VILLMA DHE ANXHELA

Dhe kur qeveria thotë: një shoqëri për të gjithë, kjo nuk do të thotë se shteti duhet të jetë fer për të gjithë, përveç atyre që paguajnë tatime.

1 Në pritje të ambasadores së re amerikane Anxhela Prajs Ageler, e cila u premtoi sentatorëve në Uashington se detyra e saj kryesore do të jetë të luftojë kundër korrupsionit në Maqedoni, nuk po humbasim kohë që t’i hapim edhe më shumë punë. E kështu, në historinë e luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së drejtësisë dhe shtetit të drejtë fituam edhe një tjetër shembull. Një funksionar qeveritar, ashtu siç në këtë rast është Arafat Muaremi nga Policia financiare, arriti ta heqë prokuroren kryesore, në këtë rast ajo quhet Villma Ruskovska, e cila me urdhër të gjyqit ka bërë bastisje të zyrave në një institucion shtetëror ku ai vetë është drejtor. Le të provojë tani ndonjë prokuror tjetër të bëjë hetim kundër një funksionari shtetëror.

Në një rast tjetër, u bë e zakonshme praktika që drejtësia në Maqedoni të jetë e tillë, që të akuzuarit që kanë më shumë para e blejnë lirinë në marrëveshje me gjyqin, marrin dënime të kushtëzuara ose të zvogëluara dhe kanë të drejtë zgjedhjeje që dënimin me burg ta kalojnë në një anije në liqen. Me thënë të drejtën, vetë Villma Ruskovska një herë pati thënë se shteti nuk ka asnjë dobi nëse oligarkët e pasur zgjedhin të qëndrojnë në burg në vend që ta blejnë lirinë, e shteti të ndërtojë çerdhe.

Eja këtu, do të merremi vesh, nëse ke para drejtësia do të përmbushet.

2 E pastaj habitemi se pse njerëzit reagojnë me tallje ndaj lajmit se Qeveria merr masa për të kursyer rrymën. Se askush nuk beson se ngarkesën e krizës energjetike do ta ndajmë të gjithë në mënyrë të barabartë.

Kush shqetësohet se do të shtrenjtohet rryma? Ata që paguajnë. Ata që nuk paguajnë nuk ka se pse të shqetësohen, kur të tjerët paguajnë për ta.

Ndërkohë që puna nuk është për të qeshur. Nuk do të ketë rrymë. Dhe ajo që do të jetë, do të jetë shumë e shtrenjtë. Por paralajmërime të tilla dramatike të masave të qeverisë për kursim të energjisë merren seriozisht vetëm në shtete serioze. Barcaletat tona për masat e qeverisë nuk janë për shkak të asaj se njerëzit janë joseriozë, por ngaqë nuk kanë besim te institucionet. Më saktë, nuk kanë besim te njerëzit që janë futur në ato institucione, kush me privilegj partiak, e kush me çelsin e përqindjes etnike.

Shumë më intereson se si do të arrijë qeveria t’i dënojë udhëheqësit e institucioneve që nuk do t’ia dalin të kursejnë 15 përqind nga rryma që kanë harxhuar vjet? Nëse i dënon, le të publikojnë lista çdo muaj, të shohim se cilës parti i përkasin të dënuarit. Ata nuk mund t’i dënojnë që nuk vijnë në punë, e do të t’i dënuakan udhëheqësit që i ka vënë ndonjë parti.

Edhe pse, për hir të së vërtetës, këtë herë është më mirë të mos vijnë fare në punë. Të kursejmë për ngrohëset që i ndezin përveç parnos, për dritat e harruara dhe kompjuterët e hapur.

3 Edhe sa njerëz duhet të punësohen që të marrin rrogë, e të mos shkojnë në punë që të realizohet metodologjia e ministrit për administratë shtetërore Admirim Aliti, i cili ka llogaritur se në punë shtetërore duhet të punësohen 31,5 përqind shqiptare? Në këtë llogaritje ka vënë edhe shqiptarët e Maqedonisë, të cilët në regjistrimin e fundit janë paraqitur se kanë jetuar jashtë shtetit.
Drejtori i Entit shtetëror për statistikë Apostoll Simovski thotë se në këtë llogaritje duhet të hyjë vetëm popullsia që jeton në Maqedoni. Ministri thotë se duhet të hyjnë edhe ata që janë jashtë shtetit, edhe ata të nuk janë regjistruar, si dhe ata që e bojkotuan regjistrimin. Le të jetojnë ata në Zvicër, por këtu le t’u vazhdojë pensioni.

E pastaj, shko e pyet se çfarë bëri Komuna e Haraçinës me gjysmë milion euro që ia tha Qeveria Zaevit, ashtu, pa asnjë projekt. Menjëherë do të të akuzojnë se je nacionalist maqedonas. E kur bën një krahasim se pagesa më të ulët të tatimit të pronës është në Tetovë (55%), Gostivar (40%), e përqindje më të mirë kanë Velesi dhe Gjorçe Petrovi me 97% dhe Kavardarci dhe Aerodromi (95%), sërish do të të quajnë nacionalist maqedonas.

Për më tepër ministri i financave Fatmir Besimi do të shpikë reforma tatimore me tatim të gjelbër, do të llogarisë se sa pak tatohen kamatat e aksioneve të kursimit dhe do të shkruajë kolumna me definicione të tatimit të drejtë. Ku jeton Besimi? Në cilin shtet komuna të tëra nuk mund të mbledhin as edhe 50 përqind të tatimit, e enklava të tëra nuk paguajnë tatim fare?

Nuk bëhet fjalë për nacionalizëm. Kjo nuk është një çështje etnike. Kjo është çështje e xhepit. Bëhet fjalë për para.

Dhe kur qeveria thotë: një shoqëri për të gjithë, kjo nuk do të thotë se shteti duhet të jetë fer për të gjithë, përveç atyre që paguajnë tatime.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира