Bexhetin, zëvendës-ministrin për bujqësi, pylltari dhe ekonominë e ujërave. Tema e takimit të sotëm ishin punët e vazhdueshme në Ministri. “Përmes bisedës dhe koordinimit të mirë, Ministria funksionon për të mirën e bujqve dhe qytetarëve”, theksoi ministri”, thuhet në kumtesën e dërguar deri te shërbimi i shtypit të Ministrisë.
Takimi paska qenë takim pune. Dhe paska qenë për aktivitete të vazhdueshme. Dhe për një kumtesë me gjithë fotografi për publikun. Askush askujt nuk i është futur me pistoletë. Dhe as nuk e ka rrahur me grushta. Dashamirës ka qenë ky takim i realizuar nga ministri dhe zëvendës-ministri nga po kjo ministri.

Epo, kjo me të vërtetë nuk mund të bëhet parodi.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира