1Dhe ja, kështu pra. Kaloi edhe një javë në pritje të nënshkrimeve që i kërkoi Gjorge Ivanov që të mund ta japë mandatin për krijimin e qeverisë së re.
E Ali Ahmeti ende ia turbullon mendjen publikut me përrallat për vendimin e vështirë shtetëror që iu dashka të marrë. Herë kjo datë, herë një tjetër, herë platforma shqiptare, herë platforma maqedonase, herë paskan analizuar, e herë tjera qenkan konsultuar, herë NATO, herë BE, herë Rusia, herë Sorosi, herë Parlamenti, e pastaj Qeveria…Deri ku vajti kjo punë, filloi të flitet dhe për luftë.
Eh mër popull. E tha edhe vetë prokurorja speciale Katica Janeva diagnozën dhe hallin e të sëmurës Maqedoni. Tha:”Gjyqi duhet të kuptojë që PSP nuk përndjek krim të zakonshëm, por përndjek grupin kriminel, që ndodhet në kulmin e qeverisë. Për këtë arsye, gjyqi duhet të kryejë detyrimin e tij me ndërgjegje, nder dhe profesionalizëm kur bëhet fjalë për rastet e Prokurorisë speciale publike, gjë që për fat të keq nuk ndodh.”
Do me thënë, PSP heton dyshime për krim të rëndë në nivelet më të larta të qeverisë, kurse gjykatësit u ndihmojnë të dyshuarve të shpëtojnë. S’bëhet më e qartë.
Kështu që, kjo zvarritje me pritjen e nënshkrimeve është vetëm një shpërqëndrim i publikut nga tema kryesore. Sepse nuk duhet zbuluar se kush ka vjedhur gjatë zgjedhjeve, kush e ka skllavëruar shtetin dhe kush ka urdhëruar që të përgjohemi të gjithë.
2Nuk janë vetëm gjykatësit nga defteri ata që njihen me emër dhe mbiemër. Edhe ata që na turbullojnë mendjen kanë emër dhe mbiemër. Quhen Gjorge Ivanov dhe Ali Ahmeti. Ata mbajnë përgjegjësi për bllokimin e hetimit. Dhe për pengimin e drejtësisë.
Punën e vetme që presidenti Gjorge Ivanov e kryen mirë dhe me dedikim të veçantë gjatë mandatit të tij është t’ia harxhojë kohën PSP-së. Ai është zbatues i Gruevskit, i cili për herë të dytë e pengon hetimin. Së pari herë ndodhi vjet në prill, kur i falte politikanët e dyshuar, dhe tani kur opozitës i kërkon nënshkrime për t’ia dhënë mandatin, duke qenë se më parë, Gruevski nuk arriti të krijojë qeveri pa mbledhur nënshkrime.
Mirëpo, nuk është vetëm Ivanovi bashkëpunues i qeverisë, në kulmin e së cilës po hetohet për krim, duke u bazuar mbi bisedat që vetë i përgjuan që t’i kontrollojnë. Tani presidentit, i ndihmon Ali Ahmeti, i cili meqë ra fjala nuk e pranon si president. Ai që na huton me komedinë: “Analizoj. Kam vendim të vështirë për të marrë”.
E po, i vështirë është vendimi. Ai nuk është as për dygjuhësinë, as për Qeverinë apo për marrëveshje të re të Ohrit, e as për luftë të re. Sepse ja, siç tha Rafiz Aliti, edhe Gruevskit i janë kërkuar garanci të shkruara, dhe ai ka pranuar gjithçka, vetëm nuk ka arritur të merret vesh me BDI dhe PSP.
Gjithçka mundet, vetëm Shutka jo.
3Herën tjetër kur VMRO-DPMNE të vendosë t’iu lëvdohet anëtarëve dhe simpatizantëve të tij me trenin e ri të blerë me paratë tona, le të paguajë një udhëtim deri në Demir Kapi. Le t’i qerasë anëtarët e tij me një vozitje falas në Shën Trifun. Tani kanë para, kanë marrë kredi për shpenzime korrente. Le të dinë anëtarët se çfarë trena të bukur që kemi. Njerëzit e zakonshëm le të voziten me të vjetrit. Atëherë kur të mund të mbërrijnë. E të mos u jetë prishur lokomotiva. E kur vozitësit e trenave të kenë marrë rrogë që të mos dalin në grevë.
Nuk ka kuptim që njerëzit të nënçmohen duke i rrahur policia. E t’i incizojnë se si rrihen në tryezë. Le të bëjnë lotari, siç bënin për punësimin në pyjet e Maqedonisë. Le t’i ndajnë kartat për trenat sipas kuotave – që ekskursioni të jetë politikisht korrekt – pak për Unitetin e forcave të rinisë, pak për Unitetin e grave, pak veteranëve e le t’i çojnë për krasitje të vreshtës. E pastaj, pasi që të jenë ngopur falas, mund të shkojnë kolektivisht në bankë që të bëjnë donacion prej 60.000 denarëve për partinë nga keshi që u është gjetur i fshehur në shtëpi. Sepse 60.000 denarë duhen donuar nëpërmjet llogarisë bankare. E kështu mbetet gjurma e parave.
4Shumë më intereson, këta që argumentojnë që Rusia duhet të jetë partner strategjik i Maqedonisë, a kanë numër të njëjtë të të afërmve që kanë emigruar në Rusi, me ata që kanë emigruar në Gjermani, Amerikë, Australi, Kanada…? Pse nxjerrin pasaporta bullgare? Për të kërkuar punë në Rusi? Apo në Evropë?
Jam i bindur që më shumë flasin rreth asaj që Rusia tani duhet t’i ndihmojë Maqedonisë, ata që të parët nxorën pasaporta bullgare dhe tashmë janë shpërngulur në Gjermani. Besoj që edhe dygjuhësia më së shumti u pengon atyre me pasaporta bullgare. Njëlloj si nuk e japin emrin ata që figuruan si bullgarë që të fitojnë pasaportë bullgare.
5Teksa prisnim analizat e Ahmetit për platformën maqedonase të Xingos, i humbëm goranët dhe maqedonasit nga Prespa e vogël dhe Gollobërda në Shqipëri. Parlamenti evropian adoptoi rezolucion për përparimin e Shqipërisë drejt BE, ku Shqipërisë i kërkohet t’i sigurojë të drejtat minoritetit bullgar në Prespën e vogël dhe Gollobërdë.
Ndërsa ministri i punëve të jashtme, Nikolla Poposki ndaj kësaj gjëje reagoi me një status të ashpër në – Fejsbuk. Sepse mjete të tjera diplomatike nuk ekzistojnë.
Po ambasadori jonë në Bruksel çfarë ka bërë? I ka shfrytzuar ditët e fundit të uljeve dimërore? Po lobistët e partive motra të VMRO-DPMNE ku ishin? U lodhën nga lobimi se si ta vënë baxhanakun e Mijallkovit për gjyqtar në Gjyqin evropian për të drejta të njeriut, e tani për Prespën e vogël vendosën që të pushojnë. Po paratë për lobimin që i harxhoi VMRO-DPMNE, ku shkuan? U harxhuan për damkosjen e ambasadorit amerikan Bejli. Kështu për goranët nuk pati më para. Për ta u desh të harxhonin bullgarët.
Përktheu: Fjolla Zllatku