UJË I NGROHTË

Tani duhet të shqetësohemi nëse do të bjerë Qeveria në qoftë se “flakët” e BDI-së e braktisinë shumivën sunduese në Kuvend. Na pret një dimër i rëndë, kriza e kovidit nuk është larguar akoma, çmimet po rriten, Putini kërcënohet me katastrofë bërthamore, e neve stabiliteti i shtetit na varet nga një përleshje për para.

1 Ndonjëherë, kur shoh kanalin e Kuvendit në televizor, pyes veten nëse deputetët janë të vetëdijshëm se mbase i ndjekin edhe të afërmit e tyre. Sidomos kur ka seancë për pyetjet e deputetëve. A janë të vetëdijshëm që kur i thonë atë ofendime të pacipa drejt kundërshtarëve politikë, këtë gjë mund ta dëgjojnë edhe familjarët e tyre në shtëpi, shokët me të cilët shoqërohen, komshinjtë, fëmijët e shokëve të tyre…A ushtrojnë, vallë, në shtëpi para pasqyrës se si t’i shqiptojnë të gjitha ato mallkime, sharje, gënjeshtra që i thonë në foltoren e Kuvendit? Çfarë efekti duan të arrijnë? Ç’të duhet një votues që “ndizet” nga mallkimet?

Kanali i Kuvendit është fytyra e tmerrit të elitës politike maqedonase. Atje nuk ka ideologji, nuk ka debat, nuk ka shkëmbim të eksperiencave dhe ideve. Ka vetëm garë se kush do të jetë më i pistë se tjetri. Nga e cila, duhet thënë se VMRO-DPMNE-ja ka përparësi të dukshme në krahasim me të tjerët. Tani për tani personazhi kryesor është deputeti Dragan Kovaçki. Them me vete, duke zgjedhur mes vuvuzelave të bashkëpartiakëve të tij dhe ofendimeve të tija personale ndaj kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ndoshta është më mirë të ketë zhurmë se sa të dëgjohen ndytësitë që dalin nga goja e deputetit.

Pasi të kenë derdhur gjithë helmin nga gojët e tyre do të shkojnë të fotografohen në kishë, do të marrin kungimin, do t’u puthin duart klerikëve, do të ndezin qirinj dhe do të shesin moral për vlerat krishtere.

Deri në çfarë pike do të shkojë kjo hipokrizi? E pastaj, do të habitemi se pse paska përleshje nëpër autobusë. Elita politike promovon politikën oficiale – të urrehemi. Ne duhet të jetojmë me helmin që na e derdhin ditë për ditë dhe të presim se me këtë elite politike gjithçka do të jetë në rregull në këtë dimër të vështirë që po na afrohet.

2 I duhet besuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski se gjithçka do të jetë në rregull, sidomos në konferencën e jashtëzakonshme të natës ku na zbuloi se do të ketë ujë të ngrohtë. Besa, dukej paksa si një drejtor nervoz para bashkëpunimit, e për më tepër edhe gazetarët e nervozonin shumë – bëjnë pyetje në mesnatë. Me sa inteligjencë që iu përgjigj: “Që kur keni paguar faturat, nuk e di nëse i paguani faturat në shtëpi….”Uf, uf…Ndërsa ministrat pas tij të mahnitur qeshin, obobo si ua plasi në fytyrë gazetarëve. U tha se do të lëshojë ujë të ngrohtë nëpër tuba. Sa shakaxhi që jeni, shef! I mbyte…

Kryeministri është shumë i fortë në terren shtëpiak në Ilindenska, buzë Vardarit. Por prandaj në East River të Nju Jorkut para një jave në Kuvendin e përgjithshëm të OKB-së lexonte poezi. Në vend që në fjalimin e tij të fliste edhe për bullgarët edhe për mungesën e principeve të BE-së që na shkaktoi destabilizim të shtetit dhe për mosrespektimin e të drejtave të minoriteteve në një shtet-anëtar të BE-së, ai recitonte për paqen në botë, paqen në shtet. Këtu i nënçmon gazetarët maqedonas që i ka thërritur në konferencë shtypi në mes të natës, a thua Putini i ka lëshuar tashmë raketat nukleare drejt Maqedonisë, ndërsa vjet, në Samitin e qershorit të BE-së, kur për herë të parë e refuzoi propozimin francez në Bruksel, me plot kuptimin e fjalës ia mbathte nga gazetarët bullgarë. Në vend që ai vetë të dallohet me mprehtësi cinike, që ta citojnë nëpër mediat e tyre, e la Edi Ramën që të na e zbardhë fytyrën, që ai t’u thotë se “Bullgaria është turp për BE-në me atë që po i bën Maqedonisë”. Atje presim që ta mbrojë Maqedoninë, ku do ta dëgjojnë dhe gazetarët e huaj, e jo në shtëpi t’i nënçmojë gazetarët e vet me vërejtje të tipit: “Uroj se ju si media po ndiqni se në Evropë ka luftë…” Uf, Uf…Jo. Ne nuk ndjekim. Ju ndiqni.

Po edhe në shtetin e vet, nëse është kaq i fortë, përse nuk i mbështet Ali Ahmetin dhe Artan Grubin që po drejtojnë një Qeveri paralele? Pse e lë BDI-në që të na e drejtojë vetë ajo shtetin pa e bërë hesap atë?

Në fund të fundit, ka thërritur konferencë shtypi, gazetarët janë këtu me pyetje, e Kovaçevski le të kërkojë falje nëse nuk i pëlqejnë pyetjet. Baza e sjelljes së kulturuar të çdo politikani, e sidomos të një kryeministri, është të kesh përgjigje dhe të përpiqesh ta japësh përgjigjen në një mënyrë sa më të besueshme ndaj çdo pyetjeje gazetareske. Pasi kryeministri nuk u përgjigjet gazetarëve. I përgjigjet publikut. Kjo nuk është një luftë sedrash. Është marrëdhënie me publikun, të cilën kryeministri e përbuzi me atë që me ashpërsi dhe arrogancë e mbuloi paditurinë apo paaftësinë e tij.

3 Ministri i financave Fatmir Besimi publikoi se për 9 muaj shteti ka bërë kthim të TVSH-së prej 30,7 bilion denarësh dhe u lëvdua se ky është “historikisht niveli më i lartë i kthimit ë TVSH-së në ekonomi deri më tani”.

Mbledhja e rritur e TVSH-së nuk është për shkak se në mënyrë më efikase mblidhet tatimi. Por sepse është më i shtrenjtë. Sa më të larta faturat e rrymës, aq më të larta TVSH-të. Çmime më të larta në market, më shumë para nga përqindja e TVSH-së. Historikisht çmime më të larta, historikisht më shumë para nga TVSH-ja. Më duket se në klasë të parë a të dytë mësohet kjo lloj matematike. Apo edhe më herët.

Çfarë iu shkrep mendja, vallë, kur i shkruajnë shpalljet? Se nga shtet ikën të gjithë të mençurit, e mbetën vetëm budallenjtë? E ata janë liderë të mençur të një populli budalla.

4 Është interesante se si marrin valë ujërat politike nëpër Maqedoni. Në Shkup për punë parash u hidhëruan kryetarja që fitoi me mbështetje të VMRO-DPME-së Danella Arskovska dhe partia që e mbështeti, por po krijohet një koalicion interesant mes Levicës, GROM dhe BDI. Në BDI u shfaqën disa „flakë“ që janë kundër Artan Grubit.
Në cilën parti tjetër ka llogaritje me kallashnikovë kur përzgjidhen shefat lokalë të degëve partiake. Mos u zunë, vallë, për ideologji? Apo për demokraci? Jo, ore. E gjithë kjo gjurulldi politike është për para. Dhe atë për interes personal, por i maskuar si interes partiak.

Tani duhet të shqetësohemi se a do të bjerë Qeveria në qoftë se “flakët” e BDI-së e braktisin shumicën sunduese në Kuvend. Na pret një dimër i rëndë, kriza e kovidit nuk është larguar akoma, çmimet po rriten, Putini kërcënohet me katastrofë bërthamore, e neve stabiliteti i shtetit na varet nga një përleshje për para.

5 E pastaj çuditemi se pse qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës josinqeriteti, ndytësia dhe në përgjithësi politika. Për më tepër, të hidhëruar siç janë nuk dalin për të votuar, apo në dobi të vetë demit të tyre votojnë për ca kllounë që u duken interesantë. Për inat. Thonë – hajde, t’i provojmë.

Për shembull, më shqetësoi fakti që në Itali, nga gjashtë shtetet themeluese të Bashkësisë Evropiane nga e cila lindi Bashkimi Evropian, për herë të parë pas Musolinit në qeveri vjen një parti e së djathtës ekstreme, por shumica nuk u shqetësuan nga fakti se kanë fituar trashëgimtarët e fashizmit, por e kishin më të rëndësishme se për herë të parë Italia do të bëhet me një grua për kryeministër.

Në fatkeqësinë e të mos pasurit zgjidhje, zëvendësime dhe teza të tilla kemi edhe këtu. Por në rastin e Xhorxhia Melinit, nuk e di nëse ka shërbim më të keq për gratë në çfarëdolloj profesioni, e sidomos në politikë, se sa të ketë një trashëgimtare të fashizmit për kryeministre.

Gra apo burra – nuk ka rëndësi. Nuk është koha që paaftësia të fshihet pas gjinisë.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира