URATA E VENKOS

Le të mblidhet edhe njëherë Senati i Spanjës, t’i shtyjë zgjedhjet në Maqedoni.

URATA E VENKOS

1Nuk jam një person që merr vesh nga ekonomia, por e di se po afrohet fundi i muajit dhe kurdo që të jetë do të duhet të na jepet rroga. Mbase për momentin kjo gjë nuk përfaqëson një shqetësim për 160.000 personat që janë në administratën shtetërore. Mirëpo kjo vlen vetëm për momentin. Gjë që nuk do të thotë se nuk do t’i shqetësojë muajin në vijim, pasi koronavirusi nuk është vetëm një krizë shëndetësore dhe nuk do të përfundojë vetëm me një rrogë.

Është e pritshme logjikisht që në prag të përballjes me një pandemi me rrezikueshmëri të lartë infektimi të thuash: “Veç shëndet paçim”. Do të presësh çdo ditë Uratën e Venkos, që të zbulosh se sa janë infektuar, sa janë testuar, sa prej tyre janë pozitivë e sa negativë, e do të fillosh të bësh llogari se sa kushtojnë respiratorët, sa maska nevojiten, kurse sa për paratë…do t’a mendojmë më vonë.

Ndërkohë, para nuk kemi. As shëndet s’kemi dot pa para. Kështu që, duhet t’a mendojmë që tani se çfarë do të bëjmë pastaj. Nëse nuk ka rroga, nuk ka tatime. Nëse nuk ka tatime, nuk ka rroga për punëtorët shëndetësorë. As ilaçe, as maska, as vaksina, për skafanderë, për respiratorë….Të gjithë jemi pjesë e këtij rrethi.

Pra, siç e shohim, matematika është e thjeshtë. Bëhet fjalë për numra. Kriza ekonomike ka një algoritëm të saj, ashtu siç kanë dhe epidemiologët mbi përhapjen e COVID-19. Herë tjetër, kur të dalë ekipi ekonomik i qeverisë në konferencë shtypi, do të presim masa më të mëdha, dhe më pak citate nga “Seme Sinapovo”.

Nuk ka ekonomi, nuk ka shtet. Erdhi koha e keqe ku shtetit i duhet t’i japë ekonomisë, që të mbahet në jetë. Njerëzit që tani kanë mbetur pa rrogë duhet të vijojnë të jetojnë, që të mundet, kur të kalojë kjo krizë, të vazhdojnë së ushqyeri shtetin. Nuk ka ndarje të tilla si degë shumë të rrezikuara, dhe degë të tjera më pak të rrezikuara…Jemi të gjithë pa përjashtim të rrezikuar. Shteti duhet të japë tani, që të ketë se nga kush të marrë më pas. Nuk mund të presësh nga lopa qumësht, kur t’i nuk e ushqen. Se kështu, ajo do të ngordhë, e ti s’do të kesh para për të blerë një lopë tjetër.

2Këto ishin lajmet nga shteti dhe bota. E tani, vijojnë lajmet nga Marsi.
Komisioni shtetëror i zgjedhjeve (KSHZ) ka konfirmuar radhën e listës zgjedhore për zgjedhjet e 12 prillit.
Nuk kanë faja ta të KSHZ që bëjnë sikur janë normalë në një situatë jonormale. Për ta, afatet shkojnë sipas ligjit. Askush nuk e ka lajmëruar zyrtarisht KSHZ-në se zgjedhje nuk do të ketë. E sipas ligjit, ata nuk kanë kompetenca për të vendosur nëse do të ketë apo jo. Ata janë zbatuesit e zgjedhjeve. Nga të jenë të sigurt se nesër, pasnesër nuk do t’i teket dikujt që t’i çojë në burg se nuk kanë respektuar ligjin. Edhe njerëzit, sipas ligjit kanë organizuar shortin. Ndoshta sipas ligjit do t’i bëjnë edhe zgjedhjet.

3Nuk na mjafton që shohim Venkon nga dy herë në televizion, po tani humbasim kohë edhe me mençuritë juridike të presidentit Stevo Pendarovski dhe me kryetarin e parlamentit Talat Xhaferi. Se shteti nuk ka punë më të mirë, e në mes të krizës botërore do të fokusohet në takime liderësh dhe në ekspertizat e të përzgjedhurve partiakë të cilëve ua matin temperaturën në Vodno.

E dimë tashmë se Talati ka aftësinë t’i zvarritë gjërat që nga koha kur si deputet me orë të tëra lexonte poezi dhe heshtte në Parlament që të shtyjë miratimin e ligjeve. Tani, si kryetari i parlamentit na tregon se si nëse do ta thërritka parlamentin e shpërndarë, do të shkaktonte një presedan ligjor.  Po sa presedanë ligjorë janë bërë në këtë shtet, që tani të jetë korona ajo që do të na e ndaluaka praktikën tonë? Herë është deputet, herë nuk është, herë kryetar, po ama jo deputet, herë paska kthyer mandatin te qytetarët, por ka qenë kryetar parlamenti në largim e sipër, kështu deputetët kanë ikur, kurse Parlamenti nuk ia ka votuar shpërndarjen…

Madje u bëri thirrje edhe ekspertëve nga takimi te Pendarovski, ku dikush ka thënë se një situatë të këtillë Parlamenti nuk mund të mbetet, pasi në gjendje të jashtëzakonshme ndalohen grumbullimet publike, e në Parlament nuk paska kushte që deputetët të qëndrojnë të ndarë njëri nga tjetri me distancë prej një metri, një metri e gjysmë apo edhe dy.

Kush e di se sa argëtuese e kanë pasur në vilën e presidentit në Vodno, ndërkohë që qytetarët rrinë në shtëpi e nga mërzia e skajshme numërojnë teste pozitive dhe negative për koronavirusin. Por, ç’të bëjnë ekspertët. I paska thërritur shefi i shtetit dhe komandanti suprem, e është dashur të shfaqen që të shesin mend.

4Nëse me të vërtetë dëshiron të gjesh zgjidhje, do të gjesh zgjidhje. Si mundej Senati i Spanjës, për herë të parë në histori, në mes të një gjendje krize, të takohet virtualisht dhe në mënyrë elektronike ta votojë protokollin për hyrjen e Maqedonisë në NATO, ndërsa Parlamenti i Maqedonisë nuk mund t’i mblidhet as për të shtyrë një palë zgjedhje? Pse? Vetëm sepse BDI-ja ia mban inatin LSDM-së se Zaevi bën koalicion me BESËN. Një tjetër argumentim i logjikshëm mbi sjelljen e Talat Xhaferit nuk arrij të gjej dot.
Po tani? Zgjidhja? Si të shtyhen zgjedhjet e 12 prillit, të cilat nuk do të mbahen? Kush do të marrë vendimin?

Mirë atëherë, le të mblidhet përsëri Senati i Spanjës. Na doli se ata u angazhuan më shumë për ardhmërinë e Maqedonisë. Deputetët tanë nuk mund të votojnë elektronikisht. Se nuk do t’u llogariten shpenzimet rrugore nëse nuk dalin nga shtëpia.

Dhe menjëherë pas votimit, spanjollët do të dërgojnë vendimin mbretit që ta nënshkruajë. Ai me siguri nuk do t’i thërrasë ekspertët e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe BDI-së që t’u kërkojë mend.

5Do të vijë dita kur do të zbulohet një vaksinë kundër koronavirusit. Por, mendoj se as atëherë nuk do të zbulohet fenomeni i kësaj blerje masive të letrave higjienike në një kohë pandemie.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира