ZËRI

Po, këta këtu as plehrat nuk dinë t’i pastrojnë vetë. As në kuptimin e drejtpërdrejtë, as në atë figurativ.

1 Si tha ambasadorja amerikane Angela Ageler, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit i shpalli ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe gjykatësin e Apelit Enver Bexheti të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm? “Nëse ne mund të mbledhim prova, besoj se edhe autoritetet maqedonase mund të bëjnë të njëjtën gjë.”

Mund të bëjnë. Por nuk duan. Sa herë që një emër i ri i një qytetari maqedonas shfaqet në listën e zezë amerikane, hapet i njëjti debat që vazhdimisht zgjon zhgënjime të reja. Sepse bëhet fjalë për dyshime mbi vepra penale të evidentuara nga një shtet i huaj. Ndërkohë, shteti ynë nuk dëshiron t’i shohë ato.

Ne kemi policinë, policinë financiare, inteligjencën financiare, prokurorinë dhe gjykatësit… Kemi edhe “zërat” për dyshime mbi vepra penale. Vetëm gjykatësi Bexheti ishte lajm në media kur shtynte proceset kundër Sasho Mijalkov pa fund, por zërat tanë janë të pavlefshëm. Vetëm pasi zëri erdhi nga Uashingtoni, Prokuroria hapi një rast. Ndërkohë, Shoqata e Gjykatësve deklaroi se “vendosja e cilitdo gjykatës në listën e zezë të SHBA-së është një goditje serioze për nderin dhe reputacionin e funksionarit të caktuar të gjyqësorit.”

Kur ne shkruanim për të gjitha makinacionet në Këshillin Gjyqësor për t’u shpëtuar mu “i caktuari” Bexheti, gjykatësve nuk u bëhej fare vonë për nderin dhe reputacionin. “Zëri” atëherë nuk mbërrinte në veshët e Prokurorisë. Nuk i kapën ata që kanë marrë ryshfet, dhe tani krenohen se do t’i kapin edhe ata që kanë dhënë ryshfetin.

Ej, lërë nderin, më e rëndësishmja është të mos i zemërosh ata që të kanë shënuar në bllokun e partisë. Kështu që edhe ky entuziazëm rreth shtimit të emrave në listën e zezë amerikane do të fashitet së shpejti. Artan Grubi jashtë BDI-së tani është thjesht një qytetar i zakonshëm. Çfarë mund të humbasë? Nuk do të mund të shkojë me pushime në Amerikë. Kurse gjykatësi Bexheti në të ardhmen nuk do të shkojë në trajnime në shtetet amerikane.

Ambasadorja Ageler tha se SHBA ka shpenzuar gjysmë miliardë dollarë për trajnimet e sistemit të drejtësisë dhe se 85% e gjykatësve dhe prokurorëve maqedonas të paktën një herë janë dërguar në SHBA për trajnim. Investimi doli “zero me zero”. Si për ta, ashtu edhe për ne. Në Amerikë janë trajnuar nëpër qendra tregtare. Ndërsa në shtëpi u bënë ekspertë për të vonuar në mënyrë efikase skadimin e veprave në çështjet gjyqësore.

2 Artan Grubi, edhe në letrën me të cilën u nda nga politika, shkroi se gjithçka që ka bërë, e ka bërë me partnerët strategjikë nga SHBA. Problemi nuk është çfarë ka bërë me dijeninë e tyre, por çfarë ka bërë pa dijeninë e tyre. Dhe, ndoshta, ai ka llogaritur në mbështetjen e tyre duke pozuar me flamujt amerikanë. Nuk besoj se amerikanët nuk i kanë mbledhur provat për të edhe kur ishte zëvendëskryeministër. Dhe jo çfarëdo zëvendëskryeministri – por zëvendëskryeministri i parë.

Tani që nuk është më në pushtet, i erdhi radha edhe atij të bashkohet me emrat e tjerë të njohur nga elita politike dhe e biznesit maqedonase të shpallur në listën e zezë. Mbrojtja që Grubi e keqpërdorte, duke thënë se “amerikanët janë me mua,” ra bashkë me rënien e tij nga pushteti.

Sinqerisht, do të doja të besoja se me përfshirjen e një funksionari të lartë të BDI-së në listën e zezë, sidomos një personi të ndikueshëm si Grubi, administrata amerikane po dërgon një mesazh se liderët politikë të shqiptarëve në Maqedoni nuk duhet të mbështeten në një përkrahje pa kushte – pavarësisht sa shumë valëviten flamujt amerikanë.

Ambasadorja Ageler tha se shënimi i Grubit dhe Bexhetit në listën e zezë nga Departamenti i Shtetit është provë se ndikimi politik në gjyqësor nuk mundet dhe nuk do të tolerohet. Pra, duart larg nga gjyqësori. Por gjyqësor është edhe Gjykata Kushtetuese, para së cilës BDI-ja, për të disatën herë, ka nisur procesin e kërcënimeve me luftë nëse diskutohet për ligjin e gjuhëve.

Në cilin shtet Gjykata Kushtetuese nuk shqyrton kushtetutshmërinë e ligjeve? Dhe çfarë është ky absurditet që Gjykata Kushtetuese “nuk duhet të vendosë në mënyrë monoetnike për çështje që prekin shqiptarët? Ata njerëz që janë ulur aty, janë gjyqtarë kushtetues apo janë maqedonas dhe shqiptarë? Për çfarë diskutojnë? A është diçka kushtetuese apo kundërkushtetuese, apo merren me ndjenjat personale – kush është maqedonas i madh dhe kush është shqiptar i madh?

Pra, sikur nuk na mjaftojnë universitetet, shkollat dhe kopshtet e veçanta, tani të bëjmë edhe gjykata të veçanta për shqiptarët. Çfarë është hapi i ardhshëm? Spitale të veçanta?

Nëse jo, atëherë le ta shpërbëjmë Gjykatën Kushtetuese dhe ta lëmë vetëm Ali Ahmetin në tendën e tij, sepse ai e di më mirë se të gjithë çfarë është kushtetuese.

Sa herë që BDI nuk është në pushtet, menjëherë fillojnë kërcënimet me luftë, nxjerrin çizmet nga tavani, mprehin thikat, pastrojnë pushkët… Në të vërtetë, edhe VMRO-DPMNE ushqehet mirë me ato kërcënime. Që nga dita e parë kur u bë lider i partisë, Hristijan Mickoski nuk ka reshtur së foluri për destabilizim. Situata na është e njohur. BDI kërcënon. Kurse VMRO-DPMNE na tremb me kërcënimet e BDI-së dhe na mburret se do të na mbrojë.

Gjithsesi, le të mos hapim plagë të vjetra si ato të Lagjes së Trimave. Ende nuk janë shëruar. Dhe ende dhembin.

3 Akuadukti i Shkupit, monument kulture nga shekulli i 6-të me rëndësi të veçantë dhe simbol i kryeqytetit, do të restaurohet me një grant prej 205,000 dollarësh nga Fondi Ambasadorial i Trashëgimisë Kulturore të SHBA-së. Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, e vizitoi akuaduktin së bashku me ambasadoren amerikane Angela Ageler.

Por, në fotot që pamë, rreth Akuaduktit kishte grumbuj mbeturinash.
Ja, këta jemi ne. Vijnë të huajt për të dhënë mijëra dollarë që të mbrosh trashëgiminë tënde historike dhe kulturore, dhe ti i mirëpret me – plehra. Madje, as edhe një ministër, në këtë rast i Kulturës dhe Turizmit, nuk është në gjendje të vërë në lëvizje sistemin, të paktën për të përgatitur terrenin dhe për të pranuar dhuratën në një ambient të pastër, nga disa taksapagues të një vendi tjetër.

Ndoshta duhej që fillimisht ambasadorja suedeze, me ekipin e ambasadës, siç kanë bërë më parë, të shkonte personalisht për të mbledhur plehrat rreth monumentit, dhe më pas ministri të shkonte me ambasadoren amerikane për të pranuar 205,000 dollarët.

Dhe çfarë mund të mendojë ambasadorja amerikane kur sheh mbeturinat rreth monumentit?
“O Zot, në çfarë gropë po i shpenzojmë paratë tona. E njëjta gjë si me paratë për trajnimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këta këtu nuk dinë as t’i pastrojnë vetë plehrat. As në kuptimin e drejtpërdrejtë, as në atë figurativ.”

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира