TUNELI I DASHURISË

Mapim i praktikave - #ProjektHaraçina

1 Imagjinoni, ai shiziku i Haraçinës që voziti “bentlin” nëpër sheshin plot zbukurime të Vitit të Ri ta kishte bërë këtë gjë, për shembull, në Uashington, apo Nju Jork. Në të gjitha televizionet botërore do të qarkullonte një makinë me plumba, me lajmin se është parandaluar një sulm terrorist në zonë këmbësorësh. Edhe në Paris dhe Londër, nuk besoj se do të rrezikonin. Do të mendonin se është terrorist dhe nuk do t’i jepnin as mundësinë që të shpjegojë arsyet e tij në polici. Eventualisht në Stokholm, Berlin, Amsterdam mund edhe të shpëtonte, por me siguri do ta dërgonin në ndonjë kontroll psikiatrik e do t’ia konfiskonin përjetësisht patentën. Kurse në Cyrih apo Gjenevë, makinën do t’ia kishin çuar aty ku çojnë hekurin e vjetër. Patenta do të ishte diçka që i përkiste vetëm se shkuarës, ndërsa ky person do të kishte ndalesë për të vozitur çfarëdolloj mjeti transporti.

Mirë ama, te ne, askujt nuk i shkon mendja për terrorizëm kur është krejtësisht normale që dikush të vozisë automjetin në kejin e Vardarit mes stoleve dhe mysafirëve të ulur në tarracat verore për një pije apo ushqim, e të parkohet nën urat e Vardarit. Prandaj, konsiderohet një arritje e madhe kur një shizik të tillë e zë policia, e madje edhe e dënon.

Vozitësit të “bentilit” ia dha dënim prej 45 eurosh. Personalisht, konsideroj se lartësia e dënimit nuk është për t’u diskutuar. E rëndësishmja është se dikush është dënuar. Ky fakt ishte i mjaftueshëm që kryetari i kryeqytetit Petre Shilegov të lëvdohet se policia ka arritur dikë të dënojë sepse ka vozitur me veturë në zonë këmbësorësh në Tunelin e zbukuruar të dashurisë. E materialin dëshmues, proces-verbalin nga dënimi, e publikoi në Facebook. Ky është një akt historik i praktikimit të drejtësisë, në mënyrë që më vonë, fare mirë, për këtë gjest të policisë të mund të lëvdohet edhe ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski.

E nëse vetë akti i dënimit të dikujt që me veturë ka kaluar nëpër dekorimet e Vtit të Ri mund të festohet si një sukses i madh, atëherë çfarë mund të thuhet për të dhënat se i dënuari është nga Haraçina? Eh, ky është një triumf i shtetit të ligjshëm.

Në një shtet – kandidat për BE nuk duhet debatuar mbi lartësinë e dënimit, nëse është i madh, i vogël, i duhur apo jo i duhur. Vetë fakti se dikush është dënuar për vozitje në shesh, po madje edhe se i dënuari është nga Haraçina, duhet të shënohet në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë në BE. Kjo është njëjtë sikur të kishim mbyllur një kapitull të negocimeve që duhet të hapim kur Bullgaria do të heqë veton.

2 Një histori krejtësisht tjetër është se në shtetet të cilat shkeljen e komunkacionit në shesh do ta kishin konsideruar një sulm terrorist, nuk do ta kishe të mundur as të vozisësh një “bentli” nëse paraprakisht pushtetet tatimore nuk të kanë shkundur mirë e mirë që të zbulojnë se nga i ke gjithë ato lekë që të blesh atë makinë luksoze. Te ne, meqë vozitësi është i Haraçinës, e madje për më tepër është dhe i papunë dhe asnjëherë nuk ka punuar gjë, pushtetet tatimore janë ato që kanë frikë se mos ky i shkund njëherë mirë e mirë.
Sepse pronarët e varfër të “bentlive” nuk kanë nga se të paguajnë tatim, nuk ka shumë kohë që Qeveria solli vendimin që të ndihmojë pushtetin lokal të Komunës së Haraçinës me 500.000 euro ndihmë të pakthyeshme nga buxheti shtetëror. Para nga buxheti morën 75 komuna. Qeveria shpërndau 35 milioinë eura komunave për realizimin e 99 projekteve infrastrukturore. Të gjitha komunat që nuk morën para dërguan projekt duke arsyetuar se për çfarë do të mund t’i shpenzonin paratë. Njëra do të bënte kanalizime, tjetra do të pastronte kanalet, një tjetër do të mblidhte mbeturinat, tjetra do të ndërtonte unaza rrugore, e dikush tjetër do të mbillte lule…Të gjithë i kanë bërë detyrat e shtëpisë…Vetëm Haraçina do të marrë para sepse i nevojiten. Nuk kanë projekt? Shkruaj ç’të jetë – kanë krizë kovidi.

Kështu që, edhe kjo mund të vihet re në raportin e ardhëm të Komisionit evropian. Në Haraçinë i jepen para që t’u gjenden pushtetit komunal. Pasi, kanë qytetarë të varfër të cilëve është gjynaf t’ju marrin para për tatim. Dhe kanë administratë të paaftë komunale për të shkruar qoftë edhe një projekt të keq. U jepen para sepse ekzistojnë. Kapitulli për të drejtat e njeriut – i mbyllur.

3 Në fakt, Haraçina ka projekt, por është akoma në fazë eksperimentale dhe prandaj nuk duan të lëvdohen me të. Komuna ka hyrë si projekt-pilot në kornizat e programit qeveritar “Aksion 21”. Ata janë liderë me prioritet numër 5 – Kanabisin – ilaç dhe potencial i jashtëzakonshëm ekonomik – nga programi i Qeverisë së Zaevit për dekriminalizimin e marihuanës.
Ato dy tonë marihuanë që u zhdukën nga firma e prodhimtarisë së kanabisit në Josifovë, gjë pas së cilës policia e gjeti furgonin e braktisur në kalimin kufitar Bllacë, ndërkohë që vetëm një pjesë e marihuanës ishte gjetur në Haraçinë, në realitet nuk ka qenë vjedhje. Ka qenë projekt për kontroll të pavarur të cilësisë, gjë nga e cila varet suksesi i programit qeveritar për marrjen e standardeve evropiane në shtëpi.

Kjo nuk është vjedhje. Nëse kanë dashur të vjedhin, mbartësit e projektit do të kishin vjedhur jo një, por disa kamionë me marihuanë. E nëse do të kishte qenë vjedhje, policia do ta kishte zënë kamionin në patarinë ndërkohë që ka qenë duke vizitur nga Josifova në Haraçinë. Projekt menaxherët vetëm sa kanë parë mostra të kontrollës së cilësisë, mirëpo jo vetëm për prodhimin, por për gjithë zixhirin e lidhur me marihuanën – kontroll të prodhimtarisë, ruajtjes, distribuimit, e deri te harxhuesi i fundit. Projekti ka një komponentë gjeografike. Jo më kot marihuana ka udhëtuar nga jugu deri në veri të shtetit. Po, edhe fakti që furgoni është gjetur në Bllacë, e më pas edhe nga shtetet-anëtare të BE-së. Mini-Shengen, PR, marketing, shkëmbimi i eksperiencave, Procesi i Berlinit, bashkëpunimi ndërkufitar, ajo-kjo…

A duhet të analizohet kapaciteti i Haraçinës si një loakcion i rëndësishëm për zhvilim të turizmit? Sa do të kontribuojë legalizimi i marihuanës për prosperitetin ekonomik të komunës e cila është aq e varfër, sa madje dhe vozitësit e “bentlit” janë të papunësuar?

Sipas IPA standardeve kjo quhet “Mapim i praktikave të krijimit të një mjedisi mundësues – #ProjektiHaraçina”.

4 Nëse të dënojnë, pse? Nëse nuk do të dënojnë, prapë, pse? Nëse të dënojnë 45 euro, pse s’të dënojnë më tepër. E kur të dënojnë më tepër, pse s’të dënojnë 45 euro?

E njëjta gjë edhe me vakcinat kovid-19. Pse në Serbi erdhën vaksnat e para, ndërsa te ne nuk vijnë? Nëse do të kishin ardhur fillimisht te ne – përse ne të vaksionohemi të parët, përse nuk presim të tjerët që të vaksionohen? Nëse të japin donacion, pse të mos blejmë vetë. E nëse i blejmë, si i kemi blerë. Nëse donohet ruajtja në frigoriferë, përse nuk blejmë frigoriferë. Nëse shkohet direkt në negocim, si blihet pa tender. Nëse bëhet tender, kaq shumë do të presim, vallë? Deri sa të përfundojë procedura e tenderave, do të sëmuremi të gjithë.

Vaksinat nuk mund të bliheshin dot menjëherë sepse nuk ka ligj. Përse të ketë ligj? Pasi asnjëherë nuk na është dashur blerje urgjente e vaksinave. Por jemi në pandemi. Tre muaj kemi Qeveri të re. E në këta tre muaj nuk kemi punë më të rëndësishme se sa t’i presim vaksinat.

5 Deputetët e opozitës bllokuan dy seanca në Parlament me filibastering. Por duan që filibasteringu të ketë orar të kufizuar pune. Sepse paskan familje dhe duan ta planifikojnë ditën e nesërme. Ndërsa ata që presin ligjet për t’u votuar nuk kanë familje dhe aspak nuk i planifikojnë ditët.
E për më tepër që, ndërkohë që kanë qenë duke shpikur paraqitje të pafundme për të marrë fjalën, që t’i vërtetojnë Talat Xhaferit se janë më të mençur se ai, kanë harruar se kujt po i shesin truke për filibaster. Ishte ai që e integroi filibastering në Kuvend, kur recitonte poerzi dhe mbante heshtje me orë të tëra në debatet e komisioneve në kohën kur BDI ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Talati është master filibaster.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира